Pak kush në Malësi të Madhe, e aq më pak në Shqipëri (përveç kelmendasve) mund të kujtohet për betejën e zhvilluar në Sukë të Mkushit më 25 prill 1911. Kjo betejë e zhvilluar në trojet e Kelmendit në valën e kryengritjes antiotomane të Malësisë së Madhe etnike e më gjerë, është më e rëndësishmja pas atyre luftimeve që çuan në ngritjen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit pas 433 viteve robëri aziatike. E themi më e rëndësishmja pasi tërbimi i Sulltanit kishte arritur kulmin, pas sukseseve të mahnitshme të kryengritësve të cilët jo vetëm kishin zgjuar opinionin mbarëkombëtar, por mbi të gjithë kishin ngritur në këmbë Europën plakë, e cila dremiste deri atëherë duke menduar se Shqipërinë (këtë pjesë së saj) e kishte humbur përjetësisht... Tërbimi i Perandorisë Otomane kishte risjellë në skenën ushtarake kriminelë si Turgut Pasha e Et’hem Pasha, të cilët ishin betuar që jo vetëm të shuanin kryengritjen e Malësorëve e më gjerë, por edhe të shkretonin këto troje që do të harronin deri në amshim Kryengritjen e Flamurit e të trimave të Dedë Gjon Lulit. Plani i Stambollit ishte që të fuste në mes dy zjarreve forcat kryengritëse dhe vetë Malësinë e Madhe, duke sulmuar këtë trevë në dy drejtime: së pari, me taborret e Et’hem Pashës që ndodheshin me qendër në Gjakovë, të cilat do të vinin nga Gucia dhe të godisnin në Kelmend; së dyti, forcat e tjera që ndodheshin në Shkodër të mësynin Malësinë nga Përroi i Thatë, Kastrati, Hoti e me rradhë deir sa këto dy pjesë të taborreve të bashkoheshin në Tuz, për të shpallur shpartallimin e kryengritësve dhe krejt Malësisë heroike, që ndër shekuj kishte qenë treva që nuk i kishte lënë një natë të flinin të qetë Sulltanin dhe drejtuesit e tjerë të Perandorisë Otomane. Sidoqoftë, plani i Perandorisë ishte vënë në zbatim për të nisur luftën, por jo për të mposhtur Malësorët, të cilët afër Virit të Kastratit kishin ndaluar turrin e hordhive turkoshake që vini nga Shkodra, të cilat prisnin fitoren e taborreve (8 batalioneve) të Et’hem Pashës që vinte nga Gucia dhe kishte filluar luftën me trimat kelmendas. Beteja më e rëndësishme e fitores së luftëtarëve kreshnikë të Kelmendit zhvillohet pikërisht më datën 25 prill 1911, në Sukë të Mkushit, ku rreth 1.000 luftëtarë të lirisë luftuan si luanë malesh kundër 8 batalioneve të Et’hem Pashës, duke i shkaktuar armikujt otoman plot 150 të vrarë e të plagosur, por mbi të gjithë duke e detyruar këtë ushtri pushtuese të ikë në panik nga kishte ardhur dhe njëkohësisht të prishë përfundimisht planin e Sulltanit për të shkatërruar kryengritjen dhe harruar ngritjen e flamurit kombëtar të 6 prillit në majën e Bratilës, Deçiq. Nëse pushtuesi otoman vërtet do të kishte realizuar synimin e tij, jehona e kryengritjes dhe suksesi i saj jo vetëm që do të ishin të rrezikuara, por edhe jehona kombëtare e ndërkombëtare do të ishte zbehur aq shumë sa do të rrezikoheshin edhe shpresat e pavarësisë së ëndërruar prej shekujsh nga malësorët në veçanti e shqiptarët në përgjithësi, ose shqip duke u shuar kryengritja antiotomane dhe jehona e saj, do të shuhej vatra e zjarrit kombëtar që tashmë ngrohte pa pushim zemrat e shqiptarisë të ndodhura në mes acarit dhe akullnajave që kultivonte pushtuesi aziatik. Për fat të Malësorëve dhe shqiptarëve, kjo nuk ndodhi, por fati i kryengritjes erdhi si rezultat i trimërisë dhe heroizmit që treguan kelmendasit dhe Malësorët e tjerë në betejat luftarake në të gjitha trojet e Malësisë së Madhe etnike e më gjerë, ku mbi të gjitha çelësi i kësaj fitoreje është pa as më të voglin dyshim beteja e 25 prillit 1911 në Suk të Mkushit. Natyrisht në këtë betejë mbrojtëse ranë dëshmorë 8 trima legjendarë dhe u plagosën disa të tjerë, ku kjo luftë në disa momente u zhvillua edhe trup me trup. Dëshmorët që na servir historia e shkruar dhe ajo gojore ka përcjellë me lavdi dëshmorët Pjetër Mark Rudi, Mark Prek Marku, Nik Marash Ujk Hoti, e mbi të gjithë qëndrojnë dy vëllezërit dëshmorë nga Selca, Gjekë e Zef Prek Mark Leka. Vlen të theksohet se edhe sot trashëgohet se si e priti nëna e dy vëllezërve dëshmorë, Mitare Lucja lajmin e rënies në fushën e betejës të dy djemve të saj. Ajo kur i treguan, pasi heshti një çast, nga thellësia e shpirtit të një nëne që fëmijët i kishte rritur me këngët e trimërisë që në djep për atdheun, tha: “Tash kam pse gëzohem për djemtë që kam pasur, mbasi nuk u është dhimbtë jeta për mbrojtjen e trojeve të tyre që na kanë lënë amanet të parët, që pushojnë në këto troje të lara me gjak ndër mote”. Beteja në mes Malësorëve dhe taborreve otomane në Suk të Mkushit kishte zgjatur mbi 6 orë dhe kishte qenë një luftë e tmerrshme, pasi ishin deshur trimat me trima, ku Kelmendasit kishin dalë kryetrima, e kjo me siguri edhe me ndihmën e vetë Zotit. Nga kjo betejë u përfituan edhe 150 pushkë të kohës, 8 çadra dhe një sasi municioni, ky kryengritësit do t’i përdornin në betejat e mëvonshme, kundër hordhive turkoshake. U dalluan në këtë betejë kryetrimi Luc Mark Gjeloshi, që njihet edhe si prijësi i kësaj beteje dhe pastaj vijnë: Marash Ujka, Mac Luca, Tom Preka, Marash Marku, Luc Shqutaj, Vat Gjeli, Luc Loshku, Ujk Leka, Zef Preci etj., etj., që nuk po ua përmend emrin, por që historia i ka shënuar me germa të arta në gjerdanin e saj të pavdekshëm të atdheut. Është interesant se në këtë betejë morën pjesë edhe gratë burrnesha që përsëritën historinë e Norës famëmadhe të Kelmendit, e njëra nga këto ishte trimëresha Gjelinë Gjokja që thuhet se mblodhi 52 armë...
Për këtë betejë famëmadhe në ato vite dhe më vonë shkruan jo vetëm shtypi vendas i kohëve, si “Hylli i Dritës”, “Leka” etj., por që në atë kohë shkruan edhe gazeta të njohura angleze si “The Times” dhe ato italiane si “Corriere d’Italia” etj. Shkruan intelektualë dhe patriotë si Risto Siliqi, i cili tek libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”, që e boton në Trieste (1912) i ka kushtuar në pjesë të shënimeve të tij kësaj beteje famëmadhe. Gjithashtu Poeti Kombëtar, At Gjergj Fishta, në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë”, i kushton plot zjarr shpirtëror disa vargje betejës në Sukën e Mkushit. Është interesant të thuhet se humbjen e kësaj beteje e njofton edhe vetë gjenerali turk, ku ndër të tjera i shkruante Stambollit: “...Me turp të madh detyrohem t’ju informoj se urdhëri juaj nuk u zbatua. Kelmendi dhe Malësia e Madhe nuk na u nënshtruan, jo se nuk deshëm ne, por me gjithë përpjekjet e sakrificat shumë të mëdha tonat, e humbëm luftën. Këtu, madhëri, më shumë lufton vendi se Kelmendi, arnautët të vrasin aty ku nuk e pret... Vetëm në betejën te Suka e Mkushit kemi luftuar 6 orë trup me trup dhe pikërisht këtu pësuam humbjen më të madhe. Përveç atyre që u vranë në front, 95 ushtarë e oficerë u zunë robër dhe shumica e tyre u hodhën në përrua nga një shkëmb, lartësia e të cilit është 1500 metër. Por, mbi të gjitha ata ranë me emrin tuaj në gojë, madhëri. Në këtë luftë edhe moti ishte në disfavorin tonë dhe Zotin e kishin ata prej vetes...”.
Gjithsesi, pas këtij informacioni të vetë gjeneralit turk, çdo fjalë do të ishte e tepërt, për betejën famëmadhe të Sukës së Mkushit të 25 prillit 1911, ku Malësorët dhe kelmendasit u zbardhën faqen këtyre trojeve, shqiptarisë e mbi të gjitha brezave pasardhës, një pjesë e të cilëve jemi ne Malësorët kudo që ndodhemi. Natyrisht ne na mbetet detyrë që këtë betejë, por edhe të tjera që mbajtën gjallë këto treva ndër shekuj, duke dëshmuar përjetësisht qenien tonë europerëndimore, t’i kujtojmë e përjetësojmë në pafundësi, se kështu nderojmë ata burra e burrnesha që u sakrifikuan vetë për të mbijetuar Malësia e Shqipëria, por nderohemi edhe ne të cilët duhet të dëshmojmë se jemi trashëgimtarë të denjë të bijve të shqipes.
Mundësimi i përkujtimit dhe memorializimit të betejës së Sukës së Mkushit, nga bijtë e Kelmendit që jetojnë në dhena të huaja (SHBA), tregon qartë se ata, ndonëse jetojnë në një vend të zhvilluar e begatë, jo vetëm nuk kanë harruar trojet e të parët e tyre, por edhe se janë trashëgimtarë të denjë të heronjve e kreshnikëve tanë që i lanë nder e lavdi ndër shekuj kësaj pjese të bekuar të Europës...
Nder e lavdi dëshmorëve dhe heronjve të betejës famëmadhe të 25 prillit 1911.
Ndue Bacaj
No comments:
Post a Comment