Monday, October 18, 2010

Udhëheqësit shqiptarë nga 1920 -2010, të giithë të lindur në muajin tetor

MAPOONLINE

Tetori duket se është muaji i udhëheqësve shqiptarë. Nëse do bënim një statistikë të shpejtë të njerëzve që kanë dominuar jetën politike shqiptare, do vinim re se më të pushtetshmit, të majtë apo të djathtë, mbretër apo presidentë, kanë lindur pikërisht në muajin tetor. Të gjithë i takojnë shenjës së peshores, ndoshta për të peshuar e balancuar të kundërtat e politikës shqiptare. Të paktën të gjithë personat që kanë qenë dominues të politikës së shtetit shqiptar në nivel kryesor drejtues janë të lindur në tetor. Kështu për shembull është figura e Zogut për vitet 1920 – 1939, është figura e Jacomonit për periudhën 1939 – 1943, është Enver Hoxha për periudhën 1944 – 1985, Ramiz Alia për vitet 1985 – 1992 dhe Sali Berisha si president, kryeministër dhe lideri i opozitës së djathtë pas rënies së regjimit komunist. Këtu qëndrojnë edhe kryeministra përcaktues në momente historike si për shembull Sulejman Delvina apo Bashkim Fino.

Por tetori rezulton fatlum edhe për një sërë politikanësh të tjerë që kanë drejtuar ministri të shtetit shqiptar

1-Kryetarë shteti dhe kryeministra

Sulejman Delvina (u lind më 5 tetor 1884 në Delvinë).

Hap lavdinë e të lindurve drejtues të lartë në këtë muaj. Më 1920 ishte kryeministër i qeverisë së dalë nga kongresi kombëtar i Lushnjës, kuvend shumë përcaktues për Shqipërinë e pas vitit 1920. Pasi qeverisi për rreth 10 muaj, figura e tij vjen në zbritje, pavarësisht se në vitin 1921 është ministër i Punëve të Brendshme sdhe më 1924, në gjashtë muajt e qeverisë së Fan Nolit është ministër i Jashtëm.

Ahmet Zogu (u lind më 8 tetor 1895 në Burgajet të Matit).

Figura dominuese e jetës politike në vend në vitet 1920 – 1939. I vetmi që arriti të gjitha më të larta që mund të ofrojë një vend si Shqipëri, në të gjitha llojet e tyre. Më 1920, 1921 – 1924 dhe 1925 ministër i Punëve të Brendshme. Më 1922 – 1924, 1925 kryeministër. Më 1923 – 1924 drejtues i Partinë Popullore. Më 1925 – 1928 president i Republikës. Më 1928 – 1939 kryetar i shtetit me titullin Mbret të Shqiptarëve.

Francesco Jacomoni (u lind në Rexhio Kalabria më 11 tetor 1893).

Ndonëse nuk është shqiptar, Jacomoni ishte për 4 vjet kryetar i shtetit shqiptar në vitet 1939 – 1943 në pozicionin e mëkëmbësit të mbretit italian. Statusi i Shqipërisë gjatë regjimit fashist ishte ai që lindi nga i ashtuquajturi “bashkim personal” midis dy kurorash, sigurisht pas pushtimit fashist të 7 prillit. Nga pozita e mëkëmbësit, Jacomoni nxori shumë dekrete emërimesh e shpallje ligjesh. Më 1943 ai u zëvendësua nga mëkëmbësi tjetër që do ishte dhe i fundit, Alberto Pariani.

Bashkim Fino (u lind më 12 tetor 1961 në Gjirokastër).

Në politikën qendrore të shtetit hyn në vitin problematik 1997, teksa në muajt mars – korrik ishte kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Më pas karriera e zotit Fino vijon më 1997 – 1998 zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Vendor; më 1999 – 2001 ministër i Pushtetit Vendor; më 2001 – 2002 dhe 2003 – 2005 ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

Sali Berisha (u lind më 15 tetor 1944 në Viçidol të Tropojës).

Kardiologu i njohur, iu bashkua lëvizjes studentore në fund të vitit 1990. Pak javë më vonë ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike, të cilën e udhëhoqi në zgjedhjet e para kuvendore në vend të 31 marsit 1991, të fituara nga Partia e Punës. Në zgjedhjet e ardhshme, ato të 22 marsit 1992, Partia Demokratike e udhëhequr nga zoti Berisha arriti shumicën. Kuvendi Popullor i dalë nga këto zgjedhje e zgjodhi president të republikës. Në këtë detyrë ai ishte në vitet 1992 – 1997. Në vitin 1997 u rizgjodh president, por dha dorëheqjen pas 3 muajsh me fitoren e zgjedhjeve nga koalicioni i majtë i kryesuar nga Partia Socialiste. Z.Berisha është figura më mbizotëruese gjatë tranzicionit politik. Përveçse president dhe aktualisht kryeministër i vendit në mandatin e dytë radhazi, ai ka drejtuar Partinë Demokratike në 9 vitet e saj në opozitë.

Enver Hoxha (u lind më 16 tetor 1908 në Gjirokastër).

Figura qendrore e gjysmës së dytë të shekullit të 20. Drejtues i Partisë Komuniste (më 1948 PPSH-së) në vitet 1943 – 1985. Më 1944 – 1954 kryeministër. Më 1944 – 1953 ministër i Mbrojtjes Kombëtare. Më 1945 – 1954 ministër i Punëve të Jashtme. Më 1945 – 1985 kryetar i Frontit Demokratik.

Ramiz Alia (u lind më 18 tetor 1925 në Shkodër).

Pasuesi i Enver Hoxhës. Më 1985 – 1991 sekretar i parë i KQ të PPSH-së. veç tyre ka ushtruar edhe detyrat të tjera si më 1955 – 1958 ministër i Arsimit dhe Kulturës. Më 1961 – 1985 anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë. Më 1982 – 1991 kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Më 1991 – 1992 president i republikës. Dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të Partisë Socialiste në vitin 1992.

Ministrat e lindur në tetor

Ismail Lleshi (u lind më 2 tetor 1947, në Banisht të Dibrës).

Më 2000 – 2001 ministër i Mbrojtjes. Për shkak të mosmarrjes pjesë 6 muaj në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, iu hoq mandati i deputetit.

Osman Murati (u lind më 7 tetor 1942 në Gur Lurë).

Më 1982 – 1990 ministër i Tregtisë së Brendshme.

Bajram Yzeiri (u lind më 7 tetor 1949) në Kosinë të Përmetit.

Më 1991 ministër i Rendit Publik.

Theodhori Bej (u lind më 7 tetor 1940 në Sotirë të Gjirokastrës).

Më 1991 kryetar i Komitetit të Punës dhe Mbrojtjes Sociale.

Viktor Doda (u lind më 10 tetor 1955 në Munaz të Mirditës).

Më 2001 ministër i Transportit. Më 2002 – 2005 ministër i Industrisë dhe Energjetikës.

Harilla Papajorgji (u lind më 11 tetor 1933, në Vlorë).

Më 1982 – 1985 kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit.

Themie Thomai (u lind më 13 tetor 1945 në Goriçaj të Lushnjës).

Më 1976 – 1989 ministre e Bujqësisë.

Dhimitër Berati (u lind më 15 tetor 1886 në Korçë).

Më 1934 – 1936 ministër i Ekonomisë Kombëtare. Më 1941 –1943 ministër i Kulturës Popullore.

Rrapo Dervishi (u lind më 15 tetor 1922 në Mavrovë të Vlorës).

Më 1950 – 1953 ministër i Ndërtimeve. Më 1980 – 1982 ministër i Ekonomisë Komunale.

Muho Asllani (Artunda) (u lind më 17 tetor 1937 në Bërdicë të Poshtme në Shkodër)। Më 1979 – 1982 ministër pranë Këshillit të Ministrave.


Vladimir Hysi (u lind më 17 tetor 1950 në Vlorë).

Më 1991 – 1992 ministër i Rendit Publik.

Dashamir Kore (u lind më 17 tetor 1953 në Gjirokastër).

Më 1991 ministër i Drejtësisë.

Albert Brojka (u lind më 19 tetor 1958 në Tiranë).

Më 1994 – 1995 ministër i Industrisë, Transportit dhe Tregtisë. Më 1996 ministër i Punëve Publike, Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Kosta Marku (u lind më 19 tetor 1880 në Topovë të Zagorisë, Gjirokastër).

Më 1943 ministër i Financave në kabinetin e Maliq Bushatit.

Hasan Dosti (u lind 24 tetor 1895 në Kardhiq të Gjirokastrës).

Më 1941 – 1942 ministër i Drejtësisë. Jashtë Shqipëri, kryetar i Ballit Kombëtar.

Kristo Floqi (u lind më 24 tetor 1873) në Korçë.

Më 1921 ministër i Arsimit.

Luan Skuqi (u lind më 25 tetor 1951 në Kavajë).

Në mars – korrik 1997 ministër i Arsimit dhe Sporteve.

Mihal Sherko (u lind më 27 tetor 1887 në Korçë).

Më 8 – 12 prill 1939 anëtar i ngarkuar për Punët e Jashtme Komiteti Administrativ i Përkohshëm.

No comments: