Tuesday, November 15, 2011
I ziu Enver çka hequr...!?
NEBIL ÇIKA
14/11/2011 Pa kaluar ende 20 vjet nga rënia “de jure” e diktaturës komuniste, duket se ka nisur një rehabilitim sa agresiv aq edhe djallëzor i figurës më kriminale të historisë së kombit e të popullit tone, diktatorit komunist Enver Hoxhës . Si pa kuptuar në gjysmën e fundit të këtij viti, që përkon edhe me ditëlindjen e diktatorit, 16 tetor, por edhe të partisë së tij 8 nëntor, dolën nga botimi tri libra që fokusojnë në mënyra të ndryshme figurën e tij por që kishin të përbashkët përveç kësaj edhe paraqitjen para publikut të një diktatori ndryshe nga ai që kanë njohur në të vërtet shqiptarët, sidomos ata që e kanë jetuar si të rritur diktaturën e tij. Blendi Fevziu, Arbër Xhaferi dhe Helena Kadare duket së kanë marrë përsipër misionin e vështirë por edhe djallëzor të retushimit të figurës kriminale të diktatorit shqiptar, një mision i cili nuk mund të jetë as i pavullnetshëm e as i paplanifikuar, pasi të paktën tre nga katër autorët, po ti llogarisësh bashkë çiftin Kadare, e kanë intuitën por edhe informacionin për të mos “gabuar pa dashje” në një çështje si kjo e përpjekjeve për rehabilitim të figurës kriminale të E. Hoxhës. Në veprat e tyre, autorët në fjalë, mes kujtimeve apo dokumentave të pa verifikueshme si të vërteta, mundohen ti sjellin publikut një Enver Hoxha të rafinuar në rastin e Fevziut , të kulturuar dhe tolerant në rastin e Kadaresë, të patriotit në rastin e Xhaferrit e të tjera cilësi e epitete që diktatori as i kishte e as i manifestonte. Momenti i fushatës së përpjekjeve për rehabilitimin e figurës se Hoxhës në prag të 100 vjetorit të pavarësisë është një tjetër argument që çon në përfundimin se kemi të bëjmë me një skenar të parapërgatitur e të llogaritur mirë ku duket se janë përfshirë gazetarë, shkrimtarë e politikanë të njohur nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe shtrirje gjeografike. Fevziu, një student i dhjetorit, gazetar afër Berishës dhe ish i përndjekur politik, H. Kadare gruaja e shkrimtarit më të njohur të realizmit socialist shqiptar dhe Xhaferri një nga politikanët më të njohur në elitat shqiptare në Maqedoni e Kosovë, plotësojnë trekëndëshin e duhur për të startuar rehabilitimin e diktatorit. E gjithë ideja e këtij skalioni të parë të “erës së re” enveriste në opinionin publik shqiptar është paraqitja e një Enveri tjetër, shumë i ndryshëm me atë që shqiptarët kanë njohur për 50 vjet si diktatorin e tyre duke theksuar hapur kontrastin me bashkëpunëtorët e tij përfshi edhe të shoqen Nexhmie, figura që sa vjen edhe nxihet më shumë. Duket se meraku i autorëve që kanë marrë përsipër rehabilitimin është vetëm krijimi i një figure sa të jetë e mundur më ndryshe më pozitive se ai që ka qenë në të vërtetë, e gjitha kjo e mbështetur mbi “dëshmi” sa të pa verifikueshme aq edhe të pa besueshme. Dëshmitë, provat dhe faktet e fytyrës se re të E. Hoxhës janë kryesisht kujtime të vetë autorëve si në rastin e zonjës Kadare ku ajo përshkruan një takim të çiftit me diktatorin ku ai paraqitet shumë i kulturuar, i këndshëm, tolerant madje edhe modern. E gjithë kjo e pa verifikueshme pasi është një bisedë kofidenciale gjatë një vizite familjare midis çifteve Hoxha dhe Kadare në shtëpinë e diktatorit. Fakti që askush jashtë interesave nuk mund ta provojë vërtetësinë e këtij përshkrimi në librin “Kohë e pamjaftueshme” e E. Kadaresë e bën këtë dëshmi për diktatorin sa të pabesueshme aq edhe të dyshimtë. Edhe faktet e Enverit të Fevziut mbështeten mbi kujtime e ditarë mbi vërtetësinë e të cilëve nuk mund të vihet ndonjë garanci. Madje për një prej ditarëve ai i A.P i pretenduar si dokument bazik nga Fevziu është aluduar për falsifikim edhe publikisht gjë që nuk është përgënjeshtruar as nga autori i librit e as nga pronari i ditarit në fjalë, një figure e njohur publike. Sa për Arbër Xhaferrin duhet thënë se Enveri i tij ka habitur dhe tronditur seriozisht opinionin publik shqiptar i cili nuk e priste një qëndrim të tillë prej njërit nga politikanët që pas Ibrahim Rugovës, vlerësohej si më seriozi në trojet shqiptare jashtë shtetit amë. Mendoj se pikërisht ky seriozitet në syrin e publikut e bën mendimin e Xhaferrit për Hoxhën shumë të rëndësishëm në fushatën e përpjekjeve për rehabilitimin e tij. Në Kosovë ka dhjetëra politikanë, zyrtarë të shtetit e akademikë te njohur si enveristë që nuk rreshtin së mburruri diktatorin, por ata janë aq të diskretituar publikisht saqë çdo dëshmi a mendimi i tyre do te bënte efekt të kundërt. Përgjigja e Xhaferit ndaj pyetjes së Enver Robellit, autorit të librit për të, me titull “Arbën Xhaferri rrëfen, në Tetovë në kërkim të kuptimit” duket e qëllimtë dhe djallëzore : “A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?: Enver Hoxha ka më shumë merita për Kosovën sesa për Shqipërinë. Në Kosovë atë e perceptonin si engjëll mbrojtës, si frymëzim, si person që është duke formuar shqiptarin e ri. Personalisht njoh shumë pak njerëz që kanë qenë antienveristë. Në Shqipëri, mbase me të drejtë, e konsiderojnë si satrap, i cili i ka shkaktuar fatkeqësi një brezi të tërë njerëzish të pafajshëm. Kësaj i thonë ironi e fatit. Ne që e kishim atë larg e idealizonim, ndërkaq ata që e kishin afër e nëmnin orë e çast”. Duket qartë që “Enveri i mire” i Xhaferrit synon opinionin publik shqiptar në Kosovë e Maqedoni që theksohet edhe në ndarjen që i bën figurës së diktatorit në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është e pafalshme për Arbën Xhaferrin që argumenti i tij për “meritat e Enverit në Kosovë të mbështetet vetëm në faktin se ai kishte takuar apo njohur shumë pak antienveristë në Kosovë. Mbase miqësitë dhe rrethet shoqërore të z. Xhaferri kanë qenë admirues të diktatorit gjë që nuk justifikon fajin që një politikan e intelektual si ai nuk e di apo nuk do të dije për krimet dhe dëmet që Hoxha i solli shqiptarëve kudo që ndodheshin ata. Nga masakra e Tivarit, lidhjet me komunistët jugosllavë e deri tek burgosjet dhe përndjekjet e të gjithë kosovarëve që vinin në Shqipëri gjatë diktaturës së tij, janë prova të mjaftueshme që çdo shqiptar i rëndomtë, e jo më një politikan i nivelit të Xhaferrit, të kuptojë rolin antishqiptar dhe sidomos atë kundër Kosovës të diktatorit dhe krejt makinës shtetërore kriminale të tij. Por ndërsa në trojet jashtë Shqipërisë këtë rol po e bëjnë Xhaferri dhe të tjerë në Shqipëri siç thamë më lartë janë thirrur apo janë angazhuar të tjerë protagonistë. Dua të theksoj se cilësi të veçanta të autorëve të këndvështrimeve të reja për Hoxhën ndoshta kanë përcaktuar edhe përzgjedhjen e tyre në këtë fushatë. Kadaretë për një periudhë 20-vjeçare janë munduar pa sukses të dukshëm të pastronin veten e tyre nga njollat e lidhjeve me diktaturën dhe diktatorin në kuadër të përpjekjeve të dëshpëruara të I. Kadaresë për të mbërritur tek çmimi “Nobel”. Disa herë ka pasur akuza e replika midis dy familjeve dhe përkrahësve të tyre që kulmojnë me dëshmitë komprometuese të Nexhmie Hoxhës dhe kundërshtimit të tyre nga Kadare. Mirëpo duket se Kadare e ka mbledhur mendjen se nuk ka asnjë mundësi të mbërrijë te mrekullia “Nobel” dhe po përpiqet të riformatojë raportin me diktatorin dhe njerëzit e tij duke prurë një vështrim tjetër për të nëpërmjet zonjës Kadare të njëjtë me atë që ia kishte shkruar e botuar në vitin një 1996. Shikoni vetë si e përshkruan diktatorin më të egër të Evropës komuniste zonja Kadare në librin me kujtimet e saj “Kohë e pamjaftueshme”: “Përshtypja ime personale nga ai takim, përveç shtëpisë që mu duk modeste dhe pa salltanetet që unë, si shumica e bashkëkombësve të mi, i përfytyronim ndryshe, ishte sjellja e tij tepër e kulturuar dhe e njerëzishme. Gjatë takimit që zgjati gati tri orë, nuk pati asnjë shenjë, sado të tërthortë, prepotence apo shfaqje të gjesteve e mënyrës së të folurit me parrulla dogmatike, që ishte aq e njohur për udhëheqësit komunistë, gjë nga e cila edhe po të donin, nuk shkëputeshin dot (Vite më pas, në Paris, kur lexova librin e Simone Signoret-së “La nostalgjie nest plus ce quelle etanit”, u habita kur gjeta këtë mendim, lidhur me takimin e saj e të Ive Montand-it e Titon, gjatë vizitës së tyre në Jugosllavi: Titoja tregonte duke bërë shakara, shkruante ajo. E pra, ai Tito, që të gjithë e njihnin për njeri të dorës së fortë e të përmbajtur).
Në shtëpinë e Enver Hoxhës, ku ne u gjendëm, një njeri i jashtëm, i rënë aty nga një botë tjetër, që nuk e dinte se çishin këta dy njerëz, do të mendonte se ishin dy intelektualë, nga i njëjti qytet, madje nga e njëjta lagje, që flisnin për qytetin e tyre të lindjes, për çështje që lidheshin me prejardhjen e gjuhës shqipe, si dhe për një qytet tjetër, Moskën, atje ku kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë. Përshtypja tjetër ishte zgjuarsia e tij. Ndryshe nga hera e shkuar, kur e kisha dëgjuar të fliste atje, në takimin me shkrimtarët e artistët, në një nga pushimet e seancave të Kongresit të shkrimtarëve dhe që mua më qe dukur si i fjetur, këtë herë ai mu duk jashtëzakonisht inteligjent dhe i përzemërt. Fliste bukur, me një figuracion të pasur e të saktë, karakteristikë kjo e gjirokastriteve, që e kisha njohur nga hallat e mia fjalëshuma, e sidomos nga fisi i Kadarenjve më pas. E. Hoxha kishte po atë kolorit të pasur kur tregonte kujtime nga Gjirokastra, si për shembull, futjen për herë të parë të llambave me vajguri për ndriçimin e shtëpive, ose ngjarje nga Moska, siç qe darka në Kremlin, në prag të mbledhjes së famshme, si dhe nata që e pasoi, ajo që Is e ka përshkruar te “Dimri” si “Nata e zimave të zinj”. Gjatë bisedës, Is pothuajse nuk ndërhyri. Një herë që deshi ta bënte këtë, u pendua, siç më tregoi në kohën që po ktheheshim në shtëpi. Nuk më kujtohet përse qe fjala dhe Is tha “jam dakord me ju” dhe aty për aty e kishte kuptuar që kishte bërë një gafë. I thuheshin vallë fjalët “jam dakord me ju” njeriut që nuk ishte mësuar kurrë që bashkëfolësi ta kundërshtonte ose të mos ishte në një mendje me të? Kulmi i rafinimit në këtë takim na u dukën të dyve fjalët e të zotit të shtëpisë, pas dhurimit të botimit komplet të “Komedisë njerëzore” të Balzakut në frëngjisht. Ai i tha Is se kishte mundësi që të mos e çmonte fort Balzakun, ngaqë shkrimtarët e rinj kanë prirje për letërsinë moderne, kështu që, pa dashur të ndikonte në shijet letrare të Is, i kërkonte ndjesë që po i dhuronte një shkrimtar klasik, që ai e donte shumë, për shkak ndoshta edhe të moshës… Një tolerancë e tillë ishte e papërfytyrueshme në Shqipërinë e vitit 1971, në vendin e ashpër stalinist, ku vetëm për leximin e letërsisë moderne mund të përfundonte në burg, pale pastaj për pëlqimin e saj”.
Vini re konstatimet e Helena Kadaresë në vizitën në vilën e diktatorit.
1- Modest “ .... modeste dhe pa salltanetet”.” Pra familja diktatoriale jetonte thjesht afër standardit të popullit dhe jo në luksin që është akuzuar nga shumica e atyre që kanë shkruar për të deri tani, një mshtrim që nuk ka shqiptar të lindur në atë periudhë ta besojë.
2- I njerëzishëm “.... sjellja e tij tepër e kulturuar dhe e njerëzishme”. Hoxha i njerëzishëm?! Në këtë përfundim nuk mund të dalë askush që ka jetuar në Shqipëri gjatë sundimit të tij, pasi është tashmë i njohur sadizmi i tij sidomos tani pas daljes në dritë të një pjese të të vërtetave. Edhe sikur ti ishte dukur atëherë “i njerëzishëm“, çifti Kadare në këto 20 vite ka pasur mundësinë për ta verifikuar “njerëzillëkun” e Hoxhës gjë që u heq atyre çdo mundësi justifikimi për këtë përcaktim të diktatorit.
3- Tolerant “ ... Një tolerancë e tillë ishte e papërfytyrueshme në Shqipërinë e vitit 1971, në vendin e ashpër stalinist, ku vetëm për leximin e letërsisë moderne mund të përfundonte në burg, pale pastaj për pëlqimin e saj”.
Me pak fjalë Enver Hoxha, sipas Helena Kadaresë ishte: Modest, i njerëzishëm dhe tolerant, cilësi që të tria bashkë do ti kishin zili edhe figurat më fisnike e demokratike të botës e jo më një diktator kaq pervers sa Hoxha. Ketë përcaktim të Helenes e pranon publikisht edhe Ismaili kur i thotë B. Fevziut për të vërtetën e këtij takimi. “Ka dy rrëfime.... ato që ka thënë ( Helena) janë të vërteta, ato që kam thënë unë për ato që tha ai, po ashtu janë të vërteta”.
Duket se ka një ndërthurje apo bashkëpunim ndoshta të rastësishme midis Kadaresë dhe Fevziut në lidhje me këtë fushatë rehabilitimi të E.Hoxhës që u dekonspiruan në intervistën e organizuar para pak ditësh në “Klan”. Fevziu e pyeti Kadarenë për homoseksualitetin e përfolur të diktatorit gjë nuk u pranua nga shkrimtari me arsyetimin se nuk e kishte trajtuar këtë ves të Hoxhës për faktin se mund ta bënte interesant. “Kjo gjë, jo vetëm që si bën dëm, por ka mundësi të krijojë simpati për të në Evropën e sotme. Sepse kjo të jep idenë e një njeriu të ndryshëm, që ka guximin ti kapërcejë tabutë. Ky thashethem nuk është përhapur aq shumë, sepse nuk është marrë me seriozitet. Por, për aq sa është përhapur njerëzit thonë: Po mirë, paska qenë interesant”. Por këtë gjë I. K ia tha Fevziut i cili në librin e tij “Enver Hoxha” e ka trajtuar këtë punën e homoseksualit duke cituar Arshi Pipën: “O bandill të lumtë bitha,/Ajo i shpjegon të gjitha!/Çduhen dituri e mend/ Kur njeriu ka fatin tënd!” Fakti që Fevziu ka deklaruar se ky libër është shkruar me synimin për tu botuar jashtë Shqipërisë sipas logjikës së Kadaresë e transformon akuzën për homoseksual që Fevziu i bën diktatorit nga ves e antivlerë, në vlerë dhe interesim ndërkombëtar. Kështu që edhe ky gjykimi Kadaresë vërteton edhe një herë dyshimin se libri i Fevziut për Hoxhën synon rehabilitimin e tij. Aktualisht në këto momente kemi të paktën tri versione apo këndvështrime për Enverin që përpiqen të sjellin një fytyre tjetër të tij në 100 vjetorin e pavarësisë: Enveri sipas Fevziut. Enveri sipas Kadaresë dhe Enveri sipas Xhaferrit. Ashtu si autorët e ungjijve për Krishtin edhe këta duket se janë përzgjedhur e synojnë glorifikimin e Hoxhës një proces që në start ngjan i suksesshëm. Njoftimit për shitjen në dy tre ditë të 20 mijë librave të Fevziut dhe shtypjes së 20 mijë të tjerëve përbën një rekord të ri kombëtar të shitjes së librave të mbajtur deri tani nga vetë personazhi i librit Enver Hoxha veprat e të cilit përpiheshin nga lexuesit si në rastin në fjalë. Pa tjetër që mes tre “dishepujve” që përmendëm më lartë Fevziu duket ai që ka marrë barrën më të rëndë. Me petkun spekulativ të ish të përndjekurit politik, studentit të dhjetorit dhe gazetarit të pavarur të tria statuseve shumë të dyshimta të tij. Këto cilësi të Fevziut zgjedhin edhe gazetarët kur theksojnë rëndësinë e të shkruarit të këtij libri prej Fevziut që konkretizohet saktë në ketë analizë të botuar në Panorama nga R.Q: “Ndryshon kryekëput vepra origjinale e Blendi Fevziut. Edhe pse dihen vuajtjet e familjes së Fevziut në diktaturë, ai është shkëputur nga mllefi, inati, hakmarrja dhe zakone të tipit “ta tregoj unë kur të shkruaj historinë”. Gjithsesi kjo kryqëzatë për rehabilitimin e Hoxhës është e ndihmuar dukshëm edhe nga kushtet e interesat politike. Mos zbardhja e krimeve të komunizmit i ka dhënë mundësi autorëve në fjalë të spekulojnë e të manipulojnë rreth figurës më të zezë në historinë e kombit e popullit tonë. Një hapje e mundshme e arkivave sekrete dhe zbardhjes së krimeve të komunizmit do të na mundësonte jo vetëm të vërtetën e plotë mbi diktatorin dhe diktaturën por edhe për arsyet përse Fevziu , Kadareja, Xhaferri e të tjerë janë detyruar të përfshihen në një fushatë bashkautorësh, ndoshta edhe kamikazësh, sicc është kjo përpjekje për rehabilitimin e Hoxhës. Kjo histori më kujton batutën e një të njohurit tim në kohën e diktaturës që, kur donte të shante zyrtarët komunistë lokalë pasi i denigronte për ti shpëtuar ndonjë akuze bërtiste me zë të lartë frazën standard: I ziu Enver çe gjeti”. A nuk po bëjnë edhe këta pikërisht këtë duke e distancuar” për mirë” në veprat e tyre figurën e diktatorit nga komunistët apo bashkëpunëtorët e tjerë në krimet e diktaturës.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment