Saturday, October 23, 2010

Flet në “Telegraf”, aktori i mirënjohur i Beratit, Sejfulla Myftari: “Fillimisht do jem i pavarur, pastaj do pres ofertat”

“Këtë radhë do të kandidoj për Kryetar Bashkie në Berat”

Albert ZHOLI

Cekja i Beratit vjen me një deklaratat të fuqishme në gazetën “Telegraf”, kur thotë se, do të kandidoj për Kryetar Bashkie në Berat. Deklaratë që lidhet ngushtë edhe me përfundimin e shkollës së lartë....pra Cekja më në fund është i diplomuar dhe tashmë ndihet i kompletuar për të marrë përsipër një iniciativë të tillë. Ai shprehet se, do të marri pjesë në zgjedhje si i pavarur dhe më pas do presë ofertat. Gjithashtu, mendon se, rruga që do të nisë mund edhe ta bëjë deputet. Cekja thotë se, fitoren e ka të sigurt pasi, ka njohje të gjerë dhe të gjithë e duan. Gjithashtu, në këtë intervistë të gjatë ai shpalos marrëdhëniet me bashkëshorten e tij, e cila shpesh herë bëhet xheloze për rolet, tregon për humorin që ka bërë në sistemin komunist dhe shpjegon arsyet se, përse tani nuk ka shumë investim në këtë fushë, duke e hedhur fajin tek “qesja” që është bosh. Madje, ai thotë se, po të kishte qeskën plot me lekë do të ndërtonte një azil për pleq.

Ku ishte këta muaj Cekja?

Isha në ishullin Santorini në një koncert për shqiptarët në këtë vend të bukur të Greqisë. Isha me këngëtaren Poni dhe dy këngëtarë të tjerë. Ishim ftuar nga një shoqatë aty, ku kaluam shumë mirë. Shihja se, emigrantët ishin shumë të dëshiruar për koncerte të tilla. Ishin momente shumë të bukura, ku ne na pritën në mënyrë të shkëlqyer. Po kam gjet rehatllëk me emigrantët. Aty është paraja. Këtu tek ne ka rënë leku dhe po ra leku të bie burrëria, aha…

Cekja jeton ende në Berat, por e tërheq më shumë Tirana?

Vij në Tiranë sa herë kam punë. Këtu kam shumë miq, kam shumë të njohur, por më thërrasin shpesh edhe për filma, koncerte për humor të ndryshëm. Kam shumë miq regjisorë të telekomedive apo të skeçeve që më thërrasin. Por gjithmonë do të rri në Berat, sepse aty është më qetë, më pastër dhe frymëzimi të vjen vetiu. Jam mësuar me qytetin tim dhe s’mund të ndahem. Me Tiranën më lidh më shumë puna, me Beratin qetësia. Të dy qytetet më plotësojnë ndonjë boshllëk. Tani po përgatitem për koncertin e Vitit të Ri.

Cekja kohët e fundit shihet shumë i angazhuar. Në cilën gjini të humorit e gjen më shumë veten?

Më pranë e gjej tek telekomeditë. Ato tashmë më janë bërë shumë të domosdoshme dhe shumë të kërkuara. Në to pasqyrohet më shumë realiteti shoqëror, kanë hapësirë për lëvizje, për komunikim, janë më pranë problemeve pikante të ditës dhe njerëzit po i pëlqejnë. Mund të them se kam realizuar mbi 40 telekomedi njëra më e mirë se tjetra.

Cilat do të veçonit nga ky numër i madh telekomedish?

Unë do të thoja “Një baba tepër” mbetet ndër më të arrirat. Ka një skenar shumë specifik, por dhe një regji të spikatur. Është një telekomedi, ku të gjithë elementët janë ruajtur në harmoni. Kjo telenovelë është tragji-komike, ku dhe loja e aktorëve është shumë profesionale. Për këtë telekomedi ka pasur shumë kërkesa dhe kritika e ka pritur mirë. Është një gjetje në skenar, që publiku e ka mirëpritur. Por kjo nuk do të thotë se, të tjerat nuk kanë qenë të mirëpritura se, çdo rol është si një fëmijë dhe nuk e ndan dot…Por le të them se është diçka ndryshe.

Por shihet se, në televizione ka pak telekomedi, skeçe, komedi, pra, pak vihet në skenë humor. Cila është arsyeja sipas jush? Mos vallë mungojnë krijuesit e humorit?

Jo, nuk mungojnë krijuesit, madje ata janë shumë dhe të mirë madje. Por mungon diçka tjetër. Mungon ajo, qesja. Pra qesja me para. Pa këtë qese nuk lyhet rrota dhe nuk lëviz makina. Do të hajë dhe makina që të lëviz. Mbush qesen ti pa të shohësh bëhet apo jo humor. Bëhet dhe i luajnë fenë shkrimtarët. Dinë ata ta luajnë penën që të fluturojë. Por s’ka qese. Pena mbetet pa bojë. Shkrimtarët, krijuesit rrinë në kafene…ahha…Kjo është për të ardhur keq se, ka shumë skenarë në duart e regjisorëve, por s’ka qese. Ajo është grisur dhe s’ka asgjë brenda, janë disa skenarë që i ka në dorë: Arjan Çuliqi apo Bujar Kapexhiu, Koço Devole dhe ato flenë… Flenë duke mërdhifur, se e dinë se s’kanë ku të shkojnë…Dhe e dinë se ku fle lepuri?

Mund të na e thuash ku “fle lepuri”?

Ta thotë Cekja. Sa të shohin ata që kanë para të flasin, të ftojnë, bëjnë gallatë, të qerasin…Por vetëm kaq..aha.. Pse keq për kopjo jemi ne? Sa u thua për një telekomedi me vrap të thonë…ha, pi, krihu për të tjerat shiko nga deti… Ç’të shoh nga deti, mos nxjerr ndonjë thesar. Rri tërë jetën shiko nga deti nuk të sjell qese ai. Qeset e detit i kanë marrë piratët me kohë.

Bashkëpunimet më të mira me cilët regjisor i ke dhe çfarë kujton për humorin nga sistemi komunist?

Unë kam respekt për gjithë krijuesit dhe regjisorët e humorit. Ata janë të veçantë. Kam respekt për Pëllumb Kullën, Koço Devolen, por bashkëpunimet më të mira dhe stabël i kam me Arjan Çuliqin. Në sistemin komunist do të thoja se, kishte shumë ideologjizma, luftë klasash, por ama kishte profesionalizëm në skenë. Të vendosje diçka në skenë do të kaloje në sitë. S’ishte e lehtë. P.sh kur vinim në Tiranë për skeçet apo humoret e Vitit të Ri, sillnim 20 apo më shumë materiale dhe na linin dy apo tre. Ishte siklet dhe emocion. Pra bëhej humor inteligjent. Humori i zgjuar, fin, i seleksionuar. Pëllumb Kulla thotë: “Po zhveshi aktori brekët është fundi i humorit”. Diktatura kishte dhe të mirat e saj jo se kam ndonjë nostalgji. Kërkesa ishte kërkesë.

Është ndjerë keq ndonjëherë Cekja?

Po jam ndjerë siç është materiali i famshëm “Tifozët”. Regjisore e këtij materiali ka qenë Vera Grabocka, ku unë imitoja 4 tipa tifozësh, një lushnjar, një vlonjat dhe një korçar. Atë skeç e kanë hequr pasi sekretare e Parë ka qenë Lenka Çuka në Lushnjë. Unë po imitoja një tifoz lushnjar: “O ça bëni ju, o ça bëni, ju ej..? Si o, të vimë në Tiranë e të bëjmë tifozllëk dhe të humbni, e? Si humbni e? O Loni. Rëndësi ka kush fut laramanin në rrjetë e! (Laramani ishte topi). O Loni, bë tifozllëk, e bë..O Loni. Ej. Erdhi polici ej… O Lushnja jonë qytet i bukur... Ndërroi temë tifozi lushnjar kur pa policin. Ky skeç bëri shumë bujë. Po them shumë. Sa dhe unë qeshja kur e luaja.

Por ç’ndodhi...! Mos vallë u bëre problem?

Problem the?! O zot, o zot! E mori në dorë Lenka Çuko problemin! U dha urdhër të shihnin biografinë time. Ç’kam hequr. Një zot e di…Pu, pu…E kishin fryrë. i thanë është tallë me Lushnjën. Lushnja është hambari i Shqipërisë. Aty rritej misri, pambuku, duhani. Por problemi ngeci tek unë. Më thërret sekretari i Parë i Beratit, burrë i mirë ishte po ç’të bënte. E hëngra.

Çfarë hëngre?

Më hoqën nga puna si aktor, por në heshtje, jo përgjithmonë. Më hoqën disa kohë të drejtën e interpretimit dhe më çuan në prodhim. Ngeli prodhimi ndërtimor apo bujqësor për mua. Unë duhesha aty që të rritej rendimenti?! Por doja s’doja e hëngra. Shkova ca muaj në llaç e tulla. U dënova në heshtje pa shumë bujë. Tha Lenka: E hëngri qerosi/ Qerosi po, qerosi... E hëngra po pak, se më donin. E bënë bujë gjoja se më dënuan, por gjithmonë isha afër skenës, Aha.. Por donin që të bëja autokritikë në Lushnjë së bashku me Shaqir Rexhvelaj, Drejtor Artistik i Estradës. Dhe na thanë të bënim autokritikë para popullit në stadium. E haja unë atë..U fsheha dhe s’shkoja më në Lushnje…aha

Shumë aktorë janë futur në politikë. Po Cekja ka menduar të merret me politikë?

Po! Do të merrem. Boll kam heshtur. Kam elektorat, bile shumë të madh. Këtë vit do të kandidoj për Kryetar Bashkie në Berat. Nasufin, kryetarin aktual e kam shumë shok. Njihemi shumë mirë. Unë tani kam mbaruar dhe shkollën e lartë dhe shoh se jam i kompletuar. S’ka asgjë më shumë se unë kryetari i tanishëm. Aha! Tani jam pjekur. Edhe në marrëdhëniet me jashtë i kam relatat të kënaqshme, ndaj do të kandidoj. Tani i kam të gjitha dyer e hapura. Kam shkollë, kam njohje. Edhe në konsullatë mund të vete. Edhe ambasador mund të vete. Por jo. Kam vendosur të kandidoj për Kryetar Bashkie.

Dhe si ke menduar të veprosh?

Po ngre stafin e bashkëpunimit. Por si fillim them të jap një konferencë për shtyp, ku do hedh idenë e hedhjes së kandidaturës për Kryetar Bashkie. Sepse tashmë kam eksperiencë në fushata. Madje, kam shumë dhe me sa di elektoratin e kam të shumtë dhe të qëndrueshëm.

Dhe ku e ke mësuar këtë fakt?

Po. Flas seriozisht. Kam marrë disa herë pjesë në fushata. Pra kur kam ndihmuar miqtë e mi që kandidonin për deputet. Në zgjedhjet e fundit parlamentare mbështeta një mikun tim që do të kandidonte për deputet. Shkuam në Mokërr. Kur dolëm me Edi Bejlegun para turmës së njerëzve në podium, njerëzit filluan të flasin Cekja, Cekja, Cekja.. Atëherë Edi mori mikrofonin dhe thirri… Miq kandidat jam unë jo, Cekja…ahaaaaaaaaaaaaa. Dhe së fundi miku im nuk fitoi sepse u shtroi rrugën me asfalt. i thashë ata s’donin rrugën me asfalt, por thasët me miell.

Në këtë kandidim me kë forcë politike do të rreshtohesh?

I pavarur. Po, po i pavarur. Pastaj do shoh se ku do të varem. Se e di që në rrugën e gjatë bëhen të varur të gjithë.

Në artin skenik ke ndonjë peng?

Shyqyr deri tani jo. Kemi luajtur, lëvizur, djersitur, jemi hedhur, kredhur, kurdisur, gudulisur. Lekë kemi marrë. Tani dy gjëra kam për të bërë. Këtë radhë për Kryetar Bashkie. Pastaj deputet dhe e mbyllim këtë punë. Kaq

Ç’ është dashuria për Ceken?

Oh, ç’ është dashuria. O zot,o zot ! Të ther m’u në shpirt. Aq na ka therur dhe na ther që…boboboooo.. Pa dashuri mos ngelç. Rri dhe pa bukë, por pa dashuri jo! Është ajo gjëja më e bukur. Pa dashurinë asgjë nuk do dukej e bukur tek njerëzit.

Ç’ është humori për Ceken?

Jeta ime. Dielli, ajri, toka, hëna, gjithçka. Pa humorin unë s’jam askush.

“Po të isha i pasur do ndërtoja një azil për pleq”

Në këtë intervistë për gazetën “Telegraf”, Cekja shpreh dhe dëshirën e tij të madhe, se çfarë do të bënte nëse do të ishte i pasur. Ai thotë se lekët do t’i investonte për të ndërtuar një azil për pleqtë: “Në radhë të parë një azil për pleq. E them për atë zot lart. Do shtroja një drekë të madhe për këtë inaugurim. E them këtë pasi kujtoj telekomedinë “Një baba tepër”. E mendoj veten me shkop dhe psherëtij. O Zot…!

Skenat erotike

“Pesha e gruas” desh më ndau nga gruaja

Pyetjes se, a ka pasur probleme me gruan kur ka luajtur në telekomedi skena erotike, ai i përgjigjet: “Ahaaaaaaaaaaaaaa…Lere aman. Një skenë e tillë është tek telekomedia “Pesha e gruas”, kur unë lahem në vaskë me një grua. Pra në rol me një grua nga ato që mbajnë ministrat. Eh…aha… Është ai çasti kur gruaja e rolit ngre këmbën nga uji me shkumë lart. Del gjithë ajo kofshë përjashta…aha… Kam pas shumë reagime. Ishte e drejtë se, ne, deri atëherë nuk kishim luajtur filma duke u larë dy aktorë në vaskë. Me shkumë sapuni, me erëra shamposh, me banjo ekstra. Kur e pa ime shoqe atë skenë mbylli sytë dhe më tha: “Edhe këtë e paske bërë more qafir? Aa..-është roli i thashë…-Po ajo ç’e nxori gjithë atë shalë nga shkuma... Si e bëre more Ceke? Jo, s’e bëra,- i thashë,- S’pata kohë... ishin vetëm ca sekonda…eee…S’mund ta bëja për aq kohë”.

Këtë vit do të kandidoj për Kryetar Bashkie në Berat. Unë tani kam mbaruar dhe shkollën e lartë dhe shoh se jam i kompletuar. S’ka asgjë më shumë se unë kryetari i tanishëm. Aha! Tani jam pjekur. Edhe në marrëdhëniet me jashtë i kam relatat të kënaqshme, ndaj do të kandidoj

Som

Në zgjedhjet e fundit parlamentare mbështeta një mikun tim që do kandidonte për deputet. Shkuam në Mokërr. Kur dolëm me Edi Bejlegun para turmës së njerëzve në podium, njerëzit filluan të flasin Cekja, Cekja, Cekja.. Atëherë Edi mori mikrofonin dhe thirri… Miq kandidat jam unë jo, Cekja

Som

Jo, nuk mungojnë krijuesit, madje, ata janë shumë dhe të mirë madje. Por mungon diçka tjetër. Mungon ajo, qesja. Pra qesja me para. Pa këtë qese nuk lyhet rrota dhe nuk lëviz makina. Do të hajë dhe makina që të lëviz. Mbush qesen ti pa të shohësh bëhet apo jo humor. Bëhet dhe i luajnë fenë shkrimtarët. Dinë ata ta luajnë penën që të fluturojë. Por s’ka qese. Pena mbetet pa bojë

No comments: