Saturday, November 19, 2011

Fjala fshikulluese e Fishtës...Perla fishtiane

At Vitor Demaj

Si sot, 140 vjet ma parë lindi At Gjergj Fishta, Zefi i vogël, në Fishtë fshat i vogël i Zadrimës. Nuk asht nevoja me parqitë para lexuesit jetëshkrimin e tij, por duem me pa Fishtën si themelues e krijues të nji mendësie të re nder shqiptarë, si krijues e promovues vlerash sëbashku me bashkëvëllaznit e tij françeskanë. Sot jetojmë në vjetin 2011 e kur e hjedhim nji veshtrim të kaluemes tonë shohim se krijimtaria e Fishtës na paraqitet aktuale sot ma shumë se asnji herë tjeter, si në jetën shoqnore poashtu në jetën politike e shkencore. Prandej e kanë gabim ata që e konsiderojnë krijimtarine e Fishhtës dhe të Farnçeskanëve si ‘konservatore’, jo e përshtrime në të ardhmen, as për të ardhmen.
Prej do hukubetënve fqinjë e të disa fletoreve që botoheshin në Europë pa as nji kriter shkencorë, populli shqiptar kosiderohej si nji popull i egër, pa identiet e pa kulturë, me bishtë ndekambë qe jetonte nëpër pemë, pra nji kombë e vend për me u shkel prej gjithëkuj.
Fishta e bashkëvëllaznit e tij Françeskanë, tue pa këto akuza të pavend ndaj popullit shqiptarë, e për me thanë se në si kombë kemi kulturën tonë e mund tu rrijmë përkrah popujve të tjerë të qytetnuem të Europës u muren me mbledhjen e folkorit, poezinë e popullit, traditave popullore, prrallat kombëtare, me mbledhjen e kanunit, të fjalve të urta, gojëdhanve që ishin ruejt në popull, etj., për me pasqyrue shpritin, psiken e kulturën e popullit shqiptarë, me vetdijësue ndergjgjën kombëtare për histori e kulturë tipike arbnore.
Prandej mbledhja e poezisë popullore e tarditave popullore, kishte për qellim më ba të qartë përpara Europës se, populli shqiptarë njimend qendroi për 450 nën nji sundim barbar e antinjerzorë që nuk e la me përparue kurrsesi, por që nuk asht nji popull i prapambetun dhe se ka ruejt nën zgjedhen turke identitetin e shpirtin autokton të tij.
Françeskanët në krye Fishtën nuk u mueren vetëm me mbledhjen e folklorit dhe të zakoneve shqiptare, ata u mueren më gjuhësi, me letërsi, hapën shkolla, projektuen nji atlas gjuhësor, shkruem fjalore, novelistikë, histori, folozofi, sociologji, pedagogji, pikturë, etj. Hylli i Dritës pomendore e kësaj tradite asht shprehja ma e gjallë e veprimtarisë shkencare të Françeskajve shqiptarë.
Shqipnia asht nji vend i vogël e nuk çon peshë në historinë e mendimit europian, kjo ndoshta për fajin tone që nuk dimë me vleresue të mirat tona, e me kerkue të drejtat tona, e pra edhe në vitet 30 të shekullit të kaluem e njejta Shqipni ishte, por kjo gja nuk i pengoi françeskanët si At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, At Gjon Shllaku, etj., ta donin atë nëpërmjet studime të mirëfillta filozofike, sociologjike e kulturologjike tue u ndej për krah mendimtarve ma në shej të mendimit botnorë.
Jo vetëm në krijimtarinë e tyne shkencorë ata kjenë të parët, por edhe në jetën fetare e shpirtonore, të udhëhequn e të frymzuem prej shpirtit universal të krishtënimit e të Shën Françeskut i qëndruen afër gjithkuj, të tanë atynë që patën nevojë për keshill e mborjtje. U mueren me të vorfni, ma të fundit të shoqnisë, atyne që kush i sheh rrugës shmang rrugën mos me i takue, tue u dhanë nji cop bukë, tue u gjetë nji strehë.
Fishta sëbashku me At Shtjefen Gjeçovin, At Pashko Bardhin, At Pal Dodën, Mons. Vinçenc Prennushin krijuen nji “shkollë” të modelit perendimor, formuen mendimtar françeskanë të mavonshëm e laik me kulturë të madhe.
Fjala e mendimi i Fishtës dhe i Françeskanëve nuk kje e shterbë, e pa vlerë, pafrytë, ata nuk e braktisën kurr Shqipninë, ata dhanë jetën për Shqipni.
Sot në ket kohë të veshtirë që gjindet Shqipnia kemi nevojë për mendimin e Fishtës, per krijimtarinë e tij, pse tue pa sjelljet e politikanve tonë kemi nevoj edhe nji herë për Gomarin e viskun e Babatasit:

“Prá nji herë e pikë mâ s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit,
Se un ktû s’kndoj burrnín e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Që, qyqari, për send tjetër
- N’dashtë i rí t’jét, n’dashtë i vjetër -
S’duhet gjâ, veç se me bartë
E me ngranë, t’thuesh, si Shqiptarët...
M’thotë, por, mendja se ndokujë
Ká m’iu dukë, se un mifi n’ujë
Me këtë kangë, e se mâ gjasë
Sod për mue do t’kishte pasë,
Ndo’i send tjetër po t’kish’zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktû me dredhë.
Po, por shka, se ata e dijn vetë,
Që ká cofë mikrobi i shkretë
I burrnís e i trimënís,
E që sod në Shqiptarí,
Besà ká nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredí
Sá për burra - burra t’dheut,
Që për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijn e me dekë.
Jo, po âsht kot, besà, me u rrekë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’këtë dhé -
Burra fjalet e atdhetarë:
Ktà veç, Zot! kjoshin për farë;
Se, për tjetër mbyti n’ujë
Gjâ - ha’ i keq - s’i duhen kujë.
E vërtetë që njadisá
Ndër né flasin fjalë të mdhá,
E na mbahen se ata kjén
Që shpëtue na kanë Atdhenë:
Sado që, kúr ishte puna
Me u shpëtue Shqipní kërcuna
E për tê n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
Npër Stambollë e np’r Anadoll,
A se viellshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Europë
Alkool’n, me t’cilin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,
Dér sá n’gjak lahej Shqipnija”.

Duhet thanë se shkrimet publicistike të Fishtës janë kryesisht shkrime polemike në mbrotje të Shqipnisë përpara kombeve të tjera, si dhe në mbrojtje të popullit shqiptarë përball politikave të ndyeta, të mrapshta të politikanëve e zyrtarvë shqiptarë që abuzonin me të drejtat e popullit, tue e çue drejt nji mjerimi të skajshem. Shpirti i Fishtës bahej pezëm tue pa ket vepër të shemtueme të drejtuesve të shtetit shqiptarë. Penda e tij pervishet, bahet shpatë e mprehtë tue mos pas frikë, tue mos u ba bashkëpuntor me të keqen, por tue thanë gjithmonë të vertetën, të drejtën, tue mbrojtë popullin ndaj politikanëve të pabesë, të korrupsionit, të cilët u pasunuen në shpinë të atyen që u kishin besue votën e tyne për nji jetë ma të mirë. Kjo sjellje e Fishtës kishte ba që të kishtë armiq e kundershtar kodo që shkelte kamba e tij. Fishta asht e mbetet aktual sot e gjithë ditën, per ne, per politikanët tonë, për kulturën shqipatre, për diplomacinë europiane në Shqipni, ejt.
Mjafton vetëm me ndryshue datat e krijimtaria politike e Fishtes me sfumatura të ndyshme paraqet sëmundjen e poltikës sotme njizetë vjeçare të Shqipnisë. Populli duhet të zgjohet e të dij se kuj ja beson të drejtën me e udhëheq për nji jetë ma të mirë, por ndërkohë të gjithë ne jemi të thirrun të mos rrijm duerkryq pa ba gja, kur shohim se të drejtat tona po shkellen, institucione janë pre e politikës, pasunia e jonë po grabitet e fati i Shqipnisë ka ra në dorë të gabueme. Duhet të çohemi e atyne që u kemi dhanë votën e besue të drejtat tona, tu kërkojmë llogari se ku po e çojnë Shqipninë. Europa nuk na ka faj, faji asht i joni. Deri diku kanë të drejtë që politikanët tallen me ne, e nuk na kanë faj, faji asht i joni që shkojmë mbas ‘ngjyrave’ u mbushim sheshet, e jo mbas vlerave që krijojnë e formojnë Shqipninë europiane, Shqipninë e andrrës tonë.
Po paraqesin per lexuesin do pjesë të zgjedhuna prej Prozës së Fishtës, për me shijue fuqinë shprehëse të fjalës, e shpirtin e madh të nji françeskani, që të jetë për ne shtysë për “meditim” e “analizë” për jetën shoqnore e politike shqiptare të kohëve të sotme.

I. Mbas mendimit tonë, pra, elementi mâ i rrezikshem a, mâ mirë me thanë, rreziku mâ i madhi i Shqipnís janë vagabondat: njatà shqiptarë që, pa mûjtë me perftue kurrnji mendim të shndoshtë në mendje të vet, s’janë të zott me i rreshtue dý shkrola bashkë pa gabim; që per Atdhé filluen me u kapë së parit a m’atëherë kúr banë rrush e kumlla gjan e të parve të vet e mâ s’u mbet asnji dysh, sa me ble nji konop e me vjerrë vedin në tê; ose kúr ndonji qeverí e huej, neveritun prej sish, i xuer me shtjelm prej pune edhè i hodh si stervina të cofta në Shqipní. Njerz rrugaça, njerz shakllabana e të pa kurrfar njerzije e mirërritje, të pa kurrfarë msimi të vlefshem, që gjith jeten e vet s’kjenë të zott me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shpí, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nen dorë, të harli-sum nga mendja, të perdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; kû mbillen, s’korren; kû bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pa krye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të rí, gjithkund tue lán ndonji mârre të ré per Shqipní. E ktà të plogshtë, të dekun në shpírt, coftina të qel-bta, që s’janë të zott me xjerrë nji mizë prej qumshtit, pa nji ideal para sw sh, gjithkund duen me u perzíe, gjithkund duen me vû gojë e sidomos në politikë të Shqipnís. Jo, po, ktà parazi-ta, por sa ndîejshin se po lot kund ndoj punë per Shqipní, se po u çilet kund ndoj shteg per me u dalë me rrnue në shpín të tjeterkuj pa punë, si rriqni, as nji as dy s’ja bâjshin, por “pupa” në kambë, shpluhno petkat, lustro kundrat, shtërngo krava-tat e, valixhen nen dorë, kapelen tutël në krye, bjeri Europës kryq e terthuer, herë tue u shtî beglerë, herë kapitana, dikû profesora, dikû princa, tue shtue hyj në qafzë per majora, kolone-la, gjenerala, dér që, së mbrami, hasshin në ndonji krye-matare di-plomatit, që me ua pague rrugen per Shqipní. T’ardhmen në Shqipní, kapelen në valixhe, ksulen e thijtë në krye e vrap, si or-lat kû po ishte zhurma mâ e madhe, potera mâ e fortë; e aty, nji zhel kuq e zí majë nji huni, hypë në nji karrige kafeje, kce në nji tryezë mejhaneje, ngrefë mustakët kacadre perpjetë ose rrepë turíjsh si mij të perclluem, me do fjalë të shterzueme, të mârra, dokrra të papuna foli popullit: Hani! Bini! Kû jeni? Kû jeni, nipa të Skanderbegut? Me derdhë gjakun per Atdhe! S’na duhet gjâ feja. Na duhet qytetnija, policija, xhandarmërija. Ah! Ktà derra! Ktà domuza!... Veç me rrjepë popullin! Ká mbarue sod koha e tyne. Sod âsht dija, lirija, qytetnija. Grueja shqiptare sod do të dalë, do të shëtisë, do të duket, do të njifet, e jo me ndejë si të gjitha qyqet, mbrendë në shpí të vet. Grueja âsht lulja e jetës, âsht engjelli - meleku - i njerzís. Ah!... Po!... Rrno-fshin zojat shqiptare! Rrnoftë Shqipnija! Rrnofshin aleatët! Poshtë tradhtarët! E kso dokrrash të mârra, mos me i hanger as qentë. Por shka se, mbasì punët e Shqipnís atëherë si gati gjithmonë shkojshin tue marrë në thue, kshtû ktà fatosa-kukulla, të ndîemen që ndîejshin se per ta po niste me frw nji erë e ftohtë, vali-xhen në dorë, bishtin nder kambë e... tym dosë prapë në dhe të huej, si gjysagjeli, tue ua lanë të tjerve barrën që me i xjerrë gështejat prej prushit, edhè me gishta, po ta kishte lypë puna.
Qe, pra, se kush janë rreziku mâ i madhi i Shqipnís: vagabon-dat, sallahanat, rrugaçat. Por, me gjith kta, ktà njerz, ktà mik-robe të kombit, jo veç se po kan sw e faqe me lypë, por edhè po munden sod me shpresue se hynë nder zyra të Shtetit shqiptár e me marrë, madjè, rrogat ár. Po a pernjimend se, per me ushqye e me majë ktà njerz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugâjave e të sokaqeve, bujku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vshtira?... E po kû jemi na, o Zot? A pernjimend se edhè kuptimi i burrnís âsht harrue në ket dhé, që njerzve kaq të poshtëm po u delka me u ushqye me djersë - me gjak - të kombit shqiptár?...
Shqiptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqipnje, ose ndryshe kemi sharrue me t’eger e me të butë.
II.Do kulima, ngrehaluca të kqi - djè dalë prej shpergâjsh; do pseudo-profesora e pseudo-doktora, analfabeta e semi-analfabeta, ngallitë neper “kursa të shpejtë” si kpurdhat në shí; do ftyrë-fodulla vagabondash, sallahanash e derbedera muhaxhirësh, nenshtetas adoptiv të Shqipnís - pak e aspak Shqiptarë - e llaca të zdraluem logjash masonike; kshû edhè njadisa nder atà teneqexhít, kallajxhít, hallvaxhít, nallbanat, kasapët, matrapazat, që sod me sod, me gjith ktà që po ká qesát punet, atà po kan fatin e bardhë me rrue petulla e pogaçë, na janë ngrefë per okcidentala të lmuem e të pipiriquem, e pa pasë kurrnji vehtí okcidentalizmit m’vedi, posë nji kravatet - si bisht micet të percullueme - që u vjen per rreth fytit, në vend t’atij konopit të karmanjolles, prej të cilit s’dihet si e shumta e tyne ká mûjtë me pshtue... na pshtw ejn n’e djathten e t’errmakten fjalë të mdhaja kulturet e perparimit, thue se vertè ktà kan prekë qiellen me dorë per kah msimi e dija. Ardhë prej shkretívet të zharrituna t’Azís, na fla-sin mbí lirí; dalë prej bordeleve mâ të poshterm t’Europës, na predikojnë moralin.


