Saturday, November 19, 2011

Lubonja: Kadare e Rama, kujtimet si operacion plastik


I ftuar në emisionin “Opinion” për të diskutuar mbi librat e fundit që po bëjnë bujë në Tiranë, citova edhe një herë Max Weber-in, sipas të cilit: “Në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është ‘personalitet’ vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij. Nuk mund të jetë ‘personalitet’ ai që, si një tregtar, nxjerr në skenë, së bashku me objektin të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij”. E kam cituar për herë të parë në shkrimin “Mbi personin dhe personazhin Kadare” (Korrieri, 23 tetor 2006) ku, mes të tjerash, shkruaj se mund të vijë një moment në aktivitetin e një figure të njohur kur ai kthehet në personazh duke reshtur së qeni një person; kur, më shumë sesa ajo që bën, të vlejë ajo se kush e bën, kur vetvetja e tij bëhet objekt i aktivitetit të tij më shumë se vepra, madje në një shkallë të tillë saqë ai sillet sikur vetë ekzistenca e tij të jetë një kryevepër. Nuk bëj pjesë ndër ata optimistë që besojnë se idetë e tij mund të ndryshojnë shpejt e shpejt botën edhe kur ato janë të mbështetura nga filozofë e mendimtarëve të mëdhenj si Weberi. Përkundrazi, bëj pjesë ndër ata që, edhe për shkak të përvojës, përsërisin shpesh e më shpesh me ironi aktualitetin, që prej 10 mijë vjet para Krishtit, të thënies së famshme të Solomonit “Stultorum infinitus numerus est” (I pafund është numri i budallenjve), paçka se s’gjej, megjithatë, kuptim më të mirë jete sesa të provokoj në emër të së vërtetës besimin syverbër të “budallenjve” në zotat e rremë, me shpresën se e vërteta, si ato oazet që mbijetojnë në shkretëtirë, do të gjallojë ndonjë ditë edhe tek ata. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, nuk mund të mos çmeritem duke konstatuar se, që nga viti 2006 e deri tani, pra në harkun kohor të vetëm 5-6 vjetëve, fenomeni i kthimit të personave në personazhe, në matrapazë e tregtarë të veprës së tyre, ka ecur si rëra në shkretëtirë me hapa të tillë galopantë, saqë po vazhdoi kështu edhe disa vjet, shkretëtira shpirtërore e shqiptarëve do të arrijë kulme të papara. Në emisionin për të cilin e kam fjalën, tre botues kishin dalë në skenë për të promovuar autorët e tyre, pasi kishin shpërndarë e botuar nëpër të gjitha gazetat pjesë të tëra nga librat që sapo kishin botuar, të cilat i gjeje madje edhe në dy-tri-katër gazeta njëherësh, shoqëruar me foto të stërmëdha të autorëve në faqe të parë – gjë kjo e paparë në ndonjë vend që ka respekt për librin dhe lexuesin. Drejtuesi i emisionit, Fevziu, ishte edhe ai një ndër autorët. Pashë pastaj Panairin e Librit të uzurpuar nga këta personazhe, ku radha të rinjsh prisnin të merrnin autografe për libra rreth cilësisë së të cilëve s’kishin asnjë ide, madje në mungesë totale të ndonjë kritike serioze për ta. Kjo pasi vlera e tyre nuk diskutohej; për këtë mjaftonte vetvetja e autorëve të dalë në skenë, pasi “videokracia”, sipas së cilës po dole në gazeta e televizion të shohin të gjithë dhe bëhesh popullor dhe kësisoj i suksesshëm; se “të jesh” do të thotë “të dukesh nëpër media”, ka arritur në mbretërinë tonë një grotesk të paparë.


***
Fenomeni i autorit që del përpara veprës ra më së shumti në sy në ata libra që përmbajnë memuaristikë, pasi, për nga vetë natyra e kësaj krijimtarie, janë ata ku autori merret me vetveten duke e bërë atë personazh. Dy librat që më tërhoqën më së shumti vëmendjen në këtë lëmë ishin ai i Helena Kadaresë (ku personazhi, në fakt, është Ismail Kadareja, që del se është bashkautor, pasi me një deklaratë të papërgënjeshtruar nga autorja dhe botuesi, deklaroi së fundi se i paskësh dhuruar së shoqes 70 faqe e se po ashtu është edhe censor i librit, pasi i ka prerë 100 faqe), si dhe libri i Edi Ramës, “Kurban”. Në këtë shkrim do të merrem me këta dy libra, por duke pasur parasysh se fenomeni për të cilin po shkruaj është shumë më i gjerë. Duket sikur janë të ndryshëm dy librat në fjalë, pasi të ndryshme janë periudhat për të cilat shkruhet e të ndryshëm brezat e autorëve, por, paradoksalisht, duke lexuar faqet e tyre kuptohet lehtë se që të dy janë të ngjashëm në thelb. Ngjashmëria më sipërfaqësore është se që të dy kërkojnë të na tregojnë versionin e tyre të kohëve të kaluara, në të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, të dy personat/ personazhe kanë qenë protagonistë e që shqiptarët i kujtojnë si kohë të këqija; ngjashmëria më e thellë qëndron në atë se metoda e mendimit dhe e të shkruarit – që është vetë njeriu – është huazuar nga ajo kulturë që tjetërkund e kam quajtur kulturë e “manipulim- simulimit”, që e kemi provuar në trajtën e vet më të shëmtuar në memuaristikën e Enver Hoxhës, i cili e shkruante historinë sipas midesë së vet, pasi raporti i këtij njeriu me të vërtetën ishte i tillë që mendonte se duke qenë i pushtetshëm, kishte pronë edhe mbi të vërtetën – çka ia bënte të ligjshëm jo vetëm përgojimin e kujtdo sipas qejfit, por deri edhe gënjeshtrën, edhe retushimin e ngjarjeve, deri të fotove të së kaluarës, duke fshirë krejtësisht nga skena personazhe e ngjarje e duke sajuar apo nxjerrë në pah të tjerë, sipas regjisë së egos dhe interesave të tij personale, por krejtësisht në dëm të së vërtetës. Mjafton të lexosh vetëm pak faqe për të kuptuar shfaqjen e kësaj kulture në dy librat në fjalë e pikërisht në raportin e keq të autorëve me të vërtetën. Duke lexuar këta dy libra më erdhi spontanisht të përdor metaforën: memuaristika si operacion plastik. Kjo, pasi kush i njeh ngjarjet dhe historitë e përshkruara, por edhe personat personalisht, nuk mund të mos zgurdullojë sytë duke parë se si janë fshirë nga tiparet e tyre rrudhat e jetës; shenjat e plagëve që kanë marrë, se si kanë fryrë me silikon buzët e kanë ngritur gjinjtë, kanë mbjellë flokë e më the të thashë, duke e bërë personazhin e dalë kësisoj tjetër gjë nga personi që kemi njohur. Por, pse të ndodhë kjo? është pyetja. Çdo të thotë për një person të shfaqet si një personazh që s’korrespondon me të? Sipas cilit model e plazmon ai personazhin vetvete? Kjo është një dramë më vete, në fakt. Kjo shpjegohet me atë që mund të quhet intencionaliteti i librit. Drama e librave të shkruar sipas kulturës së manipulim- simulimit është se ato nuk shkruhen duke pasur parasysh atë lexues që është, në thelb, lexuesi kryesor i një autori, vetvetja, sipas idesë se një libër i mirë është para së gjithash një bashkëbisedim i sinqertë me veten për ta njohur atë dhe botën më mirë. Kultura e manipulim-simulimit, që ne e kemi zhvilluar tejskajshëm në periudhën e realizmit socialist, nuk e njeh këtë lloj krijimtarie, ajo nuk synon njohjen e së vërtetës, përkundrazi, ajo sendërgjon vepra që shkruhen për një publik që synohet të gënjehet, manipulohet, të sundohet, të seduktohet nga autori në emër të rritjes së pushteti të tij apo të pushtetit që ai përfaqëson. Në dy librat në fjalë gjejmë me okë të vërteta të dhunuara nga vullneti për pushtet i personazheve që flasin për veten, nga narçizizmi i tyre, nga nevoja e tyre për të kontrolluar të kaluarën, historinë, për të krijuar një version dominant të kësaj historie që synon, me kalimin e kohës, të eliminojë çdo histori tjetër. Ajo që zhduket pas këtij operacioni plastik është ajo më e bukura gjë që mund të ishte: vetvetja e autorit, e vërteta e tij e, në një kuptim më të gjerë, njohja. Por kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë lloj kulture. Rëndësi ka imazhi, madje, edhe kur flas për lexues, kam përshtypjen se për këta autorë nuk ka aq rëndësi lexuesi se sa spektatori jo aq ajo se çfarë kanë shkruar se sa buja televizive e promovimit, të ftuarit e rëndësishëm që do të marrin pjesë, numri i shitjeve, intervistat, zaptimi i faqeve të gazetave që ka të bëjë me ruajtjen në faqe të parë të imazhit, për të mos u zhdukur, për “të qenë”. Librat janë kësisoj një lloj “substitute” (zëvendësues) i personit të bërë personazh.
***
Le të hyjmë pak më konkretisht në dy librat në fjalë. Në rastin e Kadaresë, operacioni plastik me të cilin kemi të bëjmë synon kryesisht pastrimin e jetës dhe veprës së tij nga bashkëpunimi me regjimin e Enver Hoxhës, madje deri edhe paraqitjen e saj si jetë/vepër kundër atij regjimi. Është një operacion që nuk e ka për herë të parë që e kryen. Në fakt, operacioni plastik, si ruajtje imazhi, ka edhe një karakteristikë. Ai që i hyn atij pas një kohe ka nevojë për një operacion tjetër pasi moskompatibiliteti organik me silikonin vjen e bëhet i tillë saqë duhet një ndërhyrje e re. Kësaj here Kadareja ka përdorur të shoqen. Si edhe më parë, ai i drejtohet madje një publiku të huaj më së pari, por me shpresën se edhe versionet jo konform të vetat për të kaluarën e jetës dhe veprës së tij me kalimin e kohës, e me imponimin e versionit që pranon bota e huaj, do të zhduken. Në këtë kontekst, një “ndërhyrje” e re interesante që gjeta ishte ajo se, sipas zonjës Kadare, shkrimtari ynë i madh nuk i përket sojit të atyre autorëve që në rini kanë qenë besues të komunizmit, pastaj kanë filluar të ndërgjegjësohen e të krijojnë vepra me probleme disidente, dhe pastaj janë arratisur jashtë. (Të vjen ndërmend në këtë rast Çeslav Milosi). Jo, sipas Kadarejve, shkrimtari ka qenë i ndërgjegjshëm qysh në moshë shumë të re për regjimin. E provon këtë romani “Qyteti pa reklama”, sipas tyre i shkruar andej nga viti 1959, i cili, sipas autores, nëse nuk është “antikomunist”, është “akomunist”. Le ta pranojmë deri këtu këtë version, edhe pse nuk mund të mos kujtojmë se ky libër nuk është botuar asokohe, por, në vitet ‘90, e me këtë rast kemi të drejtë të dyshojmë për vërtetësinë e kësaj kur kemi parasysh se me një operacion të paparë plastik Kadareja na e shiti edhe poemën “Pashallarët e Kuq” si antikomuniste në këto vite. Por, problemi kryesor që nxjerr versioni i antikomunistit të hershëm është se autorit/es në këtë rast i duhet të shpjegojë pse ky antikomunist ka bërë në vazhdim vepra prokomuniste, madje një korpus të tërë ku hyjnë vëllimet me poezi e poema për ndërtimin e socializmit e për shekullin e komunizmit, sikurse edhe dy poemat e mëdha të vlerësuara me çmimet më të larta të Republikës: “Pse mendohen këta male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, por edhe vepra të tilla si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (i cili është krejtësisht në koherencë me mënyrën se si e trajtonte regjimi Luftën Nacional – Çlirimtare, por edhe priftërinjtë, edhe botën kapitaliste), romanet “Dasma” e “Kështjella” etj. Për t’ia arritur kësaj në operacionin e vet plastik, zonja Kadareja heq thuajse krejtësisht “dhjamërat” e vëllimeve me poezi, të cilat nuk përmenden fare në libër. Pastaj përdor edhe shumë silikon për të fryrë e transformuar vepra të tjera. Kështu, për shembull, i heq novelës “Përbindëshi” intencionin e asokohshëm duke “harruar” të thotë se Kali i Trojës ku qëndronin armiqtë e Tiranës, që kërkonin të hynin pabesisht brenda për të djegur qytetin, ishte metafora e përdorur për revizionizmin që e gjeje asokohe rëndom në propagandën kundër BS. Personalisht e kujtoj kështu novelën e lexuar në atë kohë, sepse jam i sigurt që autori i ka bërë edhe asaj operacion plastik, siç i ka bërë p.sh. versionit të asokohshëm të “Kështjellës”, simbol i rezistencës së Shqipërisë ndaj imperializmit dhe revizionizmit, që, në versionin e fundit, është ndryshuar në simbol të një kështjelle që mbron Krishterimin nga sulmi Islam. Shumica e shqiptarëve as i dinë këto, po ç’rëndësi ka kjo për kulturën e manipulimi-simulimit? Dikush mund të thotë se një ditë studiues seriozë do të merren me këtë dhe do të nxjerrin përfundimet e tyre, pasi veprat, ashtu si janë shkruar në atë kohë, shpesh edhe me shpjegimin që u bën autori, janë ende nëpër biblioteka. Por, siç e thashë, kultura e manipulimit nuk punon për njohjen, as për një grusht të diturish: ajo punon për “popullin”, imagjinatën e tij kolektive, pushtetin mbi të; ajo punon për mistifikimin dhe historia ka treguar se mitet, një herë që janë ndërtuar, zor se mund të rrëzohen nga fakte “dytësore”, “të parëndësishme”. Ajo që ka të re libri në fjalë në aspektin e mistifikimit është se tani duket se po bëhet përpjekja që krejt jeta e autorit/personit t’i përshtatet operacionit që u është bërë veprave. Më bëri shumë përshtypje fakti se në këtë operacion të fundit plastik Kadareja paraqitet sikur të ketë qenë ndonjë shkrimtar i formuar në kohën parakomuniste e që, deri tek “Dimri i madh”, paska shkruar vepra në mos “antikomuniste”, “akomuniste” – aq sa kjo paska rënë në sy duke e rrezikuar atë. Në këtë pikë të rrezikut, sipas autores, ky vendos të bëjë një “kompromis” me diktatorin (a thua se ishte i barabartë me të), duke vendosur të shkruajë një libër politik që do ta mbronte nga armiqtë e shumtë. Por, kujdes, edhe këtu kompromisi është i justifikuar. Vërtet po hyjnizon diktatorin, por ama Kadareja paraqitet sikur ka qenë dakord me prishjen pasi shpresonte se Shqipëria do të kthehej nga Perëndimi. Le t’i harrojmë librat e shumtë me poezi e prozë të viteve ‘50-‘60 që vetëm akomuniste nuk mund të quhen, përkundrazi, janë propagandë e gjallë. Le të harrojmë se antikomunisti në atë kohë kishte bërë kërkesën për t’u pranuar në Partinë Komuniste, pjesë e së cilës u bë duke marrë edhe urimin personal në shtëpinë e tij të Nexhmije Hoxhës. Por si mund të pranohet versioni se autori besonte se prishja me BS ishte pozitive kur dihej që në vitet ‘60 se prishja ishte bërë në emër të mbrojtjes së Stalinit kundër revizionizmit dhe se ishin revizionistët ata që akuzoheshin se kërkonin të afroheshin me Perëndimin? Jo vetëm, por libri është shkruar dhjetë vjet pas kësaj prishjeje, kur ishte bërë e qartë se Shqipëria jo që s’ishte kthyer nga Perëndimi, por kishte përqafuar eksperimentet e Revolucionit Kulturor kinez dhe ishte izoluar tragjikisht nga bota. Silikoni, megjithatë, mendohet se është aq i suksesshëm, sa mund t’i bëhet mishi dhe gjaku i vërtetë njeriut e t’i trajtojë kockat dhe mishin e tij të plakura si mbeturina që duhen nxjerrë jashtë. Për ta bërë sa më të vërtetë silikonin, zonja Kadare na tregon edhe disa anë të mbrapshta të autorit. Por edhe këtu operacioni bëhet me kujdes, sipas një shijeje të kulturës së “simulimit” që t’i përgjigjet gustove të publikut shqiptar që tërhiqet aq shumë nga njeriu i fortë, i gjithëpushtetshëm. Kadareja shfaqet edhe si personazh “i keq”, por i keq si perënditë, si Zeusi, p.sh., i cili ka edhe zemërimet e tij të padrejta. Kujtoni p.sh. trajtimin në libër të Qoses, të ish-presidentit Meidani apo të kritikut Agim Vinca: se si Zeusi hedh rrufetë e zemërimit mbi ta. Po ashtu, shëmbëllyeshëm me Zeusin, ai ka edhe impulset e tij seksuale, lë me barrë ndonjë tokësore andej-këtej, gjithmonë të bukur yll, por Zeusi mbetet Zeus. E vërteta që humbet në tërë këtë histori është raporti i shkrimtarit dhe i njeriut në përgjithësi me regjimin diktatorial. Duke na e paraqitur shkrimtarin si ata heronjtë pozitivë të soc-realizmit, dhe jo si bashkëpunëtor me hir ose me pahir të së keqes (në rastin në fjalë më shumë me hir sesa me pahir), humbet jo vetëm e vërteta e njohjes së asaj kohe për të cilën kemi aq shumë nevojë që të mos përsëritet, siç po na përsëritet, – dhe prandaj po na përsëritet, – por humbet drama e vërtetë njerëzore e intelektualit në diktaturë. Mirëpo zonja Kadare u cilësua “Autorja e vitit”. Dhe duhet ta duartrokasim, s’kemi ç’bëjmë. Vazhdojmë të jetojmë në mbretërinë e gënjeshtrës, që është ndërtuar me kontributin e rrallë të të shoqit. A nuk kaluam gjysmë shekulli nën mbretin e parë të saj? Jo më kot një lexues i shkruante te “Shekulli” Hans Joachim Lanksch-it që reagonte për disa gënjeshtra në libër lidhur me marrëdhëniet e Kadaresë me Camajn: “Zoti Lanksch, mos u bëni naiv! A mendoni se i bëhet vonë dikujt në Shqipëri për të vërtetën? Shqipëria është botë e çudirave dhe e vërteta është irrelevante dhe diçka me të cilën merren vetëm ‘marksistë- leninistët’. Ismail Kadare është Liza në Botën e Çudirave dhe ai nuk e ka për gjë ta përshtrijë kreativitetin letrar edhe në botën reale. Nga ana tjetër, publikut nuk i bëhet vonë se a gënjen Liza apo jo. A nuk e dini se Kadare është disidenti më i madh në Ballkan, Europë, botë dhe më gjerë? A nuk e dini se të gjithë librat e tij kanë qenë kundër diktaturës, por këtë kanë mundur ta kuptojnë vetëm të zgjuarit? Njësoj si rrobat e mbretit që kanë mundur t’i shohin vetëm të zgjuarit”.

No comments: