Friday, November 18, 2011

KGB, në zemër të Vatikanit. një vështrim në arkivat e KGB-së

Është një hyrje në arkivat e KGB-s, të cilat në vitin 1991 dhe 1992 u hapën fshehtas për kërkuesit, veçanërisht për rusët. Ata janë dhe udhërrëfyesit tanë për zbulime të bazuara në dokumente të një origjinaliteti të padiskutueshëm. Por, mjerisht kapaku u mbyll dhe, përveç kësaj, në këtë çast të privilegjuar, botimet perëndimore me tirazh të madh nuk u bëjnë jehonë këtyre zbulimeve që konfirmojnë atë që ekspertë të rrallë deklaronin aty këtu dhjetë vjet më parë në Perëndim. “KGB, në zemër të Vatikanit” është libri i Daniele dhe Pierre de Villemares, i cili vjen në shqip nga shtëpia botuese “55” nën përkthimin e Miço Guberës.

“Në vitin 1992, udhërrëfyesi ynë, me të cilin diskutonim për këto dosje me ngjyrë të gjelbër, deri tani të vulosura dhe të stampuara “sekret” ose “tepër sekret”, është P. Vasiliev, gazetar i agjensisë Argumenty i Fakty(fakte dhe dokumenta) i cili nuk do ti mbijetojë kthimit në fuqi të shërbimeve sekrete në vitin 1995, kur Shën Peterburgu nxori Vladimir Putinin, për të marrë në dorë ish KGB-n dhe atë të renë”. Dhe ja, tek autori i këtij libri vijnë edhe prifti ortodoks Gleb Jakunini dhe vëllai bashkfetar i tij, Aleksandër Ogorodnikov. Të tre vërtetonin dhe shpalosnin, me laps në dorë, atë që, nga ana e tij, Vladimir Bukovski u zbulonte Perëndimorëve për planin e dytë politik, atë të padukshmin, të diktaturës sovjetike. Një nga pjesët e këtij plani gjendet brenda dosjeve të departamentit të 4-t të drejtorisë së 5-të të KGB-s, pra të atij që ishte ngarkuar me çështjet “e klerit” dhe aktivitetet e spiunazhit dhe të dezinformimit, me qëllim përçarjen e Kishave, për ti kontrolluar nga brenda, në pamundësi për ti shkatërruar plotësisht. Mbifluturimi ynë përfshin, me paramendim, vitet nga 1967 deri më 1989, për arsye se të kësaj periudhe janë edhe dosjet për pjesën më të madhe të prelatëve që janë në funksione deri në vitin 2005 dhe që kontrollojnë, si hierarkë të Kishës ortodokse, popullsi që, pas tre çerek shekulli vuajtjesh dhe persekutimesh, vazhdojnë të besojnë dhe të praktikojnë fenë e tyre. Nga viti 1919 deri në vitin 1929, Kisha ortodokse ka qenë tabela e madhe e qitjes për Çekën, pastaj për Gëpëunë, pastaj për NKVD, sepse besimtarët ortodoksë përbënin pjesën më të madhe të popullsisë në vend. Por, duke filluar nga viti 1930, edhe Kisha katolike, pastaj ajo protestante, pastaj myslimanët, budistët, të gjithë kanë kaluar nën rulin shtypës të policisë sekrete. Por le të shohim “punën”, ashtu siç del nga raportet e përmuajshme të departamentit të 4-t, sipas stilit të tij, e që sintetizon aktivitetet e agjentëve të NKVD-s kundër Kishës, në BRSS dhe në botë. Ka disa fragmente që hedhin dritë mbi “punën” e tyre, nga njeri vit në tjetrin.

1967: “Gjatë mbledhjes së Komitetit qendror të Këshillit ikumenik të Kishave, që u mbajt në shtator në Kretë, agjentët tanë “Sviatoslav”, “Voronov”, “Antonov” dhe të tjerë kanë marrë fjalën për të dënuar aktet e agresionit të Shteteve të Bashkuara kundër Vietnamit, si dhe të Izraelit kundër Lindjes së Mesme…”

1969: “Rrjeti ynë ka arritur të vendosi agjentin “Kuznecov” në një post drejtues të Këshillit ikumenik të Kishave. Agjenti “Pavël” është përkrahur nga funksionarë të lartë të Kishës ortodokse ruse dhe është dërguar në Irkuck…”.

1982: “Aktualisht, 229(në vend të 220 në vitin 1981)anëtarë të Kishës janë në burg. Tetëmbëdhjetë(nga 24 që ishin në vitin 1981) janë internuar. Më shumë se 2500 operacione janë zhvilluar kundër elementëve armiqësorë në gjirin e kësaj kategorie qytetarësh, duke patur parasysh se në vitin 1981 janë kryer 2225 të tilla. Në saje të këtyre operacioneve, Kishat ortodokse ruse, gjeorgjiane dhe armene vazhdojnë të mbajnë fortë pozicionet e tyre në mbështetje të pushtetit…”.Firmosur: kolonel Romanov, zëvëndëskryetar i degës së 4-t.

1983: “Në Moskë dymbëdhjetë të huaj marrin pjesë në një takim me përfaqësuesit e shtypit të Botimeve të Patriarkatit të Moskës. Agjentët “Abat” dhe “Grigori, politiksht kanë patur ndikim të madh…”Firmosur; kolonel Romanov, kryetar i degës së 4-t.

1987: “Agjenti Potemkin ka marrë pjesë në mbledhjen Komitetit Qendror të Këshillit ikumenik të Kishave në Republikën federale gjermane dhe ka siguruar informacione për shtabin e përgjithshëm të kësaj organizate. Në bashkëpunim me miqtë tanë të Republikave Popullore të Bullgarisë, Hungarisë, Gjermanisë, Kubës dhe Çekosllovakisë, për aktivitetet e informacionit dhe spiunazhit në Konferencën kristiane të Paqes, janë caktuar shokët Shirokopoja dhe Spiridonov. Dymbëdhjetë agjentë të Sigurimit të Shtetit janë dërguar me mision…Përpjekjet për provokacione kundër vendeve socialiste janë eleminuar. Ndryshime të kuadrit të papërshtatshëm janë kundërshtuar. Zgjidhje përfundimtare në favor të politikës tonë janë janë miratuar…”.Firmosur; kolonel Timoshenko, kryetar i degës së 4–t.

1988: “Për herë të parë, agjenti Adamant, hierark i Kishës ortodokse, ka marrë pjesë në sesionin e përgjithshëm të Uneskos, në përbërje të delegacionit sovjtik…Janë shqyrtuar rastet e pesë agjentëve të rekomanduar për tu zgjedhur në krye të Kishës ortodokse ruse…”.Firmosur: kolonel Timoshenko, kryetar i degës së 4-t.

1989: “Për të punuar në degën e shtypit, të patriarkatit të Moskës është caktuar agjenti Vili…Gazeta Slovo, botohet nën kontrollin e rrjetit tonë dhe shpërndahet në mjediset që janë pranë Kishës…”. Firmosur: kolonel Timoshenko.



Fjalorth i vogël i agjentëve sipas pseudonimeve

Ja cilët janë pjesa më e madhe e emrave të vërtetë dhe roleve të këtyre personazheve, sipas arkivave të KGB-s.

“Antonovi”, i përmendur në vitin 1967 nuk është asgjë më pak se Monsenjor Filareti i Kievit.

“Abati”, i përmendur në vitin 1983, është Monsinjor Pitrini, nr.2 i Patriarkatit të Moskës.

“Adamati”, i përmendur në vitin 1988 është Monsinjor Juvenali i Moskës, për të cilin Bernard Lekomt më 7 maj 1992, në Express shkruante se ai ishte nr.4 në hierarkinë e lartë të Kishës ortodokse. Të cilën e vërteton edhe miku ynë Ogorodnikov. “Pavli” është Monsinjor Metod de Voronezh. “Ostrovski” është Monsinjor Filareti i Minskut.

Kështu mund të vazhdonim të përmendnim dy dyzina, roli i të cilëve tregon se, nga viti 1919 deri në vitin 1929, kjo Kishë ka qënë vazhdimisht dhe tërësisht nën kontrollin e KGB-s, për të arritur pak më vonë apogjeun, me njerin prej agjentëve të saj më të mirë: Aleksi II që u bë Patriarku më i lartë në vitin 1990.

Aleksi II-t quhet Aleksis Ridizher. Ai ka lindur më 23 shkurt 1929 në Talin, Estoni, nga Mihail dhe Helena Pisareva, që kishin emigruar nga Petrogradi në Estoni pas vitit 1918. Studimet fetare Aleksi i ka kryer në Talin për dy vjet. Ai shërbeu në kishat e Estonisë pastaj, në vitin 1947 hyri në seminarin e Leningradit, gjë për të cilën nuk u habit askush kur u zbulua se ai ishte nën ndikimin e NKVD-s. Dhe në vitin 1958, në moshën 29 vjeç, Aleks Ridixher bëhet prift i nivelit të lartë të hierarkisë. Pastaj shërben në Uspenki, në BRSS. Në vitin 1961 autorietet e dërguan në Talin, si peshkop(2). Arkivat e KB-s na thonë se në vitin 1958 ai ishte rekrutuar përfundimisht nga zyra e 4-t e drejtorisë së 5-të të KGB-s me pseudonimin “Drezdov”, me mision të përhershëm të zbulonte elementët armiqësorë antisovjetikë midis klerikëve. Në dokumenta shënohet se ai “është një agjent energjik, i përpiktë, e që di të vendosi lidhje”. Në saje të njohjes dhe përsosjes së gjuhës gjermane, ai u bë pjestar i delegacionit fetar që u dërgua në vendet perndimore në përkrahje të ikumenizmit.

Aleksi II-t, patriarku më i lartë i Kishës ortodokse ruse, u ka shërbyer mirë zotërinjve të tij dhe në vitin 1988 ai është kolonel i KGB-s me diplomë nderi për shërbimeve operacionale dhe kërkime. Mik i afërt i Vladimir Putinit( që nga viti 2000, president i Rusisë) Aleksi II-të në vitin 2003 është dekoruar nga presidenti i Estonisë, Rutel, me medaljen “Marjama” të klasit të parë, që është dhe dekorata më e lartë e vendit. Është e vërtetë se presidenti Rutel, është ideologu i vjetër i partisë komuniste estoneze dhe se një vit më parë ai është parë në Moskë, në katedralen Saint Sauveur, për Pashkët e vitit 2002 dhe koloneli i KGB-s Putin e gradon mikun e tij Aleks, kolonel të KGB-s.



Besimtarë me gjithë persekutimet

Ata, për luftën e të cilëve, në emër të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, ne do të flasim më poshtë, nuk e kanë dëgjuar kurrë dhe as i kanë lexuar thirrjet për ndihmë, si ato të klerit katolik të Lituanisë, i cili në vitin 1967 shkruante: “Ne do të ishim të lumtur në qoftë se do të kishim lirinë që gëzojnë të Zestë e Amerikës. Kenedi dhe disa kardinalë kanë ndërhyrë në përkrahje të çifutëve. Ndërsa për ne asgjë!” Ata nuk e dinë apo nuk duan të dinë se liritë fetare nuk u vunë në shënjestër dhe nuk filluan me “luftën e ftohtë”, që nisi në vitin 1948, por që më 10 maj të vitit 1922, pas një letre sekrete të Vladimir Iliç Leninit, ku u kërkonte çekistëve “ta shkatërroni plotësisht Kishën ortodokse ruse”, përpara se të shtrihet edhe ndaj besimeve të tjera.

Lenini kishte ngarkuar V.Molotovin që ta lexonte por të mos ua shpërndante anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. Ai vetëm do tu shpjegonte mënyrat dhe metodat që do të përdoreshin “për të eleminuar sa më shumë priftërinj dhe borgjezë, në një periudhë sa më të shkurtër”! Të eleminoheshin fizikisht sepse ai përcaktonte se “sa më shumë të ekzekutojmë nga këta reaksionarë, më mirë do të jetë”!

Megjithatë, shtatëdhjetë vjet më vonë, Kostandin Harçev, ministër i kulteve, në kohën kur Mihail Gorbaçov përpiqej të krijonte besimin se komunizmi mund të reformohej deri sa të bëhej i pranueshëm, në vitin1988 do të deklaronte: “Për sa i përket kontrollit mbi klerin dhe mbytjes së iniciativave të tyre, këtë e kemi realizuar më mirë nëpërmjet peshkopëve dhe priftërinjve”. Por ai shtonte se “në qoftë se partia kontrollon aparatin klerikal (të Kishës ortodokse) atëherë ne do të humbisnim kontrollin mbi besnikët e tij”. Pra, në vitin 1988, partia dhe çekistët e saj, megjithë represionin, gjendeshin në situatën e vitit 1937, kur gjatë regjistrimit të popullsisë, një pyetësor i kërkonte çdo qytetari: -A jeni besimtar?Çfarë besimi kini?

Në ato kohë BRSS jetonte nën terrorin e organizuar nga Jagoda, i shumëfishuar më pas nga Jegovi, të dy pasardhës të Xherxhinskit. Dhe në fund të regjistrimit u vu re se, në shtator 1937 më shumë se 60% e Rusëve e deklaronin besimin e tyre fetar dhe lidhjen shpirtërore me Kishën ortodokse. Pa pritur, me një dekret të nxjerrë më 25 shtator 1937, rezultatet e regjistrimit u anuluan dhe u zhvilluan përsëri më 17 janar 1939, por këtë herë pa atë pyetësorin për besimin fetar.

Kështu, me gjithë persekutimet, internimet, arrestimet, burgosjet pasi liheshin të lirë, me gjithë zhvendosjet e popullsive që ishin piketuar, midis viteve 1930-1937, të më shumë se 700 000 rusëve të rajoneve perëndimore të BRSS-s me qëllim që ti shpërndanin familjet deri në Azinë qendrore, të krishterët i qëndruan besnikë Kishës së tyre dhe patën guximin që këtë ta pohonin. Të njëjtin qëndrim mbajtën dhe të dhjetë milionë katolikët që kishte atëherë vendi, sipas vlerësimeve tona, duke u bazuar tek regjistri i emigracionit. Natyrisht këto shifra janë të diskutueshme, por sigurisht me një gabim nga 3 deri në 5%.

Pra, në vitin 1937, situata e detyronte komunizmin sovjetik të përdorte të tjera metoda. Ashtu siç shkruan R.P. jezuit Ulis Floridi në vitin 1937 në veprën Moska dhe Vatikani(6): Fillimisht komunistët u përpoqën të shkatërronin Kishën, duke goditur priftërinjtë. Sot ata përpiqen ta shkatërrojnë duke zgjedhur priftërinj të padenjë, me qëllim që ta kenë në kontroll”.

Kjo “Sot” nuk ka filluar në kohën kur R.P.Floridi kritikonte Ostpolitikën që bëhej në emër të Vatikanit nga Monsenjor Agostino Kasaroli, gjatë viteve 1970, duke predikuar një dialog me Moskën, e që shpeshë herë shndërohej në monolog, pa arritur të pengojë represionet sovjetike, por që nga viti 1920. Një iluzioni i vazhdueshëm se duke iu kundërvënë lirishtë BRSS-s, kjo “do të shkaktonte” ngurtësimin e Kremlinit kundër besimtarëve për dhjetra vjet. Monsinjor Kasaroli, sëbashku me miqtë e tij, shkonte deri atje sa të mohonte Enciklikën Divini Redemptoris të Piut të IX, sipas së cilës komunizmi ishte “Në thelb i mbrapsht”. Po ashtu si kancelaritë perndimore dhe amerikane, ai i përmbahej fortë parimit që qeveria e Moskës ishte e ngjashme me cilëndo qeveri tjetër. Një parim i deklaruar i Eduard Harriotit ky, kur kishte shkuar për vizitë zyrtare në BRSS, në vitin 1933. Të çuditshmin dhe guximtarin, Monsinjor Nëvë, i cili, për tridhjetë vjet ka arritur të qendrojë në Bashkimin sovjetik, për të mbrojtur miqtë e tij katolikë dhe ortodoksë, Harrioti e pyeste: “Me të vërtetë Gëpëuja ka atë ndikim dhe rëndësi që i japin?” Ndërkohë që ai e quante pengesë të pakapërcyeshme policinë sekrete të Stalinit.

Monsinjor Nëvë nuk di si të përgjigjet. Në Kujtimet e tij ai shkruan: “Unë mbeta i shastisur nga injoranca e një politikani të tillë, i cili mbante si pojakë trima njerëzit që, në realitet, kontrollojnë gjithëçka në vend, duke përfshirë madje dhe partinë komuniste”.

Vetëm një njeri zgërdhihej me vizitat në BRSS të Eduard Herriotit dhe miqëve të tij parlamentarë: Aleksandër Poskrebiçev, për të cilin pjesa më e madhe e historianëve nuk dinë akoma, as në vitin 2005, se kjo krijesë e Stalinit pas vitit 1922, ishte pjesë e kabinetit të tij, si drejtor i Ossobo Odtiel, e ashtuquajtura O.O. policia e policive, me një rrjet sekret deri brenda GPUNKVD. Syri që vëzhgonte se si kryheshin represionet kundër qytetarëve sovjetikë, dhe kryesisht kundër besimtarëve fetarë.

Deri në vitin 1953, Poskrebiçevi ka qenë njeri nga organizatorët kryesorë dhe manipulatorët e spastrimeve në parti, dhe në “organet” e saj në të gjithë vendin. Por kançelaritë e botës së lirë dhe prelatët e mëdhenj, të preokupuar që ta merrnin me të mirë Stalinin dhe pasardhësit e tij, i kanë nënvlerësuar vazhdimisht këto fakte. Diplomacia triumfonte përballë mbrojtjes së të persekutuarve.

Më vonë, kundërshtarët e Vatikanit do ta qortojnë atë, megjithëse me vnesë, se kishte heshtur për barbaritë naziste që vazhduan dymbëdhjetë vjet, por po ata kundërshtarë nuk e ngritën zërin kurrë gjatë gjashtëdhjetë e tre vjetëve kundër barbarive sovjetike.



Çeka në frontin antifetar

Zoti është armiku vetjak i shoqërisë komuniste, shkruan Lenini, duke u rekomanduar kuadrove të tij të mos e kufizojnë veprimtarinë e tyre vetëm brenda një predikimi ideologjik abstrakt. Dhe ai ngarkon Çekën, pararoja dhe shpata e revolucionit botëror, të vërë në zbatim programin e tij të terrorit revolucionar, si kundër besimtarëve edhe kundër reaksionarëve dhe deviatorëve. Një punë shumë e madhe, sepse në vitin 1917 Kisha ortodokse ruse, shtyllë e regjimit carist, kishte tetëdhjetë e shtatë milionë besimtarë, kishte ndikim të madh mbi arsimin dhe mbi pjesën më të madhe të veprave të bamirësisë, por kishte edhe pasuri të mëdha, toka dhe ndërtesa. Ajo e kishte pritur me indiferencënë rënien e Romanovëve, madje në shkurt të vitit 1917 ajo kishte pranuar të bashkwpunonte me revolucionarët. Çeka shfaqet në dhjetor. Rreth krijuesit të saj, Feliks Xherxhinskit, në këtë kohë, në fillim të vitit, kishte vetëm shtatëmbëdhjetë komisarë. Dhjetë muaj më vonë ata bëhen 37 000 dhe në vitin 1919, 262 000. Të gjitha tokat, edhe ato të Kishës u shtetëzuan. Më pas vazhdohet me arsimin. Kisha u nda nga Shteti. Shkolla u nda nga Kisha. Pagesat e priftërinjëve u hoqën. Kisha nuk ka më jetë juridike. Në korrik të vitit 1918, Kushtetuta shpall lirinë e propagandës fetare dhe antifetare. Hipokrizi supreme sepse Kisha realisht nuk ka asnjë mbështetje materiale që të ketë mundësi të përhapi mësimet e saj. Në të njëtën kohë, njësitë e Çekas, që shoqërojnë ushtrinë e kuqe nga viti 1919 deri në vitin 1921, për të mbaruar punë me të “bardhët”, dhe kundërrevolucionarët e tjerë, arrestojnë, pushkatojnë, dhe interrnojnë njëzetë e pesë peshkopë dhe arkipeshkë, pushtojnë apo shkatërrojnë 673 manastire, nga 1073 që ishin, dhe ekzekutojnë 40 000 klerikë.

Një zi e madhe buke shkatërron vendin, nga rajonet ballte në Ukrainë. Patriarku i Kishës ortodokse atëherë bën një thirrje për mbledhje ndihmash për të prekurit nga kriza e bukës. Për të financuar aksionin e tij, ai shet disa objekte të çmuar që ndodheshin akoma në kishat që kishin mbetur, gjë që i dha një popullaritet të madh. Çeka dhe Lenini e sulmuan nëpërmjet shtypit, duke i akuzuar të krishterët se jetonin mbi pasuri, ndërsa populli vdiste urie. “Ne do ta shkatërrojmë pa mëshirë klerin reaksionar”, siguronte Lenini. Megjithatë represionet më të mëdha do të ndodhnin në fund të rezistencës së besimtarëve.





Vatikani një fole spiunësh?

Rreth fundit të viteve 1930, shtypi ndërkombëtar përmendte shpesh herë vende si Suedia, Zvicra, apo Turqia duke i cilësuar “fole spiunësh”. Dhe, në fakt, në periudhat e tensionit, shtete që u ngjajnë ishujve të paqes shpeshë herë ofrojnë vendet e tyre, për takime apo ballafaqime pak a shumë të fshehta ndërmjetë atyre që krahas luftës së hapur zhvillojnë dhe një luftë në prapaskenë. Pas vitit 1936 (lufta e Spanjës), në vitin 1937 (të nesërmen e Enciklikës papnore Mit Brennender Sorge, që dënonte të gjithë totalitarizmat) dhe 1938 (marrëveshjet e Mynihut) kësaj liste i shtohet dhe Shteti i Vatikanit. Kjo për arsye se Kisha katolike, apostolike dhe romake rrezaton mbi të gjitha kontinentet, me shërbimin e saj prej mijra priftërinjë e prelatë, si dhe me qindra milionë besimtarë që dëgjojnë dhe zbatojnë predikimet e pastorëve të tyre. Mirëpo në këto kohë, në skenën botërore imponohen dy totalitarizma: ai i nazizmit dhe ai i sovjetikëve.

Si njëri edhe tjetri mendojnë se Roma gjithnjë e më shumë bëhet pengesë në luftrat e tyre për një rend të ri. Në marrëveshje apo jo me Hitlerin, drejtuesit nazistë, duke filluar nga Himleri, mjeshtri i madh i shërbimeve policore dhe informative të partisë, tek Kisha katolike shohin një armik të ri për Evropën e tyre të re, sidomos kjo për arsye se partitë e vjetra të qendrës qendrojnë akoma në hije por që kishin mbështetje në mjediset ushtarake, sidomos në Abver, shërbimi informative i ushtrisë, njeri nga bastionet e fundit të Gjermanisë tradicionale, përballë një Gjermanie që i ishte nënshtruar perandorisë së një partie të vetme.

Reinhard Haidrihu, që vinte pas Himlerit në hierarkinë naziste, nuk pushon së ankuari për punën e pamjaftueshme të ambasadorit të Raihut në Romë, Diego von Bergen, i cili nuk i dërgonte asnjë informacion të rëndësishëm dhe të dobishëm për Vatikanin. Dhe ai ngarkon Hainrih Mylerin, ndihmësin e tij në drejtimin e Gestapos, që të organizojë një seksion që të merret me futjen e njerëzve të tyre në mjediset katolike të Gjermanisë duke u përpjekur të depërtojnë deri në selinë e Vatikanit. Myleri kënaqej duke u marrë me këtë punë. Gjatë kohës që ishte në majë të Gestapos, në Bavierë, ai tregonte një urrejtje të madhe ndaj mjediseve katolike. Sapo u vu nga Himleri në krye të Gestapos, pas vitit 1934, Myleri u mbështet tek njeri prej ndihmësve të tij në drejtimin e Amt VII (seksioni fetar i aparatit që mbulohej nga Haidrihu), Alfred Hartl, për të infiltruar disa agjentë në Romë dhe në shtetin papnor. Një “punë” efektivisht e vënë në lëvizje në vitin 1938, edhe pse të tjerë njerëz të rëndësishëm nazistë merreshin nga ana e tyre me atë çshtje. Kështu mareshalli Gering kishte autoritet mbi shërbimin informativ të Luftvafes, dhe instalonte kudo ku mundej sisteme përgjimi të një teknologjie shmë të përparuar. Ai ngarkoi shërbimet e tij të studionin një agjent Italian që ishte me emër në Romë si njohësi më i mirë i shërbimeve sekrete të Vatikanit.

Virgjil Skatolini, pasi ishte marrë me kronikën e kinemasë në Osservatoro Romano( duke botuar në të njëjtën kohë, me pseudonime, romane më shpesh pornografikë) botonte tashmë një buletin që titullohej Notizario, një pararendës i vërtetë i buletineve konfidencialë që, gjatë luftës por sidomos pas vitit 1945, do të dilnin në Evropë dhe fillimisht në Francë.

Skatolini, plot shkëlqim, krijues, i apasionuar pas analizave diplomatike dhe strategjike, shumë shpejtë bëhet një burim informacionesh për agjensitë amerikane, botimet britanike, zvicerane dhe japoneze. Me atë buletin dukej sikur ai zbulonte nën letrat ndërkombëtare. Sigurisht një pjesë e vërtetë mbulonte përfundimet që nxirrte ai dhe ekstrapolimet persnale. Parësinë ai ua rezervonte ndërmjetësve të Geringut, gjithmonë duke u rregulluar me kundërspiunazhin Italian. Shpeshë herë ai ushqente me informacone edhe rrjetin e Orkestrës së Kuqe që e drejtonte nga Zvicra njeri nga spiunët më të mirë të NKVD-s, Aleksandër Rado.

Skatolini kishte të drejtë të përhershme të hynte në Vatikan, me preteksin se ndihmonte disa prelatë për të parë më qartë në prapaskenat e një Evrope në luftë. I arrestuar në vitin 1944 nga kundërspiunazhi Italian, i cili e akuzonte se punonte për shërbimet sekrete amerikane, pas pesëmbëdhjetë ditësh u la i lirë, për arsye të përparimit të aleatëve dejtë qendrës së Italisë. Në fakt, Skatolini kishte arritur të bëhej antena sekrete e OSS, që e drejtonte Allen Dallesi nga Zvicra, deri aty sa ky i fundit ia përcillte informacionet e tij kabinetit të Ruzveltit.

Por gjithçka e ka një fund. Skatolini kishte provuar shumë të tilla. Ai “zbuloi” për shembull në fillim të vitit 1945 se një takim misterioz sapo ishte bërë midis Miron Teilorit, përfaqësuesi i presidentit Ruzvelt pranë papës, dhe Ken Haradas, atëherë i dërguari sekret i qeverisë japoneze pranë Vatikanit. Ky “zbulim” u interesonte veçanërisht “abonentëve” sovjetikë të Skatolinit, vazhdimisht nën makthin e fantazmës së një marrëveshjeje të fshehtë, pas shpinës së tyre, të njerit prej aleatëve të tyre me Berlinin apo Tokion.

Për fat të keq, Ruzvelti mësoi shumë shpejtë se takimi Teilor Harada nuk ishte bërë kurrë. Skatolini kishte shkuar shumë largë. Ai humbi në vorbullat e një lufte që mori fund në prill 1945, kur gjenerali Karl Volf diskutoi dorëzimin pa kushte të ushtrive të tij me Allen Dallesin.

Kjo histori tregon se Vatikani, për shkak të pozicionit të tij gjeografik dhe moral, në qendr të konfliktit evropian, ishte bërë, më shumë se një fole spiunësh, një koshere drejtë së cilës vërshonin agjentë sekretë të çdo lloji e të çdo origjine, me shpresë që të ndërtonin aty folenë e tyre. A nuk ishte Sekretariati i Shtetit papal vendi ku mblidheshin nga e gjithë bota informacione, për ti krijuar mundësi Piut të XI, pastaj Piut të XII, që ta drejtonte varkën e Selisë së Shenjtë midis shtrwngatës?



Aleksandër Kurtna në Vatikan

Duke marrë në punë Aleksandër Kurtnan, Elingu nuk dyshonte se në atë mënyrë po i siguronte një mbulesë të shkëlqyer njerit prej agjentëve kryesorë të BRSS-s në Itali, dhe se SIM-i, kundërspiunazhi Italian, që punonte në mënyrë të pavarur nga aleatët e tyre gjermanë, e mbante nën mbikqyrje tashmë këtë mi biblotekash, estonez nga origjina, një analist i shkëlqyer dhe përkthyes, mjeshtër i gjuhës së nënës, por po ashtu edhe i rusishtes, i gjuhës ukrainase, i polonishtes dhe gjermanishtes. Në fakt SIM-i doli rastësisht tek Kurtna. Ai kishte kapur disa emisione radiofonike që transmetoheshin në mënyrë klandestine dhe të shifruara. Në fillim ata menduan se radiua e Vatikanit kishte nisur të përdorte një shifër tjetër, sepse përgjuesit e tyre, që deri në këtë kohë i deskriptonin ato emisione, tani po ndesheshin me një tjetër mënyrë. Në të vërtë dhënësi u lokalizua shumë shpejtë, diku në kufijtë e Qytetit të Vatikanit, jashtë mureve të tij, pranë rrugës Fornaçi.

Një mëngjez të bukur të vitit 1942, SIM-i vërshoi në shtëpinë e një afaristi finlandez, Holger Tavornen, i cili në fakt quhej Hans Han dhe megjithëse Gjerman, prej dy vjetësh punonte për një rrjet sovjetik.

Hani deklaroi se nuk e kishte takuar kurrë njeriun që drejtonte rrjetin. Ai komunikonte me atë vetëm nëpërmjet kutisë postare. Një i panjohur linte aty mesazhet që ai i përcillte në Moskës. Ai dinte vetëm se ai njeri kishte një mike dhe bashkpunëtore. Një kuti letrash e kapur i krijoi mundësi SIM-it të arrestonte një grua të re, e cila deklaroi se i dashuri i saj, Herman Marlei, jetonte në Romë, me emrin Fric Shnaider, qytetar zviceran. Këto informacione nuk të çonin akoma tek Kurtna, por SIM-i sapo kishte rënë në gjurmët e një rrjeti të Orkestrës së Kuqe, i cili mvarej nga Aleksandër Rado.

Marlej-Shnaider, tregon at Grahami, në veprën e tij tashmë të cituar, kishte rekrutuar një numër të mirë agjentësh në Itali, midis të cilëve dhe një anëtar të kabinetit të Ministrit të Bujqësisë, një gazetar shumë i njohur për kritikat e rrepta fashiste dhe mik i njerit prej fëmijëve të Musolinit. Ai kishte vënë në punë madje dhe një çift që Moska e kishte nisur për në Shtetet e Bashkuara, por lufta i kishte bllokuar në Gjenova.

Radjo Han e “rekrutuar” nga SIM-i tashmë, vazhdoi të transmetojë drejtë Moskës. Ai kërkoi madje fonde suplementare. Moska tregoi një tjetër kuti letrash, diku në rrethinat e Romës, gjë që i lejoi SIM-it të arrestojë një mjek të Navales. Ky tha se gjendej pranë atij vendi të fshehtë, midis kaçubeve, për nevoja personale urgjente. Për shans të hetuesve, një tjetër mesazh erdhi, i cili paralajmëronte se Hani mund të nisej direkt për në rrugën Sheron për një tjetër “punë”, për të mbledhur fonde dhe aty mund të takohej me një njeri, i veshur me rraso prifti i shoqëruar nga një grua e re bojonde….

Në rrugën Sheron vetëm bjondja e bukur mund të arrestohej, ndërsa njeriu me rraso prifti nuk kishte mbërritur akoma. E lindur në Leningrad, mërguar në Itali, ajo punonte për radion Shtetërore. Ajo quhej Ana Hablic. Miku i saj do të kthehej më 30 qershor 1942 dhe u arrestua në fshehtësinë më të madhe. Dhe në këtë rast bëhej fjalë për Aleksandër Kurtnan, 28 vjeç, i njohur mirë në Rusikum dhe megjithëse nuk punonte më aty prej dy vjetësh, duke qënë se ishte dorëzuar prift, ai vazhdonte të qendronte nëpër mjediset e Vatikanit si një studjues i ngarkuar nga qeveria estoneze për të pregatitur, duke parë arkivat e Selisë së Shenjtë, një studim për mardhëniet e autoriteteve ballte me papët, në vazhdimësi, që nga Mesjeta deri në vitet 40.



Një agjent i famshëm i trefishtë

Dosjen e Aleksandër Kurtnas, e kompletoi plotësisht kolonel-leitnati i karabinierëve, Manfredi Talarmo. Koloneli doli në përfundimin se Estoniani kishte depërtuar njëkohësisht si në shërbimet e Gestapos në Itali edhe në administratën e Selisë së Shenjtë, për llogari të Moskës.

Lindur në vitin 1914 nga një baba i lidhur me presidencën e Estonisë dhe një nënë mësuese, ai kishte kryer Shkollën e transmetimeve ushtarake, pastaj ishte bërë seminarist ortodoks, por në fund kishte shërbyer për katoliçizmin romak, me studime të kryera në seminarin e jezuitëve polonezë të Dubnos. Kultura dhe prirja e tij për gjuhët e huaja i habisnin mësuesit, të cilat ia rekomanduan Romës, direkt tek gjenerali Superior i Urdhërit, Vladimir Ledoshovski, kryetari i Rusikumit. Kjo ndodhi në vitin 1935. Në verë dhe vjeshtë, sipas Manfredi Talamos, Kurtna kishte qendruar në Letoni, pastaj në Poloni. Pas shtatorit të vitit 1940, ai ishte kthyer në Estoni. Një kthim i habitshëm. Sepse vendi i tij prej disa muajsh ishte i pushtuar nga ushtria e kuqe dhe në këtë kohë po niseshin kolonat e para të të internuarve, drejtë Siberisë. Dhe më e habitëshme akoma është se mbrojtësit e tij të Talinit ia rekomandojnë Akademisë së Shkencave të Moskës, ku nunët e rinjë e kishin urdhëruar të kthehej në Romë, për të vazhduar kërkimet në arkivat e Vatikanit.

Këtu mund të habitesh se si Grahami, duke parë dosjen Kurtna, nuk ka arritur të dalë në përfundimin se ai ishte një agjent i Bashkimit Sovjetik, madje dhe nuk kërkoi aspak të dinte se si, në nëntor 1940, ai mundi aq lehtë të duket në Vatikan. Sigurisht Urdhëri i Jezuitëve nuk e përdorte më në Rusikum, sepse ai nuk kishte dëshirë të hynte në radhët e priftërisë. Por megjithatë Kurtna vazhdonte të qendronte brenda mjediseve të Qytetit. Madje aty ai ishte përqendruar si përkthyes i letrave dhe dokumentave të Kongregacionit të Kishave të Lindjes, mbi të cilat mbretëronte kardinali Eugen Tiserant. Një kardinal që nuk e fshihte antinazizmin e tij e që, gjatë luftës, mbrojti shumë familje çifute.

I shpallur kardinal nga papa, Eugen Tiseranti gjatë gjithë jetës mbeti një Francez i vrullshëm. Kongregacioni i tij bashkwpunonte me Rusikumin, që atëherë drejtohej nga Monsinjor dHerbinji. Ai përplasej shpesh me motrën bavareze Jozefin Lehnet, e ashtuquajtur “Nënë Paskualina” e cila punonte shumë me Vatikanin për të favorizuar hyrjen aty të jezuitëve me origjinë gjermane. Tiseranti, Lorenasi, nuk mund të harronte se në vitin 1917 ai kishte luftuar në radhët e Spahive deri në Tokën e Shenjtë dhe shpeshë herë në mirëkuptim me atashetë ushtarake dhe oficerët e Drejtorisë së II-të.

Anëtar i Kolegjit të Shenjtë, Tiseranti ishte specialist i çështjeve të Lindjes së Mesme, por në të njëjtën kohë dhe delja e zezë për Berlinin. Në verë të vitit 1940, Gestapua kishte zbuluar në Paris dokumenta dhe letra të Tiserantit, sigurishtë private, por tepër kundërshtuese ndaj politikës së Hitlerit(15), kështu që në nëntor 1940 Kurtna gjendej në qendër të zyrave ku disa specialistë punonin në të njëjtën kohë si për çështjet gjermane dhe ato sovjetike, nën kontrollin direkt të ndihmësve të kardinalit Tiserant dhe të disa hirësive të Rusikumit. Sigurisht ai shihej me sy të mirë nga Monsinjor Antonio Arata, ish nunc në Letoni dhe Estoni. Ai ishte bërë mik me Monsinjor Mario Brinin, një njohës i mirë i BRSS-s dhe ndihmës i Monsinjor Xhiovani Montinit, Pali i VI, i ardhëshëm.