III. Nuk kam nieri, që me u perkujdesë per të shndoshun tem. Kshtû, kujtojmë na, edhè Shqipnija, po ta pvesë kush: pse s’perparon, do të thotë: Hominem non habeo - nuk kam nieri, që të m’prîjë kah e mbara e e mira e qytetnija e vertetë - per nieri na ktû kuptojm njatà njerz, që mbajn autoritetin në dorë e gjinden në krye të Shtetit, të cilt, posë burrnijet, nderet, be-set, atdhedashunijet, pa të cilat nuk do të kuptohej nji nen-shtetas shqiptár, kan edhè nji nderim të thellë per parime fe-tare, nji kuptim të drejtë ndaj moralin, nji kulturë të gjanë e nji kompetencë teknike, të papiksueshme: që Shqipnín e mbajn per Atdhé, e jo per kush e di se shka tjeter; që per Shqiptár nuk mbajn nji çdo nieri, veç pse i thonë emnit Hasan a Ysen, Pandeli a Prokop, Prend a Mark; që e kuptojnë mirë punën, se Shqiptari atjè e ká Shqipnín, kû ká qifllekun, se muhaxhirve u do qitë buka, por jo me i vû zotshpijet në Shqipní, se rrugaçat, va-gabondat, pseudo-profesorat e pseudo-doktorat duen çue me thye gúr nder rruga, se bozaxhijt duhen lanë me shitë bozë, por jo me i çue me msue Filozofí, se âsht mirë, që atà, që sundojnë, ekonomí-kisht e financjarisht të perparojnë krahas me popull e në pro-porcjon t’aftsís s’vet vehtjake, e jo, djè në kambë, e sod m’automo-bil; djè pantallonat me gjyslykë, e sod në”smoking”; djè buken thatë, e sod barkun lodër me “kuzuiqi”, “imam bajalldi”, “tullumba”, “gjel prej furri”, “tash-qebab” etj., si me thanë: djè rezil, e sod vezir: njerz që dijnë se tjeter âsht financë e tjeter ekonomí; tjeter orjental e tjeter okcidental; tjeter ksulë e tjeter krye; se vetëm nji “redingot”, nji kravatë, nji palë tureçka të repuna, me nji palë mustakë të ndukun qimesh, si dý sterpika mereqepit nen hundë, nuk duen me thanë dije, qytetní.

IV. Veç shka se, tue thanë që Shqipnija s’ká nieri, nuk thomë, se në Shqipní nuk ká njerz të zott, që me i dhanë të mbaren popul-lit. Ká, po, Shqipnija njerz të vlefshem per politikë e admini-stratë; veç se shumica e atyne âsht lanë krejt mbas dore, e atà pak vetë sish, që populli i vuni m’pushtet, kû prej mndorjeve e kû prej kontaktit me do elemente refraktare çdo perparimit e qytetnímit të vertetë, mjerisht s’kan mûjtë me zhdrivillue të gjith aktivitetin e energjín e vet per dobí të popullit. I takon popul-lit, prá, me çilë sw t, me ja vû gishtin krés e me mendue mirë, se kujë do me ja lshue autoritetin e fatin e vet në dorë; pse per ndryshe hupë Shqipnija.

V. Për me u mbajtë nji Shtet m’kambë e me perparue, mbas mendimit tonë, duhen trí sende: nji njiní mirë e perkueme; nji organizëm shtetnor i arsyeshem, e nji kulturë omogjene. Njinín e perbán socjabiliteti i elementave, prej të cilve mbrûhet kombi; organizmin shtetnor t’arsyeshem e trajtojnë ligjët e preme mbas nevojve reale të kombit, që do t’i mbajë, e jo mbas egoizmit të sunduesve e mbas ligjve të kombeve të hueja; kulturen omogjene e mkambë nji moral omogjen me parime themelore mbas cilave ndertohet Statuti e vendohen ligjët.

VI. Por edhè dija nuk do lanë mbas dore. Perlimi i nji deputeti a delegati âsht nji perlim i randë e lypë mendje të hollë, kulturë të haptë e nji praktikë jete e rrjedhë fjale të madhe fort. Deputetsija âsht, jo, nji shajak që mund ta masë kuti, mund ta presë gershana e dokujdo. Ndokush mundet me kenë i mirë per bakall, terzí, tallaganxhí, senksér, msues, kopist.

VII. Në sw t’Atdheut nuk âsht çashtja që n’Asemblé të shkojë njani e jo tjetri; por çashtja âsht që mos të shkojn intrigantat, vagabondat, rrugaçat - rriqnat e popullit. Brumi i kombit shqiptár, si thamë sypri, në dashtë muhamedan, në dashtë kristjan t’jét, âsht i shndoshtë, e si atà që mbahen me parti qeveritare, si atà që perkrahin Opoziten, në ket brumë munden me gjetë mjaft burra të ndershem e të zott e punës: ktà le t’i zgjedhin e ktà mbasandej, si të shkojn n’Asemblé, në dashtë të mbahen me Qeverí, në dashtë me Opozitë. Burrat e ndershem kan me pá vetë se kah âsht e drejta, e kan me diejt se kah me ja mbajtë, mjaft që mbrendë mos të ketë piça, rrugaça, sallahana e intriganta të pa turp e mârre. Sistemi politik e administrativ i sodshem do shgulë me gjith rrâjë, per në daçim që Shqipnija të jetojë e të perparojë.
VIII. Të gjith politika e permbrendshme e nji shteti, mbas mendimit tonë, permblidhet mbí kto dý pika themelore: njiní autoriteti e bashkim interesesh. Por, per me u mbajtë shteti m’kambë mâ i fuqishem e mâ i perkueshem, posë interesesh të perbashkta, hinë edhè dy faktorë tjerë: njinija e kombsís e njinija e kulturës, e kshtû të gjith ndryshimi, që mund të ketë vend ndermjet elementash të nji shteti, rrjedhë vetëm a prej ndryshimit të kombsís, a prej ndryshimit të kulturës; pse, pa njiní autoriteti e bashkim interesesh, nuk mund të kuptohet nji shtet civil, si mbahet me kenë ky shteti i jonë shqiptár.
Romë, tetor 2011

No comments: