Tuesday, March 22, 2011

Flet Vito Kapo, ish-Presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë për 34 vjet rresht

Ju rrëfej jetën me Hysniun, pse u martova pa dasmë

Albert ZHOLI

Ajo është një grua fisnike, krenare plot vitalitet. Flet qetë, pastër dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme. Takimi me të ishte shumë i ngrohtë dhe miqësor. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” bashkëshortja e numrit dy të Partisë së Punës, Hysni Kapos, rrëfen detaje nga jeta e saj mes udhëheqësve komunistë të kohës:

Ku e ke njohur për herë të parë Hysni Kapon?

Hysniun e kam njohur si emër legjendar, pra në fillim vetëm si emër. Ai kishte krijuar një emër të madh në luftë. Kisha dëgjuar shumë për të, por nga afër se kisha parë asnjëherë. Unë e admiroja si emër, por nuk e njihja për fytyrë. Në atë kohë ai ishte kthyer në një figurë e njohur në Gjirokastër, pasi unë jam nga Zagoria.

Po ju vetë ku ishit e angazhuar në ato vite lufte?

Unë në atë kohë, në fillim isha në rajon, sekretare në Përmet, Lunxhëri, Libohovë. Pirro Kondi (vëllai im) më thoshte që të qëndroja unë sekretare, por unë thoja se nuk e bëj dot se është larg. Në ato kohë unë quhesha me emrin Vito Kondi.

Si e mbani mend takimin e parë me Hysniun?

Hera e parë që e pashë me fytyrë ishte, kur po bëhej inaugurimi i Brigadës së VIII Sulmuese në Zagori. Djali i xhaxhait tim kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës në një kohë me Hysniun. Vetë Hysniu e kishte kërkuar shokun e shkollës duke pyetur se ku është familja e Petro Kondit. Vjen Hysniu tek xhaxhai dhe takon shumë njerëz. Atë ditë nuk pata rast që ta takoja. Xhaxhai të nesërmen vjen tek unë dhe më thotë: Shko takohu me atë djalë. Hysniu i la përshtypje shumë të mira xhaxhait. U nisëm dhe shkuam në Sheper të Zagorisë. Ishte viti 1944. Unë kisha edhe Nexhmijen me vete. Ishte takimi i parë, një ditë impresionuse. Pashë nga afër “Besnikun”, i cili ishte bërë legjendë në atë kohë. Kur erdhi puna për të ngrënë drekë pasi bëmë detyrat e rastit bëmë fotografi, por dhe u prezantuam.

Po më pas si do të vazhdonte kjo marrëdhënie?

Herën e dytë ishte në Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944. Unë isha caktuar me detyrën e organizmit dhe të pritjes së delegatëve. Duhet të dilnim në Frashër dhe të pritej Shtabi i Këshillit Nacional-Çlirimtar. Prej Frashërit do shkonim në Përmet. U nis Munih Kokalari nga Gjirokastra dhe shkuam në Frashër dhe pritëm shtabin dhe u nisëm në këmbë. I prita dhe i takova të gjithë. Erdhën Bab Myslymi, Piro Kondi, Hysniu, Haxhi Lleshi etj.. Kur u bëmë bashkë u nisëm. Unë po ecja në këmbë. Hysniu që nga fundi më pa, zbriti nga kali dhe më tha: mere kalin. Ky ishte më i riu dhe më xhentili nga ata. E mora kalin e Hysniut për disa kilometra, ndërsa Hysniu po ecte në këmbë. Pas disa orësh unë i them rojes që t’i thonte “Besnikut”, që unë do të iki në një rrugë më të shkurtër. Hysniu vetëm kështu pranoi të hipte në kalë. Unë mora gjoja një rrugë të shkurtër, por mbërrita vonë në Përmet. Kjo ishte njohja dhe xhentilesa e parë e tij ndaj meje. Pas Kongresit duhet të largoheshim sipas detyrave.

Ku u konsolidua miqësua juaj?

Ne jemi njohur më shumë në Berat, kur erdhën për mbledhjen e famshme të Beratit. Ishte viti 1944. Ai plenum s’ka të harruar. Ishte Plenumi i famshëm i Beratit, ku kritikohet ashpër nga jugosllavët Enver Hoxha. Atje ishin tre franksione dhe në krye të tyre ishin jugosllavët. Ishte Sejfula Malëshova, Nako Spiro, Koçi Xoxe (më i forti). Jugosllavët morën pjesë në plenum dhe ngritën tezën që keni vrarë, prerë, masakruar gjatë Luftës. Kush i ka bërë? Enveri me gjeneralë të tjerë. Fjala ishte për masakrën e Lushnjës dhe atë të batalionit italian “Antoni Gramshi” të bërë nga Brigada që drejtonte Mehmet Shehu. Në këtë kohë shkoj tek Koçi Xoxe dhe i them: Unë nuk kam dorëzuar materialet për shokun Enver. Pra nga tre franksionet do dilte kush do të ishte Komandant i Përgjithshëm. Enveri akuzohej më shumë për veprimtarinë e Mehmetit.

Si do të përfundonte Plenumi i Beratit?

Bëhej luftë që Enveri të shmangej. Por dhe pse shumë debate, s’kishte njeri ta zëvendësonte Enverin. Ai ishte shumë i përgatitur. Ndaj fraksionet e tjera dhe ai i Koçit që mbështetej nga jugosllavët u thye. Mehmeti bëri autokritikë. Pra në Berat ndodhën shumë ndryshime dhe Enveri u rrezikua shumë. Koçi Xoxe i përkrahur nga jugosllavët zgjodhi njerëzit e tij në shumë poste. Enverit i lanë ushtrinë, Koçi Xoxes partinë. Atëherë doli kënga: “Koçi Xoxe merr partinë/ Enver Hoxha merr Ushtrinë”. Nuk qe Enveri që dëgjohej, por qe Koçi Xoxe që kishte fjalën e tij në parti. Në Komitetin Qendror u zgjodh Kiço Ngjela, Petrit Dume dhe Manush Myftiu.

Ku do të aktivizoheshit pas Plenumit të Beratit?

Në Korçë. Shkuam atje në Organizatën e Gruas për të stabilizuar punën në këtë qytet. Hysniu u nis përpara në Tiranë, përpara Enverit, ishte komisari që drejtonte luftën e Tiranës. Unë shkoj dhe punoj në Korçë. Më thirrën nga fundi i dhjetorit më veshën me një pallto të madhe dhe një palë këpucë. Rroba kisha po ato të ushtrisë. Naxhije Dume më thotë: “Ku shkon ti me ato rroba është Korçë atje”. I them se këto kam dhe nuk kam të tjera. “Hajde se i kam porositur një palë unë dhe do ti jap ty”, më thotë. Kur vij në Tiranë udhëheqja ishte akoma në hotel “Dajti” se nuk ishin sistemuar dhe hanin në mensë të ushtrisë. Edhe unë në mensë të ushtrisë do të haja. Në hotel “Dajti” qëndronte edhe komisari dhe komandanti i korpusit. Ata kishin një apartament Hysniu me Dali Ndreun. Ata kishin nga një dhomë dhe nga një sallon. Në sallon ne e kishim qendrën e mbledhjes. Por në të njëjtën kohë këta kishin edhe sallën e ngrënies të veçantë dhe vinin dhe na merrnin, mua dhe Nefo Myftiun. Atje u njoha më nga afër me Hysniun. Gjatë kësaj kohe fillova ta njoh më mirë.

Cili ishte opinioni juaj për të?

Hysniu kishte qenë martuar dhe kish një djalë. Ishte i divorcuar. Atëherë qe një opinion jo i mirë për divorcin. Shumë herë që takoheshim unë nuk i flisja Hysniut pa më folur. Hysniu inatosej se unë shkoja në zyrë kot dhe nuk i flisja fare. Ai shpesh më fliste dhe më linte të kuptoja shumë gjëra. Një ditë pyes Piron (vëllanë). I them se: “Si mendon ti, Hysniu ka këto gjëra që mua nuk më pëlqejnë”. “S’ka gjë, më tha ai, - dhe lëri mënjanë të gjitha. Pastaj ne i themi edhe Alqit. Alqi ishte më i vogli nga ne. Alqi qe anëtar i Komitetit Qendror dhe ne nuk e dinim se ishte ilegale përbërja e KQ në luftë. Ai ishte 19 vjeç dhe ishte në Komitetin Qendror. Një ditë më thotë Hysniu: A do të vish andej nga zyra. E pyes: Përse të vij? Kemi disa punë për Bashkimin e Grave. Mirë, i them, se do të vij nga ora pesë. Shkova atje dhe ai më pa me inat. Ju më thirrët,- i thashë. Ishte 24 shkurt i vitit ‘45-ës. Po ti nuk kupton se ç’dua të të them… Ajo ditë vulosi çdo gjë…

Si ishte dasma juaj? Cilët ishin të ftuarit?

Nuk bëra fare dasmë. U martuam në shtëpi. E kemi bërë celebrimin me 27 shkurt të ‘45-ës. Erdhi Alqi, Pirrua. Bëmë ca shakara dhe kjo qe martesa. Pra ishim apo jo gjashtë veta. Ja kam një unazë dhe kjo daton me ditën e dasmës. Pra martesës, pasi nuk bëmë dasmë. Nuk ishte koha për dasma. Shqipëria kishte shumë plagë. Shumë. Këtë unazë ma kishte dhënë nëna, por tek një specialit i bëmë modifikimet. Prej atëherë se kam hequr nga gishti. Pra unaza shënon: 27/02/1945.

Jetëshkrim i shkurtër

Në krye të Grave dhe të Ministrisë së Lehtë e Ushqimore

Vito Kapo njihet nga opinioni si pjesëmarrëse që në moshë të vogël në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u njoh dhe me Hysni Kapon, në atë kohë komisar i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, Hysni Kapon me të cilin dhe u martua. Më mbrapa, duke filluar që pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, pra që pas vitit 1948, ajo ka qenë në kryesinë e organizatës së “Bashkimit të Grave të Shqipërisë” dhe prej vitit 1955 ka qenë Kryetare e kësaj organizate, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1982, kur ajo u emërua nga Enver Hoxha e Adil Çarçani, ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Vito Kapo ka qenë, ndërkohë, deputete e të gjitha legjislaturave të Parlamentit komunist, ndërkohë që, deri në vitin 1974 ajo ka qenë në kryesinë e atij Parlamenti.

Ju rrëfej Enver Hoxhën, kur punoja si sekretare e tij

Për një kohë të shkurtër Vito Kapo ka qenë si sekretare pranë Enver Hoxhës. Ja çfarë kujton ajo nga kjo periudhë:

“Unë kam qenë sekretare e Enverit që nga muaji korrik deri në muajin tetor të vitit 1944 në Berat (në periudhën e luftës). Enveri kishte shumë kujtesë dhe imagjinatë. Enveri bënte projekte dhe i shkruante direkt në makinë të shkrimit. Ai i përpinte librat. Ndoshta e merrni si anekdotë, por ai lexonte në mënyrë vertikale. Nuk e humbte kurrë kohën kot. Ne të gjithë përpara Enverit dridheshim. Një ditë më thotë se kishte ndodhur diçka me sekretarin politik të Vlorës. Për këtë çështje ai menjëherë përpiloi një material. Pasi e mbaroi më tha: “Do të shkosh tani te Koçi Xoxe që t’i tregosh shqetësimin që ka Partia dhe të lexojë materialin. Do t’i thuash se shoku Enver kështu mendoi t’i përgjigjet këtyre shokëve. Pyete se çfarë mendimi ka dhe në qoftë se dëshiron mund të bëjë shtesë në material”. Shkova dhe i thashë Koçi Xoxes, ato çfarë më porositi shoku Enver. Ai e merr letrën dhe thotë: Mirë. Pas pak më thotë: Shkruaj. Ai bëri ca ndryshime në material por që s’mu dukën të drejta dhe të ndërtuara bukur. Fillova të shkruaj ç’ka më diktonte Koçi. Pasi mbaroi ai më thotë të shkoj t’ja lexoj Enverit. Pasi e lexon Enveri më thotë: “Po mirë moj Vito, Koçi është punëtor, po ti ke shkollë? Ti nuk e di që çështjet kryesore vendosen në fillim, dhe ato të çështjes së dytë vihen më pas? Nuk e sheh si e ka ndërtuar Koçi, duke u dhënë rëndësi atyre që janë të parëndësishme?” Pastaj Enveri e mori dhe e ripunoi vetë. Shumë herë mendoj se si e kam pasur kurajën që t’ia thosha shokut Enver ç’ka mendoja. Por sot e mendoj se e kisha atë guxim pasi ai më njihte dhe unë e njihja”.

Njohja me realitetin

Udhëheqësi e kishte kuptuar që po e gënjenin

“Për çdo eveniment që ndodhte në botë Enveri ishte në korrent. Një gjë të tillë unë e dija sepse ne kishim shumë afrimitet me njëri-tjetrin si familje. P.sh kur qe koha e Algjerisë, ai dinte se cili ishte nga repertorët francezë që raportonte më mirë. Madje, kërkonte librin e atij gazetari që ka bërë p.sh këtë gjë për Algjerinë. Siç më ka thënë Nexhmija ai kishte një bibliotekë të madhe në mbi 13 mijë libra. Libri ishte i pranishëm kudo tek ai, në zyrë në shtëpi, në vendet e pushimit. Enveri kërkonte të dinte nga unë realitetin, pasi kish vënë re se po e gënjenin. Unë ja thosha gjithçka, siç e shihja, si e dija, pa e mbuluar, ndaj ai më besonte dhe më kërkonte të flisja vazhdimisht. Edhe pas vdekjes së Hysniut ai më thoshte: “Unë kam nevojë për ty dhe jo ti për mua”. Unë e kuptoja se përse thonte ai që kishte nevojë për mua. Ai kërkonte ta informoja për realitetin”.

Shënimet e humbura

Çfarë shkruante Hysni Kapo në ditarët sekrete

“Hysniu mbante ditar që në kohën e luftës। Unë këtë s’e kam ditur kurrë, kurrë. Fëmijët e kanë zbuluar më vonë. Ishte Besniku ai që më tha: Pse ti nuk e di se babi ka ditar?! Unë ngrita supet. Ai i mbante veç dhe me kujdes. Besniku më çoi dhe më tregoi se ku ishin ditarët e Hysniut. Hysniu nuk m’i jepte, por edhe unë kam qenë njeri kryelartë, nuk bëhesha kurioze për atë çka s’më takonte. Njëherë m’i kërkoi Nexhmija, e cila tha që ja dha Haxhi Kroit. S’e di si vajti fati i tyre por kur ra biseda me Enverin ai më thotë që duhet t’i marrësh mbrapa. Unë Enverit i thashë se i kërkoi Haxhi Kroi dhe jo Nexhmija, në emrin tuaj. Ai u habit paksa. Enveri dha urdhër të më ktheheshin. Por unë i lashë pas dore dhe nuk e di se ku kanë shkuar. Unë nuk e dija fare që Hysniu mbante ditar”.

Nexhmije Hoxha, pse nuk e lejonte Hysni Kapon të takohej me Enverin

Ajo vazhdon të jetë plot vitalitet, një grua fisnike e krenare. Flet qetë, pastër dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme. Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, bashkëshortja e numrit dy të Partisë së Punës, Hysni Kapos, rrëfen detaje nga jeta e saj mes udhëheqësve komunistë të kohës:

Vito Kapo, bashkëshortja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapo, flet për gazetën “Telegraf”, për periudhën kur ajo dhe i shoqi i saj Hysni Kapo ishin në strukturat kryesore të shtetit komunist. Vito Kapo njihet nga opinioni si pjesëmarrëse që në moshë të vogël në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u njoh dhe me Hysni Kapon, në atë kohë komisar i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, Hysni Kapon me të cilin dhe u martua. Më mbrapa, duke filluar që pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, pra që pas vitit 1948, ajo ka qenë në kryesinë e organizatës së “Bashkimit të Grave të Shqipërisë” dhe prej vitit 1955 ka qenë Kryetare e kësaj organizate, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1982, kur ajo u emërua nga Enver Hoxha e Adil Çarçani, ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Vito Kapo ka qenë, ndërkohë, deputete e të gjitha legjislaturave të Parlamentit komunist, ndërkohë që, deri në vitin 1974 ajo ka qenë në kryesinë e atij Parlamenti.

Cilat kanë në qenë pozicionet tuaj anë drejtimin komunist të vendit?

Unë 34 vjet kam qenë presidente e Bashkimit të Grave. Prandaj shoku Enver më thoshte që ty të kemi për problemet sociale. Përveç kaq, unë isha edhe anëtare e kryesisë të bashkimeve profesionale. Ja si shkruan Hysniu në një rast në ditar: Vitua qe në Korçë erdhi nga Korça dhe iku në Fier. Nga Fieri Vitua u nis për në Shkodër-Gjirokastër. Pra kishte raste që nuk takoheshim për javë të tëra. Mbas disa vitesh më thotë se: “Si na ka ndodhur neve të dyve se beson kush, por s’ka gjë se për partinë dhe për popullin punojmë”

Siç dihet Hysni Kapo ishte ambasadori i parë i Shqipërisë në Beograd pas Çlirimit, që në atë kohë quhej "Ministër". Ju çfarë detyre keni bërë në Jugosllavi në atë kohë?

Kur Hysniu u caktua si ambasador në Jugosllavi, unë u caktova atashe shtypi. Ishte një detyrë që e realizova për herë të parë por që më pëlqente. Atëherë të qenit ambasador në Jugosllavi ishte detyrë shumë e rëndësishme, pasi kontakti i Shqipërisë me botën komuniste bëhej nëpërmjet këtij shteti. Në këtë pozicion më duhej të qëndroja disi jashtë natyrës pasi duhej dhe shoqërimi me Hysniun në takime të ndryshme. Një nga këto vështirësi ishte dita kur u zhvilluat takimi në Split dhe duhej të isha me Hysniun, dhe si se mendoja zura vend midis ambasadorit te SHBA dhe Hysniut, kur veten e mendoja se duhej te isha mes kolegeve të shtypit. Në këtë takim mbaj mend që isha e vetmja grua dhe më shihnin me kureshtje. Ishte ditë plot emocion. Pasi gjatë gjithë kohës kemi qëndruar pa folur me Hysniun.

Pikërisht në këtë kohë Hysniu u ngarkua nga qeveria shqiptare për të kontaktuar me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për të mundësuar që edhe Shqipëria të lejohej të merrte pjesë në Konferencën e Paqes. Si i përcillni ato momente?

Ishin ditë të vështira. Ditë plot tension. Pikërisht në dhjetor të vitit 1945 Hysniu duhej të nisej për në Paris. Dihen kushtet e atëhershme të udhëtimit. Komunikimi dhe vetë udhëtimi qe i vështirë. Ky udhëtim zgjati 3-4 ditë. Pra nga Beogradi në Paris që sot shkon për një orë atëherë u bë me ata trena të pasluftës. Udhëtimi u bë me tren, pa ngrohje, përmes Alpeve dhe thuajse me fare pak ushqim. Dihet që edhe komunikimi me atdheun bëhej përmes njerëzve (korriereve) dhe radiogrameve.

Pra kjo ishte faza parapërgatitore për Konferencën e Paqes. Po kur u zhvillua Konferenca?

Gjithë ata muaj për Hysniun dhe për mua ishin muaj pune të pambarimtë. Dua të them se në kohën që mbahej Konferenca e Paqes, (ishte muaji korrik), unë isha në maternitet pasi kisha lindur vajzën Verën. Pikërisht atë ditë Hysniu udhëtoi për në Tiranë dhe sa erdhi dhe më pa në maternitet, pikërisht po atë natë u nis sërish për në Paris me pjesën tjetër të delegacionit, të ardhur bashkë me të në Tiranë.

Po ju pas lindjes ku qëndruat?

Pasi ndenja ca ditë në Tiranë më lajmëruan që nga mesi i shtatorit duhej të nisesha me gjithë vajzën e sapolindur për në Paris. Qëndrova atje gati dy muaj. Vajta disa here si dëgjuese në Pallatin e Luksemburgut, ku zhvillohej konferenca, pasi mu krijua mundësia që të takohesha me disa personalitete sidomos të lindjes. S’më harrohet momenti kur në Konferenca foli dhe Molotovi, ku fill pas diskutimit të tij Shqipërisë iu shtuan disa dëmshpërblime të tjera nga Italia. Pas këtij takimi pikërisht në fund të Hysniu, Behar Shtylla, Kahreman Ylli, Tuk Jakova, u nisën për në Këshillin e Sigurimit për vazhdimin e mbledhjes së tretë në Nju Jork, por dhe për punën që duhej të bëhej për ta njohur Shqipërinë nga OKB-ja. Këto evenimente ndodhën në qershor te vitit 1947. Di të them se Hysniu në atë periudhë tepër të vështirë politike dhe ekonomike për Shqipërinë ka qenë politikani më i spikatur në marrëdhëniet me jashtë ai ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të Fuqive të Mëdha.

Cili ishte impenjimi i Hysni Kapos në punët e shtetit?

Hysniu ishte shumë punëtor dhe po aq i mbingarkuar. Unë shkoja për ta lehtësuar duke i kërkuar ta ndihmoja, pasi secili punonte në dhomë të ndryshme. Kur e shihja ashtu në punë i thoja: “Ke gjë për të më dhënë mua?”. Vetëm atëherë ai më jepte dosjet e tepërta që s’përbënin sekret që s’ishin materiale të Byrosë Politike. Materialet e Byrosë ai nuk mi jepte kurrë, kurrë. Ai ma tregonte vetëm ndonjë gjë që i kishte thënë Enveri. Unë pasi i merrja i përfundoja dhe ia ktheja përsëri. Unë kisha personalitetin tim. Ai ngarkohej shumë dhe shokët i thoshin se: “Hysniu është tamahqar në punë”.

Kudo flitet se Enveri ka qenë diktator. Cili është mendimi juaj?

Jo, nuk ka qenë kështu. Sigurisht për mua. Në sytë e mi ai nuk ka qenë i tillë. Ndoshta ai u bë tjetër njeri me problemet e shokëve.

Po me Mehmet Shehun çfarë marrëdhëniesh ke pasur?

I kam pasur shumë të mira, dhe e kam vlerësuar shumë. Ai ishte njeri që kishte ekstreme. Ishte njëri i keqi vetes, pasi me atë korrektesë zihej… Por ai i donte njerëzit që përballeshin, që e kundërshtonin me të drejtë dhe me fakte. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira. S’e di si shkuan punët më vonë, por… Eh, s’di ç’të them…

A kujtoni ndonjë kontradiktë midis krerëve të lartë të pushtetit?

Po ju tregoj një rast. Ishte një mbrëmje e ftohtë nëntori i vitit 1977. Ishim mbledhur në Shtëpinë e Pritjes dhe po bisedonim për probleme të ndryshme. Ra fjala tek veshja. Enveri i thotë Mehmetit: “Pse nuk hedhim në treg lloje të ndryshme copash doku të kenë shumë lloj veshjesh edhe për burrat?” “Jo, - tha Mehmeti, - sepse rinia fillon dhe kopjon modën e huaj, aq do rinia dhe vishet sipas shijeve borgjeze”. “Jo ne rrisim shumë llojet e stofave dhe rrobave në treg, edhe ne për vete duhet të vishemi ndryshe me lloje të ndryshme apo jo Mehmet”, i thotë Enveri. Mehmeti tundi kokën, por nuk ktheu përgjigje.

Po marrëdhëniet tuaja me Nehmije Hoxhën si kanë qenë dhe si janë aktualisht?

Janë marrëdhënie korrekte. Flasim normalisht. Kemi një miqësi të natyrshme jashtë çdo lloj mërie apo pakënaqësie. Unë kisha njohjet me popullin dhe për këtë Enveri më respektonte shumë. Enver Hoxha më krijonte marrëdhënie shumë normale, duke treguar respekt në sytë e Nexhmijes. Kur Hysniu qe në fillim në Amerikë dhe pastaj në Moskë duke mbrojtur luftën tonë, Enveri më thërriste: “Eja të dëgjojmë Hysniun se po flet në radio. Pra kishte radio speciale ushtarake që dëgjohej fjalimi që mbante Hysni Kapo. E dëgjoja gjithë emocion. S’më besohej se ai mund të fliste para gjithë atyre njerëzve të huaj me aq zjarr dhe burrëri. Ose kur ishte në Moskë më thërriste në shtëpi hajde që ta dëgjojmë Hysniun se sot po flet për këtë problem. Fillonte dhe na fliste frëngjisht dhe na thoshte se sa rreptë ka folur Hysniu atje. “Kështu e duan ata Vito”, më thoshte. Pra Enver Hoxha shok më të ngushtë ka pasur Hysni Kapon. Por nga fundi se si donin ta izolonin nga lidhja direkte me Enverin. Madje, një ditë Hysniu vjen te unë dhe më thotë se kjo Nexhmija nuk më lë të futem menjëherë dhe më thotë se ti emocionohesh kur shkon tek Enveri.

Kujtime nga e kaluara

Plenumi i naftës, pse Mehmet Shehu kërkoi falje publike

“Ishim në Plenumin e KQPPSH-së, të vitit 1976 që zhvillohej në Pallatin e Brigadave, flitej për naftën, për problemet, pas dënimit të grupit armiqësor të asaj kohe. E mori fjalën Përgjegjësi i Sektorit të Naftës, Ramiz Xhabia. Ai bëri një pasqyrë të problemeve të sektorit të naftës. i argumentoi ato që thoshte. Fliste me shifra dhe në mënyrë korrekte. Të gjithë e dëgjonim me vëmendje. Pas tij e mori fjalën Mehmet Shehu, i cili i foli ashpër për mosrealizimet dhe problemet në këtë sektor kaq delikat të ekonomisë. Në sallë ra heshtje. Asnjë nuk merrte më guximin as të kthente kokën majtas djathtas. Xhabia kishte folur shumë bindës dhe askujt si shkonte ndër mend se do të merrte atë shpërblim. Mehmeti dha pushim. Kur filloi séanca tjetër e njëjta situatë. Heshtje e plotë. Askush nuk guxonte të fliste. Heshtjen e theu vetë Mehmeti. Ai i kërkoi falje Ramiz Xhabisë për fjalët e rënda që i kish thënë. Atmosfera në sallë ndryshoi. Askush nuk e mendonte se do të kërkonte falje Mehmeti”.

Inati i Kryeministrit

Në Vlorë për të vrarë derra, me Enverin e Hysniun

“Një ditë tetori (në mos gaboj ishte viti 1977) kishim shkuar për pushime në Vlorë. Ishim familja e Enverit, Mehmetit dhe neve. Mehmeti u thotë të shkonim për gjah. Enveri me Hysniun nuk donin, por Mehmeti këmbënguli. Enveri gjithmonë situatat e rreptësisë së Mehmetit i kalonte me të qeshur. U nisën. Shkuan në Karaburun. Kur u ngjitën Mehmeti u tha se si do vepronin. Enverin dhe Hysniun i la bashkë. Por gjahu i derrave do durim. Kaluan disa orë derrat s’po dukeshin. Enveri me Hysniun ndezën nga një cigare. Pas disa minutash vjen Mehmeti gjithë inat. “Ua ç’po bëni, më prishët gjahun, deri e ndjen cigaren që larg”. “Avash a derëbardhë se do e kalojmë dhe pa mish derri”, i tha Enveri me të qeshur. Mehmeti ishte bërë tym. Hajde shkojmë në Vlorë dhe pushojmë pa vrarë derr të egër i tha Enveri. Por Mehmeti tym si ishte iku në Lushnjë. Aty shkoi dhe vrau një derr dhe na dërgoi dhe ne mish në Vlorë. Në mbrëmje mori në telefon nga Tirana duke qeshur duke na pyetur se a na kishte pëlqyer mishi. E kishte harruar inatin”.

Takimi

Enveri dhe babai i Mehmet Shehut

“Mehmet Shehu ishte shumë i zgjuar shumë punëtor, shumë kërkues por shumë nevrik. i ka pas gjithmonë për zemër njerëzit që debatonin, përplaseshin me të në mënyrë të argumentuar. Ai gjatë luftës ka vepruar dy herë gabim me batalionin italian “Garibaldi” dhe me popullsinë e Lushnjës. Ai na tregonte njëherë takimin që ka pasur babai i tij me Enver Hoxhën. Pra Enveri kishte shkuar në fillim të luftës në shtëpinë e tyre. Biseda kaloi shumë këndshëm dhe ora kaloi shumë shpejt. Kur iku Enver Hoxha babai im )thotë Mehmet Shehu) u thotë të pranishmëve në odë: Dëgjojeni atë djalë (për Enver Hoxhën) se është i zgjuar por edhe trim, jo si ky imi (dhe më tregon mua na thoshte Mehmeti), që është çakamak”.

Pretendimi

Liri Gega, pse donte të bëhej gruaja e parë gjenerale

“Liri Gega ishte një femër shumë e lëkundur। Edhe në Berat, Liri Gega njëherë kundra dhe një herë binte dakord me njërën apo tjetrën palë. Në fund atë e hoqën nga anëtare e Komitetit Qendror. Ajo në atë kohë pretendonte të merrte gradën gjenerale. E kuptoni, për gjeneralë. Një femër gjenerale. E pabesueshme apo jo. Mua por dhe shumë grave të tjera ajo u thoshte pse të mos bëhet një grua gjenerale? Ajo nënkuptonte për vete. i mendonte të gjitha për vete. Në atë kohë gratë me më shumë autoritet ishin Naxhije Dume (anëtare e Komitetit Qendror), Liri Gega, anëtare e Komitetit Qendror, Fiqiret Shehu ishte komisare e Brigadës së Parë dhe unë që isha sekretare e Enverit”.

Njerëzit që përfituan prej nesh, na kthyen krahët

Vito Kapo, bashkëshortja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapo, flet për "Telegraf", për periudhën kur ajo dhe i shoqi i saj Hysni Kapo ishin në strukturat kryesore të shtetit komunist. Vito Kapo njihet nga opinioni si pjesëmarrëse që në moshë të vogël në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u njoh dhe me Hysni Kapon, në atë kohë komisar i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Më mbrapa, duke filluar që pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, pra që pas vitit 1948-s, ajo ka qenë në kryesinë e organizatës së "Bashkimit të Grave të Shqipërisë" dhe prej vitit 1955 ka qenë Kryetare e kësaj organizate, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1982, kur ajo u emërua ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Vito Kapo ka qenë, ndërkohë, deputete e të gjitha legjislaturave të Parlamentit komunist, ndërkohë që deri në vitin 1974 ajo ka qenë në kryesinë e atij Parlamenti. Në vijim të intervistës së saj ajo thotë:

Po me gratë e tjera që kishin pozicione të rëndësishme, si kanë qenë këto marrëdhënie?

Të mira. Por tani që po më pyesni, më kujtohet një rast me Lenka Çukon. Nga viti 1979 kisha qenë me Lenkën në Lushnje, shkuam në Krutje dhe pasi pamë disa kooperativa më thotë: “Shiko fëmijët me bagëti”. “Pse, - e pyes unë, - kanë lënë shkollën këta dhe rrinë me bagëtinë”. Thirrim sekretaren dhe i themi se përse mos të rrinë të tjerë njerëz me bagëtitë dhe jo fëmijët. “Këto janë lopët, -përgjigjet ajo. Është më mirë, thotë ajo, që të tufëzohen se është më mirë për gratë dhe për fëmijët”. Unë nuk e kundërshtova. Ishte maj ‘79 dhe i them Hysniut. Mendova se gratë duhet të ishin më të lira. Unë vetë nuk isha as për familje, as për fëmijë, por u dedikova krejtësisht punës. Megjithëse nipi im, Andi Bushati, më kundërshton. Ai më thotë se: “Për çka ke bërë për ne të gjithë ne jemi shumë borxhli. Përsa i takon marrëdhënieve me gjyshin ju keni qenë gjithnjë të dashuruar”.

Ndërkohë Hysniu kishte një fëmijë me martesën e parë, po marrëdhëniet me të si kanë qenë?

Pëllumbi është djali me nusen e parë të Hysniut, por që ne e kemi dashur dhe respektuar njëlloj. Ai është rritur me ne dhe me shumë dashuri. Askush s’e dinte që ai ka pasur nënë tjetër. Edhe fëmijët e morën vesh shumë vonë. Besniku, djali im më thotë një ditë, çfarë date ka unaza jote? U habita me pyetjen. Ai kishte nuhatur diçka. Shpesh herë i thoja Hysniut t’ua tregonim fëmijëve se çfarë e kishin Pëllumbin, por Hysniu nuk donte. Pyetja e Besnikut më vuri në dilemë. Më vonë u detyruam tua themi. Fëmijët e mi s’e besonin. Ata ishin rritur sikur të ishin vëllezër. Pa asnjë dallim, pa asnjë teprim, pa asnjë mos vëmendje. Gëzonin të njëjtat të drejta, dashuri, afinitet, respekt, etj.. Edhe sot marrëdhëniet me Pëllumbin i kam si me fëmijët e tjerë, i kam shumë të mira. Ata janë fëmijët e mi dhe ata për njëri- tjetrin janë vëllezër apo motra.

Si e kujtoni punën për dekada të tëra në qeveri dhe në ish- Bllok?

Ne kemi qenë idealistë. Çdokush mund ta interpretojë si të dojë, por di të them se ne kemi punuar me përkushtim, devotshmëri, përgjegjësi dhe nuk kemi pasur kushedi se çfarë privilegjesh. Ne kemi ikur nga blloku me duar bosh, me duar në xhepa. S’morëm pasuri.

E vërtetë që s’keni pasur privilegje?

Ato kanë qenë ashtu siç janë dhe sot, pjesë të organikës në detyrat funksionale që kemi kryer. Vetëm se kemi një ndryshim nga drejtuesit e sotëm, për çdo gjë që kemi harxhuar, e kemi bërë me fatura dhe janë paguar me çmime speciale, aq sa në fund të muajit dilnim zero. Në këto llogaritje kemi parasysh që nga qiraja e shtëpisë. Prandaj, kur erdhi një ditë që ne lamë karriget e shtetit dhe mirë bëmë, se nuk mund të themi se i kishim me tapi, por fakti është që ne dolëm pa asnjë të ardhur rezervë. Këtë të vërtetë e them për të dhënë dhe një fakt të krenarisë sime të ligjshme, përballë njerëzve që na kanë besuar jo pak. Ndërsa sot për pushtetarët në gazeta flitet shumë ndryshe për abuzimin.

Sistemi që kaloi akuzohet së pari për zbatimin e një lufte klasore tepër të ashpër?

Më mbrapa kam mësuar diçka më hollësisht, për sa është bërë në lidhje me të, apo me shumë veprime të Sigurimit. Këtu fjalën se kam te parimet në të cilat mbështetej lufta e klasave në sistemin komunist. Por ajo ç’ka dua të them është se unë e pranoj dhe duhet pranuar nga kushdo që poshtë në bazë ajo është ekzagjeruar jo pak, madje nga sa jam në dijeni në disa zona ka qenë shumë e ashpër dhe në disa zona më e butë. Këtu ka të bëjë me pavarësinë lokale, që ka funksionuar Sigurimi i Shtetit në këtë drejtim. Në parim ishte shtruar ideja që të zhvillohej kjo luftë, por gjithmonë mbi disa principe bazë mbi të cilat funksiononte shoqëria jonë socialiste. Mirëpo, nga sa mësova shumë më vonë, mbi këtë gjë është abuzuar shumë.

Një gjë e tillë nuk iniciohej nga lart?

Kam parasysh se Hysniu, sa herë që unë dilja në rrethe me shërbim, si e deleguar apo për detyra të tjera, më thoshte: "Vito, bëj kujdes, mos plagos njerëz, sepse ajo dëmton edhe njerëzit e thjeshtë, që mund të gabojnë padashur, por dëmton shumë dhe Partinë, pasi në zona dhe kolektiva të ndryshme të gjithë kanë lidhje me njëri-tjetrin”.

Çfarë ke konstatuar pas përmbysjes së komunizmit?

Më ka bërë përshtypje sjellja e shumë njerëzve që i mbanim afër. Ata në kohën tonë na kanë duartrokitur mjaft, për të mos thënë më shumë, ndërkohë që në kohën e sotme po ata njerëz, për të përfituar kredo politike, kanë ndërruar ngjyrë duke u bërë ekstremistë. Unë i pranoj kritikat, kemi bërë gabime, por më pëlqen korrektësia, sidomos kur ka të bëjë me të vërtetat historike.

Sot si ndiheni për punën që keni bërë?

Ndihem krenare për veten time, se kam bërë sa kam mundur, duke mos kursyer asgjë për interesin e përgjithshëm, duke filluar që nga koha e luftës, ku, morëm pjesë aktive si familje doktori e plotë dhe deri në çlirimin e Shqipërisë. Nuk flitet për oraret apo elemente të parëndësishme, por për përgjegjshmërinë që kemi punuar. Sot mund të thonë që është bërë ajo apo kjo keq, por harrojnë se ku ishte Shqipëria dhe ku erdhi. U harrua që u ndërtua një kompleksitet i jashtëzakonshëm i infrastrukturës së shtetit. U ngrit industria, bujqësia, arsimi etj., etj.. Por këto nuk janë bërë vetëm. Nuk i harroj dot netët e viteve të para, kur Hysniu rrinte gjithë natën në mbledhjet e Byrosë dhe kthehej vetëm ndaj të gdhirë me një stres që nuk mund ta përshkruash. Flinte vetëm pak orë, madje për të qenë e saktë po të them që flinte jo më shumë se dy-tri orë. Sa binte mëngjesi, nisej në atë apo në këtë rreth, ku rrinte me ditë të tëra. Këtu fjala është se në gjithë Shqipërinë dilnin probleme nga të gjthëfarësojshmet, që kërkonin durim, nerva dhe gjakftohtësi. Nuk të flas më tepër, se duket sikur qahem, por janë arsyet për të cilat ndihem krenare.

Idealizmi

Vlerësimi për periudhën komuniste

“Do të flisja të paktën disi në parim për përkushtimin e administratës drejtuese. Unë do t’ju kujtoja vetëm përkushtimin dhe idealizmin që na ka karakterizuar tërë jetën. Pas kësaj, mund të bëni krahasimet e duhura. Nuk dua të ndalem për sa jemi akuzuar në jetën private, që është arritur deri aty sa të konsiderohemi sikur gjithçka që kemi përfituar e kemi pasur pa faturë. Shkurt, po të them se kam ngelur tepër e shokuar nga sa kam parë dhe dëgjuar. Unë nuk kam si ta mohoj që ndihem krenare për veten time, se kam bërë sa kam mundur, duke mos kursyer asgjë për interesin e përgjithshëm, duke filluar që nga koha e luftës, ku, si një familje doktori që kemi qenë, morëm pjesë aktive me gjithë vëllezër në luftë, deri në çlirimin e Shqipërisë. Më mbrapa mund të pranosh një fakt, se pozicionet shtetërore që kemi përfaqësuar janë shoqëruar dhe me privilegjet përkatëse, por kurrsesi nuk mund të thuash se ne nuk kemi punuar me natë e me ditë, me ankth e me stres, duke u karakterizuar me një idealizëm të pashembullt, për të ndihmuar sinqerisht progresin shoqëror”.

Propozimin që nuk e pranoi Enveri

Ditët e fundit të Hysni Kapos në klinikën e Parisit

Duke punuar shumë ai lodhej shumë. Nga vitet ‘74-‘75, ai bëri disa herë kërkesë Enver Hoxhës që të lirohej nga detyrat, por Enveri nuk pranoi. Madje, në vitin e fundit ai kishte bërë shumë herë propozime që të largohej. Po kështu, ai nuk donte që unë të isha me disa detyra. Nuk donte të lakoheshim. Duke qenë se unë isha kryetare e një organizate mase, automatikisht me Kushtetutë isha anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Anëtare presidiumi i Kuvendit Popullor ishte forumi më i lartë. Atje ishte edhe Enver Hoxha. Kjo ngjallte edhe pak xhelozi. Nga viti ‘70 më hoqi nga presidiumi i Kuvendit Popullor pa dijeni në time dhe pse rregullorja nuk e lejonte. Ai donte të ishte njeri i thjeshtë i pa komentuar. Edhe përpara se të vdiste, ai kishte marrë leje dhe unë nuk e dija se ishte sëmurë nga tensioni, zemra. Edhe doktori nuk ma thoshte se sa e kishte tensionin. Por unë ia masja vetë tensionin duke e parë nga frymëmarrja dhe i thoja doktorit se ka frymëmarrje shumë të shpeshtë. S’ka gjë se është vapë më thoshte ai. Unë në atë kohë kisha nusen e djalit në maternitet. Po bëheshim gati për pushime në Pogradec. Hysniu më thotë se do të pres djalin që të vijë në shtëpi, pastaj të ikim dhe ne në Pogradec. Unë i thashë Hysniut se kam një grup instruktorësh në Shkodër dhe dua të shkoj atje se dua të jap edhe konkluzionet. Të shkosh, më tha. Shkova 4 ditë në Shkodër. Kur u ktheva të dielën lindi nusja dhe të hënën u nisëm për në Pogradec. 15 ditët e para në Pogradec Hysniu ishte mirë më shëndet. Unë kisha marrë përsipër dhe më kishin ngarkuar që të bëja një pjesë të raportit të Bashkimeve Profesionale. Ata shkruanin shumë dobët dhe Enveri më thoshte gjithnjë: “Ata shkruajnë dobët dhe përkthejnë dobët” ndaj materialin do e përgatisësh ti. Ishte detyrë suplementare. Pra kisha shkuar për pushime dhe po bëja raportin e Bashkimeve Profesionale. U mora vetë me të gjithë raportin pasi një gjë të tillë ma besoi vetë Enver Hoxha. Kur mbarova atë pjesë, Hysniut filloi t’i hipte pak temperaturë. Hysniu gjithë ato ditë ecte dhe rrinte me shokun Enver. Duke qenë bashkë ata thanë se ne nuk bëjmë pushime, por më shumë punë dhe kështu vendosën dhe u ndanë 5 ditë. Edhe ato ditë filloi sërishmi të ketë temperaturë. Hysniut filloi t’i hipte më shumë temperatura. Ndenjëm pak për pushime dhe ai i shoqëruar u nisëm për kurim. Ishte viti 1979. Qëndruam 2-3 net në Tiranë dhe pastaj u nisëm urgjent për Paris, pasi gjendja e Hysniut u rëndua shumë. Por s’ishte e thënë, sepse edhe aty si bënë gjë…Hysniu na la kur e donim më afër se kurrë. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i dashur, punëtor, atdhetar, këmbëngulës. Ai ishte besnik në çdo gjë.

No comments: