Monday, October 18, 2010

Edi Rama, në prag të martesës me pedagogen

Panorama Plus

Nuk kemi për ta parë vetëm tani e tutje në pritjet apo takimet ku do të jetë e nevojshme të ketë bashkëshorten në krah të tij. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës ka vendosur t’ua mbyllë gojën të gjithëve në lidhje me jetën private, me një vendim martese. Pas komenteve të shumta nga më të çuditshmet në lidhjet e tij me femrat, ka vendosur të bëjë një ndryshim drastik në jetën e tij, duke na suprizuar me një planifikim të beftë martese. Gjithçka është menduar për organizimin e një ceremonie dasme jo shumë të bujshme të Edi Ramës, me pedagogen e Shkencave Politike në nivelin Master pranë Universitetit Europian të Tiranës, me emrin Lindita Xhillari. Rama tashmë 46 vjeç, ka vendosur t’i japë një tjetër dimension jetës së tij duke e kurorëzuar me martesë lidhjen dyvjeçare me profesoreshën mbi 40 vjeç, një femër e këndshme dhe e zonja në profesionin e saj. Rama, i cili është duke jetuar këtë lidhje serioze më Linditën, për mëse një vit e ka mbajtur disi të fshehtë. Vetëm këto muajt e fundit ai ka dalë hapur në publik me Linditën, duke mos u fshehur nga askush më, ndërsa shijojnë një kafe, apo darkojnë diku në intimitet. Ndërkohë që pas dy vitesh të lidhur me njëri-tjetrin, Rama dhe Xhillari kanë nisur bashkëjetesën në një apartament pranë Radio- Televizionit Publik Shqiptar, duke dalë hapur si një çift tashmë, pa ndier nevojën që ta fshehin lidhjen e tyre. Kjo për faktin pasi shumë shpejt miqve të tyre të përbashkët do u bien në dorë ftesat e ceremonisë së tyre, që do organizohet së shpejti në Tiranë. Kjo është lidhja e parë e Edi Ramës që bëhet publike pas ndarjes së bujshme nga prezantuesja simpatike Rudina Magjistari, tre vite më parë, një histori që për katër vite që zgjati, iu bë publicitet shumë i madh në media. Por ndryshe nga Rudina, që njihej nga publiku si një imazh televiziv i lançuar prej vitesh në ekrane, kësaj here Edi Rama vendos të bashkëjetojë me një femër të një profili krejt tjetër, jo imazh i njohur mediatikisht, por një emër shumë i njohur në rrethet akademike dhe konferencat e ndryshme në lidhje me studimet në fushën e shkencave politike dhe sociologjisë. Mesa duket Rama e ka parë Xhillarin si modelin e duhur të femrës për ta pasur në krah. Është një histori kjo që pas disa lidhjesh “të dështuara” në jetën e tij, të krijojë një imazh të ri si figurë politike me një partnere në krah për të dalë tani e tutje me staturën e familjarit. Po kush është Lindita Xhillari me të cilën Edi vendos të martohet?! Lindita njihet si një femër e këndshme, e shkathët dhe shumë e zonja (me një eksperiencë të gjatë në organizatat joqeveritare). Nga miq e të dhënat e duhura për të qenë ajo zonja në krah të Edi Ramës, i përfolur deri tani për marrdhënie të vështira me femrat e jetës së tij.

Të dy të divorcuar
dhe me nga një fëmijë
Dhe në këtë bashkim të rrugëve të tyre të jetës, ata takohen me nga një eksperiencë të njëjtë divorci dhe nga një fëmijë pas nga martesat e tyre. Edi Rama nga martesa me aktoren Matilda Makoçi ka një djalë 19 vjeçar, Gregorin, i cili përveç shtatlartësisë ka trashëguar nga i ati pasionin për pikturën. Rama pavarësisht se është ndarë nga Matilda kur Gregori ishte foshnjë, ruan një komunikim dhe marrëdhënie të afërt dhe të vazhdueshme. Ndërkohë që po ashtu dhe Lindita, e cila ka qenë e martuar më parë është e divorcuar dhe ka po ashtu një vajzë 20 vjeçare. E shkuara e tyre e ngjashme në historitë personale të jetës, ndoshta ka qenë dhe një arsye për të marrë një vendim jo të nxituar për martesë.


Rama martohet pas tre vite ndarjeje nga Rudina Magjistari

Lidhja e fundit e bërë publike e Edi Ramës, ka qenë pikërisht me Rudina Magjistarin, e komentuar si një histori pasionante dhe mediatikisht e komentuar. Lidhja e tyre u bë publike pikërisht në vitin 2003, vit kur u konsidrua në momentet e saj më të mira, ndërsa ata dilnin hapur gjithandej si çift. Rudina, një prezantuese e njohur dhe e pëlqyer e spektakleve të ndryshme televizive, dhe Edi Rama, Kryetar Bashkisë së Tiranës, krijuan modelin e çiftit ideal në sytë e publikut. Por lidhja e tyre mori fund pas katër vitesh, ndërsa ata bashkëjetonin. Edhe pse u ndanë pas konflikteve mes tyre, e para që e deklaroi vetë ndarjen për gazetën “Panorama” ishte Rudina. Ajo foli në mënyrë shumë diplomatike për ndarjen, ekzaktësisht pas 1 viti e gjysmë që lidhja kishte marrë fund, pikërisht në kohën kur Rama kishte marrë mandatin e tretë si kryetar bashkie i Tiranës.

No comments: