Joe Klein/Time/SHBA
Pak kohë më parë në Phenix, në një mbrëmje shumë të nxehtë një grup personash u mblodhën për të folur mbi atë çfarë ndodhë në Shtetet e Bashkuara. Pas pak momentesh u gjendën duke diskutuar mbi rënien e Perandorisë Osmane. Këto kohë ndodh gjithmonë kështu, kur amerikanët nisin e merren me politikë. Tema që përsëritet shpesh është që kohët më të bukura të kombit janë lënë pas, që bijtë tanë nuk do ta kalojnë aq mirë sa ne, që numri një sot është Kina. Grupi ishte ftuar nga Fred DuVal, zëvendëspresident i këshillit për arsimin e lartë në Arizona. Fred është demokrat, por në atë sallë ishin pothuajse të gjithë republikanë. I pari që e mori fjalën ishte Grant Woods, një ish-avokat i shtetit të Arizonës, që sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Turqi. Woods tregonte se në atë vend kishte vërejtur një "melankoli të përhapur" që shkaktohej prej vetëdijes se "Turqia ka qenë një perandori e madhe, por sot nuk është më" dhe ndoshta nuk do të jetë më asnjëherë.
"Edhe unë që kam lindur në Amerikë", tha Woods, "jam rritur me bindjen që vendi ynë është numri një dhe i tillë do të jetë gjithmonë. Ndërsa tani të gjithë kanë frikë se mos ka filluar një rënie e pandalshme dhe që kjo administratë është duke e përshpejtuar këtë proces".
Woods është republikan dhe ka shprehur bindjet tipike të konservatorëve: në vend që të synojë dhe mbështesë sipërmarrjen private, Barak Obama është duke e udhëhequr vendin drejt një modeli asistencialist dhe interventist qeverisjeje, një moel shumë "europian". Eshtë një temë e dëgjuar shpesh, ndoshta është ajo mbizotëruese, por është vetëm një pjesë e ankthit që kam vënë re në diskutimet politike gjatë udhëtimit tim katërjavor nga njëri breg në tjetrin të Shteteve të Bashkuara. Dy javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit amerikanët janë në një gjendje politike që do ta quaja të një vetëdije ekstreme politike. Dhe fushata elektorale paralajmërohet veçanërisht e nderë.
E demonstroi qartë njeriu që mori fjalën pas Woods. Kurt Davis, konsulent i marrëdhënieve publike për Partinë Republikane ishte dakord për faktin që "e majta ekstreme është duke mbytur vlerat amerikane". Megjithatë, ka shtuar ai, "kur klasa e mesme sheh nga e djathta kupton se është dënuar nga liberalizimi ekstrem, i cili ka zhvendosur jashtë vendit miliona vende pune. Në fund qytetarët ndiejnë që ua ka hedhur e majta dhe e djathta. Si mund t'u them sot bijve të mi që do të gjejnë një punë në një kompani të mirë dhe që pas tridhjetë viteve do të kenë një pension të mirë? Do të ishte gënjeshtër. Njerëzit kanë kuptuar që këto gjëra nuk ekzistojnë më, prandaj janë të zemëruar. Ishte ky zemërim që solli zgjedhjen e Obamës. Ai ishte prezantuar si kandidati antiestablishment. Por edhe McCain dukej si antiestablishment, edhe Bill Clinton. Megjithatë, më pas askush nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjërat".
Ka folur me dhjetëra kandidatë dhe qindra zgjedhës. Zgjedhësit janë më elokuentë dhe më të paparashikueshëm se sa politikanët. Pothuajse të gjithë janë shumë të zhgënjyer nga mënyra se si mjetet e informimit e paraqesin debatin kombëtar. Tendenca është që kanë më shumë ankth se sa zemërim, edhe pse ajo një e tretë e elektoratit që manifeston zemërimin e vet - Tea Party - ka më shumë vizibilitet se sa Presidenti i SHBA dhe partia e tij. Republikanët kanë prirjen të jenë më zëfortë se sa demokratët dhe ofrojnë zgjidhje më të qarta: ulje taksash dhe reduktim të shpenzimeve publike.
Në të gjithë debatet ka një temë që rikthehet: reflektimi mbi parimet themelorë. Është si një moment reflektimi kombëtar. Të gjithë bien dakord me faktin që qeveria federale ka pësuar një shtrembërim thuajse të parikuperueshëm. Por argumenti që shkakton edhe zemërimin më të madh është padyshim sjellja e komunitetit financiar gjatë tridhjetë viteve të fundit dhe efektet që ka patur mbi ekonominë. Shumëkush ka nisur të ngrejë pyetje mbi vlerat e veta dhe verat e njerëzve që ka përreth. A është e drejtë të pushoh së paguari këstet e kredisë? Sipas një sondazhi të Pew Research Center, pothuajse një e treta e amerikanëve mendojnë që po. Po prindërit tanë, do të ndalnin ndonjëherë së paguari kredinë? Kurrë. E çfarë na thotë kjo për parimet tona morale? Fakti që shumë persona vendosin të mos paguajnë kredinë ka diçka të bëjë me rënien e këtij vendi? Lufta e përjetshme e nisur në 11 shtator 2001 është një tjetër element që provokon çorientim dhe zemërim.
E megjithatë, për çdo diskutim mbi Afganistanin ka 25 të tillë mbi Kinën: shqetësimi për ekonominë është shumë më i fortë se sa ai për terrorizmin. Kam njohur dy kandidatë republikanë që janë rezervistë në ushtri dhe që kanë bërë nga një turn jashtë vendit në vitet e fundit. Njëri quhet Rocky Razowsky dhe vjen nga Michigani, ndërsa tjetri është Joe Heck nga Nevada. Të dy e kanë shumë për zemër sigurinë kombëtare e megjithatë kanë shprehur dyshime serioze mbi rolin e SHBA në Afganistan. Sa herë që pyes ndokënd se çfarë mendon për luftën, reagimi i parë është indinjimi për koston e saj.
Nga një takim në tjetrin kam përshkuar me makinë distanca të gjata të peizazheve amerikanë. Gjatë këtyre udhëtimeve fillova edhe unë të pyes veten se çfarë mendoj për jetën politike amerikane, nga liberalizimi ekonomik deri tek spekulimet financiare, deri tek bazat në Gjermani dhe Okinaua. Udhëtimi me makinë për katër javë dhe pothuajse 11 mijë kilometra më bëri të heq dorë nga gazetat, revistat, librat. Kam parë TV kabllor maksimumi 15 minuta në ditë. Në fund isha i disintoksikuar dhe i transformuar. Isha çliruar nga politika dhe munda të shoh amerikanët ashtu si janë: të apasionuar dhe krenarë, injorantë dhe të mençur njëkohësisht.
Ndërkohë që opinioni publik jeton pasione të mëdha, Barak Obama jeton në një sferë të paarritshme, jashtë dhe mbi "rrëmujën". Presidenti është i respektuar, por nuk gëzon admirim të madh. Popullariteti i tij ka rënë kaq poshtë sa që kandidatët republikanë nuk flasin më për të. Më shumë janë të obsesionuar nga presidentja e kongresit, Nancy Pelosi dhe e përsërisin emrin e saj sikur të ishte një mallkim vudu. Një pjesë e opinionit publik është vërtet e bindur se Obama është një socialist apo një kriptomysliman që kërkon ta fundosë vendin. Dhe këto ide përsëriten në mënyrë obsesive nga një seri personazhesh televizivë.
Por njerëzit që kam takuar, edhe ata që e urrejnë Obamën, ishin thuajse gjithmonë shumë të edukuar dhe të sikletosur për ta thënë hapur, edhe pse kuptohej shumë mirë që e mendonin. Ndjesia mbizotëruese kundrejt Obamës, edhe mes kundërshtarëve të tij republikanë, është zhgënjimi: erdhi me goxha bujë, por nuk arriti rezultate të rëndësishme. Reforma e shëndetësisë dhe ajo e financës janë të pakuptueshme për shumicën e amerikanëve. Shpëtimi i Wall Street nga Bushi dhe Obama, shkaktoi reagime plot indinjatë. Më pak jopopullorë janë shpëtimi i GM dhe Chrysler, mbi të githa në vende si Lordstown, Ohio, atje ku kohët e fundit Chevrolet krijoi 1200 vende të reja pune. Manovra 787 miliardë dollarëshe për të rimëkëmbur ekonominë sot duket më pak e kritikuar, kjo falë skuadrave të punëtorëve që punojnë përgjatë autostradave në të gjithë vendin.
Ndërsa sa i përket temës së shpenzimeve publike, këtu mbizotëron skepticizmi. Të gjithë shfaqen shumë të ndjeshëm ndaj argumenteve që hidhen prej republikanëve, domethënë shpenzimet dhe marrëzia që karakterizojnë veprimet e demokratëve. Rezervisti i ushtrisë Joe Heck, i cili është edhe mjek, rendit një seri normash qesharake që përmban reforma shëndetësore. Njëra madje u imponon kompanive të vogla që të lënë një zonë të caktuar të vendit të punës për dhënie gjiri nga mamatë. Ky lloj invadimi ka zemëruar jo pak amerikanë, sidomos kur këta krijojnë përshtypjen që janë duke u fshehur problemet reale.
Në një farë kuptimi, Obama mbetet një mister edhe mes mbështetësve më të apasionuar. Nuk sfidon hapur republikanët, nuk u përgjigjet kritikave, nuk përfiton as nga rezultatet që ka arritur. "Disa javë më parë, ime më zbuloi se në llogarinë e saj kishte ardhur një bonus prej 250 dollarësh", më tregoi Anthony Smoot, që punon në Yuba City në Kaliforni. "Duke qenë se nuk kuptonte se nga i vinin, iu përvesha punës ta zbuloj. Në fund zbulova se ishte një rimbursim nga ana e qeverisë për ilaçet. Përse presidenti nuk e mori mundimin as të na thotë se nga vinin?" Në Detroit, një demokrate që quhet Terri Polidori, administratore në një kompani të vogël ndërtimi, më tha: "Javën kur kongresi miratoi paketat fiskale të parashikuara nga manovra ekonomike u shpërndava pagat punonjësve e u thashë: e shihni që në zarfa ka më shumë? Këto para më shumë ua dërgon Obama".
Misteri i Obamës del edhe më shumë në pah për shkak të mungesës së dukshmërisë dhe pasionit të presidentit sa i përket problemit numër një të vendit: punësimit. Tema më e debatuar në Uashington - stimuli i ekonomisë dhe reduktimi i deficitit - nuk gjen jehonë në pjesën tjetër të vendit. Të gjithë kritikojnë rritjen e shpenzimeve publike, por nëse u duhet të zgjedhin mes reduktimit të deficitit dhe veprave publike, preferojnë këto të fundit. Sa i përket punësimit, pozicioni i republikanëve është i qartë: të stimulohet sektori privat duke ulur taksat dhe thjeshtuar rregullat Ndërsa pozicioni i demokratëve nuk arrihet as të shjegohet. Për më tepër, administrata duket se e injoron tërësisht problemin kryesor të ekonomisë, domethënë që SHBA vazhdojnë të humbasin terren në sektorin e prodhimit.
Dhe kjo gjë shkakton zemërim në një pjesë të madhe të opinionit publik, që përfshin konservatorë dhe progresistë. Nuk është risi: fabrikat kanë nisur të mbyllen që në vitet shtatëdhjetë. Por me kalimin e kohës problemi u rëndua deri sa erdhëm në katastrofën që shkaktoi prepotenca e sektorit financiar. Bankierët që në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë blenë kompani falë kapitaleve të marrë hua janë të njëjtët që, në vitet nëntëdhjetë dhe dymijë, kaluan tek ndërtimi për banesa duke krijuar produkte hipotekorë qesharakë dhe duke nxitur njerëzit pa të ardhura që të blinin shtëpi për të cilat nuk mund të paguanin. Këta bankierë shkaktuan rënien e vlerës së pronave të klasës së mesme: tashmë këtë e kanë kuptuar të gjithë. Më të vëmendshmit kanë kuptuar edhe që programi "të gjithë pronarë shtëpie" u promovua si nga demokratët, përmes shoqërive me pjesëmarrje të fortë publike si Fannie Mae dhe Freddie Mac, ashtu edhe nga republikanët.
Dhe ata edhe më të vëmendshmit kanë kuptuar se financierët janë pasuruar në mënyrë skandaloze duke luajtur bixhoz me produkte financiarë jo transparentë dhe pa rregulla, që lejonin të fitoheshin shuma të mëdha falë oshilacioneve të vogla të vlerës së huave.
Truri i çuar dëm
Amerikanët ndiejnë që roli themelor i financës është shpërdoruar. Financierët janë pasuruar në kurriz të industrisë së prodhimit, kanë tërhequr trurin më të mirë nga sektori prodhues për t'i orientuar drejt krijimit të instrumenteve të rinj financarë që, siç ka deklaruar ish-presidenti i Federal Reserve, Paul Volcker, nuk i kanë shtuar asgjë GDP-së së SHBA.
Përgjatë gjithë udhëtimit më vinte vazhdimisht në mendje një anektodë që vetë Volcker më tregoi pak kohë më parë. Episodi ndodh në vitet tetëdhjetë, kur pati një valë shkrirjesh dhe bashkimesh kompanish në të gjithë vendin. Volckerit i ish afruar një djalë që sapo kish bërë doktoraturën në inxhinieri aeronautike në Princeton dhe që donte të dinte se në cilën shoqëri të Wall Street ishte më mirë që të shkonte dhe të punonte. "Më fal, po përse nuk shkon tek Boeing?" e kish pyetur Volcker.
Djaloshi i ishte përgjigjur se tek Boeing mund të niste punë me një pagë 50 mijë dollarë në vit dhe ta përfundonte karrierën me 90 mijë dollarë në vit. "Në Wall Street, kaq para mund t'i bëj brenda një nate". Duke bërë të njëjtën zgjedhje, një brez i tërë të rinjsh u shkëputën nga industria dhe shkuan drejt prodhimit të mallrave virtualë si instrumentet financiarë.
Pjesa më e madhe e amerikanëve nuk besojnë që politikanët janë të prirur të pranojnë një diskutim për dëmshpërblime për këto teprime. Madje, janë të bindur se financierët kanë blerë heshtjen dhe bashkëpunimin e të dy partive. Indinjata ndaj Wall Street është e shoqëruar me një skepticizëm në rritje ndaj tezave liberaliste të thëna nga të gjithë ata që kanë qenë në Shtëpinë e Bardhë, nga Reagan e këtej. Bill Clinton thoshte se globalizimi ishte i pashmangshëm dhe hynte në një proces të natyrshëm: ekonomitë më të përparuara duhej të ofronin produkte më të përparuar, e për këtë arsye kishin nevojë për një forcë punëtore më të trainuar. Por ato teza nisën të fusin ujë atëherë kur vende si Kina dhe India nisën të lënë pas Amerikën në disa sektorë të teknologjisë së lartë, ndërkohë që sistemi arsimor amerikan u demonstrua i paaftë që të bënte të rritej niveli i aftësisë dhe specializimit të studentëve. Sipas në sondazhi të "Wall Street Journal", 86 përqind e amerikanëve besojnë se largimi jashtë vendit i vendeve të punës ka kontribuar për recesionin dhe shumica ka dyshime serioze për liberalizimin ekonomik.
E kish thënë Klinton që vendet e punës të zhdukur nga industria pordhuese nuk do të ktheheshin më dhe kish të drejtë. Por shumëkush do ta vlerësonte më shumë Obamën nëse ky do të tregonte më shumë grintë kundrejt Kinës. Nëse për shembull, do të miratonte ligjin që lejon të vendosen sanksione tarifore ndaj kinezëve për manipulimin e tyre me valutën. "Ajo që na frikëson më shumë është se mos SHBA humbasin supremacinë", më tha gjatë një takimi Annie Mariucci, presidente e këshillit për arsimin e lartë në shtetin e Arizonës.
Në Yuba City në Kaliforni, një lektor që quhet Bill Chavez më ftoi të shkoj për darkë me të dhe disa fqinjë të tij. Ishte një mbrëmje e nxehtë: Bill dhe bashkëshortja e tij sistemuan tavolinat në oborrin para shtëpisë në lagjen e Dunmore, njëra prej më të goditurave nga kriza e kredive. Fqinjësia ishte shumë interesante: nga njëra anë jetonin hindu me prejardhje nga pjesa indiane e Punjab, nga ana tjetër myslimanë nga pjesa pakistaneze. Në një moment erdhi një tjetër fqinj, një imigrant nga Zimbabve që studion për t'u bërë teknik sanitar dhe u bashkuan me ne edhe Jeannie Klever, sekretarja e Partisë Demokratike lokale bashkë me të shoqin, Dale. Fqinjët me origjinë meksikane që banojnë në anën tjetër të rrugës, një menaxher dhe një mësuese që punon në një shkollë dygjuhëshe u bashkuan me ne pasi ushqyen fëmijët. Bill, i cili vetë është gjysmë filipinas dhe gjysmë panamez, më shpjegoi se në Yuba City jeton komuniteti sikh më i madh në botë përveç atij indian.
Biseda preku argumente banale: që nga propozimi për të organizuar një festë në lagje deri tek stërvitja për futboll e fëmijëve. Një skenë tipike amerikane. Ndoshta nuk ishte Amerika që ka në mendje Sarah Palin, por ishte një demonstrim i parimit themelor të këtij kombi, që është edhe pika e fortë e tij: pavarësisht nga origjina dhe prejardhja, gjërat që kemi të përbashkëta si qenie nejrëzore kanë më shumë rëndësi se sa ato që na ndajnë.
Pas darke Bill më shoqëroi në një mbledhje të lagjes, ku dëgjova për të disatën herë të njëjtat ankesa: niveli i debatit publik, papunësia, kërcënimi kinez. Teksa dëgjoja, më vinte sërish në mendje skena tek shtëpia e Bill dhe Pattie. Më dukej jo thjesht një realitet, por një shpresë, një ëndërr: fqinjë që mblidhen në perëndim të diellit për të ngrënë pulë dhe spageti vegjetariane teksa fëmijët e tyre luajnë në rrugë.
Kur pyeta Boniface, imigrantin nga Zimbabve, nëse e kish imagjinuar pikërisht kështu Amerikën para se të vinte, ai m'u përgjigj: "Po, pikërisht kështu e kisha imagjinuar". Dhe piëkrisht kështu e kam imagjinuar gjithmonë, edhe unë: në më të mirën e vet. Por tani, në këtë stinë tensionesh të fortë, më duket thuajse një mirazh.
No comments:
Post a Comment