Nga Sali Berisha*
Është kënaqësi për mua t'ju njoftoj rezultatet e zgjedhjeve të djeshme si dhe t'ju përgjigjem pyetjeve tuaja. Dje, ne ishim dëshmitarë të një fitoreje të madhe për Partinë Demokratike dhe për popullin shqiptar. Nata e gjatë mbaroi dhe ka lindur një ditë e re. Tani Shqipëria i tregoi botës se është një pjesë e pandarë e familjes së kombeve demokratike. Ne jemi europianë dhe do të zëmë vendin që meritojmë si një komb që vlerëson demokracinë, tolerancën, dialogun, rendin ligjor dhe të drejtat e individit. Jo të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë e kapërcyen këtë natë të gjatë dhe të errët dhe së pari, ju kërkoj që të kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën e tyre në mënyrë që të arrinte dita e sotme. Demaçi, Saharovi, tonë u është drejtuar atyre si "Dashnorët shqiptarë të fjalës dhe mendimit të lirë". Ato janë dëshmorët e vërtetë të kombit shqiptar.
Tani që ky agim i ri ka mbërritur dhe ka pak dritë, ne mund të hedhim sytë përreth dhe të shohim demonin që u bë në errësirë. Dhe ne shikojmë se stuhia ka bërë dëme të tmerrshme. Duhet shumë punë për të rindërtuar këtë vend. Bile edhe njerëzit janë demoralizuar. Por unë kam besim të madh në energjinë, inteligjencën dhe iniciativën e popullit shqiptar. Me këtë mundësi ne duhet të tregojmë tani aftësitë tona, si një popull i mirë, ne mund të bëjmë shumë. Dhe ne duhet të bëjmë shumë.
Sot, unë duhet të filloj një traditë të re në jetën publike të Shqipërisë, një traditë të ndershmërisë nga udhëheqësit politikë. Unë mund t'ju thosha se, qeveritë e huaja do të zgjidhin të gjitha problemet tona, por kjo nuk do të ishte e vërtetë. Mund t'ju thosha se, qeveria shqiptare do të zgjidhte të gjitha problemet e popullit. Por edhe kjo nuk do të ishte e vërtetë. I gjithë populli shqiptar duhet të kontribuojë në rindërtimin e vendit. Qeveritë e huaja në Perëndim do të na ndihmojnë shumë më tepër se sa në kohën kur komunistët ishin në pushtet. Por, kryesisht ne duhet të mbështetemi tek vetja jonë. Dhe ne duhet të ndihmojmë kombin tonë.
Para pak kohe i thashë popullit të grumbulluar në sheshin "Skënderbej", se gjithçka varet nga ne. Evokova fjalët e Xhon. F. Kenedit, të cilat ai i tha kur u inaugurua si President i SHBA në vitin 1961: "Mos kërko se çfarë mund të bëjë atdheu për ty, por kërko se çfarë mund të bësh ti për të". Tani ka ardhur koha që shqiptarët të punojnë për ndërtimin e atdheut.
Një gjë që nuk na nevojitet është ndjenja e hakmarrjes. Gjendja është kaq e dëshpëruar sa nuk na lejon të humbasim kohë dhe energji të çmueshme në përpjekje destruktive për hakmarrje. E vërteta është se, gjatë natës së gjatë regjimi i vjetër bëri shumë krime të tmerrshme. Por është gjithashtu e vërtetë se kaq shumë njerëz ishin të implikuar në to saqë po të kërkojmë të gjithë ata, nuk do të mbetet më njeri për të kërkuar. Pothuajse çdo qytetar shqiptar ishte njëkohësisht viktimë dhe përgjegjës: "Ne të gjithë kemi përgjegjësi. Do të ishte e rrezikshme për kombin që të fillojmë të luftojmë midis njëri-tjetrit, ndërkohë që të gjithë jemi në këtë varkë të shpuar".
Të gjithë duhet të punojmë shumë. Zotohem vetë se do të punoj shumë për aq kohë sa populli i Shqipërisë do të më kërkojë t'u shërbej atyre. Dhe do të garantoj se, qeveria e ardhshme shqiptare do të ndjekë një politikë të dyerve të hapura, do të respektojë pikëpamjet alternative dhe do të pranojë të bashkëpunojë me ata që kanë ide të ndryshme. Ne do të kërkojmë integrimin e plotë dhe të menjëhershëm të Shqipërisë në sistemet politike, ekonomike dhe ushtarake evropiane.
Vendosja e demokracisë në Shqipëri do të kontribuojë në forcimin e paqes në Ballkan dhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare, sipas parimeve të KSBE-së.
Ne do të japin nënshtetësi të dyfishtë për shqiptarët kudo ku janë dhe do t'i mirëpresim ata këtu në çfarëdo kohe. Ne do të rivendosim ligjin dhe rendin publik. Ne do të racionalizojmë politikën bujqësore. Ne do të hartojmë një Kushtetutë të re dhe demokratike. Dhe ne do të miratojmë menjëherë ligjin për të ristrukturuar qeverinë lokale dhe për të zhvilluar zgjedhjet për organet lokale.
Ne kemi qenë dhe do të mbesim një parti që i është përkushtuar të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë individët. Kjo do të thotë se, dimensioni më i madh i politikës sonë të re, do të jetë ai njerëzor.
Atyre që janë në opozitë me ne, unë dua t'ju them: Në rast se do t'i qëndrojnë besnikë kombit dhe vullnetit të shprehur nga populli në zgjedhje, atëherë ne do t'i respektojmë ata dhe do t'i konsiderojmë elementë të rëndësishëm në demokracinë e re shqiptare.
*Deklarata e Kryetarit të PDSH në konferencën e shtypit të 23 marsit 1992
Bota demokratike përshëndet fitoren e demokracisë në Shqipëri
Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri u ndoq me interesim të madh nga opinioni botëror. Komentatori i gazetës "Dhe Nju Jork Tajms", Dejvid Bajnder u shpreh për "Zërin e Amerikës" se, "nuk jam çuditur as nga pjesëmarrja e madhe në votime dhe as nga rezultati i zgjedhjeve, ku u shfaq një mbështetje shumë e madhe për PD. Pjesëmarrja shumë e madhe në zgjedhjet e së dielës '22 mars 1992', ka rëndësi të veçantë, sepse do të thotë se pjesa dërrmuese e zgjedhësve shqiptarë kanë vënë shpresat për rimëkëmbjen ekonomike dhe ripërtëritjen e shoqërisë dhe të mbarë kombit tek PD". Dy ditë pas zgjedhjeve, një reportazh i "Zërit të Amerikës" theksonte se kryeqyteti shqiptar ishte i qetë dhe në mbarë vendin mbretëronte gëzimi. Nëpër rrugët e kryeqytetit njerëzit i sheh me një fytyrë tjetër. Tashmë ankthi i stresit ka kaluar. Ata mendojnë të rifillojnë jetën. Fëmijët kur na shohin se jemi gazetarë na rrethojnë me gishta në formë "V-je", duke thirrur "Liri Demokraci", rroftë Sali Berisha. Ndërsa, tërë natën njerëzit nëpër festa familjare kanë festuar fitoren e demokracisë.
Kerin Hop shkruan në gazetën britanike "Thë Fajnenshëll Tajms" se banorët e Korçës kishin shkuar në qendrat e votimit para se ato të hapeshin.
Një artikull redaksional i botuar në gazetën "The London Tajms" përveç parashikimeve për fitoren e PD përshkruan qëndrimin e ish-komunistëve ndaj problemeve të vendit dhe nostalgjinë që shprehin disa prej tyre për Enver Hoxhën.
Ndërsa, Fill Dejvison citon në gazetën "Indipendent" Dr. S. Berishën të ketë thënë se, fitorja e PD në zgjedhje shënon fundin e natës komuniste dhe fillimin e ditës së demokracisë.
Mesazh nga Amerika
Radio "Zëri i Amerikës" transmetoi një përmbledhje të deklaratës që kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Çështjet e Jashtme, Kleborn Pell bëri në Senat, për rezultatet e zgjedhjeve të 22 marsit në Shqipëri. Mes të tjerash Senatori Pell tha: "Tani që populli shqiptar shfaqi angazhimin e tij për reformë demokratike, unë besoj se do të krijohen mundësi shumë më të mëdha për bashkëpunim midis Shqipërisë dhe SHBA sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik. Në lidhje me këtë, unë besoj se administrata amerikane duhet të shqyrtojë menjëherë mundësinë për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit më të preferuar në tregti me SHBA. Unë do të përpiqem me të gjitha fuqitë për ndërmarrjen e këtij hapi. Edhe një herë ju shpreh urimet dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta me rastin e fitores tuaj të madhe".
Azem Hajdari: PD shenjtëroi mendimin e lirë
Fitorja e PD më 22 Mars 1992 erdhi në radhë të parë, ngaqë fushata elektorale u zhvillua e ndershme dhe në radhë të dytë, nga organizimi i mirë i PD, e cila gjatë gjithë kohës u mor me zbërthimin e programit dhe jo me shpifje siç u mor PS. Ajo u mbështet veçse në fakte, duke u bazuar në argumente bindës. Argumentet që u paraqitën popullit ishin të mjaftueshëm për fitore. PD fitoi në këto zgjedhje edhe për arsye se ajo është një Parti Demokratike, sepse ajo është ndërtuar mbi bazën e diversitetit të mendimit dhe shenjtëroi mendimin e lirë që na dha mundësi të krijojmë një parti të fuqishme mbarëpopullore.
Arben Imami: Ne duhet të krijojmë një moral të ri politik
Ajo për të cilën kemi dalë në rrugë, në sheshe, për të cilën kemi formuar partinë, për të cilën kemi luftuar në Parlament, për të cilën kemi punuar pa pushim në çdo vend, ai ideali i studentëve të dhjetorit, i votuesve të 31 marsit, i gjithë popullit shqiptar, u realizua. Është një fitore totale. Është fitorja më e madhe që njihet në vendet e Lindjes dhe në qendër të Europës. Kemi përqindjen më të madhe se çdo Parti Demokratike në botë. Ky rezultat i detyrohet shpirtit antikomunist të popullit tonë, dëshirës së tij për paqe, punë, demokraci si dhe i PD, një nga partitë opozitare nga më seriozet e Lindjes, opozitë që i qëndroi heroikisht për një vit e gjysmë diktaturës. Është e vetja parti, që qëndroi e bashkuar nga dita e formimit deri në ditën e fitores mbi komunizmin. Detyra jonë tani është ndërtimi i demokracisë. Pesha e kësaj fitoreje rrit reputacionin në popull dhe krijon mundësi për një qeverisje stabile 4-vjeçare. Do të na duhet në këto 4 vjet ta ndryshojmë Shqipërinë, politikisht, ekonomikisht, shpirtërisht etj, ne duhet të krijojmë këtë moral të ri politik, ku fitues e të mundur të bashkëjetojnë.
19 vjet më parë, populli shqiptar me fuqinë e votës së lirë shënoi rrëzimin e sistemit komunist
Vota e shqiptarëve më 22 mars hapi dyert e mbyllura të lirisë
19 vjet më parë, populli shqiptar me fuqinë e votës së lirë shënoi fitoren e pluralizmit demokratik dhe rrëzimin e sistemit komunist, që për 45 vjet me radhë vendosi në Shqipëri monizmin më ekstrem dhe totalitarizmin më total që Europa ka njohur në tërë historinë e saj.
Në 22 mars 1992, Partia Demokratike, forca e parë opozitare në vend fitoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj kjo datë shënon fundin e shtetit komunist dhe fillimin e erës së demokracisë në Shqipëri. Më parë në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Partia Demokratike edhe pse nuk arriti të fitojë shumicën e votave në Kuvend, u paraqit si një forcë kërcënuese për sistemin e vjetër.
Vota e shqiptarëve më 22 mars 1992, hapi dyert e mbyllura të lirisë, tregut të lirë dhe integrimit euro-atlantik dhe bëri që Shqipëria të niste ndërtimin e demokracisë.
Partia Demokratike erdhi në pushtet atëherë kur Shqipëria ishte në kushtet më të vështira ekonomike, sociale dhe politike.
Fitorja e 22 Marsit e gjente Shqipërinë e sapodalë nga diktatura hoxhiste, si vendin më të varfër të Europës dhe një nga tre vendet më të varfëra të botës, me të ardhura për frymë vetëm 204 dollarë, me rreth 60 përqind të popullatës në mjerim të thellë, me ekonomi tërësisht të falimentuar dhe me papunësi rreth 80 përqind.
19 vjet më pas, Shqipëria feston këtë datë si një vend anëtar me të drejta të plota i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe si vendi që ka fituar lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.
Dita e parë e demokracisë në Shqipëri
Më 22 mars të vitit 1992 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje i fitoi Partia Demokratike me një përqindje 65.7% të votave. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 Partia Socialiste, pasardhëse e PPSH-së mori vetëm 27 përqind të votave dhe në vend të tretë u rendit Partia Social-Demokrate me 4.38 përqind të votave.
19 vjet më parë forcat demokratike, pluraliste dhe idealistët evropianë, do të shënonin një fitore të madhe ndaj regjimit komunist të Hitlerit të pasluftës dhe trashëgimtarëve të tij ramizistë, të cilët ripërtërinë lidhjet me komunistët ish-sovjetikë dhe të vendeve të tjera Lindore, thjesht e vetëm për të mbetur në pushtet.
22 marsi i vitit 1992, është dita e parë e demokracisë në Shqipëri. 19 vjet më parë, të rinjtë dhe të rejat, studentët, intelektualët, punëtorët, fshatarët e këtij vendi, qytetarët më të shtypur të kontinentit, përmbysën me votën e lirë regjimin barbar të Enver Hoxhës, të cilin Bashkimi Demokratik Europian në deklaratën e Parisit të vitit 1991, do ta cilësonte si "Hitleri i pas Luftës në Evropë".
Regjimi i Hoxhës për 45 vjet me radhë vendosi në Shqipëri monizmin më ekstrem, totalitarizmin më total që Europa ka njohur në tërë historinë e saj, ekzekutoi me gjyqe dhe pa gjyqe, në burgje apo kampe përqendrimi, apo vrau me uri, sëmundje, mungesë ilaçesh, në kooperativa dhe ferma bujqësore, dhjetra e dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, nga të sapolindur gjer në pleqëri të thellë. Të gjitha këto do t'i bënte në barbari, do t'i realizonte nëpërmjet luftës së klasave dhe hiperkolektivizimit total.
Ai i ndaloi shqiptarëve me ligj mendimin ndryshe dhe lëvizjen e lirë, iu konfiskoi dhe kolektivizoi pronat, iu imponoi ateizmin dhe i shndërroi nga qenie shoqërore në qenie skllevër shtetërorë. Vota e shqiptarëve më 22 mars 1992, hapi dyert e mbyllura të lirisë, tregut të lirë dhe integrimit euro-atlantik. Qytetarët shqiptarë bënë të mundur, që në 22 mars të vitit 1992, Shqipëria të niste udhëtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë dhe tregut të lirë, si dhe ngritja e çështjes shqiptare në një rang të ri dhe të merituar, në të gjitha kancelaritë dhe samitet e mëdha të botës.
Triumf mbi aleancën anti-shqiptare të Ramiz Alisë
Fitorja e 22 marsit ishte historike edhe për faktin, se me votë shqiptarët nuk lejuan që Shqipëria të mbetej nën diktaturë, ashtu sikurse po ndodhte me vendet Lindore ish-komuniste si Serbia. Shqiptarët, të udhëhequr nga ideali i Shqipërisë europiane, nuk lejuan që Ramiz Alia të zëvendësonte pluralizmin politik që u themelua në vitin '90 me pluralizimin burokratik. Ramiz Alia dhe Sllobodan Milosheviçi ripërtërinë qindra dhe mijëra lidhje për të sunduar në të dy vendet, por ky skenar u përmbys njëherë e përgjithmonë më 22 mars të vitit 1992 me votën plebishitare të qytetarëve shqiptarë.
Sot, shqiptarët kanë një mijë arsye të falenderojnë dhe nderojnë nismëtarët e Shqipërisë së lirë dhe pa diktatin e pasardhësve të Enverit, duke kulmuar me fitoren e jashtëzakonshme të 22 marsit 1992. Por, njëra është arsyeja e të gjitha arsyeve, sepse ajo është dita në të cilën shqiptarët fituan dinjitetin tonë, dita në të cilën ata vendosën të jetojnë të lirë. Njerëzit më të varfër të Europës dhe ndër më të varfërit e planetit, vendosën t'ju lenë fëmijëve si trashëgimi, pasurinë më të madhe të njerëzimit, lirinë për të cilën në të vërtetë ish-zgjedhësit e 22 marsit, kishin vuajtur aq shumë. Por, fitorja e 22 marsit, Shqipërinë e sapodalë nga diktatura hoxhiste, e gjente vendin më të varfër të Europës dhe një nga tre vendet më të varfëra të botës, me të ardhura për frymë vetëm 204 dollarë, me rreth 60% të popullatës në mjerim të thellë, me ekonomi tërësisht të falimentuar, me papunësi rreth 80%, vendi ishte jashtë çdo imagjinate njerëzore.
Partia Demokratike erdhi në pushtet, atëherë kur Shqipëria ishte në kushtet më të vështira ekonomike, sociale dhe politike.
Ideali i qytetarëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si një vend të lirë dhe europian
22 marsi u shndërrua në Shqipërinë e lirive dhe të drejtave njerëzore, në vendin e hapjes me shpejtësi drejt Europës dhe botës, në Shqipërinë e reformave të thella të liberalizimit dhe privatizimit të ekonomisë, në avokaten e palëkundur të çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë.
Përgatiti: Halil RAMA
No comments:
Post a Comment