Më 17 shtator, gazeta “Shqip” botoi një shkrim për zhdukjen në mënyrë misterioze nga misioni diplomatik shqiptar në Nju Jork të një pajisjeje të rëndësishme, nga ku komunikohej me Tiranën për informacionet “Top sekret”.
Gazeta “Shqip” ka arritur të sigurojë një shkresë zyrtare të firmosur nga ambasadori shqiptar në misionin e përhershëm në OKB, ku theksohet se është zhdukur pa lënë gjurmë një kompjuter i rëndësishëm që përdorej për të transmetuar informacionet e cilësuara “të klasifikuara”.
Shkresa mban datën 4 mars të këtij viti. Në krye të kësaj shkrese, që mban lëndën “Ngjarje e pazakontë në mision” dhe i adresohet sekretarit të përgjithshme të Ministrisë së Jashtme, ambasadori Ferit Hoxha thekson: “Sot në mëngjes kam konstatuar që kompjuteri i markës ‘Dell’, e që përdorej për komunikimin e klasifikuar është zhdukur”.
Rëndësinë e kësaj ngjarje e jep një pjesë e letrës së ambasadorit, e cila thekson se në këtë kompjuter ndodheshin telegrame drejtuar qendrës, që sipas metodës së punës ishin “sekrete”.
Por nuk bëhet e ditur përmbajtja e telegrameve. Për ngjarjen është shkruar shkurt, ndërsa në paragrafin e dytë sqarohen arsyet se ky skandal nuk mund të zbulohet dhe mund të mbetet në arkivin e mistereve të pazgjidhshme.
“Misioni nuk ka kasafortë në gjendje pune dhe kompjuteri gjendej mbi tavolinën e punës në zyrën ngjitur me atë të titullarit, një nga tre zyrat e punës që ka misioni dhe që përdoret për komunikimet dhe ku ka gjithnjë një person gjatë kohës së orarit zyrtar”.
Por gjendja rëndohet duke lexuar në vazhdim këtë shkresë zyrtare, në të cilën bëhet e ditur se kompjuteri i informacioneve sekrete është zhdukur në mënyrë misterioze, ndërkohë që asnjëri prej diplomatëve tanë në Nju Jork nuk ndodheshin në mision!
No comments:
Post a Comment