Wednesday, November 16, 2011

Lexuesit e librit të Fevziut, “Enver Hoxha” e blejnë injorancën me para (1)

Nga Kastriot MYFTARAJ Do të mjaftonte vetëm një faqe e librit të Blendi Fevziut, për Enver Hoxhën, për t’ u sjellë si provë që Fevziu atje ku nuk gënjen me vetëdije, bie viktimë e prirjes së përjetshme të sharlatanit për të gjetur të ngjashmin e vet. Në librin e vet, Fevziu ka përfshirë edhe pjesë nga intervista e tij në emisionin “Opinion” me dr. Ylli Popën, një nga anëtarët e ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, ndër të cilat është edhe ky fragment:“Ne një krizë të Enverit vendosëm ta ndiqnim nëpërmjet monitarit të elektrokardiografit dhe vendosëm elektrodat në gjoks, në ekran aktiviteti i zemrës regjistrohet, çdo rrahje e zemrës regjistrohet. Ne nuk rrinim në dhomë, por i kishim rregulluar në mënyrë të tillë që fijet e elektrodave të ishin të gjata edhe aparati të ndodhej jashtë dhomës së tij. Të them të vërtetën, kur bëhej një veprim i tillë mua më pëlqente, sepse Enveri flinte atje, unë e kuptoja nga aparatura që ai ishte i qetë e po flinte dhe e ndiqja të gjithë aktivitetin e zemrës. Por vendi ynë, nga ku ndiqnim aktivitetin e Enverit, ishte biblioteka e tij, me libra shumë të mrekullueshëm. E pra, ne vendosnim atë aparatin në darkë, se do të rrinim gjithë natën atje. Vendosej një termos me kafe të ngrohtë dhe një termos me mollë edhe mund të pinim kafe që të mos flinim. Unë nuk doja të flija sepse doja të shëtisja në bibliotekë. Një natë isha vetëm tek aparati, duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër, qenë kujtimet e Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik. U bëra kurioz edhe e mora librin e fillova të lexoja disa gjëra nga ajo, kur duke kaluar fletët, shikoj nga mesi i librit një faqe të nënvizuar. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: thirra në zyrë profesor Llukomskin e i thashë që unë të kam thirrur këtu për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu nuk do t’ ia tregosh njeriu. Por që nga ajo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u vesh me djersë, e natyrshme kjo. I thotë: a di ti ndonjë ilaç që mund të shkaktojë ngritjen e menjëhershme të tensionit të gjakut? Stalini vuante nga hipertensioni. Por, i thotë, nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin, nëse ekziston. Por, kur doli ky, i tha që të kesh kujdes se do të jesh i survejuar. Ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm që ta çonte ilaçin. Në atë kohë Stalini, bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte mbas Luftës së Dytë Botërore, mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së Luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat, etj., etj. Një natë, thotë Berja, unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë ishte pak e prekur. Na kërkoi falje se shkoi në banjë, më duket. Unë pashë majtas, djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxorra nga xhepi ampulën, e theva dhe e hodha në gotë. Vjen Stalini, ulet, edhe e ngre gotën dhe thotë: Hajde të pimë. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas: Mos më ke hedhur gjë këtu brenda? Ky u tmerrua por e mbajti veten edhe i tha: Jo, shoku Stalin, si ta bëj këtë. Pastaj Stalini i tha që bëra shaka edhe e piu gotën. Kur shkoi të nesërmen në mëngjes shërbyesja për t’ i dhënë ilaçet, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit, kishte rënë dhe ishte në gjendje kome”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284) Ndonjë gabim në tekst i përket origjinalit të Fevziut. Nga sa citova më sipër, dhe nga ato që thotë më tutje Fevziu, kuptohet se Ylli Popa, dhe vetë Fevziu, e kanë marrë si të mirëqenë që bëhet fjalë për kujtimet e Berias, emrin e të cilit Fevziu e shkruan gabim, “Berja”. Në të vërtetë Beria nuk ka shkruar kujtime. Libri që ka gjetur Ylli Popa në bibliotekën e shtëpisë së Enver Hoxhës, është një nga ata librat me kujtime të falsifikuara të njerëzve të njohur, të shkruar nga autorë sharlatanë, që nuk i konsideron asnjë studiues serioz. Nëse Fevziu dhe Popa do ta njihnin sadopak figurën e Berias, ata do ta kishin të qartë këtë gjë. Nëse Beria do të kishte shkruar sa më sipër për vdekjen e Stalinit, këtë gjë do ta kishte bërë midis 2-3 marsit 1953, kur Stalini pësoi goditjen e rëndë që i shkaktoi vdekjen pak më pas, dhe 26 qershorit 1953, kur Beria u arrestua dhe nuk u shfaq më publikisht. Në këtë periudhë Beria nuk mund të shkruante kujtimet e mësipërme, se ai assesi nuk donte që të pohonte eliminimin e Stalinit nëse e kishte kryer vërtet këtë gjë. Asnjë studiues sadopak serioz në botë që shkruan për vdekjen e Stalinit, nuk konsideron ndonjë libër me kujtimet e Berias, kaq gjë duhet ta dinte Fevzi sharlatani.Që libri me kujtime që i atribuohet Berias është një falsifikim sharlatanesk, kjo kuptohet dhe nga fakti se atje ka gabime dhe pasaktësi që nuk mund t’ i bënte kurrsesi Beria. Kështu, në paragrafin e mësipërm thuhet se në tryezën e darkës, në shtëpinë e Stalinit, në mars 1953, Molotovi ishte ulur në krahun e majtë të Stalinit. Kjo tregon se autori sharlatan i librit kinse me kujtimet e Berias, nuk kishte as njohuritë më minimale për ndryshimet që kishin ndodhur në rrethin e afërm të Stalinit, në atë kohë. Në mars 1953, Molotovi nuk ishte më pjesë e rrethit të ngushtë të Stalinit, që prej rreth katër vjetësh, qëkurse Stalini urdhëroi arrestimin e gruas së Molotovit. Që prej vitit 1949 Molotovi humbi postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Molotovi nuk u zgjodh në Byronë e Presidiumit të Komitetit Qendror. Tashmë ai nuk ftohej më në darkat që jepeshin në shtëpinë e Stalinit. Në mars 1953, Molotovi nuk priste më një ftesë për darkë në shtëpinë e Stalinit, por që të vinin e ta arrestonin në shtëpi.Sharlatani që ka shkruar kujtimet e rreme të Berias nuk njihte as një detaj tjetër nga praktika e Stalinit në darka të tilla. Stalini e kishte zakon që, kur largohej për pak kohë nga tryeza dhe dhoma e ngrënies, në kthim nuk hante apo pinte më nga ushqimet dhe pijet që kishin qenë në tryezë gjatë kohës së mungesës së tij, por nga të tjera, të cilat i shërbeheshin më pas. Natyrisht se Enver Hoxha mund të ketë pasur në bibliotekën e tij këtë libër që përmend Popa dhe madje të ketë bërë nënvizime, por kjo nuk i ndryshon faktet e mësipërme. Enver Hoxha mund të ketë pasur motive të tjera që e ka studiuar librin, ai mund të ketë qenë duke konsideruar memorialistikën e rreme, viktimë e së cilës mund të bëhej pas vdekjes. Por Enver Hoxha nuk e quajti serioz librin, ndryshe do ta kishte përmendur atë në fjalimet e tij.Krejt e pabesueshme duket ajo çka thotë Fevziu në libër për këtë ngjarje: “Ylli Popa, i tmerruar, nuk e mbajti dot për vete zbulimin tronditës. Ia tregoi të nesërmen në mëngjes kolegut të tij, kardiologut Petrit Gaçe. Përgjigjja e shokut ishte po aq tronditëse: -Obobo, jemi në rrezik”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284) A nuk e dinin Fevziu, por edhe Ylli Popa, e Petrit Gaçe, të cilit i përmendet emri këtu, se Enver Hoxha, që prej vitit 1961 kur ishte prishur me sovjetikët, mëse një herë në fjalimet e tij i kishte akuzuar udhëheqësit sovjetikë se kishin vrarë Stalinin? Çfarë rreziku do të kishte për Ylli Popën dhe Petrit Gaçen që gjetën një libër ku vetë Beria e pohonte një gjë të tillë? Ylli Popa dhe Petrit Gaçe na paskan qenë në rrezik për shkak të një libri që gjendej në bibliotekën e Enver Hoxhës dhe ku Beria pohonte se kishte qenë ai vrasësi i Stalinit! Nëse tek e gjithë kjo ka pasur diçka të rrezikshme, atëherë ka vetëm një rast kur mund të jetë kështu, që Ylli Popa kishte marrë përsipër që të krijonte atë që quhej material shtrëngues në gjuhën e Sigurimit të Shtetit dhe që përdorej për të rekrutuar një njeri si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, në këtë rast prof. Petrit Gaçen. Fevziu nuk i bën asnjë analizë paragrafit të cituar në këtë shkrim nga libri i tij. A thua që Fevziu nuk ka as minimumin e logjikës për t’ i analizuar faktet dhe për të arritur në përfundime të thjeshta. Këtyre pyetjeve ishte dashur që t’u përgjigjej Fevziu në librin e tij, por sharlatanët nuk e kanë zakon që të përgjigjen në raste të tilla, ata jetojnë në realitetin e krijuar nga sharlatanëria e vet.Profesor Petrit Gaçe ka vdekur në 1996. Ylli Popa është ende gjallë dhe ai mund dhe duhet të përgjigjet. Ylli Popa 81 vjeçar ka detyrimin që të përgjigjet, se libri i Fevziut do t’ i rëndojë pas vdekjes si një piramidë mashtrimi dhe turpi sigurims. Natyrisht se nuk duhej pritur që Ylli Popa dhe Petrit Gaçe të ishin rekrutuar nga strukturat e rëndomta të Sigurimit të Shtetit. Njerëz si ata të dy qenë nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit special, e Sigurimit të Fshehtë, asaj që ishte policia sekrete private e Enver Hoxhës. Dosjet e kësaj strukture nuk gjenden në arkiva, kështu që për të mund të mbledhim vetëm të dhëna të tërthorta si në rastin e rrëfimit të Ylli Popës. Nga rrëfimi i mësipërm, del se “autori” i artikullit të bujshëm “Në kërkim të kohës së humbur”, paska humbur kohë edhe me çështjet e shërbimeve sekrete. Duket se edhe tekstin e artikullit “Në kërkim të kohës së humbur”, Ylli Popa e gjeti në ndonjë libër në bibliotekën e shtëpisë së Ramiz Alisë, në 1990 dhe që andej e dërgoi tek gazeta “Zëri i Popullit”.Do të mjaftonte mënyra se si e citon Fevziu Popën për librin kinse me kujtime të Berias, si dhe qëndrimi që mban si autor në këtë rast, që libri i Fevziut të stigmatizohej definitivisht si punë joserioze prej sharlatani, por libri i Fevziut është një minierë sharlatanizmash. Libri i Fevziut është një nga ata libra që edhe po të ta falin nuk duhet ta marrësh, por ja që ka njerëz të cilët e blenë injorancën me para, duke blerë librin e tij. Kjo është simptomë e krizës intelektuale të shoqërisë shqiptare. Vijon... kastriotmyftaraj@sot.com.al

No comments: