50 prej tyre do të kenë statusin e vëzhguesit afatgjatë të këtyre zgjedhjeve, ndërsa pjesa tjetër prej 400 personash do të mbërrijnë në Shqipëri për të monitoruar ditën e zgjedhjeve.Ekipi bërthamë i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 Majit do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar më 27-28 mars. Burimet diplomatike sqarojnë se do të jetë fundi i muajit që do të shënojë nisjen zyrtare të misionit vëzhgues. Sic është bërë tanimë e ditur ky mision do të kryesohet nga amerikani Jonathan Stonestreet. Zëdhënësi i ODIHR-it Jens Eschenbaecher zbuloi në një prononcim pak ditë më parë se në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të angazhohen së paku 450 vëzhgues. Sipas tij 50 prej tyre do të kenë statusin e vëzhguesit afatgjatë të këtyre zgjedhjeve ndërsa pjesa tjetër prej 400 personash do të mbërrijnë në Shqipëri për të monitoruar ditën e zgjedhjeve. Për shkak të kohës së gjatë të parashikuar të procesit të numërimit dhe nxjerrjes së tabelave të rezultateve, vëzhguesve afatshkurtër duhet t’u kërkohet të qëndrojnë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, për të ndjekur të gjithë procesin. Sakaq, mësohet se grupi i vëzhguesve vendas “Shoqata për Kulturë Demokratike” planifikon t’i vëzhgojë zgjedhjet e ardhshme me 900 vëzhgues të shpërndarë në ekipe të lëvizshme, nëse arrijnë të sigurojnë financimin e duhur. Nga analizimi i të dhënave bie në sy fakti se numri i vëzhguesve të huaj afatgjatë është më i lartë se sa në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, kur në total misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it që u hap në Tiranë, më 8 maj, kishte 12 ekspertë në kryeqytet dhe 26 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Misioni vëzhgues duket se do të ketë një fushë veprimi të gjerë, për shkak se nuk do të kushtëzohet për misione të tjera vëzhguese zyrtare, nga Këshilli i Europës apo NATO-ja, siç ndodhi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Paraprakisht është mësuar vetëm që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka kërkuar përmes një letre vëzhguesve të Parlamentit Europian. Drejtori i Përgjithshëm i ODIHR-it, Janez Lenarcic, mbajti dje një raport në të cilën u ndal gjatë në proceset zgjedhore, të cilat është angazhuar të monitorojë ODIHR-i në javët dhe muajt e ardhshëm. “Megjithëse viti 2011 dukej i qetë, muajt e fundit kemi një sërë angazhimesh në procese zgjedhore në Andora, Irlandë dhe Kazakistan. Ndërkohë kemi dërguar një mision vëzhgimi për zgjedhjet presidenciale në Kazakistan dhe po përgatitemi për një mision në Shqipëri, ku do zhvillohen zgjedhjet e majit”, u shpreh Lenarcic.
No comments:
Post a Comment