POLITIKA “ FSHATÇE” e shokut Zylo .....
OPINION
NGA JAKUP.B. GJOÇA
Brukseli , kryeqyteti i Bashkimit Evropian këto ditë u bllokua nga qindra traktorë , dhe fshatarët belg protestuan fuqishëm kundër shtrenjtësimit të jetesës.
Një traktor nga këta kushton mbi 80.000 evro ...
Edhe pse Shqipëria tashmë nuk “ ndërton socializmin me forcat e veta”, prapëseprapë bindesh që psikologjikisht politikanët tanë të sotëm kanë mbetur në orët e ideologjisë enveriane.
-Edi Rama prapë në fshat? – pyet vetveten , sa mëson të rejat politike të ditës. Nga Hajmali në Voskopojë? Kur mundi? Jo, ore, ka mbritë në fshatrat e Elbasanit- të gjegjet tjetri.Nga cila anë ta drejtosh atë të shkretë vesh?
Dhe e di që , ne të tjerët , nuk kemi më kohë që ta ndjekim (politikisht) maratonën e fshatit të Edi Ramës?
Kryetari i partisë (socialiste) më 2008 që po imiton specialistët e bujqësive të enverizmit.
Në mars të 1989 , komiteti i partisë të Librazhdit dërgon me program pune gjithë specialistët e seksionit të bujqësisë nëpër kooperativa .Detyra kryesore e specialistëve të seksionit të bujqësisë do të ishte që në ato kooperativa ku do të shkonin të vinin në punë të gjitha ...qetë e parmendës. Traktorët kishin mbetur nëpër ofiçina. Kooperativat i ishin zotuar partisë që do të mbillnin me qetë e parmendës brenda afatit.( Kështu e ndërtonim socializmin me forcat e veta ) . Edhe pse çdo kooperativë kishte kryespecialistë dhe dyzina me specialistë, partia u ngarkonte specialistëve të seksionit që të vinin ata nëpër kooperativa qetë në parmendë. Si detyrë partie kjo!
Shefi i bujqësisë , Osman Boci –atëhere- më preu një rrogë mua , përse unë nuk zbatova detyrën e partisë në kooperativën e Karkavecit, dhe qetë akoma nuk ishin në parmendë....
Nuk e di, sot kryetari i PS Edi Rama, a është ngarkuar nga partia (socialiste ) me detyrën time, që të ngrehë qetë në parmendë , në ato fshatra që viziton sot?
Edhe sot, si atëkohë të kooperativave, fshatari po me qetë e parmendës mbjell....
Ndryshe, nuk mund të kuptojmë, të konceptojmë domosdoshmërinë politike të ecejakeve të kryetarit të PS Edi Rama, në të gjitha fshatrat e Shqipërisë?
Ja, pe një fshat, dy fshatra, shumë –shumë pesë fshatra, a nuk është e mjaftueshme që politikisht të xjerrësh konstatimet e nevojshme të një hollësimi të politikës agrare?
Shqipëria në 17 vjetë kapitalizëm, çfarë “krimi politik” dhe ndaj kujt ka kryer që të mos ketë – në numër – asnjë traktor të atillë , nga ata që rrethuan Brukselin kundër shtrenjtësimit të jetesës?
Në rezonancë kohore me fshatarët e Belgjikës , edhe kryetari i PS Edi Rama këto ditë vizitoi - me rradhë- fshatrat e Hajmëlisë në Shkodër, Voskopojën dhe Miras në Korçë dhe rrugës të kthimit , bëri edhe një qëndrim në fshatrat e Elbasanit.
Çudia e kryetarit të PS Edi Rama nga përshtypjet e vizitave në fshatrat e Shqipërisë është kjo. Që nuk pa në këto fshatra shqiptare , gjëkundi asnjë traktor kaq të madh-sa ato qindra që rrethuan Brukselin këto ditë- që të ketë rrotat e mëdha. Kaq të mëdha sa tia kalojnë edhe çatisë të xhipit....
- Fshatarët shqiptarë akoma nuk kanë hyrë në ....kapitalizëm- kështu shpjegoi Edi Rama çudinë e tij ( të qytetit ) për mungesën e traktorëve që kanë rrotat kaq të mëdha (?!) sa ia kalojnë edhe çatisë të xhipit të tij.
Të paktën, do të ishte tejet e kuptueshme dhe e pranueshme që kryetari i PS Edi Rama të pyeste ata fshatarë ( që begenisën të takojë ) – Përse akoma nuk keni edhe ju nga ata traktorë me rrota që ia kalojnë çatisë të xhipit ?
Veç atij shpjegimi politik “ të rezonancës të kohës “ askush nuk mund të analizojë shkaqet politike (akoma) të ecejakeve të kryetarit të PS Edi Rama nëpër fshatrat e Shqipërisë.
Tema e ditës e politikës në Shqipëri –natyrisht – është shtrenjtësimi . Politika duhet të justifikojë edhe ato (pak) shpresa që kanë qytetarët ndaj politikanëve.
Këmborë të tjera tunden , dhe thua se barkun e zbazët të urisë të popullit do ta mbushin politikat e ...konstantimeve.
Tani e gjeti kohën politike kryetari i PS Edi Rama që të vizitojë fshatrat e Shqipërisë vetëm e vetëm që të konstatojë –ai- që fshatarët shqiptarë akoma nuk kanë hyrë në ...kapitalizëm?
Tani, pas 17 vjetëve nga shthurrja e kolektivizimit enverist të fshatit?
Hollë –hollë, politikisht ta analizojmë, kush në Shqipëri ka hyrë në ...kapitalizëm?
Thua artizanati shqiptar? Ajo çfarë na mbeti –akoma- nga rrënimi i uzinave dhe kombnateve që kishim dikur.
Pronësia në Shqipëri a ka hyrë në ...kapitalizëm? Cili fshatar shqiptar e ka pronë të tij tokën (?!) që të mendojë për ...kapitalin?
Tjetra.
Nuk e di , kjo endecakje politike nëpër fshatra e kryetarit të PS Edi Ramës do të shtysojë sadopak ndonjë shpresë (politike) të fshatarit?
Gjëkundi , nga goja e kryetarit të PS Edi Rama, asnjë fshatar ( nga ata sehirxhinj që e bënë kabull dhe e dëgjuan....) nuk dëgjoi ndonjë politikë që të “ujitë” pemën e thatë të bujqësisë në fshat.
Apo tjetra.
Konstatimi që “...fshati akoma nuk ka hyrë në kapitalizëm” do të jetë një platformë që do të ndërtohet politika (social-iste) ?
Voskopoja është një fshat që më shumë përmendet për të kaluarën e saj. Dhe për një perspektivë turistike. Nuk e di se çfarë modeli bujqësor mund të mësosh në Voskopojë , me të cilën një parti e mundshme qeveritare mund të ndërtojë një politikë agrare?
Nuk e di , se çfarë të mangët kishin fshatrat e Myzeqesë nga fshati i Mirasit në Korçë , në të cilin kryetari i PS kaloi një paradite politike ?
Ndryshe, këto vizita –duke marrë gjithë fshatrat me rradhë- të një kryetari partie ( e sidomos të partisë më të madhe opozitare ) janë thjesht pasarela politike.
Në ekspozitë mode, e vetmja që është e njëjtë – është pasarela. Ndryshojnë sponsorizimi dhe –sigurisht- moda .
Veçse , në pasarelat e politikës të Edi Ramës, ndryshojnë vetëm emrat e fshatrave. Të njëjtat gjera që shikon, që dëgjon ( po u dhe ...të drejtën të flasë ndonjë ) janë fushat e kodrat stepa, të pambjella.Shumë-shumë mund të të zërë syri ndonjë qerre, ndonjë ka me parmendë nga pas...
Politika pluraliste të parin që braktisi në harresë është fshatari... Pluralizmi hoqi “doganën “ e bla-bla-së, por robëtoi fshatarin nga e drejta e pronës.
Pa pronë, cili fshatar ndihet zot i vetvetes?
Cila politikë- qoftë rozë , qoftë edhe blu- në këto 17 vjetët postkomuniste, jetësoi ëndrrën e fshatarit për pronësinë e tokës?
Kryetari i PS Edi Rama, derisa del në shesh të fshatrave ( me rradhë ) e flet, a është i informuar politikisht për mospronësimin e tokës bujqësore në Shqipëri?
Cila politikë e këtyre 17 vjetëve fokusoi edhe politikën agrare?
Përkundrazi.
Politikat qeveritare të deritanishme , me politikën e doganave të lira të importimit të çfarëdo produkti biujqësor dhe nga çdo vend , rrënoi , shembi, bujqësinë shqiptare. Fshatari shqiptar , ashtu copë-copë, nga kolektivizimi enverist, nuk mund të konkurronte dot mallin e tregut të lirë, mungesa e plotë e ndihmesës shtetërore në financimin e blejrjeve të mjeteve bujqësore nga fshatarët shkretëtoi mijëra hektarë tokë bujqësore, çmimet e larta të farërave, të pesticidëve, të plehrave kimike e kthyen bujqësinë në epokën e ...parmendës.
E shikoni që për rënimin e bujqësisë në Shqipëri fajësohen vetëm politika agrare e qeveritarëve postkomunistë.
Politika e konstatimeve e kryetarit të PS Edi Rama ,me endacaket nëpër çdo fshat të Shqipërisë, nuk mund të mbushë askujt mendjen për një politikë agrare.
Edi Rama – në këdo fshat ku shkeli dhe foli- nuk tha asgjë se si politika e tij (socialiste) do të japë ndonjë shpresë .
Kurrë konstatimi politik nuk mund të jetë – në vetvete- një bërthamë programi politik.
Politika “fshatçe” e kryetarit të PS Edi Ramës, të sjell në kujtesë shokun Zylo!
No comments:
Post a Comment