Nga Gani Qarri*
NOA - TIRANE : Ishin periudha të vështira dhe vendimtare ato, kur popullit tonë nën robërinë afro 500 vjeçare, për lëvizjet e reja që kishin zënë fill në Ballkan dhe Evropë i duheshin më shumë se kurrë më parë, patriot të vërtetë, të gatshëm për flijime të mëdha në luftërat e vështira që do të zhvilloheshin, për çlirim kombëtar.
Në Familjen e Gjon Lulit, pas një pritje të gjatë,do të lindte,një kolos i tillë i cili do të bëhej shembulli më i mirë i luftërave kombëtare të atyre viteve për vetëflijim personal dhe familjar në historinë shqiptare të atij shekulli. Në vjeshtën e vitit 1840,në Traboin, Gjon Lulit i kishte lindur djali i parë dhe i vetëm në shtëpinë e tij i cili kishte trashëguar emrin e gjyshit, Dedë Broçit. Ai edhe pse trupvogël në kuvendet e malësorëve njihej për dije të gjerë dhe trimëri të mëdha në ato anë. Deda qysh në moshë të re ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë,dy djem dhe dy vajza të cilët i pati krah gjatë gjithë luftërave të kombëtare për mbrojtjen e Atdheut.
Sipas rregullave të kanunit bajraktar i fisit të Hotit ishte familja e Çun Mulajve, kurse Dedë Gjon Lulit në hierarkinë e fisit i takonte vendi dytë, por me aftësitë që kishte treguar qysh i ri dhe trimëritë e dëshmuara luftarake që në moshën 21 vjeçare, nga momenti kur i kishte shkuar në ndihmë edhe Oso Kukës, Dedë Gjon Luli i Hotit, “1840- 5 shtator 1915) u kthye ndër figurat më të mëdha që pati shqiptaria duke u bërë i pari në kuvend burrash dhe në kushtrim luftërash për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Malësi dhe Shqipërinë kudo.
Formimi i lidhjes shqiptare të Prizrenit më 10 Qershor të vitit 1878
Pas luftërave ruso-turke të viteve 1877-1878), me 3 mars të vitit 1878 ishte mbajtur takimi i Shën Stefanit me ç`rast ishin marrë vendime në dëm të disa fuqive të mëdha e veçanërisht në dëm të Austro-Hungarisë, ndaj ato fuqi kishin vendosur për mbajtjen e Kongresit të Berlinit,punimet e të cilit do të zgjasnin që nga 13 qershori deri me 13 korrik të vitit 1878. ku do të ishin rishikuar edhe një herë vendimet me të cilat dëmtoheshin interesat e fuqive të mëdha e veçanërisht interesat e Austro-Hungarisë,por çështja e Popullit shqiptar nuk ishte shqyrtuar dhe as pranuar kombi ynë , përkundrazi me vendimet e atij kongresi, me të cilat ishte dakorduar edhe Turqia, ishin dëmtuar shumë interesat e Shqipërisë dhe çështja jonë kombëtare,pasi ishte vendosur që trojet tona etnike dhe disa pjesë të atdheut tonë, fshatra dhe qytete, t’u jepeshin vendeve hegjemoniste fqinje.
Nën rrethanat e zhvillimeve të reja ndërkombëtare, me një paraprirje kohore afro pesë-javëshe para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit,pikërisht me 10 Qershor të vitit 1878 ishte formuar Lidhja shqiptare e Prizrenit si organizata e parë politike dhe ushtarake shqiptare e cila në gjithë historinë e ekzistencës së popullit shqiptar, për herë të par, paraqitej edhe me një platformë e program gjithëkombëtar ,për realizimin e të cilave, Lidhja Shqiptare, në vitet pasuese do të bënte përpjekje me të gjitha kapacitetet e saja njerëzore dhe ushtarake për mbrojtjen e të gjitha trojeve tona kombëtare, me aktivitete të kombinuara diplomatike dhe luftë të armatosur,deri në vitin 1881.
Në lidhjen shqiptare të Prizrenit, përfaqësoheshin të katër vilajetet shqiptare, madje Malësia si pjesë e vilajetit të Shkodrës, kishte 6 përfaqësues, Shkodra dy dhe Podgorica një. Nga Kryesia e Lidhjes së Prizrenit,për trimëritë e treguara në luftërat e zhvilluara dhe aftësitë e dëshmuara në udhëheqje, Dedë Gjon Luli, ishte zgjedhur udhëheqës ushtarak i Hotit dhe zëvendës komandant i përgjithshëm i forcave të Lidhjes shqiptare për Shkodrën. Ky Luftëtar i lindur për pushkë e luftëra,trimëritë e tij i dëshmoi qysh në moshën 21-vjeçare në luftën e Vraninës ku Dedë Gjon Luli i kishte shkuar në ndihmë Oso Kukës,trimit që luftoi deri në frymën e fundit kundër malazezve, dhe në momentet kur po i ngushtohej rrethimi, Oso Kuka i kishte vënë zjarrin kullës së tij, për të mos rënë i gjallë në duart e malazezve.
Lidhjes shqiptare të Prizrenit i duheshin organizim i njëmendët dhe veprime të shpejta ngaqë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej ti zinin forcat e lidhjes shqiptare të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malazeze duke u konfrontuar shpesh me ushtritë e tyre pushtuese. Dedë Gjon Luli kundër malazezëve,kishte luftuar edhe në vitet 1880-1881 dhe Ai tashmë i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut,e as atëherë kur u priu forcave shqiptare,me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte, ish shqiptari i dikurshëm i Fisit të Kuqit i kthyer në malazez-Mark Milani, me të cilin Dedë Gjon Luli, në krye të 18 trimave të zgjedhur të Hotit dhe Grudës,do të matej tek ura e Rrzhanicës ,duke i thyer me turp ushtarët e Mark Milanit,ku malësorët me lavdinë e fitores së tyre të re, shkruan edhe një faqe të ndritur në historinë kombëtare shqiptare.
Ushtria malazeze kishte organizuar edhe disa sulme me 23 dhe 24 prill, që të pushtonte pozicionet e ushtrisë shqiptare, por pa sukses ngase Forcat e Hotit dhe të Grudës të udhëhequra nga Ismail Marku dhe Baca Kurti thyen sulmet e armikut malazez dhe me qëndresën në frontin e Hotit dhe të Grudës i cili zgjati për disa muaj,tendencat malazeze për pushtimin e Hotit dhe Grudës kishin dështuar.
Siç dihet nga historia, në pranverën e vitit 1881, Hoti dhe Gruda ishin djegur nga turqit dhe Dedë Gjon Luli për afro tri vite, ishte detyruar ta linte malësinë dhe të strehohej në shtëpinë atdhetare të Binak Alisë së Krasniqes dhe të Mehmet Shpendit në Shalë të Dukagjin,por luftëtarët shqiptar me Dedë Gjon Lulin në krye, nuk ishin dorëzuar,ata po prisnin rastin e përshtatshëm për tu kthyer në Malësinë e tyre dhe me 26 prill të vitit 1883 në Kuvendin e mbajtur në Kastrat, kishin vendosur të formonin “Lidhjen e Vogël” e cila jo vetëm se do ta kundërshtonte dhurimin e tokave tona vendeve fqinje nga Turqia por edhe do të mbronte trojet shqiptare me armë në dorë nga sulmet e pareshtura pushtuese të Malit të Zi.
Kështu që Hafiz Pasha në qershor të vitit 1883 do të organizonte një ekspeditë ushtarake ndëshkimore për çarmatosjen dhe nënshtrimin e Malësisë së Madhe, për t’i detyruar me forcë shqiptarët që të pranonin dorëzimin e tokave të tyre, duke djegur Kastratin, Hotin e Grudën,me ç`rast luftime të ashpra ishin përhapë edhe në Spi, Qafë Kishë dhe Traboin, ku forcat mbrojtëse të udhëhequra me shumë sukses nga Dedë Gjon Luli të cilëve me ardhjen në ndihmë të Hotit, Grudës dhe Trieshit, e kishin detyruar Hafiz Pashën që të kërkonte armëpushim.
Pas luftërave të Serbisë me ushtrinë e Perandorisë Osmane,gjatë viteve 1876-1881, ajo e ndihmuar edhe nga Rusia,kishte arritur që në vitin 1878 t’i pushtonte; Pirotin, Prokuplen, Toplicën, Sanxhakun e Nishit dhe pjesë të Kosovës verilindore nga të cilat kishte përzënë të gjithë shqiptarët që jetonin atje,duke bërë spastrimin e plotë etnik dhe aneksimin e tyre. Kurse Malit të Zi u kishin dhënë për fillim,trojet e shkëputura shqiptare si Fudnat, Koja dhe Trieshi.
Luftëtarët shqiptar ,përveç luftës fizike në frontet e mbrojtjes së trojeve të tyre, ata kishin bërë përpjekje edhe në mënyrë diplomatike për ruajtjen e integritetit territorial, duke iu drejtuar konsujve evropian me kërkesa të formuluara në formë të shkruar, përmes letrave që ua kishin dërguar atyre, duke ua bërë të qartë se nuk i pranonin vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit dhe se ishin betuar që tokat e tyre, të mos i lëshonin pa luftë. Këto letra i ishin dërguar ambasadorit të Austrisë, me 1 mars të vitit 1880 dhe me 4 Prill të po atij viti, dhe konsujve tjerë evropian në Shkodër.
Por përkundër të gjitha përpjekjeve diplomatike dhe luftarake të shqiptarëve për mbrojtjen e tërësisë së tyre territoriale, fuqitë e Mëdha dhe Turqia,pa i pyetur fare shqiptarë, bënin tregti me trojet tyre duke i shitur shumë lirë ato,pjesë të mëdha të të cilave u kishin falur vendeve hegjemoniste fqinje.
Sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Porta e Lartë duhej që Malit të Zi t’ia dorëzonte edhe Ulqinin,mirëpo Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit “Dega e Shkodrës” nën udhëheqjen e Mehmet Becit, Mehmet Gjylit, Sali Hylës, etj. bashkë me popullsinë vendase kishin kapur armët për ta mbrojtur me luftë të armatosur Ulqinin,por me gjithë luftën heroike kundër ushtrisë turke nën komandën e Dervish Pashës dhe presionit të pa ndërprerë luftarak të Flotës ndërkombëtare të komanduar nga admirali anglez Sejmur, për dorëzimin e Ulqinit, forcat mbrojtëse vullnetare ishin thyer,dhe me 26 nëntor të vitit 1880,forcat pushtuese turke bashkë me ato të flotës ndërkombëtare, i kishin dorëzuar Malit të Zi, Ulqinin.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit,që nga formimi me degët e saj në të gjitha trojet shqiptare, ishte shtylla kryesore e luftërave për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve dhe paraprijëse e pavarësisë së popullit shqiptar,nga Turqia. Kryengritjet shqiptare me gjithë dëmtimin e përkohshëm,frymën e tyre patriotike dhe idealin për çlirim kombëtar, turqit nuk arritën ta shuanin kurrë, ndaj pas përpjekjeve të shumta e të pa ndërprera, do të rifuqizimi dhe përhapja e përgjithshme e kryengritjeve të tyre për çlirim kombëtar nga Turqia do të arrihej që nga viti 1909 të cilat do të vazhdonin, hovshëm me 1910 në Kosovë dhe 1911 në Malësi të madhe,për tu përhapur në të gjitha trojet shqiptare, duke mos pushuar asnjëherë deri te çlirimi nga Turqia dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1911
Kryengritja e vitit 1910 në Kosovë e udhëhequr nga Idriz Seferi,Isa Buletini, Bajram Curri, Mic Sokoli, e të tjerë do të rishfaqej në përmasa të reja e shpejt dhe e fuqishme tanimë në Malësinë e madhe, nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit të Traboinit të Hotit, ku përveç luftërave me turqit, malësorët u desh të luftonin në dy fronte edhe kundër ushtrisë malazeze, të cilët shfrytëzonin çdo rast për pushtimin e trojeve tona. Gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1910- 1911 kundër xhonturqve,shumë familje shqiptare ishin detyruar të iknin në mal të zi, fatkeqësinë e të cilëve e keqpërdorte qeveria malazeze, pikërisht në kohën kur shqiptarët zhvillonin luftime për çlirimin e trojeve të tyre nga Turqia, Mali i zi ua ndaloi të gjitha ndihmat madje edhe bukën, refugjatëve shqiptar duke u mundu ta përdor fatkeqësinë e tyre për pretendime territoriale ndaj Malësisë dhe vet qytetit të Shkodrës.
Mali i Zi që me 14 mars të vitit 1911, për ti nënshtruar shqiptarët me uri,ua kishte ndërprerë të gjitha ndihmat refugjatëve të luftës,në momentet më të vështira të përgatitjeve për luftërat shqiptaro turke. Madje edhe pse, Isa Buletini dhe Dedë Gjon Luli,kishin hedhur poshtë tendencat e krajl Nikollës, që Kryengritja të fillonte e papërgatitur dhe e pa koordinuar me viset tjera shqiptare, malazezët me qëllim të dështimit të kryengritjes shqiptar, kishin informuar si Turqit-ashtu edhe Fuqitë e Mëdha se malësorët do të fillonin kryengritjen që me 28 mars të vitit 1911,gjë që më në fund i kishte detyruar shqiptarët, që ta nisnin kryengritjen jo vetëm para kohe dhe para përfundimit të përgatitjeve të duhura, por edhe 4 dit përpara datës së paralajmëruar nga malazezët, duke filluar me 24 mars vitit 1911 nga malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, për t’u përhapur me shpejtësi në Grudë, Kelmend dhe Kastrat.
Kryengritësit e Malësisë së Madhe me 30 mars të vitit 1911 u kishin drejtuar edhe një memorandum Fuqive të Mëdha të nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Dedë Gjon Luli, Sokol Baci, Abdulla Aga, Preng Kola, Mehmet Shpendi, e të tjerë, përmes të cilit kërkohej të njihej zyrtarisht kombi shqiptar,paprekshmëria e trojeve tona, njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet e Shqipërisë etnike, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, që nëpunësit në zyra dhe gjyqe në Shqipëri të ishin shqiptarë, ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare dhe tatimet shtetërore të përdoreshin për nevojat në vend
Për Kryengritjen e re,shqiptarë u përpoqën që përmes atdhetarit të njohur Nikollë Ivanaj dhe patriotëve të tjerë të çështjes kombëtare,në fillim të siguronin përkrahjen e qeverisë italiane,por Roma nuk ishte e interesuar të ndihmonte kryengritjen e malësorëve shqiptar,madje ajo që nga shkurti i vitit 1911, kishte ndaluar edhe vullnetarët arbëresh, për pjesëmarrje në kryengritje dhe çdo ndihmë të mundshme që mund t’u jepej kryengritësve shqiptarë, me arsyetimin se kryengritja dëmtonte interesat diplomatikë të Italisë”, kurse Qeveria austro-hungareze, kishte kërkuar nga Porta e Lartë që t’u pranoheshin një numër i të drejtave,të shqiptarëve.
Organizimi i Kryengritjes shqiptare u ndihmua për aq sa mundej,brenda dhe jashtë vendit nga atdhetarët; Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali dhe Përfaqësues të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët përveç Italisë, bënë përpjekje për të siguruar edhe përkrahjen e shteteve fqinje, por kryengritja e malësorëve i kishte tronditur shtetet hegjemoniste fqinje të cilat kishin pretendime territoriale ndaj tokave shqiptare që nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia e deri te Bullgaria kështu që Serbia,jo vetëm se nuk pranoi kërkesat për ndihmë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,por bashkë me Qeverinë e Malit të Zi,penguan me çdo mjet dhe mundësi, kryengritjen shqiptare që ajo të fitonte karakter gjithë-kombëtar.
Ngritja e Flamurit Kombëtar me 6 Korrik të vitit 1911 në Deçiç
Shqiptarët luftonin edhe një herë të vetmuar kundër perandorisë turke e cila me 13 maj të vitit 1911, me rreth 40 mijë ushtarë dhe artileri të rëndë, të udhëhequr nga Turgut Pasha,kishte filluar sulmin kundër Malësisë së Madhe, kur çetat e malësorëve të prira nga Dedë Gjon Luli numëronin rreth 3500 luftëtar. Por, malësorët të udhëhequr nga Dedë Gjon Luli sulmit të ushtrisë turke iu kishin përgjigjur me luftime të rrepta dhe të përgjakshme që nga treva jugore e Shkrelit deri në Dinoshë. Përpjekjet e turqve për marrjen e Deçiçit ishin larë me gurra gjaku ku Dedë Gjon Luli edhe pse në moshë të shtyrë, përkrah dy djemve të tij, Kolës dhe Gjergjit, të së re`së- Norës dhe malësorëve të cilët jo vetëm se luftuan me shumë suksese por zunë edhe shumë armë e municione, me të cilat ishin hidhur edhe në sulme kundër pushtuesve turq. Lufta e malësorëve trima ishte ndër më të rreptat e të gjitha kohërave, bile edhe më e rreptë se vetë shkreptimat e rrufesë të cilën Dedë Gjon Luli e kishte drejtuar me shumë sukses duke mos u ligur as atëherë kur bashkë me 20 hotjanët e vrarë në luftë, kishte rënë edhe djali i tij 22 vjeçar, Gjergji.
Pas humbjeve të mëdha të turqve, Turgut Pasha kishte tentuar edhe një herë ti mashtroj malësorët me premtime për falje,për t’u ndërtuar shtëpitë e djegura,për t’u dhënë ndihmë me para etj. por lufta e malësorëve nuk kishte të ndalur e cila Piedestalin e shkëlqimit në heroizmin e saj kjo luftë kombëtare e arriti me 6 Korrik të vitit 1911 në Bratile të Deçiçit kur u ngrit Flamuri Shqiptar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nga kryengritësit malësor nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit të Traboinit.
Mbas fitores së malësorëve shqiptar mbi turqit,porta e lartë e kishte shkarkuar nga pozita dhe larguar nga Shqipëria,Turgut Pashën kurse Ethem Pasha,duke u tërhequr në drejtim të Gjakovës kishte rënë në pritën e çetës së Bajram Daklanit, ku ishte plagosur rëndë, dhe kishte vdekur në spitalin e Shkupit.
Sipas informatave të kohës, në luftën kundër shqiptarëve,nga rreth 40 mijë ushtarët e angazhuar turq,mbi shtatëmijë ishin vrarë në beteja. Ndaj edhe Lufta heroike nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit e cila kishte zgjatur afër katër muaj, kishte mahnitur gjithë opinionin vendor dhe ndërkombëtar,duke arritur një fitore të shkëlqyer të kryengritësve shqiptar.
Dedë Gjon Lulin, si pashallarët turq ashtu edhe shovinistët malazez, përkundër gjithë atyre luftërave të zhvilluara ,nuk do të arrinin ta përkulnin asnjë herë, dhe megjithë gëzimin e pa masë që ai do ndjente me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor të vitit 1912, në mbrojtjen e trojeve të së cilës, në mënyrë të veçantë për mbrojtjen e Hotit dhe Malësisë,D edë Gjon Luli dha çdo gjë, për çka edhe Ismail Qemali, në shenjë nderimi për atdhetarizmin e tij të kulluar kombëtar, këtë burrë të madh- do ta quante me krenari; “Pushkë e ngrehur për Shqipërinë”, në vitin 1913 Dedë Gjon Luli do dëshpërohej thellë në zemër nga vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër për t’ia dorëzuar Hotin dhe Grudën Malit të Zi.
Dëshpërimi i tij do ta arrinte kulmin, më 6 Prill të vitit 1913 kur pushtuesit malazezë, në befasi kishin pushtuar Malësinë e madhe, për të cilën Dedë Gjon Luli me malësorët trima dha çdo gjë,duke mos pranuar ofiq as para, në këmbim të Atdheut, kurse tani bashkë me 560 familje nga këto troje, do të shpërnguleshin nga vatrat e veta shekullore për tu vendosur në afërsi të Shkodrës, ku formuan lagjet e veta si Hotin e Ri dhe Grudën e Re,duke ikur në pleqërinë e tij të thellë nga pushtuesit malazez të cilët ia kishin pushtuar malësinë e tij të dashur dhe në Hotin ku dikur ai me bashkëluftëtarët, kishte ngritur Flamurin Shqiptar të Gjergj Kastriotit,kurse sot,në vend të tij,valëvitet flamuri i pushtuesit malazez.
Dedë Gjon Luli në Shkodër, do binte në kontakt me shumë atdhetar tjerë shqiptar, dhe si ushtar i devotshëm i kombit,që ishte, mbeti gjithmonë në shërbim të atdheut, duke u gjendur çdo herë aty ku vendi kërcënohej nga pushtuesit dhe tradhtarët, bashkë me malësorët trima, i gatshëm të hidhej në lufta të reja të bëhej shkrumb e hi derisa të ketë gjak ndër dej, për lirin e kërcënuar të kombit dhe për të mos ia fal kujt Shqipërinë.
Në shtator të vitit 1914, në fillim të Luftës së Parë Botërore, Dedë Gjon Luli i shqetësuar për fatet e Shqipërisë, do t’u drejtohej për herë të fundit edhe me një letër të gjithë atdhetarëve shqiptar për mbrojtjen e trojeve tona deri në pikën e fundit të gjakut të tyre siç e meritonte rasti historik që të realizohej me sukses, pavarësia e Shqipërisë me moton “Shqipëria e Shqiptarëve”që i bashkoi të gjithë patriotët e kombit, pa dallim feje a krahine.
Lufta e Dedë Gjon Lulit ,ishte aq e madhe dhe historike,sa që askush dhe asnjëherë nuk mund ta zbehë shkëlqimin e tij diellor,me gjithë përpjekjet për hijëzimin e veprimtarisë së tij kombëtare që e bëri Dedë Gjon Lulin, të dashur dhe të pranueshëm për të gjithë shqiptarët, ndaj janë të dëmshme tendencat, për tërheqjen e Portretit të i tij shkëlqyes nga piedestali rrezatues i Diellit të gjerë kombëtar,që ngrohë të gjithë shqiptarët,për tu mbyllur në dhoma të ngushta murgjish fetar nën hijen e peizazheve surreale të vizatuara pas ngjarjeve të mëdha.
Në librin “Lufta për çlirim kombëtar” të P. Pepos, thuhet se Palokë Traboini,më 1911 kishte sjellë tre flamuj nga Vjena e Austrisë dhe një nga ta i kishte dhuruar Dedë Gjon Lulit, i cili që “Ditën e dielë, më 6 prill të vitit 1912 e kishte urdhëruar të birin Kolën që te kisha e Traboinit, ta shpaloste flamurin kuq e zi, dhe Kola kishte thirrur: “Shiko popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena” dhe nga gëzimi, Flamuri Kombëtar, ishte përshëndetur me një batare pushkësh nga të cilat kishin ushtue malet për rreth! Hare ma të madhe s’ishte pa ndonjëherë ndër Hot…!
Vrasja me tradhti e Dedë Gjon Lulit
Dedë Gjon Luli mbeti luftëtar i denjë kombëtar deri në çastin e fundit, të jetës së tij kur edhe u vra me tradhti në moshën 75 vjeçare,në një prit të organizuar në Orosh të Mirditës. Edhe pse Pavarësia e Shqipërisë së cunguar nga konferenca e Londrës, ishte njohur nga shumë vende, armiqtë dhe tradhtarët e kombit shqiptar nuk pushonin së luftuari për ti zhdukur luftëtarët e mbetur të çështjes kombëtare dhe zhduk edhe atë pak Shqipëri që kishte mbetur nga trojet e pushtuara shqiptare gjithandej rreth e rrotull nga fqinjët tanë hegjemonist.
Në listën e atyre që duhej zhdukur ishte edhe Dedë Gjon Luli i cili për t’i dalë zot atdheut muaj me radhë kishte qëndruar edhe në malet e Pukës ku ishte përpjekur ti luftonte forcat anti-kombëtare esadiste, derisa një ditë vjeshte,mercenarët e kishin kryer punën e vetë duke e vrarë Dedën me Tradhti.
Nga gjendja e mjegulluar që mbulonte ato kohë të liga Shqipërinë,Dedë Gjon Luli kishte një parandjenjë të keqe, dhe sipas dëshmive të Norës, Nuses së djalit të Dedë Gjon Lulit-Kolës, e cila nuk iu kishte ndarë luftës kurrë, bashkë me Burrin dhe Vjehrrin e saj,ndaj edhe Dedë Gjon Luli kishte krijuar aq raporte prindërore ndaj saj sa që atë e quante “Djali ma i miri i Babës”!ndaj edhe pak kohë para se të vritej me tradhti,në qershorin e vitit 1915 i kishte lënë asaj edhe një testament, që në rastin më të keq, Nora të shiste ato pak gjëra që u kishin mbetur, për ti lar borxhet që kishin në Qytet dhe Malësi , sepse Dedë Gjon Luli kishte blerë armë e fishek dhe nuk donte, as pas vdekjes, të linte gjë peng.
Nora e dëshpëruar kur kishte marrë Testamentin ,kishte parandier edhe rrezikun e vdekjes së shpejtë të Dedë Gjon Lulit, gjë që pas dy muajsh edhe kishte ndodhur.
Sipas shënimeve nga Historia shqiptare, të bazuara edhe në dëshmitë e Norës, Dedë Gjon Lulin e kishin thirrur Gjonmarkajt në një mbledhje të fshehtë për Malësinë , e cila gjoja- do të mbahej në Orosh. Nora nga droja se do ti ndodhte gjë e keqe Dedë Gjon Lulit,e kishte lutur shumë; Babë Deda, i kishte thënë Nora, ta kam rixhanë- mos shko , se ja druej sherrin asaj mbledhje!!! por Dedë Gjon Luli edhe pse shumë herë edhe në raste të vështira lufte e kishte dëgjuar Norën ” Djalin ma të mirin të Babës” fatkeqësisht, kësaj radhe nuk e kishte dëgjuar , duke i thënë; Norë ” Djali im më i miri” shtatëdhjetë e pesë vjet i bana, e fjalën peng kurrë nuk e kam lanë,kur më thirrën në atë mbledhje,u thash po- do të vij, e tani vetëm vdekja nëse më ndal se nuk e la pa shku.
Nora si shumë herë tjera gjatë luftës edhe kësaj radhe vëzhgonte terrenin e rrugëtimit të tyre, ndaj edhe kishte hetu se diçka e keqe në Orosh do t’u ndodhte,ngase kur ishin afrua pranë kullë së “mbledhjes” një nuse e shtëpisë, fshehurazi u kishte tregu se aty nuk kishte mbledhje por se ishin të tradhëtuem.
Dhe sipas historianëve shqiptar kjo ishte Tradhtia e Esad Pashës, në koordinim me miqtë e tij Gjonmarkajt të cilët bashkëpunonin me serbët, ata i kishin përgatitur Dedë Gjon Lulit një vdekje të tillë, të mistershme Trimit të Traboinit në moshën e tij 75-vjeçare me 5 shtator të vitit 1915 në Sheshëz të Oroshit
Në betejën e 29 gushtit të viti 1912,në mesin e 20 luftëtarëve të rënë ishte edhe djali i dytë i Dedë Gjon Lulit- Gjergji 22 vjeçar. Pas tre vjetësh në shtator të vitit 1915, do të vritej vetë Deda,kurse Djali parë i Dedë Gjon Lulit, Kola, do të largohej për afro tri vite në Itali nga ku do t’i dërgonte Norës se një letër ku i shkruante, “Të lutem na i mblidh eshtrat” për t’u kthyer edhe vetë nga Italia me 1918, me ç`rast edhe ai tre vjet pas të atit, do të vdiste i helmuar në Vlorë, duke shtuar edhe për një,numrin e dëshmorëve për Atdheun nga Familja e ngushtë e Dedë Gjon Lulit.
Kështu që Norës- Re`së, së Dedë Gjon Lulit dhe gruas së Kolës, tanimë vërtetë nuk i kishte mbetur asgjë tjetër,përveç se tua mblidhte eshtrat e këtyre patriotëve e cila pas shumë përpjekjeve që banë bashkë me bijën e Dedë Gjon Lulit, Nareja, ato arritën që në maj të vitit 1923, ti bartin eshtrat e Dedë Gjon Lulit prej Oroshit dhe ato të Kolës prej Vlore për ti sjellë dhe bashkuar në Shkodër.
Nora nuk iu kishte ndarë kurrë luftëtarëve, ajo me ndërresa nën sqetull,shkonte gjithkund me ta, shpesh herë edhe duke pri ndër shtigje të vështira të pusive deri që udha i çoi atje ku tradhtia përmes kurtheve të ngrehura, kishte futur në përdorim edhe bajonetat sllave për vrasjen e patriotëve kombëtar pas shpine.
Vrasja me tradhti e një patrioti të tillë kaq të madh dhe të kulluar kombëtar, siç ishte rasti i Dedë Gjon Lulit, nuk ishte fundi as fillimi i tradhtive të mëdha, por ishte mënyra më e ligë e një praktike shumë mizore,e cila do të përdorej shpesh për likuidimin edhe të shumë patriotëve tjerë të kombit.
Dhe me 18 mars të vitit 1964 do të vdiste edhe Nora, pjesëmarrësja e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar,dhe dëshmitarja e fundit e një tradhtie të madhe mbi vrasjen në prit të një luftëtari të dëshmuar kombëtar.
* Shkrim i dërguar nga autori prej Zyrihut të Zvicrës
No comments:
Post a Comment