Intervistë me kengetaren Liri Rasha:
Albert ZholiViti më i veçantë ka qenë viti 1983, ku kam shkuar me Ansamblin e Shtetit në Gjermani, aty kam kënduar një këngë kurbeti
“Kënga e kurbetit”, kënga ime e preferuar
Zëri i saj brilant ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigantë shqiptarë, në të katër anët e globit. Një këngëtare e veçantë e traditës së këgës popullore veriore. Si vet emri që mbart mbi vete, ashtu ka qënë ajo me këngën, e lirë, si shtojzacvalle, e ëmbël, impresionuse, duke ruajtrur me fanatizëm, traditën, por duke heshur dhe sytë drejt së resë në këngën e mirëfilltë popullore shqiptare. Në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore edhe në emër të parasë. Gëzimi i saj më i madh është që vajza e saj po e vazhdon me po atë dinamizëm dhe përkushtim rrugën e nënës, duke lënë hapur shtigjet e fluturimit brenda familjes në këtë profesion kaq të brishtë por edhe të bukur dhe magjik.
Liria dhe fëmjijëria juaj. Bangat e shkollës dhe trokitja e këngës?
-Unë kam lindur në një nga fshatrat e Dibrës që quhet Dalldar, kam mbaruar tetëvjeçaren në fshatin tim dhe pastaj kam mbaruar të mesmen në Peshkopi dhe më vonë kam kaluar në estradën profesioniste.Kam mbaruar edhe një specializim për kanto, ku kam pasur petagogët më të mirë Ibrahim Tukiçin, Luçie Milotin, Ramiz Kovaçin që ka qënë një nga petagogët që është marrë më direkt me mua.
A e mbani mend në jetën shkollore kur keni dalë për herë të parë për të kënduar dhe kush ju zbuloi si talent?
-Krahinës që i përkas unë, ka qenë një krahinë shumë e thellë, ku nuk kishte shumë aktivitete.Aty bëheshin aktivitete vetëm kur ishte festivali i Gjirokastrës, i cili ishte njëherë në katër vjet. Jam zbuluar pothuajse rastësisht, kur kam qenë duke ndenjur në shtëpi duke kënduar për qejfin tim. Aty ka kaluar një mësues i imi dhe kur kam shkuar në orën e matematikës, në vend që të përgjigjesha për mësimin që kisha, ai më thotë mua se ti Liri sot do të këndosh. Unë i thashë se nuk di të këndoj, ai tha se din të këndosh dhe bukur bile.
Sa vjeç ishe në atë kohë?
Në atë kohë isha 13 vjeçe.
Kur ke dalë për herë të parë në skenë përpara një publiku të gjërë?
Për herë të parë kam dalë në klasën e tetë. Nga fshati ku kam lindur më morën direkt në Peshkopi. Peshkopia po përgatitej për Festivalin e Gjirokastrës, dhe më morën me grupin e rrethit. Në festivalin e Gjirokastrës në vitin 1973, ishte një publik shumë i gjerë. Emocionet ishin shumë të mëdha. Të papërshkrueshme. Ajo kala gjigande. Ai qytet i gurtë, më pëcillnin në kujtesë lexime për mbretër dhe legjenda.
Çfarë kënge ke kënduar?
Aty kam kënduar këngën “Oj syzeza vetull hollë”, kjo është një potpuri këngësh dibrane.
Mbaruat shkollën e mesme për mësuese dhe filluat profesionin e mësuesisë?
Me shumë dëshirë e mbarova shkollën për mësuese, por ato të rrethit iu duk sikur unë jepja më shumë për muzikë se sa në mësuesi, dhe kështu kalova direkt në estradën profesioniste të rrethit si këngëtare.
-Në ç’vit ke filluar në Estradë?
-Kam filluar në vitin 1977.
- Po kënga e parë kur dole në skenë për herë të parë në Peshkopi kush ka qenë?
- Ka qenë kënga “Mora rrugën, mora”. Kjo ka qenë një këngë e thjeshtë por e plëqyer në trevat tona. Kjo këngë edhe nga vetë titulli më hapi rrugën e gjerë të skenës. Pastaj në festivalet e mëvonshme të Gjirokastrës ku unë përfaqësoja rrethin mu dhanë këngë të tjera. Pra shumë pika kulmore të aktivitetit tim lidhen me Gjirokastrën. Nga ky qytet i gurtë më lidhin shumë kujtime. Ai për mua mbetet mistik. Ismail Kadare e ka përshkruar aq bukur në romanin e tij.
-Cfarë këngësh keni kënduar kryesisht me estradën e Peshkopisë?
-Me estradën e Peshkopisë kam kënduar këngë nga të gjitha trevat.Nga veriu, nga Shqipëria e mesme, nga të jugut. Por edhe këngët e Kosovës i kam pasur shumë për zemër. Kam kënduar edhe këngë të huaja, ku kryesisht kemi pasur më të lejueshme këngët turke.
A mban mend ndonjë titull të ndonmjë kënge turke?
Kam kënduar këngën “Edmerim byçym, byçym”,” Mavi, Mavi” e shumë të tjera, sepse çdo premierë që jepnim na futnin nga një këngë të huaj turke.
Me kë ke bashkëpunuar me estradën e Peshkopisë, si regjizor, dhe kompozitor?
Kompozitor ku kam marë edhe një ndihmë të madhe kanë qenë Përparim Tomçini, Edmond Zhulali që edhe sot kam bashkpunime.Ka qenë kompozitori Zef Çoba që më ka dhënë një ndihmë mjaft të madhe .Kanë qenë shumë, pasi kam kaluar 14 vjet në estradën profesioniste dhe janë ndërruar shumë. Regjisor ka qenë i talentuari Hamza Abazi.
Kush ka qenë dita më e bukur në skenë për ju?
Artisti ka shumë ditë të bukura, por dita që dua unë të veçoj është dita kur unë për herë të parë u paraqita me një auditor të madh në qytetin e Peshkopisë.
Ju keni marë titullin “Artiste e Merituar” në cilën vit e keni marrë këtë titull?
Titullin e kam marrë në vitin 1988.Ndjeja një farë kënaqësie, por sodisfaksioni im ka qenë kur unë e mbërtheja sallën, kur isha duke kënduar dhe kur shikoja që vëmendja ishte komplet tek unë, ai ishte sodisfaksioni më i madh për mua.Titulli është një moment, skena është e përjetshme, bashkudhëtare e jetës së artistit.
Kush ka qenë dita kur nuk e ke mbërthyer mirë sallën?
Ka pasur ...Njeriu nuk është gjithmonë në humor. Sallën nuk e kam mbërthyer në ato raste kur më detyronte njeri të këndoja një këngë dhe jo kur unë doja. Kur kisha këngët e mia të preferuara sallën e mbërtheja.
Kush janë këngët tuaja të preferuara?
Kryesisht këngët e mia të preferuara janë të kurbetit. “Kënga e kurbetit”, është “Fusha e korabit” , që është një nga këngët më të bukura të miat. Është “Kur e përcolla Enverin”,”Kur dola tek dera”. Ka pasur edhe këngë të të tjerëve të kurbetit që kam kënduar si “Malli për Dibrën time”.
Sa herë keni shkuar jashtë shtetit në kohën e monizmit?
Në kohën e monizmit kam shkuar në shumë shtete pasi, meqë isha një këngëtare karakteristike e zonave të veriut më merrnin shpesh me Ansamblin e Shtetit, ku kam filluar në fillim me Jugosllavinë shkuam nga Ohri në Suboticë në Beograd dhe komplet Jugosllavinë. Kishte lidhje kulturore mes shteteve në atë kohë. Kam qenë pastaj në Itali, Turqi, Austri, Francë, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Suedi Në Amerikë kam shkuar në fillimet e demokracisë me Ansamblin e Shtetit dhe kemi shkuar në disa shtete të Amerikës.
Kush ka qenë viti më i veçantë që ju jeni pritur në mënyrën që ju ka lënë mbresa të veçantë jashtë shtetit?
Viti më i veçantë ka qenë viti 1983, ku kam shkuar me ansamblin e shtetit në Gjermani, aty kam kënduar një këngë kurbeti. Kam filluar të qaj sepse shihja spektatorët duke qarë në sallë që ishin shqiptarë,dhe në moment më kanë rrjedh edhe mua lotë.Jo lot sepse po këndoja atë këngë sepse unë e kisha kënduar disa herë por më bëri shumë emocionale prania e njerëzve në sallë që lotonin. Se besoja. Aty pashë me të vërtetë magjinë e këngës. Cfarë u jep ajo njerëzve.
-Kur e keni nxjerrë në treg albumin tuaj të parë dhe si titullohet?
-Albumin e parë e ka nxjerrë Radio –Tirana. Kanë marrë të gjitha këngët e mira të miat dhe (vitin nuk e mbaj mend) nxorën albumin “Këngë të zgjedhura të kënduara nga Liri Rasha”. Pastaj kam bërë albumin tjetër me titull “Nusja me të bardha”. Këtë album e kam nxjerr para shtatë vjetësh. Eshtë dhe një album tjetër, shumë interesant, një album që më është vjedhur. Më është vjedhur në skenë. Kur unë kam qenë duke kënduar dhe i gjithë reportori më është marrë, më është hedhur në një disk dhe është prodhuar jashtë. Ky ka qenë një album mjaft i shitur në Maqedoni, por është shitur në mënyrë pirate .
-Aktualisht me çfarë merret Liria?
-Aktualisht merrem vetëm me fëmijët e mi,dhe tek-tuk ndonjë koncert në rast festash, apo shkoj në ndonjë dasëm.
Pse shikohet një largim prej spektalkeve nga këngëtarët e mirëfilltë të këngës popullore shqiptare, kjo nga inflacioni i këngëtarëve të reja, apo ndoshta që ekonomia e tregut kërkon disa gjëra pothuajse të papranueshme me traditën?
-Largimi im nga skena nuk është bërë vitet e fundit, por ka vite që unë jam larguar nga skena, për arësye se unë ika nga Dibra. Një fjalë e urtë popullore është “gur i rëndë në vend të vet”. Unë ika nga Dibra dhe për gjashtë vjet e gjysëm banova në Laç. Nga Dibra kam ikur në vitin 1993 dhe deri në 1999 kam qenë në Laç.Unë në Laç e kam kaluar shumë mirë, por vetë kushtet që kishte Laçi, pa një trup profesioniste, bëri që të isha disi në heshtje. Periudha e banimit tim në Laç ka qenë një periudhë ku unë kam qenë jashtë profesionit tim.
-Po pastaj me ardhjen në Tiranë?
-Pastaj erdha në Tiranë, ku u mundova të afrohem me muzikën, po shhikoj që muzika ka marrë një drejtim komplet tjetër.
Çfarë drejtimi ka marrë muzika?
Nuk di ta përkufizoj, por vetëm shqip nuk këndohet.
Këngëtaret e reja me këto huazime janë bërë më të preferuarat sidomos në tregun e spektakleve të ndryshme apo edhe buzuqeve ?
Këngëtaret e reja, këngët i marrin dhe i përkthejnë nga një gjuhë e huaj në shqip, këtë e bëjnë më shumë për komerc. Unë mendoj se kjo nuk ka filluar vetëm tek këngëtaret (këto më shumë) Edhe njerëzit që punojnë jashtë vendit tonë kërkojnë këngët e atijë vendit ku rrijnë. Kjo ka sjellë hyrjen e rrymave të huaja dhe nuk pëlqehet tradita. Është edhe kalimi nga sistemi komunist në atë që po jetojmë tani.Në sistemin që kaluam njerëzit kanë qenë të dëshiruar për të dëgjuar një muzikë të huaj,për të qenë të lirshëm për të vallëzuar në një muzkë të huaj.Edhe kjo tek ne u fut shumë keq, u fut pa kontrroll.Edhe tani gjeti terren të përshtatëshëm dhe ecën.Mund të them se shumica e këngëtarëve që dalin tani në stacionet televizive me videokliope më shumë po pozojnë veten e tyre dhe nuk dinë se çfarë po përfaqëson ajo këngë që po këndon.
Ju keni kënduar vetë ndonjë këngë që të jetë e huazuar?
Këngë të huazuar nuk kam kënduar.
Po nëqoftëse do të thonë, se duke iu afruar një shumë të madhe ju të huazoni një këngë apo të bëni një ndërthurje të një kënge shqiptare me një të huaj, a do ta pranonit këtë?
Mua më ka kërkuar zona e Gallabordës që të bëj një kasetë me gjuhën e tyre dhe me muzikën e tyre, edhe nuk jam kundra kësajë .Unë mund ta bëj kasetën dhe të them se kjo muzikë përfaqëson këtë trevë .Por të bëj një këngë të huazuar vetëm për para nuk e bëj.
A keni ndonjë peng në skenë si këngëtare?
Peng kam vetëm këto vitet që po ikin dhe nuk kthehen më.Unë lulëzimin tim si artiste e kam patur në vitet e para të rinisë sime, por një zë i kualifikuar ka qenë më vonë. Por kjo koha e mëvonëshme mua më ka gjetur pak jo në krye të punës.Arësye ka qenë largësia dhe zhvendosja herë pas here.Ka qenë edhe ana financiare.Sepse ato që organizojnë aktivitete nisen gjithmonë nga më e reja. Kërkojnë shoë. Tranzicioni nuk është traditë, është komercializëm.
Pra tentohet që në skenë të jetë më shumë një femër e re, se sa një zë i bukur?
Ata duan më shumë një femër të re se sa një zë të bukur.Kjo është pengesa kryesore. Sepse nuk jam vetëm unë që kam ngelur e spostuar, komplet gjenerata ime është e spostuar.
Ju jeni marrë me politikë?
Me politikë nuk jam marrë por kam qenë simpatizante, ndërsa sot jam komplet e zhveshur nga politika.Nuk më intereson as e majta, as e djathta, por vetëm kënga.
Pse nuk mireni me politikë?
Unë mendoj se ka qenë gabimi im që jam prononcuar fillimisht, sepse kënga ime nuk ka pikëpamje politike.Kënga ime për të majtët e për të djathtët është njësoj.
Po muzikës së mirë shqiptare çfarë i mungon sot?
I mungon tabani, sepse edhe bima për tu rritur do t’i fusi rrënjët diku.Unë mendoj se këngën popullore po e kapin sikur të shkurtojnë një pemë nga degët, dhe kështu është edhe muzika popullore sot. Po i marrin vetëm gjethet dhe trungun po e hedhin. Po e lënë cung.
Ju keni ndonjë mednim se si mund të ndryshojë ky realitet i këmgës popullore shqiptare ?
Është shumë e vështirë të ndryshojë për rrugën që ka marrë. Këtu mendoj se mund të vendos dorë shteti, megjithëse e ka të vështirë. Njerëzit e kanë kuptuar keq demokracinë dhe duan të kenë një liri absolute në të gjitha krahët. Arti do edhe liri, por në radhë të parë duhet ruajtur tradita kombëtare. Liri do të thotë të mos poltizohet, censurohet, jo të deformohet, tjetërsohet.
Kush është problemi më i madh që ka shoqëria shqiptare sot, dhe si e shikoni ju si këngaëtare këtë problem?
Problemi më i madh që ka shoqëria shqiptare është papunësia.Shumica e njerëzve janë të papunë.Këto kohë më shumë duhet ti këndosh papunësisë sesa dashurisë. Dashuria e ka humbur kuptimin e të qënit e sinqertë tek çiftet e rinj.
-Dashuria e ka humbur kuptimin sepse shihet se sot ka dashuri me interes?
-Kjo është një temë shumë e gjërë dhe unë nuk mund të jap një përgjigje të vetme.Është shumë banale të thuhet se shesin veten për një copë bukë.
Liria bjonde ka qenë gjithmonë?
Liria ka qenë shumë brune, por natyra bën punën e vet, vitet që kalojnë bëjnë punën e vet, dhe sa të më duken ato fijet e bardha i bëra të verdha të gjitha.
Çfarë do dëshiroje më shumë në këtë jetë të realizoje duke pasur parasysh kushtet në vendin tënd, pozicionin që zë në jetë, të qenit këngëtare dhe aq më tepër përcjelljen e këngës tek vajza juaj ?
Që zemra ime të jetë e kënaqur do t’i lutesha ZOTIT që të kem familjen mirë me shëndet, të kem një mirësi, dhe për sa i përket vajzës, unë e kam pasur ëndërr që këngën time unë ta transferoja tek vajza, dhe vajza ta vazhdonte. Kjo është realizuar. Për mua si prind ajo është shumëe talentuar.
Në një rreth shoqëror flitet shumë se këngëtarët e kanë zgjedhur më lehtë rrugën e jetës, janë më fitimprurëse në krahasim me profesionet e tjera, ju jeni e këtij mendimi?
Unë nuk mund ta them se ata që zgjedhin rrugën më të lehtë zgjedhin rrugën e këngëtares, por me sa shoh ashtu po veprojnë.Mua më duket vetja sikur kam lindur këngëtare. Por tani kur sheh që një femër lë një profesion dhe mbas 2-3 vjetësh i shikon me mikrofon në dorë.Momentalisht kjo quhet një pune e lehtë.
Po dita më e në jetë kush ka qenë?
Ditë të vështira ka artisti shumë.Në jetë kam pasur një ditë shumë të vështirë.Dita më e vështirë kur vajza ka kryer një operacion ,dhe operacioni zgjati pesë orë dhe mua më është dukur si pesë vjet. Ajo ditë (loton) ka qënë ...(ngre sytë nga qielli). O Zot! Atë ditë nuk kam për ta haruar sa të jem gjallë. Zoti besimin ma shpërbleu.
-Cfarë synimesh keni për të ardhmen?
-Në të ardhmen kam dëshirë të punoj me vajzën time. Që t’ia transmetoj repertorin tim vajzës sime. Por kjo ka një stil tjetër, por edhe këngën popullore e këndon mirë.Së dyti, dëshiroj të bëj një album me këngë të herëshme. Këtë album kam dëshirë ta bëj për simpatizantët e mi. Po punoj me vajzën për të bërë një kolazh. E kam pasur dëshirë prej kohësh që të kem një kolazh me vajzën time.Do të kisha edhe shumë dëshirë që edhe djali të më këndonte, ai e dashuron muzikën por veshin e ka pak më të rëndë.
Je penduar që ke zgjedhur rrugën e këngës në jetë?
Jo nuk jam penduar.
A ke pasur shpeshherë edhe nga familja momente që vërtetë që e ke vënë në dilemë vazhdimin e kësajë rruge?
Familjen e kam pasur gjithmonë përkrah meje. Familja më ka nxitur,më ka shtyrë. Njeriu nuk ndodhet gjithmonë në të njëtën pozicion, kam pasur momente që edhe unë kam dashur që ta braktis ndonjëherë, por ata më kanë shtyrë drejtë muzikës.Por fati im më i madh ka qenë që edhe burrin e kam pasur përkrah meje, nuk më ka penguar kurrë në rrugën time si artiste.
No comments:
Post a Comment