Nga Fritz RADOVANI:
Ishte muej gusht i vitit 1993 kur po ndigjojshe me vemendje shpjegimet e Dom Mikel Koliqit rreth biografisë së Tij. Ndaloi për pak kohë dhe në të gjithë ata njerzë që zuni në gojë nga të njohtunit e brezit të Tij të vjeter shkodranë veçoi emnin e një miku të vet, mësuesin e njohtun Pjeter Troshani…kryesisht per tiparet e Tija burrnore.
Ishte emni i babes së mikut tem Sandrit edhe ky mësues si i ati, një djalë që posa kishte fillue punën e mësuesit në Dukagjin kishte pasë rastin me u njohtë me metoden e të mësuemit me disa klasa fillore kolektive, gja të cilen e kishte vazhdue po ashtu edhe në Shirokë, ku tashma njihej si metodist i asaj mënyrë të mësuemit në qarkun e Shkodres. Flas per kohen që u njohëm në vitin 1956 në kabinetin metodik të Shkodres ku unë ishe me punë disenjator. Edhe pse Sandri ishte dhetë vjet ma i madh se unë me moshë mbas pak kohe nuk dallohej ky ndryshim mes nesh në mardhanjet tona shoqnore që shpejt u këthyen në miqësore po, por dhe të përjetshme deri sot që Miku i em nuk jeton ma. Pra, jo pak, por 54 vjet miq!
Sander Troshani ishte një mësues që dinte “me mësue” dhe per të gjithë ata që e njohtën Ai kujtohet per natyren e Tij pa ma të voglen kreni dhe gjithmonë modest. Fillova nga kjo cilësi e Tij, sepse ishte kjo që Sandrin e bani të dashtun dhe shumë të respektuem aty ku Ai punoi dhe ku Ai komunikoi me njerzit gjithë jeten e Tij. Sander Troshani kishte të gjitha mundësitë me ecë atëherë kur Atij i ofruen post dhe privilegje po t’ ishte shumë pak karrierist apo adhurues i sistemit komunist, mbasi Atij nuk i mungonte as shtytja as përkrahja nga disa njerëz edhe t’afert të cilët nuk arritën kurr me depertue në mbrendi të shpirtit dhe të mendimit Tij të formuem nga Baba dhe Nana e Tij të nderuem në mjedisin shkodranë. Sandri nuk ishte indiferent ndaj gjendjes politike dhe ekonomike të shoqnisë shqiptare, ndonse ishte shumë i matun dhe i kujdesshëm me të gjithë, mbasi spijunët e sigurimit komunist kishin mërrijtë me depertue deri mbrenda rrethit të afert të familjes e, kjo gja tek Sandri kishte ndikue për me krijue një neveri deri në urrejtje për sistemin komunist. Ai në rrethin shoqnor me sjelljen e vet dhe këshillat e vazhdueshme arriti me na formue dhe me na edukue edhe ne mënyren e të sjellunit me njerzit dashakëqijë, tue i dhanë me kuptue atyne se ne jemi vetem mësues fëmijësh e asgja ma shumë, “cilësi” që na mbrojti nga rreziku i madh ku u rranue dhe u shpartallue pjesa e madhe e rinisë shkodrane dhe e asaj shqiptare…Ai jo vetem njihte pasojat që sillte survejimi i sigurimit, apo ma keq angazhimi nder metastazat e tij, pra ajo ma e randsishmja per ne ishte mënyra sesi na duheshim me u ruejtë mos me hy fare në ato drrasa të kalbuna ku na rrezikohej gjithë jeta sikur të venim ndër to edhe majat e gishtave…e, kjo asht meritë e veçantë e Sandrit, që Ate e ban të paharrueshëm e shpeshë shpetimtarë të rrethit tone të ngushtë shoqnor edhe pse sot mjaft prej Tyne nuk rrojnë ma si, Zef Luigj Mjeda, Mark Çefa, Lorenc Mazi etj. të cilët ishin dhe mbeten perjetsisht Burra të Nderuem shkodranë. Mprehtësia dhe squtësia e Sandrit qendron pikërisht në mënyren modeste me të cilen Ai na shmangte nga çdo rrugë që na si të rinjë mund të hynim pa ditë se ku dalim dhe, tue analizue sot mësimet dhe këshillat e Sandrit mund të tham me plot gojë se Sandri asht kenë dhe mbetet një nga Ata Burra që kishte një intuitë të lindun per me edukue rininë antikomuniste.
Kjo veti kryesisht shoqnohej me një humor të hollë që fliste pak e ne ma të rijve në moshë na mësonte shumë. Ata që e njohten afer nuk besoj se mund të harrojnë qeshjen e Tij nënbuzë por kurr fyese. Syni i shndriste kur shihte pelqimin apo miratimin e mendimit të Tij korrigjues. Gjithmonë mësimet e Tij lidheshin me shembuj nga jeta e personaliteteve dhe njerzve të ditun që ka nxjerrë gjithnjë qyteti i Shkodres, ndonse me humor shpesh ata Ai ia dedikonte Shirokës…
Sandri nuk asht kenë asnjëherë i shkëputun nga bota e kulturës dhe artit edhe pse kishte mundësi me shkrue por edhe me i botue shkrimet e veta. Shumë pak ka lanë të shkrueme nga eksperienca e vet metodike dhe pedagogjike, mbasi nuk pranonte me njollosë edukaten, kulturen dhe traditat qytetare shkodrane me parimet e shkollës dhe shoqnisë komuniste. Ai asht i pari që ka shkrue historikun e shkollës së Shirokës, mbas vitit 1944 tue e cilësue si shkollë shqipe të parë, njëkohsisht edhe e hapun para asaj të Korçës, gja e cila vente në diskutim edhe diten e 7 marsit si “Dita e Mësuesit”, datë që ka shlye krejtë historinë e vertetë dhe shumë të vjeter të shkollave tona, tue fillue nga ajo e Pëdhanës e vitit 1639 e sa tjera mbas saj. Sandri në atë artikull madje shenon edhe se asht bazue në dokumentacionin e Kishës së Shirokës që ishte i ruejtun pranë Argjipeshkvisë Metropolitane të Shkodres, gja e cila i binte ndesh të gjithë dokumentave të shtetit komunist shqiptar, i cili perditë e pernatë punonte per falsifikimin e tyne. Aty në atë historik Sandri nuk mjaftohet me kaq, por edhe shenon emnat e shumë personave që nga komunistët apo pseudointelektualët e asaj kohë u konsideronin si armiqë...E kjo, mos harroni se nuk ishte gja e vogel dhe e paguximshme për atë kohë kur Sandri këta dokumenta po i shpallte botnisht në shtyp. Lexuesit besoj kujtojnë edhe studjuesin Gjush Sheldija, i cili per disa dekada nuk asht njohtë si i tillë, vetem se kerkonte me nxjerrë në shesh të vërteten e mohueme historike të kulturës së Shkodres.
Në shkrimet e Tija të pakta me karakter pedagogjik Sander Troshani ishte nder të parët dhe të paktit që nuk “dinte” ma ba hymje nder ta, ku meritat historike i perkisnin PPSH, apo ideve marksiste – leniniste që kishin pushtue mendjen dhe zemren e shkruesve servil të asaj kohë. Kjo asht një dishmi e saktë që tregon karakterin burrnor dhe të pathyeshem të Sandrit. Ai me këte qendrim vertetë mbeti vetem mësues, por mbeti mësues i nderuem dhe i respektuem nga gjithë opinioni shkodranë. Ai nderohej nga të gjithë ishnxanësit e Tij edhe per qendrimin moral si mësues, por ajo që do të ve në dukje asht se Ai mbeti pergjithmonë një edukator i dashtun edhe per prindët e sa e sa brezave që patne fatin me kalue fëmijt e tyne nder bankat e shkollave ku Sandri, me dashni e perkushtim punoi pa u kursye për edukimin e rinisë shqiptare. Edhe pse kishte vite që ishte largue nga fshati i Shirokës, Ai jo vetem kujtohej me respekt nga shiroksit, por edhe konsiderohej një nga mësuesit e pazevendsueshem në kohen mbas Tij.
Pak vite punoi edhe në Shkoder, kur mosha po bante punen e vet. Edhe pse Ai ishte në pension, kujtoj gjithmonë ishnxanësit kur kalonin pranë dhe posa e shihnin Sandrin nxirrnin duert nga xhepat për me përshndetë mësuesin e vjeter të tyne, per të cilin nuk i mungonte kurr nderimi i një kohe të papersëritshme kur edukoheshin prej Tij.
Në vitin 1990 më pat tregue sesi në mbasdreken e datës 10 Nandor, diten e shtune para se të thohej Mesha e parë në Rëmaj nga Don Simon Jubani, i kishte shkue në shtëpi sekretaria e partisë e rrethit të Shkodres, Maria Gjoni dhe i kishte kerkue që bashkë me vllaun e një miku të Sandrit (Rr.Nd.P.) me dalë dhe me pa nga një gjips i komitetit të partisë tek shkolla pyjore se kush nga arësimtarët atë ditë do të shkonte nder vorre... Sandri atyperaty i kishte refuzue kerkesen e saj, por ishte aq i zemruem me te dhe vllaun e mikut të vet, sa nuk e kishe pa ndonjëherë aq të shqetsuem gjithë vitet e miqësisë sonë, dhe ajo që e bante me shperthye me aq duf ishte kerkesa e Marijes per me u ba spijun kur komunizmit po i mbulohej vorri nga Don Simoni. Ishte hera e parë në jeten teme që nga goja e Sandrit ndigjova një shprazje kupe të mbushun me një urrejtje të papermbajtun per sistemin komunist dhe sigurimin e shtetit. Gjithë vitet e shoqnisë sonë unë nuk kujtoj një fjalë banale tue dalë nga goja e Atij burri edhe kur ishte mjaft i rij me moshë, mbasi vetë edukata e Tij ishte tipike e një djali të rritun dhe të edukuem në një mjedis shumë të formuem shkodranë. Sandri që në njohjen e parë me te, prezentonte origjinen e vet dhe ishte aq i çilter sa të joshte per vete. Unë nuk di asnjë rasë që një shok apo mik i yni të kenë shpreh dyshim per ndonjë fjalë të Sandrit ndonjëherë, sepse, Ai ishte gjithmonë i saktë dhe korrekt. Sandri asht një nga ata që verteton thanjen e vjeter se “shokët e Tij shpesh nuk persëriten ma...”
Shpirti i Tij i paster lexohej dhe shihej në Fëtyren e Tij, në buzqeshjen e Tij, në paraqitjen e Tij, në fjalen e Tij dhe në çdo veprim të Tij, sepse, gjithshka ishte e lindun dhe e brumosun me edukaten familjare të Sandrit që pamëdyshje ishte pasqyrë e qytetarisë shkodrane.
Me daten 9 Tetor 2010 Sander Troshani në moshen 81 vjeçare ndrroi jetë.
Me daten 9 Tetor Shkodra humbi një nga Burrat ma të nderuem të Saj...
Sander Troshani ishte me të gjitha tiparet e qytetarisë së paster të Shkodres.
Ai mbetet model i Burrit Shkodranë per brezat e ardhshme!
Melbourne, 13 Tetor 2010.
No comments:
Post a Comment