Saturday, November 19, 2011

Skënderbeu kishte një vajzë, quhej Vojsava?

Ilirian Gjika

Të “ndrydhur” në problemet e realitetit shqiptar një pjesë e konsiderueshme e studiuesve dhe historianëve tanë presin që edhe për epokën e Skënderbeut, ashtu si edhe për periudha të tjera të historisë së Shqipërisë, të dhënat dhe faktet e reja të publikohen vetëm prej të huajve dhe botimeve të tyre. Një gjë e tillë po ndodh rëndom jo vetëm për dëshirën apo mungesën e seriozitetit të historianëve tanë, por për mundësitë e pakta që u krijohen shpeshherë atyre nga ana e shtetit, qoftë edhe nga institucionet e tjera kulturore.
Ndërkohë që të paktat zbulime që janë bërë kryesisht jashtë shtetit në arkivat, bibliotekat, apo në kisha dhe varrezat historike janë bërë nga studiues shqiptarë, të ndodhur në vendet përkatëse rastësisht si diplomatë, për arsye familjare, ose nga ndonjë iniciativë e “çartur” private e ndonjë hulumtuesi “aventurier”.
Pavarësisht se me sytë e kthyer nga “sofra” e miqve të huaj nga e cila mund të na vijë ndonjë “thërrime” apo “kafshatë”, historianët tanë duket se nuk janë më ata të parët. Duke qëndruar stoikë në tezat dhe qëndrimet e tyre duket se ata nuk po vazhdojnë të përpiqen që të shfrytëzojnë edhe këto mundësi që na vijnë nga perëndimi, për ta pasuruar sadopak mozaikun e paplotësuar të historisë sonë kombëtare.
Diçka e tillë po ndodh edhe këto ditë kur tashmë nuk janë fajtorë institucionet dhe media, por pikërisht studiuesit dhe historianët, të cilët ndoshta këtë periudhë vere ndodhen diku “me pushime”.
U bë afërsisht një muaj që Gazeta Shqiptare dhe suplementi i saj kulturor Milosao, i cili tashmë është shdërruar në një institucion të mirëfilltë të kulturës shqiptare, publikoi një dokument shumë të rëndësishëm për historinë e Kastriotëve siç është pema gjenealogjike e tyre. Po çfarë ndodhi vallë? Ajo që duhet të shkaktonte “tërmet” nuk u pa, thua se gjithë njerëzit e kësaj fushe kanë rënë në “letargji”. I çuditshëm është fakti që askush qoftë prej “patriarkëve” të historisë, qoftë të tjerë të një “kalibri” më të vogël, nuk bënë gjatë kësaj kohe as reagimin më të vogël, si në median e shkruar ashtu edhe atë elektronike. Mos vallë këtyre historianëve “të rëndë” nuk i interesojnë faktet e reja, apo mos ndoshta kanë dashur t’i zbulojnë vetë dhe ndjekim në heshtje dhe indiferentizëm këto zbulimet apo konstatime. Mos ndoshta duhet të presim ndonjë tjetër botim si ai i Skënderbeut të Shmidit që të rebelohemi dhe të organizojmë ndonjë “kryqëzatë” të re në media duke protestuar se, përse të tjerët na e shkruajnë historinë pa na pyetur më parë.
Megjithatë po përpiqem që ta sjell përsëri në vëmendje këtë “precedent” siç është dokumenti i publikuar në “Milosao”. Jo më shumë por një muaj më parë erdhi në vendin tonë përfaqësuesi i njërës prej dy degëve të familjes Kastrioti që jetojnë sot në Itali. I ftuar nga Instituti Kombëtar i Diasporës, pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasardhësi i Heroit tonë Kombëtar, z. Giorgio Maria Castriota Skanderbeg, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku vizitoi Tiranën, Krujën dhe Dibrën. Ndërkohë ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se z. Giorgio, solli nga Italia dhe dorëzoi në Arkivin e Shtetit dhe Muzeun e Skënderbeut në Krujë një dokument të vitit 1910, i cili është i njohur zyrtarisht nga Arkivi Qendror i Shtetit Italian, Konsulta Heraldike (Consulta Araldika) dhe Qeveria Italiane dhe pasqyron trungun gjenealogjik të Kastriotëve.
***
Ky dokument nis që nga martesa e Gjon Kastriotit me Vojsavën dhe shkon deri tek lindja e Aleksandrit (Alessandros), njërit prej pjestarëve më të rinj të familjes Kastrioti, lindur në 6 shkurt të vitit 1992. Ai pati fatin që të mos “kyçej” në arkiv, por nëpërmjet “Milosaos” të bëhej publik për t’u ardhur në shërbim jo vetëm studiuesve të fushës, por edhe për t’u njohur nga masa e gjerë e lexuesve.
Nga vëzhgimi për aq mundësi sa na lejonte leximi dhe studimi i bërë nëpërmjet gazetës, nxjerrim si konkluzion se vlera e tij është e patjetërsueshme për Historinë Kombëtare në përgjithësi dhe për Historinë e Kastriotëve në veçanti. Por ajo që duhet theksuar është fakti se shumica e shqiptarëve e ka ditur deri tanimë se Skënderbeu ka pasur vetëm një fëmijë, Gjonin, i cili pas vdekjes së Heroit u largua me të ëmën, Donikën, në Itali. Sipas historisë sonë Gjoni si trashëgimtar i të atit dhe Donika e ëma si ragjente u larguan për në Itali, ku gjetën strehim tek mbreti i Napolit, Ferdinanti. Askund në librat tanë të historisë nuk thuhet se Donika u largua për në Itali me të dy fëmijët. Themi kështu, sepse dokumenti i mësipërm për herë të parë na pohon se Gjergj Kastrioti nga martesa e tij kishte edhe një vajzë, të cilës i kishte vendosur emrin e së ëmës, Vojsavës.
Por risitë që sjell ky dokument janë shumë të rëndësishme dhe mund të themi se ai patjetër do të sjellë ndryshime në rishkrimin e një pjese të historisë së Kastriotëve. Duke i renditur disa prej tyre mund të themi së pari se ai na jep si vit të lindjes së Skënderbeut vitin 1403, ndryshe nga teksti zyrtar i Historisë së Popullit Shqiptar, botim i vitit 2002, i cili në faqen 492 të tij, thekson në ligjëratë të drejtë se Gjergj Kastrioti ka lindur rreth vitit 1405. Kjo është një nga pikat më delikatë të kësaj historie. Pikërisht ditëlindja e Heroit, e cila është përcaktuar si e tillë me përafërsi prej Fan Nolit. Së dyti deri ditën e publikimit të gjenealogjisë ne kemi njohur dy tituj zyrtarë të Skënderbeut si: “Zot i Shqipërisë” dhe “Zot i Qytetit të Krujës”, ndërsa gjenealogjia në fjalë na tregon se ai kishte edhe titujt: “Zot i Monte San Anxhelos të San Xhovani Rotondos (Signore di Monte S. Angelo di S. Giovanni Rotondo), dy feudeve që Ferdinanti, mbreti i Napolit ja dhuroi pas ndihmës ushtarake, që Skënderbeu i dha atij gjatë fushatës së Italisë në fillim të viteve 1460-1461. Këtu jepet edhe viti i dhurimit të tyre në vitin 1464, gjë që tregon se që nga viti në fjalë e derisa vdiq në 17 janar 1468, Gjergj Kastrioti, mbajti edhe këta dy tituj të tjerë.
Që nga viti 1995 në shtypin e shkruar është folur gjerësisht për martesën e Skënderbeut, ku midis të tjerave është theksuar fakti se kurorëzimi i Skënderbeut me Donika Arianitin u bë në 23 prill 1451 në Manastirin e Ardenicës. Edhe në romanin e mirënjohur historik të autorit Sabri Godo, “Skëndërbeu” thuhet se: “Më 23 prill 1451, Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit. Ai u martua me Donikën që kishte aq sa edhe këto ditë prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç”.(S. Godo, Skënderbeu, 1988, fq. 171 ). Por ndryshe nga ky fakt, të cilin shkrimtari, si njohës i mirë i historisë e ka marrë nga burimet zyrtare, gjenealogjia e mësipërme e Kastriotëve na jep një fakt të ri, sipas së cilës shohim të shkruar se martesa midis tyre u bë pikërisht në 26 prill 1451 dhe jo më në 23 prill të po këtij viti.
Nga kjo martesë lindën sipas këtij dokumenti dy fëmijë. Gjoni i ri në vitin 1456 dhe Vojsava e re, data e lindjes të së cilës nuk jepet. Arsyet në këtë rast duhen hetuar më tej nga historianët. Pra, sot jemi në gjendje të themi se Gjergj Kastrioti e ruajti traditën jo vetëm të fisnikërisë feudale por edhe atë shqiptare të ripërtëritjes së emrave, duke u vendosur fëmijëve të tij emrat e prindërve si: Gjon dhe Vojsava. Por në këtë pikë dokumenti na jep edhe një të dhënë tjetër, që përket tashmë fushës së sociologjisë, e cila flet për dukurinë e endogamisë tek shqiptarët, siç është martesa brenda grupit, racës, fisit apo kategorisë shoqërore.
Në traditën shqiptare endogaminë e kemi ndeshur në disa krahina dhe qytete, ku familjet me origjinë nga radhët e fisnikërisë feudale osmane dhe disa familje të pasura, gjatë shekujve XVIII-XIX, për të mos lejuar humbjen e pronave apo përpjesëtimin e tyre, bënin lidhje martesore midis kushërinjve të rendit të afërt. Kështu gjenealogjia e Kastriotëve na tregon se dukuria në fjalë ekzistonte ndër shqiptarë qysh prej shekullit të XV-të dhe fakti që e dëshmon këtë gjë është martesa e Vojsavës së re, vajzës së Skëndërbeut me Stefan Cërnojeviçin (Stefano Balscia Czernojevic), princin e Malit të Zi, i cili ishte edhe kushëriri i parë i saj.
Sipas dokumentit, Stefan Cërnojeviçi, ishte njëri nga tre djemtë që motra e Skëndërbeut, Mara, kishte nga martesa e saj me Jovan Cërnojeviçin princin e Malit të Zi (Stefani, Gjergji dhe Jovani).
Ndërsa Historografia jonë e bazuar tek të dhënat e Kronikës së Gjon Muzakës si dhe dokumente të tjera, thekson se Mara u martua me Stefan Cernojeviçin dhe jo Jovanin, dëshmi e cila duhet patjetër të verifikohet në të ardhmen, sepse këtu mendoj se ka një mospërputhje, ashtu si në të tjera raste, si edhe në ato që përmendëm më lart.
Ndërkohë që disa vite më parë një projekt italo-shiptar i quajtur “Promoalba” botoi në Leçe të Italisë, librin historik “Periudha Pas Skënderbeut”, të autorit Giancarlo Vallone, Profesor në Universitetin e Salentos, në të cilin flitet për integrimin e shqiptarëve që emigruan në Itali në institucionet e Mbretërisë së Napolit. Aty, ndryshe nga Historia e Shqipërisë, e cila në formën e një kronike ushtarake na përshkruan përpjekjet e Gjon Kastriotit, Skënderbeut të ri dhe të princave të tjerë shqiptarë për të ringritur principatat e tyre, flitet për jetën e Gjonit, Donikës, familjeve fisnike shqiptare dhe pasardhësve të tyre në Itali. Midis të tjerave fakti më pikant është për rolin e rëndësishëm që do të luajë zonja Scanalibecha, siç quhej ndryshe Donika Kastrioti, në oborrin aragonez të Napolit.
Këtu na jepet edhe data 23 maj 1468 kur Donika mbërriti me familjen e saj në Itali, ndryshe nga teksti ynë që i mësohet nxënësve të klasës së XII-të në shkollat e mesme, i cili thekson se “Disa javë pas vdekjes së Skënderbeut e shoqja me Gjonin 13 vjeçar u vendos në Itali” (Historia 4, profili shoqëror, 2010, fq 71 ). Dmth sipas librit që ne i mësojmë nxënësve historinë në shkolla, i bie që Skënderbeu ka vdekur në 17 shkurt 1468 dhe disa javë më vonë, diku në mars Donika dhe Gjoni të kenë shkuar në Itali.
Mbi të gjitha G. Vallone na jep duke cituar edhe burimet nga i ka marrë këto fakte, të cilat janë dokumente napolitane dhe veneciane. Aty jepet edhe fakti tjetër që Donika shoqëroi në vtin 1501 për në Spanjë nënën mbretëreshë Xhovanën e III-të dhe se atëhere ajo ishte 73 vjeçe. Duke qenë e moshuar ajo nuk pati mundësi të kthehej në Napoli dhe vdiq diku midis marsit 1505 dhe shtatorit 1506. Këtë e dëshmon Xhovana e III-të në testamentin e saj, duke theksuar se Donika u varros në manastirin e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës.
Për këtë problem ka qenë shtypi i shkruar, i cili ka dhënë edhe shkëndijat e para në shkrime të tilla si e “E panjohura e Donikës”, nga I. Gjika në 12 09 2008, ndërsa disa muaj më vonë pikërisht në 26 12 2008, Prof. Valter Shtylla në të njëjtën gazetë, ( Standart), publikoi shkrimin “Varret e Kastriotëve, Monumentet Flasin”, ku fliste midis të tjerave edhe për eksperiencën e tij të vitit 2001, gjatë së cilës kishte vizituar manastirin mbretëror të San Trinidad në Valencia, ku kishte parë dhe vëzhguar fakte me shumë vlera.
Dhe që atëhere përsëri heshtje rreth këtyre fakteve të reja për Historinë e Kastriotëve, saqë edhe publiku që po i lexon tani këto rreshta duket vërtet i habitur. Për këtë fakt, Historia e Popullit Shqiptar boton në faqen 474 të saj, vetëm një foto me shënimin, “Epigrafi i vitit 1503 i varrit të Alfons Kastriotit në manastirin Real San Trinidat të Valencias”, ndërsa në faqen tjetër shkruhen disa rreshta për Gjon Kastriotin e ri dhe jepet një listë e fëmijëve të tij si:” Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la këta fëmijë: Gjergjin (Skëndërbeun e ri), Kostandinin, peshkop i Izernias që vdiq në moshën 20 vjeçare, Ferranten që ka vdekur në 1561, Federikon që vdiq në moshën 15 vjeçare në Valencia të Spanjës dhe Marien, e cila ju përkushtua të atit”.
Vetëm kaq, duket edhe kjo e shkruar me shpejtësi dhe jashtë kontekstit. Ec e merre vesh pastaj se kush vdiq në Valencia, Alfonsi i epigrafit të varrit apo Federikoja 15 vjeçar.
Nuk është çudi që dikush i revoltuar të thotë siç ndodhi me një koleg disa ditë më parë që tha se, përse ky Giorgo i Kastriotëve e solli tani këtë dokument dhe jo në 1968, kur u publikuan shumica e punimeve për Historinë e Kastriotëve.
-Atëherë ai ishte 13 veç, ju drejtova, dhe komunizmi nuk i ftoi asnjëherë Kastriotët e Italisë, se ata ishin me “biografi të keqe”, pasi kishin pasur marrëdhënie me mbretin Zog dhe me Ernest Koliqin, i cili kishte bashkëpunuar me ta disa herë në Romë, për të përkujtuar Heroin.
-Por tashmë që Kastriotët i “hodhën zaret në fushë” çdo të bëjmë ne? - e pyeta më pas.
***
Mund të themi se studimi i dokumentit të mësipërm të gjenealogjisë së Kastriotëve duhet të sjellë patjetër diskutime, debate dhe kundërshti, rreth atyre fakteve që njeh deri më sot Historia e Shqipërisë dhe atyre që pasqyron gjenealogjia. Edhe ky shkrim mund të mos pritet mirë dhe të shihet me skepticizëm, por e rëndësishme për historinë tonë është pema gjenealogjike e Kastriotëve. Vlen të theksohet se studimi i saj, jo vetëm që do të na ndihmojë drejtpërdrejtë, por edhe do të nxisë debatin, i cili patjetër do të na çojë tek zbulimi i së vërtetës. Mendoj se ka ardhur momenti që të rishkruajmë historinë ashtu siç duhet, larg ndikimeve të periudhës së diktaturës dhe klaneve të disa historishkruesve, një pjesë prej të cilëve e kanë kthyer në monopol shkrimin e saj. Këtu për t’u kritikuar është edhe media, e cila nëpërmjet disa gazetarëve të veçantë dhe të painformuar, vazhdon tu japë rëndësi disave, pa e kuptuar mirëfilli se ata po bëhen pengesë për zhvillimin e kësaj shkence me tezat dhe argumentet e tyre konservatore dhe jashtë kontekstit të kohës.
Kur do të marrin këta zotërinj në konsidëratë dokumentet dhe publikimet e reja, apo do të vazhdojmë t’u mësojmë edhe brezave që do të vijnë një histori legjendare dhe mitike. Kjo histori e karakterit popullor që bart elementë të tillë nuk mund të konsiderohet një histori e mirëfilltë . Për ta ilustruar po citoj një pasazh nga teksti zyrtar ku midis të tjerave për Skënderbeun thuhet se: “Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera”. Pikërisht këto fjali të krijojnë përshtypjen se po lexon një roman kalorsiak dhe jo një botim të mirëfilltë historik. Do të bëjmë histori apo do të theksojmë njëlloj si në librat e shkollës fillore, se Skënderbeu luftonte edhe mbi kalë por edhe në këmbë! Dhe do të ndodhë siç mu drejtua im bir përpara disa ditësh, kur gjithë krenari më tha se: “E kuqja e flamurit është gjaku i Skënderbeut”. Kështu ja kish mësuar edukatorja në kopësht historinë dhe edukatorja e Keltit gjashtëvjeçar vërtet kishte të drejtë.
Së fundi dëshiroj të theksoj se burimet historike dhe dokumentet e ruajtura në bibliotekat dhe arkivat italiane kanë qenë shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe. Po kujtoj se kronika e Gjon Muzakës, një libër me vlerë që i ka shërbyer shumë historianëve u gjet nga historiani gjerman Karl Hopf në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela, në vitin 1850 në Napoli. Po kështu albanologu rumun Nikola Jorga e gjeti Formulën e Pagëzimit, një nga dokumentet e para të shkrimit të gjuhës shqipe në bibliotekën Laurentiana të Firences në vitin 1915. Po kështu nga këto arkiva vitet e fundit janë zbuluar me dhjetëra dokumente, të cilat po na e tregojnë ndryshe historinë.
Atëherë të nderuar kolegë, mendoj ka ardhur koha të nisim punën morale dhe fisnike të shkrimit korrekt të historisë kombëtare. Po nuk e bëmë këtë tani brezat e ardhshëm nuk do të na falin dhe do të na shpotitin me ndonjë fejton therës, si ai që shkruante Lukiani, shkrimtari i shquar i antikitetit me titullin kuptimplotë: “Si shkruhet Historia”.


Faktet e reja nga pema gjenealogjike
e Kastriotëve.
1-Skënderbeu lindi në vitin 1403.
2-Nga martesa e tij me Donika Arianitin ai kishte dy fëmijë, Gjonin e ri dhe Vojsavën e re.
3-Skënderbeu mbante edhe një titull tjetër, Zot i Monte sant Anxhelos të San Xhovani Rotondos.
4-Motra e Skënderbeut, Mara, ishte martuar me Jovan Balsha Cernojeviçin, princin e Malit të Zi.
5-Skënderbeu u martua me Donikën në 26 prill 1451.
6-E bija e Skënderbeut u martua me Stefan Cernojeviçin, djalin e Marës, njëkohësisht kushëriri i rendit të parë të saj.

Fakte të tjera
për Kastriotët.
1-Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donika Arianitin në altarin e kishës së Shën Marisë të manastirit të Ardenicës, në 26 prill 1455. Këtë gjë e dëshmon Prof. italian Lorenconi, në librin e tij “L’impresione d’Albania”, botim i vitit 1940, në Romë dhe Firence. Lorenconi lexoi në bibliotekën e manastirit aktin e kurorëzimit të Skënderbeut në një nga kodikët e tij në vitin 1930.
Këtë fakt e përmend në kujtimet e tij edhe peshkopi i Kishës Ortodokse autoqefale të Shqipërisë, Irene Banushi, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në këtë manastir. Prelati i lartë tregon, se kur mbërriti në Ardenicë, e gjeti të gjallë nga murgjit dëshminë gojore që Skënderbeu dhe Donika ishin kurorëzuar aty.
2-Pas mbërritjes së saj në Itali në 23 maj të vitit 1468, Donika Kastrioti u vendos në feudet që mbreti i Napolit Ferdinanti ja kish dhuruar të shoqit, Skënderbeut. Duke filluar që nga 11 shtatori i vitit 1477 dhe deri në fund të jetës, Donika Kastrioti, do të shërbejë si pranë Mbretëreshës Xhovana e III-të, dhe vajzës së saj Xhovanën e IV-të, duke luajtur një rol me peshë në oborrin e Napolit. Në vitin 1501 në moshën 73 vjeçare ajo shoqëron Xhovanën e III-të, për në Spanjë. Pasi vdes diku në vitet 1505-1506, Donika, varroset në varrezat e manastirit mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia. Këto fakte i citon të nxjerra nga burime napolitane dhe veneciane, autori italian, Giancarlo Vallone, në librin e tij “Periudha Pas Skënderbeut”, botuar në vitin 2008 në Leçe, në gjuhën shqipe nga një projekt shqiptaro-italian.
Të tjera probleme
Që nga vitet 1970 në Historografinë Shqiptare ekzistojnë tre teza për origjinën e Skëndërbeut. Ajo e kërkon duke e vendosur atë në trekëndëshin Mat-Has-Dibër, duke harxhuar për këtë qëllim kohë, energji dhe mjete monetare për botimin e librave, artikujve dhe studimeve, me qëllim argumentimin e secilës prej tyre.
1-Teza se Kastriotët janë me origjinë nga Mati.
2-Teza se Kastriotët janë me origjinë nga Dibra.
3-Teza se Kastriotët janë me origjinë nga Hasi.
Kanë kaluar 37 vjet dhe problemi nuk është zgjidhur akoma. Secila palë qëndron në “llogoren” e vet dhe ne nuk dimë se kujt ti besojmë.
- “Janë bërë shumë gabime”, pohon njëri nga studiuesit me emër të kësaj epoke, përfaqësues i njërës prej tezave të mësipërme, por edhe ai nga dita në ditë pasuron me prova të reja argumentet e tij. Ç’të bëjmë, kur Skënderbeu sa ishte gjallë nuk e sqaroi vetë origjinën krahinore të familjes së tij, ashtu siç veproi për origjinën e tij etnike! Në letrën e tij dërguar princit të Tarantos, Xhovani Antonio Orsinit, në datë 31 tetor 1460, ai pohon origjinën e tij shqiptare, duke e zgjidhur problemin e kombësisë dhe pa u lënë mundësi edhe fqinjëve tanë “dashamirës” që të mos e tjetërsonin origjinën e tij, ashtu siç po veprojnë me Nënë Terëzën apo ndonjë tjetër figurë të shquar të historisë shqiptare.

No comments: