Pas ngjarjeve në Xhenova të Italisë, një tjetër episod i shëmtuar është dhuruar nga tifozët rusë në ndeshjen Zenit i Shën Pjetërburgut – Hajduk i Splitit, e vlefshme për fazën në grupe të Europa League. Tifozët vendas kanë djegur në stadium flamurin shqiptar, duke regjistruar një tjetër akt të rëndë në fushat e futbollit. Në tribuna ndërkohë ka patur edhe pankarta të shumta kundër Kosovës, si edhe një tjetër që shkruante Serbia zemra jonë. Ngjarja e ndodhur në stadiumin e Shën Pjetërburgut ka qenë epilogu i një dite të gjatë të mbushur me përleshje mes tifozëve rusë dhe atyre kroatë.
Ultrasët e Zenitit sulmuan ata të Hajdukut në hotelin Dostojevski, ndërsa tre tifozë kroatë kanë mbetur të plagosur përpara takimit. Në këtë ndeshje, që përfundoi 2-0 për Zenitin, ka qenë në fushë edhe mesfushori shqiptar Ervin Bulku. Rrëmujat në Rusi kanë ngritur dyshime të shumta për këtë vend, që është një nga dy favoritët kryesorë, bashkë me Anglinë, për marrjen e të drejtës për organizimin e Botërorit 2018.
Ngjarja në Rusi është e dyta brenda pak ditësh, kur digjet flamuri shqiptar. Në datën 12 tetor, në Xhenova të Italisë, para ndeshjes Itali-Serbi, u dogj flamuri kuqezi nga një tifoz serb i quajtur Ivan Bogdanov. Ai është në burg në Itali, në pritje të vendimit, ndërkohë që ngjarja mori përmasa të jashtëzakonshme, duke shkaktuar protesta edhe në Tiranë.
No comments:
Post a Comment