Wednesday, March 23, 2011

Si e njoh Sali Berishën

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

1.

Janë shkruar shumë artikuj, bile dhe libra, kushtuar njërit ndër personalitetet më të shquar të jetës politike e shoqërore në Shqipëri, sidomos në këto 20 vitet e fundit, Prof. Dr. Sali Berishës, ish-President dhe tani Kryeministër i Shqipërisë. Por, duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, dëshiroj të tregoj tani se njohjet e takimet e mia me të janë më shumë se gjysmëshekullore. Ato kanë nisur që në vitin arsimor 1957-1958, kur kisha mbaruar maturën dhe atë e kisha patur nxënës të klasës së 7-të, në shkollën e fshatit Tropojë. Drejtor i shkollës sonë ishte Elez Gashi, tani "Mësues i Popullit", ndërsa një ndër kolegët e mi, mësues aty, ishte edhe Fahri Doçi, gjithashtu "Mësues i Popullit". Jo në një rast, njerëz që janë njohur me këtë fakt, më kanë pyetur ose dëshirojnë të dinë, se cili ishte nxënësi Sali Berisha, në atë kohë.

Nuk do të flas me gjuhën e kujtimeve ose të hamendjes së sotme. Pra, po sqaroj se në vitin arsimor vazhdues, pra, 1958-1959 erdha për të ndjekur studimet e larta në degën gjuhë-letërsi shqipe, të universitetit të sapoformuar në Tiranë. Njëkohësisht, në atë shtator, Saliu fitoi bursën dhe erdhi nxënës konviktor në Politeknikumin Mjekësor të kryeqytetit. Pra, rasti e solli që përsëri të ishim në një vendbanim. Por, në atë shkollë të mesme, përveç Saliut, vijonin edhe disa djem e vajza nga Malësia e Gjakovës (Tropoja).

I ndikuar nga leximet e librave dhe njohjet me gazetarë të shtypit të kohës, kisha nisur të shkruaja artikuj që në shkollën e mesme. Kështu, duke e vijuar këtë udhë, e cila më vonë më futi përgjithnjë në atë të profesionit të nderuar të gazetarit, mendova të shkruaja diçka pikërisht për ish-nxënësin tim të shkëlqyer në shkollën e Tropojës, Sali Berisha. Pra, me një aparat fotografik në dorë shkova atje dhe u takova e bisedova me 14 bashkëkrahinasit e mi, ndër të cilët, përveç atij në qendër të tyre, ishin mjekët e ndihmësmjekët e ardhshëm: Shaban Mala, Vogël Ademi, Hazir Mala, Muharrem Isufi, Vatë Sokoli, Pashke Meshi etj.

Pasi u ktheva në konviktin e Qytetit "Studenti", u ula e shkrova një artikull, të cilin ia kushtova pikërisht nxënësit të atij Politeknikumi, Sali Berishës. Shkrimi u botua në një faqe të gazetës së përditshme "Bashkimi". Ndër të tjera, që në hyrje, shkruaja edhe këto radhë: "Sigurisht, ju nuk e njihni Saliun. Dhe keni të drejtë. Për ta njohur atë, duhet të kishit qenë në shkollën 7-vjeçare 'A. Vokshi' të Tropojës, ku ai mori dëftesën e lirimit me nota të shkëlqyera dhe me fletë-lavdërimi… Biri i një fshatari malësor, Sali Berisha vazhdon vitin e dytë të Politeknikumit Mjekësor. Ai nuk dyshon se dëshira e tij do të plotësohet për t'u bërë mjek dhe për t'i shërbyer popullit…". (Gazeta "Bashkimi", 24 nëntor 1959, faqe 3).

Sigurisht, tani secili e merr dhe përgjigjen për kërshërinë ose interesin që paraqet, se cili ishte Sali Berisha, që nxënës në shkollën 7-vjeçare. Por, tashmë, është i njohur edhe fakti se në këtë udhë ai e përfundoi tërë shkollën e mesme mjekësore dhe më pas universitetin. I tillë mbeti ai, pra, duke qenë përherë i dalluar, edhe gjatë periudhës së studimeve të larta dhe në mbarim të studimeve universitare e pasuniversitare. I gjithë ky përkushtim për diturinë dhe profesionin e mjekut të përgjithshëm dhe më pas specialistit shumë të aftë për sëmundjet e zemrës, gjeti pasqyrim në tërë praktikën e jetës së tij.

Nuk janë disa, por me dhjetëra e qindra pacientë, që e kujtojnë atë me nderim e respekt për kujdesin e veçantë, që ka treguar Dr. Berisha ndaj kurimit dhe shërimit të tyre. Për këtë gjë, jam bërë edhe unë dëshmitar, por do të përmend vetëm një rast. Vjehrri i nipit tim, Meçan Hiraj, nga fshati Kropisht i rrethit të Vlorës, vuante nga sëmundja e zemrës. Duke e ditur se isha bashkëkrahinas i Dr. Berishës, m'u lut që ta shoqëroja për një vizitë tek ai. Ky mjek shumë i aftë profesionalisht, por dhe me shpirt të madh njerëzor, e priti me kënaqësi atë dhe iu përkushtua plotësisht vizitës e kurimit të mikut tim vlonjat.

Në vitet e punës sime në shtyp, në Tiranë, kur Dr. Sali Berisha ishte mjek e shef pavioni në Spitalin Nr.1 të Tiranës, ka patur dhe raste të tjerë, që jam bërë dëshmitar i përkushtimit e kujdesit të tij shumë të veçantë për njerëzit me ankesa shëndetësore, pavarësisht se nga cila krahinë ishin. Është rasti të përmend këtu me nderim edhe mjekun kirurg, Dr. Flamur Nishanin, me origjinë nga Gjirokastra e që shërbeu pak vite në Tropojë. Gjithashtu, ai dëshmonte një përkushtim të tillë në shërbimin mjekësor ndaj njerëzve, në përgjithësi, por dhe të malësorëve tropojanë, në veçanti.

2.

Fillimi i viteve '90-të solli ndryshime të shpejta në vendin tonë. Nismëtarë të lëvizjes demokratike në Shqipëri u bënë disa intelektualë të guximshëm, të cilët edhe publikuan në shtyp artikuj thirrës e nxitës, që kërkonin reforma rrënjësore dhe ishin me nëntekst për ndryshimin e sistemit komunist në fuqi. Për këtë arsye, pati edhe ndonjë poet, që me mendimet e shprehura në vargjet e tij u vu në shënjestrën e regjimit të kohës. Ndërsa shkruan disa artikuj, që lanë gjurmë të thella në popull, intelektualë mjaft të njohur edhe për atë periudhë, si Dr. Sali Berisha, Dr. Ylli Popa e të tjerë.

Me historikun e ngjarjeve të stuhishme të vitit 1990, 1991 e 1992 dhe në vazhdimësi, tashmë, jemi njohur të gjithë. Por dua të nënvizoj se e kam ndjekur me simpati dhe me nderim përkushtimin e guximin, që treguan Dr. Berisha, Azem Hajdari e të tjerë, në ballë e në udhëheqje të rinisë e popullit, që kërkonin ndryshime cilësore të pushtetit, si dhe në krijimin e forcës së parë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike. Tërë ky vrull i paparë u shoqërua me rrëzimin e simboleve të komunizmit dhe fillimin e projektit për një shtet të ri demokratik europian. Kështu, rasti e solli që u ndodha pikërisht përballë, kur u rrëzua monumenti i E. Hoxhës në kryeqytet; ndoqa mitingjet e protestës, si në Qytetin "Studenti" e tjerë dhe shkova në mbështetje të grevës së urisë së studentëve, me bashkëshorten dhe dy djemtë e vajzën time.

Më vonë, duke ushtruar detyrën e gazetarit të arsimit, ka patur raste që jam takuar me Dr. Berishën, kryetar i PD-së e President i Republikës, si në konferenca shtypi dhe në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë, por dhe në veprimtari të ndryshme nëpër rrethe. E tillë ka qenë, për shembull, veprimtaria kushtuar një përvjetori të shënuar të Normales së Elbasanit, të cilën ai e cilësoi atë "Universiteti i parë shqiptar".

Me vënien në përdorim gjerësisht të internetit e të celularëve, sidomos në këto vitet e fundit, jo vetëm në një rast, kam shkëmbyer mesazhe me Dr. Berishën e familjen e tij. Ai është treguar i vëmendshëm e korrekt jo vetëm në rastet e festave të ndryshme, por dhe në përvjetorë vetjakë. Kështu, në mars të vitit 2010, unë kisha 70-vjetorin e lindjes dhe përurova një libër jetëshkrimor. Në përgjigje të ftesë sime për të marrë pjesë aty, ai më dërgoi këtë mesazh në celular, të cilin e ruaj ende të pafshirë: "Në pamundësi me marrë pjesë në promovimin e autobigrafisë së mësuesit tim të respektuar, ju uroj! Me shumë mirënjohje për të gjithë kontributin tuaj. Me respekt: Sali Berisha". Po kështu, në një urim me rastin e 28 Nëntorit 2010, ai më shkruante: "Gëzuar këtë ditë, ditëlindjen e kombit dhe të flamurit tonë, më të bukurin mbi tokë. Me repekt: Sali Berisha".

Që mos ta lodh lexuesin e këtyre radhëve, po përmend dhe takimin e kohëve të fundit me Kryeministrin, Prof. Dr. Sali Berisha. Në prag të festës së 7 Marsit 2011, pra, Ditës së Arsimit kombëtar shqiptar, më njoftuan nga Ministria e Arsimit e Shkencës se aty kishin një ftesë të posaçme nga ai, për të marrë pjesë në ceremonitë festive, që u organizua në Pallatin e Brigadave. Sigurisht, ky ishte nderim e kënaqësi për mua. Bashkë me kolegët e tjerë dhe të ftuar të shumtë, isha dhe unë i pranishëm aty. Pas fjalës së rastit dhe urimit, që bëri Kryeministri Berisha për të gjithë mësuesit e pedagogët, nxënësit e studentët dhe prindërit e tyre e mbarë popullin e Shqipërisë, mori pjesë në koktejin e shtruar. Sigurisht, gjeta rastin që, bashkë me të tjerët, të afrohesha dhe ta takoja gotën me të. Sapo më pa, ai buzëqeshi e më përqafoi fort dhe iu drejtua të pranishmëve: "Është gëzim për mua, që sot po takoj këtu edhe ish-mësuesin tim!…". E falënderova për fjalët e tij dhe për mesazhet, që ai më kishte dërguar për ditëlindjen time dhe në raste të tjera.

Në mbyllje, dëshiroj të bëj një sqarim për secilin lexues të këtyre pak radhëve. I shkrova këto pa marrë parasysh aspak pozitën ose autoritetin e kaluar dhe aktual të ish-Presidentit e Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Por u nisa e desha të flas dhe të tregoj me zemër të hapur dhe pa asnjë interes vetiak ose familjar, për aq sa e njoh unë, që në fëmijërinë e tij e deri më sot, që ai e ka dëshmuar veten gjatë tërë jetës njeri të thjeshtë e në radhët e para të punëve, ka qenë e është i ndershëm në profesion e në detyrë dhe se ka shpirt të pastër njerëzor. Përfundimisht, kam mendim të palëkundur dhe jam i nderuar që e kam patur nxënës në shkollë, mik në jetë dhe Partia Demokratike e shoqëria demokratike shqiptare, e kanë pasur dhe e kanë sot, Prof. Dr. Sali Berishën, në udhëheqje

No comments: