“Spektatori i Prishtinës na kuptonte, na ndiqte, na ndjente dhe komunikonte me ne dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës dhe u falënderohemi”,- shprehet Viktor Zhusti.
Pas shfaqjes “Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf”, takuam një nga protagonistët kryesor aktorin e shquar të skenës dhe filmit shqiptar, Viktor Zhustin, i cili për herë të parë po vizitonte Kosovën. Përveç emocioneve të përjetuara në skenën tonë, Viktori shpalosi disa nga pjesët më të veçanta të rrugëtimit të tij artistik nëpër vite. Me një galeri të pasur rolesh në film dhe teatër dhe një nga aktorët më të kërkuar shqiptar qysh në vitet e ‘80-ta.
Ndërkaq roli i Xhorxhit në skenën e Teatrit Kombëtar e solli atë sërish në vëmendjen e publikut.
“Bota sot”: Në festivalin “Kosovainfest”, ishte përballja juaj e parë me publikun e Kosovës, si po ndjeheni?
Zhusti: Është hera e parë që vij në Kosovë për shkak të mundësive të cilat më kanë penguar të vij më herët. Përshtypjet që kisha veçanërisht për Prishtinën dhe këtë nga rubrikat e televizioneve mendoja, që është një qytet krejt tjetër duke u nisur nga imazhet që unë pashë. Kronikat e vjetra paraqisnin një rrugicë të ngushtë, ca dyqane të vjetra, ndonjë xhami dhe kisha përshtypjen që është një qytet i ngjashëm me qytet e vogla të Shqipërisë dhe tash po e shoh ndryshe si dhe me një lloj befasimi. I ndryshuar i gjithi me rrugët e gjera një qytet i vërtet që po përpiqet dhe i takon monumenti poshtë Pallatit të Rinisë, “Neë Born”. Takimi me spektatorin e Kosovës ishte qëllimi kryesor i këtij udhëtimi, një spektator që na kuptonte, na ndiqte na ndjente komunikonte me ne dhe na shpërbleu më shumë dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës dhe u falënderohemi.
“Bota sot”: Po si është komunikimi në përgjithësi me spektatorin...
Zhusti: Ne gjithmonë jemi borxh ndaj spektatorit, ai ka çdoherë të drejtë. Ne mundohemi të krijojmë një lloj arti dhe këtë ta vëmë në skenë dhe ai që do ta verifikojë apo përjashtojë këtë është publiku. Unë nuk besoj në atë që thuhet se ka publik të mirë dhe të keq. Ai është gjithmonë publik i cili nuk e njeh fare atë që do të shikojë dhe jemi ne me emocionin që krijojmë si dhe është magjia e shfaqjes teatrale, ajo e cila nuk mund të ekzistojë pa publikun. Është një lidhje e pandërprerë dhe nuk mund të thuhet se publiku është i mirë apo i keq.
“Bota sot”: Ktheheni pas 18 vjetësh në skenën shqiptare me shfaqjen “Të gjithë me huqe”, dhe më pas me rolin i Xhorxhit në shfaqjen “Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf”? .
Zhusti: Është roli më i vështirë në karrierën time dhe është një kohë e gjatë dhe një rol me një dialog dhe psikologji krejt të ndryshme nga ajo që quhet tradicionalja. Kemi pasur një përpjekje të vazhdueshme i gjithë ekipi i shfaqjes së pari për tu përshtatur me Kushtrimin (regjisorin) të gjenim përshtatjen e tij me Albeen (autori) dhe pastaj veten tonë në këtë mes. Sa i përket partneres time në rol, aktores Eva Alikaj, është një aktore shumë e mirë pasi e kam pasur edhe studente. Një vajzë me pasion që edhe nëse i mungonte skenës për kaq kohë brenda saj nuk ishte fikur ai zjarr ajo dashuri për skenën prandaj është një përpjekje e vazhdueshme e saj për ta gjetur veten përsëri në skenë. Edhe kjo shfaqje që bëmë ishte një përpjekje e imja dhe e saj për të gjetur veten në skenë dhe për të krijuar.
“Bota sot”: Si e shikoni zhvillimin e skenës shqiptare
Zhusti: Kam përshtypjen ashtu sikurse jeta politike dhe shoqëria po kalon një periudhë të fortë evolucioni po këtë krizë e kalojnë njerëzit me psikologjinë e tyre dhe kjo duhet të transmetohet në art kulturë filozofi dhe kudo. Shoqëria shqiptare rikonstruktohet, është një shoqëri mbi bazën e marrëdhënieve ekonomike, ekonominë e tregut, kalim i cili nuk është gradual, të gjitha këto trauma të forta shoqërore dhe kjo ka të bëjë edhe me krijimtarinë. Për kulturën teatrin në Kosovë nuk jam në gjendje të flas pasi që nuk e njoh shumë. E di që Kosova është shtet i ri dhe të gjithë e përcjellim me interes.
“Bota sot”: Si e keni përjetuar Pavarësinë e Kosovës?
Zhusti: Për Kosovën ka lindur një ditë e bardhë dhe kam përshtypjen që do të realizohet ëndrra e madhe e të gjithëve që Kosova të jetë Kosova e pavarur e shqiptarëve. Ky diell tanimë ka lindur dhe nuk ka më forcë që do ta vë në dyshim apo ta ndalojë.
No comments:
Post a Comment