Shkelqim Bumci, inxhinier, nje nga ata njerez qe punuan pothuajse ne te gjithe veprat e 5-vjecareve deri diten e arrestimit ne vitin 1976. Si beri 10 vjet burg per te dale me pas dhe per te qene ne ndermarrjen e pishinave. Drejtimi i Shoqates se Ndertuesve pas vitit 1999 dhe tashme ne nje studio private konsulence ndertimi.
Ky eshte nje moment kur ju ishit kryeinxhinier ne Ndermarrjen Industriale te Lacit, nje periudhe qe ju lidh me 4 vepra te medha, Uzinen e Rafinimit te Bakrit ne Rubik, Uzinen e Fosfatit ne Lac, Kombinatin e Drurit ne Lac dhe Fabriken e Cimentos ne Fushe-Kruje?
Pas diplomimit si inxhinier, kam punuar tek 21 dhjetori si inxhinier zbatimi, pergjegjes sektori dhe me vone si kryeinxhinier kantieri ne ndertimet ne Tirane ku me kryesori eshte kompleksi i presidences, ku eshte selia e presidences sot. Ajo eshte puna e pare qe kam bere si inxhinier ndertimi. Ndertimet ne rrugen e Durresit qe jane dhe sot, vila qeveritare e Dajtit qe eshte edhe sot dhe shume objekte te tjera. Ne mars te vitit 1963 vajta ne Lac, ku u emerova kryeinxhinier ne Ndermarrjen e Ndertimeve Industriale ne Lac. Ne ato vite, Ndermarrja e Ndertimit ne Lac ishte ndermarrja me e madhe e ndertimit ne Republike. Sic e thate dhe ju, ndertoheshin 4 vepra ne te njejten kohe, paralel, dhe te katerta jane ndertuar ne periudhen e viteve 1963-1966. Ka qene nje pune me te vertete e veshtire, ku ka spikatur ajo deshira e madhe dhe pasioni i tere personelit te inxhiniereve te ndertimit per t'i realizuar ato vepra, dhe me kete rast une desha te permend disa nga drejtuesit kryesore te ndermarrjes, si Pirro Kono, Xhavit Fejzo, Bujar Basha, Bajram Muca, Ilia Prifti, Ernest Sokoli, Ejup Maliqati, Hysen Bardhi, e shume te tjere. Nuk mund te le pa permendur edhe kontributin e shquar qe kane dhene dhe dy repartet e te burgosurve politike. Si Bardhyl Berishovi qe nuk eshte me, qe fati e deshi qe me vone ti takoj ne Spac kur vajta si i burgosur. Nga kryeinxhinier i ndermarrjes qe isha ketu, kur vajta ne Spac, i gjeta aty dhe kjo qe nje faktor pozitiv sepse me krijuan nje ambient jashtezakonisht te ngrohte, pasi faza e pare eshte shume e veshtire. Sigurisht, perfundimi i ketyre 4 veprave, eshte nje arritje e madhe qe kaloi me veshtiresi te medha. Vitin 1963, ishte nje vit i zi, nuk ishim askund me realizimin e detyrave te planit, kishim mungesa te medha ne transport, ne makineri, ne specialiste, megjithate e morem veten dhe pothuajse te 4 veprat arriten te perfundonin ne afatin e caktuar. Nder to, ka pasur inxhiniere dhe teknike, mund te permend Yzer Xhenepi, Aziz Lleshi, Medin Shtina, Halil Zoto, Bardhyl Koto, Petrit Bekolli, Xhelal Beqiri, Mihal Koroshi, Pjeter Nikolla, Gjetan Demiri e shume te tjere, te cilet kane punuar me vendosmerine per perfundimin e atyre veprave. Pa arritur inaugurimin e ketyre veprave, u transferova kryeinxhinier ne ndertimin e hekurudhes se rinise Rrogozhine -Fier. Ishte nje pune krejtesisht tjeter, gjeja me kryesore ishte ana organizative qe te behej me mijera njerez, ku cdo turn kishte 8 -10 mije vullnetare ne gjithe sektoret e hekurudhes dhe atje pergjithesisht ishte pune e thjeshte, u bene vepra kryesisht ne bujqesi sic ishte ura e Rrogozhines, kryqezimet ne disnivel etj. Dhe ketu desha te permend disa nga koleget e mi qe kane dhene nje kontribut te shquar ne ndertimin e kesaj hekurudhe, si drejtori Pirro Stefa, Andrea Papastefani, profesor i nderuar qe ishte kryetar i deges se rinise, Thanas Braho, Mergim Korca, Kristo Haxhia, Ismet Pengu etj. Sigurisht, nje pune shume te madhe beri dhe rinia e vendit tone e une edhe sot ne distancen e pothuaj gjysme shekulli, mund te them se kane ndihmuar shume opsionet e rinise ne emancipimin e rinise ne menyre te vecante te zonave te thella. Kjo sepse shihej diferenca, si vinin dhe si iknin. Pas perfundimit te kesaj hekurudhe, shkova drejtor hekurudhe Elbasan- Perrenjas. Kjo ishte krejt nje natyre tjeter, ishte nje veper shume e veshtire inxhinierie, dhe mund te them prape sot ne distancen e viteve se eshte nje nga veprat me te veshtira te inxhinierise qe eshte projektuar dhe eshte ndertuar nga njerezit tane. Dhe ketu dua te permend ne radhe projektuesit tone te nderuar si Shaban Trojzi, Mitat Demiri dhe inxhinieret qe punuan ne zbatim, Bardhyl Ceku, kryeinxhinieri, Demir Hoxha, Hysni Korca, Thoma Braho, Xhafer Vila, Arifjo Obelli, Sadik Elezi, Pajtim Mushobani, Kristaq Nase, Jashar Koshkollari etj. Edhe ketu, sigurisht, spikat puna e madhe e rinise por ne ndryshim nga hekurudha Rrogozhine-Fier, ketu kishte shume vepra arti. Shume tunele, shume viadukte, shume ujembajtes, keshtu qe paralel me 8-10 mije vullnetare qe kishte cdo turn ne kishim nje force stabel prej 2400-2600 vetash specialiste dhe punetore. Hekurudha spikat dhe per nje gje tjeter, se per here te pare u blene dhe u vune ne pune pajisjet e shpimit te tuneleve, te cilat me vone i moren ushtria dhe hidrocentralet si dhe u pergatiten specialistet e pare per shpimin dhe betonimin e tuneleve.
Me lejo t'ju pyes lidhur me kete hekurudhe. Nje nga veprat me te rendesishme eshte dhe ura e Bushtrices se ciles i jane thurur dhe poezi dhe kenge. Ne ate kohe thuhej se eshte nje nga urat me te medha ne Ballkan....?
Per ne ka qene ure e madhe edhe sot mbetet ure e madhe, gati 400 e sa meter, 50 meter e larte. Ura te tilla ne bote ndertohen me qindra dhe me mijera nuk ka diskutim, por per ne ishte e madhe se eshte bere me krahe, dhe sot po ti shohesh pilat e ures se Bushtrices, e kane biografine ne vargje aty, ato nderprerjet e dites, e turnit, e muajit e te tjere me radhe. Aty eshte bere 100% me krahe, sot as nuk imagjinohet nje pune e tille. Por per ne ka qene nje veper e madhe.
Megjithate ju nuk qendruat ne hekurudhe derisa perfundoi ajo sepse ju emeruan ne nje detyre akoma me te rendesishme?
Eshte e vertete. Une qendrova ne hekurudhe deri ne vitin 1971, mbaruam periudhen e pare ne nentor te vitit 1971 dhe inauguruam dergimin e trenit deri ne Librazhd. Mbaruan tunelet e Murashit dhe ishin nje sukses i madh sidomos Murashi 1, ishte 1km, e kemi care ne 4 drejtime, hyrja, dalja dhe me steke ne mes. Fale punes se talentuar te topografeve, Sekrezem Laku, Isuf Mehmeti te asaj kohe qe aksi i tunelit levizi me dy-tre centimetra megjithese ishte punuar ne 4 drejtime. Ne ate kohe, mua me thirren dhe me emeruan kryeinxhinier ne drejtorine e pergjithshme te ndertim-montimit te kombinatit metalurgjik. Sigurisht, ishte koha atehere qe nuk mund te beja as ankesa dhe as kerkesa, perkundrazi duhet te falenderoje per besimin dhe te shkoje atje ku te kane caktuar. Me thene te drejten, une kam ikur me zemer te vrare nga hekurudha sepse e kisha me shume qejf, me shume pasion dhe isha shume i lidhur me kolektivin e hekurudhes, sepse e kishim krijuar bashke dhe ishim rritur bashke qe nga Rrogozhine-Fieri e deri tek Elbasan-Perrenjas. Megjithate, detyra eshte detyre dhe une fillova ne kombinat metalurgjik dhe ajo mbetet nje nga kantieret me te medha te ndertimit te vendit tone dhe sic e kam thene atehere kur i shkrova ish-diktatorit tone, qe veper aq e madhe, as nuk eshte bere dhe as nuk ka per tu bere ne 20-30 vitet e ardhshme ne vendin tone. Dhe koha e vertetoi, mbase do arrije te beje gjera me te medha. Ekonomia e tregut do na nxjerre ndonje gje tjeter, por ajo ka qene nder kantieret me te medha. Brenda fushes punonin 90 kantier ndermarrjeje dhe ndertimi, kishte rreth 10 mije e 500 punetore e specialiste, kishim 2000 vullnetare dhe ne vitin 75 sollen dhe nga industria 3500 vete per t'u pergatitur per shfrytezimin. Pra ne nje fushe ishin 16 mije veta, punohej me tre turne. Per ne kombinat desha te permend drejtoret, kane qene tre drejtore, Beish Xhiberja ka qene drejtori i pare, inxhinier Eqerim Shijaku ka qene bashke me mua, inxhinier Feriz Mataj ka qene pas nesh, eshte njeriu qe ka mbajtur peshen kryesore pas asaj periudhe te veshtire qe u kalua. Dua te kujtoj inxhinieret qe nuk jane, qe kane dhene nje kontribut te shquar ne ndertimin e kombinatit, si inxhinier Demir Hoxha, Kujtim Dakli, Robert Semini, Petraq Treska, Sali Vincani, Skender Cema, Nuri Rusi, si dhe inxhinieret dhe bashkepunetoret e mi si ne drejtori te pergjithshme ashtu dhe ne ndermarrjet e kantierit kryesor, Yllka Zaloshja, Rasim Qerma, Fitim Gjebrea, Robert Floqi, Luiz Aleksi, Petrit Sina, Vladimir Meksi, Sakip Zebi, Jashar Koshkollari etj. Viti 1975, e kam thene dhe ne nje shkrim me pare, ka qene nje lemsh i zjarrte ne metalurgji dhe gjithe synimi jone ishte qe gjithe ky lemsh i zjarrte te mos pengonte njeri-tjetrin dhe te shkonte ne drejtimin qe donim dhe te perfundonte fazen e pare. Qeveria luante shume, kishim nje presion te jashtezakonshem, ne nuk dinim asgje, ata pergatiteshin per prishjen me Kinen dhe donin medoemos qe te perfundonte faza e pare, megjithese kishim mungese pajisjesh dhe makinerish, presioni ishte i jashtezakonshem qe te mbaronim ne kohe.
Faza e pare ka lidhje dhe me venien e eficences se furrnaltes se pare?
Po. E arritem ate, ne tetor ose nentor nuk e mbaj mend mire u inaugurua furrnalta e pare. Dhe ketu ka nje gje shume interesante, ne nentor te vitit 1975 mbaj mend u bene listat per dekorim dhe Komiteti i Partise kishte propozuar per mua flamurin e kuq te klasit te pare. Dhe keto dekorime, sic ishin zakon, beheshin nga aparati dhe kalonin ne organizate, pastaj ne Komitet te Partise, kalonin ne byrone e rrethit dhe shkonin ne ministri, pra te tere keto instanca qe i kishte kaluar ne nentor. Dhe me 3 dhjetor, une shkarkohem brenda dites, madje ishte urdhri qe duhej te paraqitesha ne Berat si inxhinier i thjeshte. Sigurisht qe u revoltova pa mase.
Ishte dicka e papritur per ju?
Ishte e papritur. Kisha nje besim te jashtezakonshem ne veten time dhe duke qene i paster dhe i ndergjegjshem qe nuk i kisha bere keq njeriut te gjalle, aq me pak punes dhe vendit tim. Nuk e prisja dhe ajo qe me revoltoi me shume ishte ajo brenda dites, jo ajo e shkarkimit se per te me shkarkuar ata me shkarkonin kur te donin ata, e kupton? I bera telegram Enver Hoxhes dhe Mehmet Shehut dhe si duket beri efekt, nuk mund ta them tani se ne cilen dere ne te djathten apo te majten dhe me 6 dhjetor me therriten ne metalurgji ne darke. Kishte ardhur Adil Carcani dhe Pali Miska, ishte Minister i Bujqesise. Adili ishte zevendeskryeminister dhe me thote, Cfare ka? Kush ka dhene urdher qe te shkarkohem une brenda dites, i thashe. Une, me tha. Shume gabim, i thashe, po pse brenda dites? Te kemi kritikuar dhe here te tjera per te meta dhe dobesi ne pune, do te shkarkojme dhe do te shkosh si inxhinier i thjeshte ne Berat, nuk ka ndonje gje te keqe ketu, por brenda dites eshte gabim se nuk kam thene brenda dites une, me tha. Ketu ka organizate partie, i thashe, ka komitet partie, gjithe kjo pune si do te ike brenda dites, cfare ka ndodhur? Dhe faktikisht ana formale u ruajt pas kesaj, me therriten dhe kjo eshte shume interesante kjo puna e perjashtimit nga partia. U be mbledhja e organizates, ne ate kohe ishte derguar nje ekip prej 60 vetash nga kontrolli i shtetit, beri ne raport atje dhe ne organizate te partise shtrohet puna per perjashtim. Absolutisht asnje nuk ishte dakord, nje shoku im madje eshte edhe sot perfitoj nga rasti ta falenderoj, Asim Qerma, nuk pranohet tha, ky ka punuar mire ketu dhe atje dhe te gjithe ato atje keshtu thane dhe ky mbeti ne minorance. Organizata e pare nuk ishte dakord, ne komitet te partise se kombinatit. Ne komitet te partise se kombinatit, ishin dhe dy-tre punetore specialiste, ata u ngriten se keta qe ishin punetore nuk mundeshin kurre, ata u ngriten dhe thane, c'eshte kjo? Nga erdhi? Ne para nje muaji e propozuam kete, cfare thoni, etj? Komiteti i Partise se kombinatit nuk mori vendim, ne nuk kemi te dhena, nuk na kane dhene gje partia, te vendose byroja e rrethit. Vajta ne byrone e rrethit. Absolutisht asnje nuk dilte kundra per te thene asgje. Perfundimisht, Sekretari i Pare i Partise, me tha dorezo teserin dhe po te kesh ankesa drejtohu atje dhe me beri me dore me lart ku ishte fotografia e Enver Hoxhes. Dhe ne letren qe i bera Enver Hoxhes i thashe, per te meta dhe dobesi e kam thene dhe here te tjera, por karshi kesaj vepre, ketij kolosi jane gjera te vogla, dhe perfundimisht une jam i ndergjegjshem qe ky eshte maksimumi i aftesive tona fizike dhe mendore, dhe aty kam than se kantier si ky nuk ka per tu bere me per 20-30 vjet.
Me pas ju cuan ne Berat?
Pas shkarkimit dihej se tashme gjendja politike e vendit ishte e acaruar ne maksimum, lufta e klasave ishte ne rend te dites, kerkoheshin gjithandej armiq dhe sabotatore, ishte denuar grupi per ideologji, ishte denuar grupi per ushtarak, grupi i ekonomise, i naftes dhe tani po denohej ndertimi. I thone gjithe ato vepra. E leshoi xhaxhai, se keshtu i them une, gjithe keto vepra te medha me thote ai mua, tashme me vine raporte se ne keto vepra, ne hekurudhe, ne metalurgji ne Ballsh, permendte disa ai, shohim shume dobesi, te meta dhe gabime, madje dhe sabotime. Kaq tha dhe u dha orientimi. Ne te njejten kohe ika une nga metalurgjia, iku Xhavit Sallaku nga Ballshi, qe u befte per rahmet se e pushkatuan, iku Kico Reshi, ish drejtor i pergjithshem i bonifikimit ne vendin tone, nje njeri qe ka dhene nje kontribut te shquar ne bonifikim dhe veprat e ujesjellesit qe jane bere ne Shqiperi dhe do te vazhdonte kjo pune por cdo e keqe sado e madhe thote populli, e ka nje te mire mbrapa. Gjyqi im i Elbasanit beri qe te frenohet, mos te ece me perpara se u leshuan edhe tek hidrocentralet 60 vete ekip kontrolli qe te gjenden sabotime.
Atehere qendrojme ne gjyqin qe u be ne Elbasan...?
Gjyqi i Elbasanit eshte nje epope ne vete, eshte tete dite, ne ate kohe nuk mendoheshin keto pune, nese je per veprimtari armiqesore brenda dites te leshoheshin, fol nese e mundesh apo kishte raste qe nuk i thoshe dot dhe merr denimin. Problemi ishte qe qendrova, e lidh me ate te paren, i thashe ne asnje menyre nuk e pranoj por e hedh poshte resht per rresht, germe per germe, aty ishte dhe perplasja e pare me prokurorin. Si prokuror me kishin dhene prokurorin ushtarak te qarkut.
Hetuesi patet?
Vetem 18 muaj, faza e pare dhe 12 muaj faza e dyte dhe 30 muaj e 15 dite kam qendruar ne izolim. U leshua ai, ti je armik dhe ketu po mban qendrim etj. Kujt i thua armik?- i them une. Por ja kam thene me sa fuqi qe kisha. Me fuqine e shpirtit dhe dukej ajo britma ime imponuese, gjej rastin te falenderoj shume dhe Kryetarin e Gjykates Sabri Rrapin, per qendrimin korrekt qe mbajti, i dha nje mundesi gjykimit, mbajti njefare kandari se zakonisht nuk mbahej kandar, e merrte prokurori zvarre gjykaten. Une i thashe jam i pandehur derisa nje gjykim i prere nga gjykata te me denoje, dhe te me tregoje se per cfare aktiviteti do te me denoje? Kjo beri nje jehone te jashtezakonshme, gje e rralle qe nuk bente vaki ndonjehere. Megjithate ata friken e kishin. Thane do te gjykojme ne metalurgji. Ku ta gjej une i thashe? Jam ne mes te punetoreve te mi, te gjithe me njohin. Ne metalurgji jo e jo por as ne sallen e gjykates se dhe aty paten frike dhe me cuan ne zyre te kryetarit, perplasja e pare pati efektin e vet dhe kur u ngritem ne pushimin e pare 10 minuta pushim, prokuroria erdhi aty afer dhe ngriti zerin qe te degjoja une, une ne ate moment po ndizja nje cigare. Shkelqim Bumci e ka marre shume lehte aktakuzen, tha ai, por me kete nen qe te kemi vene, ne te kerkojme koken. Eshte e drejta juaj zoti prokuror, i thashe une, kurse une po te them se per keto dite qe po me mban ne burg une do te kerkoj rrogen. Eshte e shenuar kjo dhe me te vertete erdhi dita pavaresisht se po e marrim pak me vonese, erdhi dita qe ne te marrim rrogen per ato ditet e burgut. Pas nje perplasjeje 5 ditore, rane te gjitha akuzat nje e nga nje. Perfundimisht, diten e peste per here te pare ne historine e asaj diktature, prokurori e hoqi akuzen per veprimtari armiqesore dhe kerkoi te denohem per shfrytezim te detyres zyrtare dhe ate nuk e pranova sigurisht. Dhe cfare mbeti? Me 2 gusht ka qene festa e ndertuesit dhe une kisha thirrur nga te gjithe kantieret e hekurudhes punetoret me te dalluar per nje darke, ne mense, me nga tre qofte, nga nje birre dhe nje cope buke, kaq ishte. Mirepo pa filluar akoma pa bere pershendetjen ata i mbaruan ato dhe me thote ai i kuadrit shoku drejtor keto mbaruan si t'ia bejme? Edhe njehere i them une dhe te gjitha ato benin 17 mije e 600 leke. Ne kishim nje ndermarrje te furnizimit te punetoreve qe na ushqente. Drejtori i saj, nje njeri i nderuar, i vinte zor se ne kishim pa paguar dhe ato qe kishim mbaruar dhe i vinte zor te thoshte, kishte kaluar nje vit dhe ai do te mbyllte bilancin, therras shefin e balances, pse nuk paguan i them une? Eshte ne kundershtim me thote ai. Paguaje i them une? Me fal, tha, por e dua me shkrim. Beje me shkrim, i thashe une dhe ta firmos une. E beri ai dhe une e firmosa, me fal tha por une do ta bej dhe do te raportohet ne ministri. Raportoje i them une.
Ky ishte abuzimi i madh?
Po. 17 mije e 600 leke.
Pra nje rroge e gjysme?
Po, ke te drejte, tamam nje rroge e gjysme. Dhe me e bukura eshte, se kjo u vertetua dhe ne gjyq. Ne gjyq u thirr shefi i balances dhe ai tha tekstualisht ato qe kisha thene dhe une. Me tha mua, po sikur te mos e pranoje ministria? I thashe, une kam ne libreze 36 mije leke, do ti paguaj nga xhepi, para punetoreve nuk u marr me. Ishte turp t'u them pas nje viti, se keni per te paguar nga dy qofte dhe nje shishe birre. Megjithate, ky nuk ishte i vetmi, ne rang ministrie kishte shume shkelje dhe na therriten ne ministri dhe na kritikuan. Ministri na tha t'iu vleje kjo verejtje se kush do ta perserise do te paguaje nga xhepi, me kete u mbyll. 5 vjet me vone, kjo u fut si sabotim ne te paren duke qene ne pozita armiqesore i kundervihet me dashje, ishte shperdorim i detyres zyrtare neni 199, paragrafi i pare, 5 vjet. Kjo ishte nje fashe kryemadhe per sigurimin, nje renie prestigji per ate qe e insistoi, pas kesaj sigurimi u perpoq ta ktheje ne anen familjare, ta largoje sa me larg nga pergjegjesia, dhe nderkohe punonin intensivisht per ta marre per se dyti. Me sjell im ate lutjen per rishikim, e kam akoma ate letren. I them, i dashur baba nuk ta firmos mos te te ngelet hatri se nuk ka njeri ndermend te me liroje, perkundrazi duan te me denojne me rende, e di teknologjine se une jam brenda dhe e di kete pune. Mirepo prinderit si prinderit dhe dikush i shtyu ata dhe e bene ata kerkesen, kaq mjaftoi dhe me moren dhe njehere nga e para ne Tirane. Ne Tirane pazari ishte i shkurter, ishte i prere, me therriti zevendes drejtoi i sigurimit te shtetit dhe zevendes drejtori i hetuesise, me nje kapadaillek, me kembe permbi kembe ata dhe me thane: He Shkelqim Bumci me tha, nuk te pelqeu akt akuza me 7 faqe, se kaq ishte atehere, na e hodhe poshte rresht per rresht, do te ta bejme me 17 faqe kete radhe, nuk te pelqejne 5 vjet tha? Deshe pafajesi, do te ta bejme 20 vjet. Dhe me te vertete pas nje viti, u be nje vit ne hetuesi, nje kolegj penal i Gjykates se Larte brenda ne burgun e Tiranes me denoi me 20 vjet dhe me nje akt akuze 17 faqe qe e kishte bere karagjozi hetues per t'u bere qejfin shefave, kishte budallalleqe brenda, por vetem ne faqen e 17-te e kishte firmosur. Mbaroi ai gjyq farse. Ishte caktuar qe ne fillim, qe ne korrik me thane ata mua, nje vit me vone ma dha gjykata e larte.
Me thate qe hetuesia juaj zgjati 30 muaj?
Te dy hetuesite zgjaten 30 muaj dhe kur dola nga izolimi, per 30 muaj isha ne izolim dhe nuk kisha fare kontakt, e para gje qe mora vesh ishte se im vella i vogli, Ibrahim Bumci s'ishte me. Nje djale i shkelqyer, nje inxhinier metalurg gjithashtu i shkelqyer, nga presioni i madh, ishte kryeinxhinier ne uzinen e bakrit ne ate kohe, ai vrau veten. Dhe kjo e beri burgun tim, pra la nje gjurme jashtezakonisht te madhe, te hidhur, te pazevendesueshme ne familjen time. Dhe ajo gje qe me vjen shume keq, eshte se une isha vetem 500 metra larg shtepise se isha ne burgun e Tiranes, dhe le qe nuk mora pjese ne varrimin e tij por as nuk e mora vesh per vdekjen e tij, e kam marre vesh pas nje viti. Me kujtohet nga nje shkrim, ne kohen e fashizmit kur Qemal Stafa ishte ne burg i vdiq i vellai dhe i dhane nje dite leje per te marre pjese ne varrim, kurse une as nuk e mora vesh. Gjate kohes qe isha ne burg, me humbi dhe ime me dhe nuk munda as ti hedh nje grusht dhe. Keto jane dy gjera shume te dhimbshme, te pazevendesueshme qe lene vrage ne jeten e njeriut.
Si ishte burgu juaj?
Burgu i asaj kohe nuk ka krahasim, nuk mund te imagjinohet sot. Edhe po ta thuash shume kush e beson, te rinjte nuk e besojne fare njehere. Megjithate burgu i Spacit qe ishte burg me emer te keq dhe ishte me te vertete i keq, pas gjithe ketij izolimi te gjate mu duk si nje shkalle lirie, takohesh me njerez, sheh, degjon nje radio, kishim nje megafon te prishur, degjon, merr vesh, lexon nje gazete te vetme qe ishte.
Megjithate ju vazhduat te punonit edhe gjate periudhes se burgut?
Sigurisht, 6 muajt e pare kam punuar ne galeri, pastaj komandanti i kampit, ishte nje njeri i mire pavaresisht pozicionit qe ai kishte, ai me mori dhe me kaloi ne ndertim. Ka mundesi te behet tha, fonde nuk kemi, para nuk kemi, megjithate krijuam nje brigade ndertimi dhe une u mora me ndertimin, dhe meqe u mora me ndertimin ne Spac, beme disa gjera te mira atje. Nga aty kalova ne Zejmen dhe aty ndertova nje kamp te ri, nga aty vazhdova deri ne fund inxhinier dhe ne fund jam liruar ne rikonstruksionin e shtepise se pushimit te Ministrise se Brendshme ne Durres, u shtuam te gjithave nga nje kat.
Bete 10 vjet?
Dhjete vjet, dy muaj e 22 dite. Pasi dola nga burgu, fillova perseri pune tek 21 dhjetori, shoket me ndihmuan, pa letra, pa dokumente, pa gje prej gjeje fillova pune dhe njehere atje ku kisha punuar ne fillim. Megjithate, edhe aty erdhi letra te shkarkohet me porosi te organit te larte, te shkarkohet dhe te cohet ne Berat. Aty e ndava mendjen qe nuk shkoj ne Berat, vetem po me cuan me hekura, po erdhi kapteri me hekura, atehere shkoj. Dhe i bera nje urim per vitin e ri Hekuran Isait, se e njihja qe me perpara, e falenderova se me kishte ndihmuar ne lirimin tim, per pune dhe sjellje te mire, se une kerkova pafajesine por ata i vune kete per pune dhe sjellje te mire dhe u lirova para kohe. E urova dhe i thashe per punen mos pyet, tani jam qytetar i lire, jam i zoti i vetes dhe do ti bej derman, e kuptoi ai. Pyeti, u interesua, e mori vesh se kush ka influencuar e qysh e tek, dhe kishte gjetur nje rast dhe i kishte thene Ramiz Alise, ne nje pushim ne nje mbledhje atje, kishte rene puna per pishinat dhe i kishte thene dergojme Shkelqimin, por e kane shkarkuar prape, akoma keshtu me ate djale?, kishte thene Ramizi. Aty te qendroje dhe kaq u desh dhe une pata fatin te punoj ne te vetmen veper qe punohej ne Tirane, kompleksi i pishinave. Ekonomia ishte ne fund, vetem ato u bene, punova atje dhe e mbylla me fabriken e re te miellit dhe me nuk kam punuar pastaj.
Por sigurisht keni vazhduar detyren e specialistit te ndertimit edhe pas ndryshimeve demokratike?
Po, pata fat dhe u jam shume mirenjohes. Menjehere pas ndryshimeve me moren dhe isha drejtor investimesh ne drejtorine e pergjithshme te turizmit. Kur u krijua ministria, drejtor investimesh ne ministri dhe pastaj kur u shua ministria mbeta kryetar i deges teknike te turizmit deri ne vitin 1999. Qe nje periudhe me te vertete e bukur, hartuam shume plane, shume ide, saqe kur e pashe qe nuk behej me gje ne 99-ten, ika se nuk me larguan ata dhe dola ne pune te lire. Ne vitin 2001, u krijua Shoqata e Ndertuesve dhe me kerkese te tyre, vajta drejtor ekzekutiv i shoqates, qendrova 7 vjet e gjysme dhe sigurisht kam qene dhe jam per kete qe ndryshimi eshte i domosdoshem dhe i nevojshem, sado mire qe te punoje njeriu, duhet me kohe ti lere vendin te tjereve qe ta cojne me perpara dhe u terhoqa. Tani kam dy vjet qe punoj. Kam nje studio timen te vogel, Instituti i Konsulences se Ndertimit quhet, merrem kryesisht me supervizion dhe kolaudim punesh.
Ne vitin 2009 Presidenti i Republikes ju dekoroi me titullin "Mjeshter i Madh"...?
Po, per kete u jam mirenjohes shoqates dhe gjithe ndertuesve te Shqiperise, anetareve te shoqates, bordit drejtues, Ministrise se Puneve Publike dhe Presidenti me rastin e largimit tim nga shoqata me dekoroi me titullin "Mjeshter i Madh". Kam ndjere shume kenaqesi per ate dhe ne menyre te vecante per motivacionin, sepse merret gjithe periudha 50 vjecare qe kam punuar ne ndertim, per kontributin e madh ne ndertimin e veprave kryesore ne Shqiperi.
No comments:
Post a Comment