Në të njëjtën kohë, Kurtna vazhdonte ti zgjeronte lidhjet me komunitetin gjerman të Italisë dhe, pikërisht me Ferdinand Bok-un, drejtori i Institutit Gjerman të Romës. Mirëpo Boku ishte njeri nga ndihmësit e majorit SS Herbert Kepler, i emëruar në këtë post nga Heinrih Myleri, shefi i Gestapos për Gjermaninë dhe teritoret e pushtuar nga Vermahti.

Si rastësisht, Boku ia prezanton Kurtnan mikut të tij Kepler…, i cili, po ashtu si rastësisht, ka nevojë për një sekretar dhe përkthyes për të pregatitur raportet me dorë për Berlinin, lidhur me zhvillimin e situatës në Itali dhe mardhëniet me autoritetet e Vatikanit.

Nuk besoj se do të kishte ilustrim më të mirë për një çështje spiunazhi të ndërtuar mirë. Kjo ndërlikohet akoma më shumë kur zbulohet, gjithmonë sipas R.P.Graham, se “Gestapua e dinte mirë se Kurtna ishte agjent sovjetik” meqë në prill 1942 Kepleri njoftonte Berlinin se ishte në lidhje me një oficer të shërbimeve sekrete sovjetike, por që ai e kontrollonte, ndërkohë që raportet e tij flisnin gjithënjë e më shumë për aktivitetet e Kishave të Lindjes.



Heinrih Myleri në krye të intrigës

Këtu duhet theksuar një pikë e rëndësishme. Kur R.P. Graham shqyrton dosjen në arkivat e Vatikanit, ai i njihte mirë të fshehtat e Qytetit, por ato të shërbimeve sekrete sovjetike i njihte shumë pak. Veçanërisht ai nuk dinte asgjë, në atë mesvitesh 90, se çfarë kisha zbuluar dhe dokumentuar unë në një vepër të dokumentuar. Raportet e Herbet Keplerit shkonin direkt në Berlin në zyrën e Heinrih Mylerit, i cili, përveç funksioneve të tij normale, ishte ngarkuar nga Himleri të kontrollonte SD-n, shërbimin sekret të partisë naziste. Kështu Myleri ka tani agjentë nëpër ambasadat dhe konsullatat ku Gjermania ka një përfaqësim diplomatik. Ai survejon dhe përdor spiunët që drejton Shelenbergu pas vrasjes në Pragë të Haidrihut.

Edhe kjo duhej: Myleri punon fshehtas me Moskën! Ai mbante lidhje me shërbimet sekrete sovjetike që në vitin 1936. Pak pas prishjes së paktit gjermano-sovjetik ai i nisi përsëri. Kështu, ndër të tjera ai ka në dorë situatën në Itali, ku majori Kepler është një nga njerëzit e tij.

Kurtna i intereson Mylerit jo vetëm se ky agjent është i vendosur brenda Qytetit të Shenjtë pranë prelatëve të lartë që rrethojnë dhe këshillojnë Piun e XII, por edhe sepse me miqtë e tij të Moskës ai do që të shkatërrojë Kishën. Këtë e dëshmon një konferencë që Myleri kishte organizuar në shtator 1941 me kuadrot e seksionit të Gestapos, ku u analizua rreziku që përbënte për Rajhun kleri katolik.

Përpara se ndihmëi i tij për problemet fetare, Alfred Hard, ta trajtonte në planin juridik dhe teknik, Myleri kishte hapur konferencën duke këmbëngulur në faktin që hirerakia katolike duhej konsideruar jo vetëm si një lloj internacionale e etërve të devotshëm, por sidomos si një grumbull agjentësh armiqë të Gjermanisë dhe veçanërisht të nazizmit. Një deklaratë e njëjtë me këtë thuhet dhe në BRSS, gjatë konferencave me kuadrot e partisë komuniste, dhe sidomos me oficerët e shërbimeve sekrete. Stalini do ti bënte thirrje “shpirtit rus” dhe Kishës ortodokse në fund të vjeshtës 1941, por objektivi i përcaktuar nga Lenini nuk ishte harruar. Realizimi i tij ishte lënë për më vonë.

Sidoqoftë, planet e Hitlerit për të eleminuar kishat e krishtera nuk i kanë shpëtuar at Grahamit, i cili do të zbulonte në Civitta Cattolica, hapin e parë të bërë në këtë drejtim nga njeri prej goleiterëve të partisë, Artur Greiseri. Më 14 mars 1940, ky kishte dekretuar në një provincë të Polonisë së pushtuar nga Vermahti, ndalimin e çdo aktiviteti klerikal dhe fetar. Mbylljen e të gjithë manastireve, ndalimin e mbledhjeve për katolikët, pa deklaruar më parë listën e njerëzve që do të merrnin pjesë në to. Më vonë këto proçese vazhduan edhe në krahinat e tjera, megjithë protestat e Vatikanit.

Në vitin 1946, kur gjykatat sovjetike gjykuan Artur Greiserin për qendrimin e tij, pikërisht atëherë kur ai në pranëverë të vitit 1940 zbatonte një plan për shkatërrimin e Kishës sipas urdhërit të dhënë nga Berlini…e që u pëlqente miqëve të tij sovjetikë, edhe ata pushtues të Polonisë, Piu i XII ndërhyn. Ai do që ta shpëtojë Greiserin, i cili vetëm ka zbatuar urdhërat, por Moska e akuzon Piun e XII se mbron kriminelë lufte. Greiseri u var më 21 korrik të vitit 1946 në sheshin qendror të Poznanit.

No comments: