Rama - Agolli dhe … një trishtim
Në vitet e dyshimta 1988-‘89, Lidhja e Shkrimtarëve (komunistë), drejtuar nga Dritëro Agolli, organizoi disa “diskutime” speciale në ambientet e saj, në lidhje me ngërçin që kishte pësuar arti dhe kultura ato vite në prag të rënies së madhe. Me sa më kujtohet, dhe më kujtohet mirë, këto ishin debate të kërkuara nga Ramiz Alia, që donte, me sa duket, të kuptonte dhe të testonte humorin e krijuesve më të rinj, humorin e krijuesve “buzëqumësht” dhe tendencën e tyre.
Aso kohe punoja prej dy vitesh si dramaturg në Teatrin Popullor, ndërsa Edi Rama, pedagog në Institutin e Arteve. Tryezat e “debatit” ishin disa, poezia, romani, artet figurative dhe drama, por të gjitha së bashku përmblidheshin në një forum të madh, të vetëm. Të gjithë dëgjonin njëri-tjetrin dhe mund ta mbështesnin ose kundërshtonin paralelisht, njëri-tjetrin... Në krye të gjysmë harkut të krijuar, mbas një tavoline të vogël, qëndronte modest, por i vetësigurt, Agolli. Me cigare në dorë, i urtë dhe me zë të ngrohtë, por me hijen e rëndë të Kryecensorit të Përgjithshëm mbi supe. Debati, vende-vende, u bë i vërtetë. Personalisht mbajta një qëndrim radikal, sepse në diskutimin tim dola në përfundimin se frytet e kalbura të artit shqiptar buronin nga rrënjët e kalbura, dhe rrënja e kalbur, sipas meje, atëherë dhe sot, ishte metoda e kalbur e realizmit socialist. Kështu më tha e trembur dhe me sy pothuajse të përlotur, fill mbas mbledhjes, poetesha e dhembshur dhe e ëmbël, Jorganxhi. Por në këtë shkrim, jam thjesht dëshmitar dhe analist, e pra, besoj nuk është rasti të vijoj e të flas për vete.
Një nga disa diskutimet më me nerv, ishte ai i Edi Ramës. Bile një segment të këtij diskutimi e zbardhi me dashamirësi edhe gazeta e madhe e censurës së asaj kohe, që mbante titullin paradoksal: “Drita”. Rama, i ndërprerë disa herë, iu përvesh egërsisht Agollit dhe mbaj mend se ndër të tjera i tha: “Unë nuk jam një laps në dorën tënde. Artisti nuk mund të jetë një laps në dorën tënde!”
Agolli, i duruar me dhëmbë shtrënguar deri më atëherë, duke ndjerë se i ashtuquajturi “brezi i ri” ishte aguridh, simbas pikëpamjes së tij, shpërtheu dhe ai: “Ne pushtetin e kemi fituar me armë dhe me gjak, dhe me gjak do ta mbrojmë! Fitojeni edhe ju po deshët me gjak dhe llafosim pastaj!”
Ky shpërthim i Kryecensorit të Përgjithshëm, vuri kapak të rëndë dhe të zymtë. “Liria” e brishtë e debatit u vra, sapo lindi. Dhe debati provokator u prish. Rama i gjatë, drejtoi trupin, si periskopin e një nëndetëseje dhe i zverdhur, m’u afrua i shqetësuar.
“Mos e rruj, vlla“, i thashë, për të trimëruar atë edhe veten njëkohësisht, “ata tani, nuk kanë më dhëmbë dhe vetëm lehin! Shpresojnë vetëm te frika.”
Dhe Rama nuk e rrujti. Atë ditë dhe ndoshta për shumë vite rresht.
Mbas 21 vjetësh.
Agolli mbushi 79 vjeç, me gjoksin plot dekorata të “shtrenjta” mediatike si: “Patriarku i socialistëve”, “Kolosi i letrave shqipe”, e të tjera nga këto. Pa i hyrë diskutimit të gjatë, të inflacionit të epiteteve dhe lustrave hipokrite në Shqipëri, më bëri përshtypje vizita që Rama, mbas 21 vjetësh, tashmë kryetar i Partisë Socialiste, i bëri shtëpisë luksoze të Agollit. Tanimë Rama, ndonëse mediatikisht dhe politikisht më i famshëm se Agolli, e vizitonte atë si një dishepull i përulur. Kishte kërrusur trupin e tij të gjatë, dhe rrinte e “shkëmbente mendime” me “Patriarkun” dhe “ish-Censorin e Madh dhe të Përgjithshëm”, sepse ai, jetëgjatë, kishte mbushur 79 vjeç.
Përpara se të hidhja këto radhë, kisha jo pak dilema. Së pari për Agollin, i cili, tashmë ka mbi supe një mantel moshe dhe është megjithatë hokatar, i këndshëm dhe i nurshëm.
Por kujdes! Gjykojmë vetëm mbi atë që duket, apo edhe për atë që është? Këtë koha do ta vendosë, koha me kodet e saj. Por një pyetje akoma qëndron: “Ku janë ata, ‘shkrimtarët armiq’ dhe të mbetur foshnja të vdekura të disidencës së pambërrirë? Sepse diktatura e proletariatit, mbas verdiktit ‘estetik’ dhe ‘ekspertizës’ së Lidhjes së Shkrimtarëve, këtyre shkrimtarëve dhe artistëve u dha burg, internim, plumb të nxehtë mbas tëmthit dhe i la shpesh edhe pa varr?”
Nuk kanë emër dhe pllakë përkujtimore mbi eshtra? Nuk botohen, sepse dorëshkrimet janë djegur? Nuk shihen, sepse pikturat u janë fshirë? Nuk i poqën dot frytet e tyre, sepse pema e tyre u sharrua kohë përpara se të lidhte edhe lulet?
Plenumi i IV-t, i tmerrshëm, i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, shkatërroi mijëra jetë dhe vrau e theri e dogji e fshiu, shumë art dhe shumë kristale dhe shumë sythe që kishin çelur në një pranverë të rremë. Dhe Patriarku ishte aty, diku në tribunë, i zjarrtë, i partishëm, me “baltën e Devollit, gati për ta derdhur në Lidhjen e Shkrimtarëve” dhe e mbajti fjalën.
Të shkuara të harruara?
Ndoshta.
Por askush nuk të lë të harrosh, edhe po të duash. Mediat nuk të lënë të harrosh dhe, mbi të gjitha, nga ana tjetër nuk ka asnjë “mea culpa” historike të Patriarkut. E pse të ketë, kur ndaj tij ka një procesion shumëvjeçar politikanësh që i japin hua një lëpirje politike dhe publike?!
Edi, zoti kryetar i Partisë Socialiste, kujtesëfshirë bëri dhe ai qokën e tij. Edhe nëse Edi sot, i cili mund të jetë i rishkruar dhe i tjetërsuar krejtësisht së brendshmi, nuk mundet të drejtojë kopenë që i vjen pas, si bari që është tashmë, në pyjet e mugëta të së kaluarës, pa e thënë të vërtetën e hidhur kurdo që duhet. Atë të vërtetë, që na ka lënë akoma dhe sot në një mjerim dhe trishtim intelektual dhe kombëtar të skajshëm.
Agolli ka mbijetuar, punë e tij dhe e maktheve të tij personale. Edhe unë, duke shfrytëzuar këtë rast, i uroj një jetë të gjatë. Por të shkosh te ai, për t’u fotografuar pranë tij, si shkohet te hoxha, për t’ju fryrë nuskave socialiste e komuniste, te “Patriarku” pra, te “përcaktuesi i puritetit”, më duket e panatyrshme dhe e tepërt. Nuk mund të shkohet tek Agolli, sikur të ishte ideologu i “perestrojkës“, apo si te “Reformatori” dhe aq më tepër si të ishte një Vaclav Havel, Havelin e burgjeve komuniste që e adhuronim aq shumë dikur. Haveli apo havelët e mundshëm shqiptarë, janë ose nën dhé, falë ekspertizave, si dhe falë pushkës model ‘56. Ose të papërfillur nga kamerat ose të palindur, sepse barku që mund të lindte një Havel në Shqipëri, shpohej dhe pra u shpua, realisht dhe jo metaforikisht, me bajonetë.
Ky ritual më i fundit, rrëfen për një bindje dhe kthim në vijën e vjetër. Duket sikur Agolli ruan tapitë dhe vulën e autenticitetit komunist, lyer me varakun e kohës dhe Rama shkon të marrë “njohjen” dhe bekimin përkatës. Edhe një foto dyshe, sigurisht.
Sqarim: Agolli ndoshta është në rregull me të vetën: “një plak komunist flokëbardhë dhe shkrues plot talente”.
Po Rama, ku është? Ai e di.
No comments:
Post a Comment