Andi Bushati
Lulzim Basha e shpalli më 22 mars dhe do të zyrtarizojë të premten, kandidimin për Bashkinë e Tiranës. Që nga dita kur u përfol për herë të parë e deri më sot, emri i tij ka kaluar nëpër një varg hamendjesh e pengesash. Sot mund të thuhet se ai pjesën më të madhe të tyre i ka kaluar dhe i ka mbetur vetëm një, ndoshta më e rëndësishmja.
Së pari, ai ka kaluar pandehmën se ishte një garues fals, emri i të cilit po përdorej vetëm për të trembur Edi Ramën. Sot, hyn apo s’hyn, merr pjesë apo jo, kreu aktual i Bashkisë, Basha do të jetë rivali i shpallur për postin e tij.
Së dyti, ai tejkaloi edhe të gjitha hamendjet se rreth profilit të tij do të krijohej shumë animozitet negativ në PD. Të gjithë ata që frikësoheshin duke menduar se kandidimi për Bashkinë e Tiranës ishte njëkohësisht edhe dhënia e stafetës së pasardhësit në PD, tani janë tubuar rreth një frike më të madhe. Asaj nga Edi Rama dhe nga 21 Janari, i cili i radikalizoi ekstremisht palët. Sot është e vështirë të thuhet se gratë që nuk e duan, apo burrat që i mbajnë mëri brenda partisë, mund të punojnë kundër tij në zgjedhje.
Sot është vështirë që të thuhet gjithashtu se loja okulte që mund të bënte në fushatë presidenti Topi dhe mbështetësist e tij të djathtë, mund të kenë efektin e diversionit te demokratët, të cilëve, sidomos pas ngjarjeve në bulevard, Berisha ua ka bërë të qartë se preferenca për Topin është një votë kundër tij.
Për arsye fati, rrethanash dhe loje politike, Lulzim Basha i ka kaluar të gjitha këto vështirësi. Tani i ka mbetur vetëm një. E rëndësishme dhe vendimtare.
Të arrijë të krijojë gjatë kësaj fushate një profil të vetin, për të mos u dukur si një zgjatim i Berishës, për të gllabëruar një institucion më shumë.
Pikërisht për këtë qëllim, atij i duhet, së pari, jo vetëm të bëjë një fushatë për qytetin (pra, fushatë vërtet lokale për plan rregullues, asfalt, gjelbërim e kanalizime), por dhe të tregojë një vizion të ndryshëm nga ai i Ramës dhe Berishës në këtë drejtim. Ai duhet të flasë troç dhe qartë. A do të jenë klientët e tij klientët e përzgjedhur nga Rama e Berisha? A do të jetë në gjendje ai t’u kundërvihet marrëveshjeve të pista që kanë bërë të dy liderët, për të mbrojtur e favorizuar të njëjtët ndërtues e të njëjtët shkatërrues të Tiranës? Pa dhënë këtë garanci dhe pa shfaqur një vizion të ndryshëm për administrimin e qytetit, Basha rrezikon të mos jetë bindës.
Rreziku tjetër ka të bëjë jo me modelin menaxhues, por me modelin politik të Berishës. Sa do të mundet ai ta mbajë larg Kryeministrin nga beteja për Tiranën? Sa do të mundet, ai, që zotohet për një profil qytetas të fushatës, të mos e shndërrojë atë në një cirk batutash politike mes Berishës e Ramës.
Dihet që kundërshtarët e tij, enkas dhe për provokim, do mundohen ta tërheqin Berishën në betejën për 21 Janarin, për votën e vjedhur, për fëmijët dhe pasurimin familjar. A mund të rezistojë Berisha pa iu përgjigjur këtyre akuzave? A mundet Basha ta frenojë atë? Nëse do të mundet, natyrisht, ai do të ketë një shans më shumë. Nëse do të dështojë, skenari është i njohur. Socialistët do të provokojnë. Berisha do përgjigjet. Në ekranet e TV-ve, për të cilat bëhet realisht fushata, do të zërë vend vetëm përleshja e dy liderëve, dhe fushata qytetase e propaganduar aq shumë do të kalojë si lajm i shtatë. Aty ku se dëgjon më askush e ku rrezikon të shndërrojë në hiç të gjitha përpjekjet e atij që e mbart. Prandaj Lulzim Basha, tani, kur fushata ende nuk ka filluar, ka një betejë tjetër, atë me veten dhe me të vetët: të mbyllë në kafaz modelin menaxhues dhe politik të Berishës në Tiranë. Jo për të siguruar votat e PD-istëve, që ai tashmë i ka; por për të joshur pjesën e lëkundur dhe gri.
Dhe këtë betejë, më shumë se me kundërshtarin, e ka me veten e tij. Me personalitetin që ka arritur të krijojë pas afër shtatë vitesh qeverisje dhe me respektin real që ka arritur të ketë te shefi i tij. Në këtë betejë ai ende është në kohë të bëjë të pamundurën: ti vërë cak Berishës. Sepse jo gjithçka varet prej tij. Një pjesë e mirë e lojës është në duart e Kryeministrit. Në vullnetin e tij për ta pranuar kafazin që i ofrohet. E në fund të fundit, në mendësinë e tij, për të krijuar brenda PD-së një model fitues, të ndryshëm nga i veti.
No comments:
Post a Comment