Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka falënderuar eurodeputeten Tanja Fajon, për kontributin e dhënë për liberalizimin e vizave mes vendeve të BE-së dhe Shqipërisë. Gjatë një takimi në selinë e bashkisë së Tiranës, Rama është shprehur se Fajon do të jetë pjesë e historisë së kombit shqiptar.
“Zonja Fajon është mike e shqiptarëve dhe do të jetë pjesë e historisë së këtij kombi. Jemi shumë të kënaqur që ju kemi mes nesh. Ky vend do të t’ju presë gjithmonë me të gjitha nderimet që i bëhen një kryetari shteti”, i është drejtuar Rama eurodeputetes.
Më tej lideri i opozitës ka folur për ndarjen e Shqipërisë nga Evropa gjatë regjimit komunist, si dhe për peripecitë tragjike të qytetarëve shqiptarë për të hyrë në vendet perëndimore në vitet e para të demokracisë.
Rama ka prekur gjithashtu vonesën e heqjes së vizave për faj të politikës shqiptare, por pa folur gjatë për të. Në shenjë simbolike, Rama i ka dhuruar eurodeputetes Fajon çelësin e kryeqytetit, “i cili do të hapë dyert e Evropës për shqiptarët”. Rama nuk la pa përmendur edhe Kosovën, që sipas tij meriton të njëjtën vëmendje dhe fat si Shqipëria.
No comments:
Post a Comment