Thursday, November 17, 2011

Ftesë për "duel", Fevziu: Përgjigjuni për krimet

Rezarta Delisula

Zonja Hoxha të mos merret me fotografitë e pishinës, mënyrën se si është gjetur i vdekur, por me krimet që mbajnë emrin e Enverit”. Kështu shprehet Blendi Fevziu autori i librit biografik “Enver Hoxha” një ditë pas publikimit në “Gazetën Shqiptare” të intervistës me Teuta Hoxhën, bashkëshorten e Ilir Hoxhës e cila në bazë të materialeve që paraqiti e quante librin biografik. Që në fillim të intervistës Teuta Hoxha u shpreh se nuk do të merrej me anën historike të librit të Fevziut por me atë personalen, pjesë e së cilës ka qenë ajo vetë. Ndërkaq, sot kemi intervistuar autorin i cili sjell opinionet e kundërshtitë e tij në lidhje me këtë debat, sipas tij të nevojshëm.
Intervista e Teuta Hoxhës për shumëkënd që e lexoi duket bindëse pasi është mbështetur në dokumente arkivore, ditarët e Enver Hoxhës, në librat me kujtime të tij dhe Nexhmije Hoxhës duke mos përjashtuar dhe atë vetë që ka jetuar pranë tij. Cili ishte opinioni juaj kur e lexuat intervistën e saj?
Nuk është se unë ndaj të njëjtin opinion me të dhe nuk besoj se ishte një intervistë e mbështetur mbi dokumente. Përkundrazi, zonja Hoxha merrej me detaje, por nuk thoshte asgjë, për asnjë nga dokumentet që përfshin libri. Por për këtë do të flas më pas. Ndihem shumë mirë që zonja Hoxha reagoi dhe kisha tre javë që e prisja këtë gjë. E ftoj atë ta debatojmë këtë gjë edhe në televizione, ku të dojë ajo. Siç e ftoj të shprehet më gjatë mbi këtë subjekt. Ftoj edhe zonjën Hoxha senior, Nexhmijen, që të japë komentet e saj mbi librin. Një subjekt i tillë duhet debatuar sa më shumë dhe kjo do të ishte gjëja më e mirë.
Ju keni shkruar librin biografik për Enver Hoxhën sipas jush bazuar në dokumente ndërkaq, Teuta Hoxha ne intervistën dhënë për “Gazetën Shqiptare” thotë se për 77 vitet e Enverit ju keni paraqitur në libër vetëm 25 dokumente një pjesë e të cilave sipas saj të dyshimta pasi nuk janë me shkrimin e tij?
Unë nuk kam numëruar se sa dokumente ka libri, por ju që jeni në zyrën time tani, mund të shihni më shumë se 1200 fletë dokumentesh që lidhen me Enver Hoxhën. Libri është konceptuar si publicistikë historike dhe librat e shkruar në këtë mënyrë, qoftë nga Misha Glen qoftë nga Simon Montefiore nuk mbyten me dokumente sepse bëhen të vështirë për tu lexuar nga lexuesit. Për shembull, unë i jam referuar disa herë një libri brilant me dokumente për Pleniumin e Beratit të vitit 1944, publikuar nga studiuesit Ndreçi Plasari dhe Luan Malltezi shumë vite më parë. Libri ka me mijëra dokumente, por nuk ka shkuar masivisht tek lexuesit sepse leximi i dokumenteve në vetvete është i vështirë. Në funksion të këndvështrimit të librit serviren dhe dokumentet. Këndvështrimi im është ai i marrjes dhe konsolidimit të pushtetit brenda partisë Komuniste dhe më pas Partisë së Punës së Shqipërisë. Për këtë gjë kam paraqitur një seri dokumentesh. Edhe një prej tyre i vetëm shërben për të kuptuar stilin dhe filozofinë politike të Enver Hoxhës e jo më të gjithë bashkë. Zonja Hoxha merret me rininë dhe fëmijërinë, por nuk thotë asgjë për vrasjet brenda Partisë Komuniste.
P.sh, cili është mendimi i Zonjës Hoxha për këtë dokument që Hoxha ka shkruar për Llazar Fundon më 21 shtator 1944, komunist i orëve të para, emigrant në Moskë dhe anëtar i Kominternit:
“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. Ti kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Depozimet e Zaiut na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej. Enver”.
Ç’thotë zonja Hoxha për këtë letër që Enver Hoxha i çon Gogo Nushit më 8 Qershor 1943:
“Anastas Plasarin as që e kërkuam të vinte këtu, por ju dhamë urdhër që ay të qërrohej sans buit et sans trompettes çfr. pa zhurmë e pa bujë]. Më mos na pyesni [...] Taras”.
Po për këtë letër që Enver Hoxha i dërgon sërish Nako Spiros më 29 shtator 1943:
“Për Anastas Plasarin s’ju kërkuam aspak të vijë këndej, por ta dekorojë vetë atje me një plumb...”.
Po për këtë letër drejtuar Nako Spirus në 4 prill të vitit 1944 në të cilën flitet jo për ndonjë kolaboracionist, por për Kryetarin e grupit Komunist të Shkodrës, Zef Malën:
“Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi, ta dekoroni me një plumb kresë. Ay s’është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por edhe një mënyrë që të mos lihet pas dore kjo punë...”.
Ç’mendon zonja Hoxha për këto deklarime të Enver Hoxhës më 25 nëntor 1944 në Pleniumin e Beratit:
“Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu me Lirinë. Në këtë pikë unë isha pasqyrë e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej që ky ose ai po vepronte keq dhe vendosnim ta vrisnim. S’kishim një vijë të qartë për këtë çështje. Por edhe raportet na kanë vënë përpara situatave të këqija. Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne i japim udhëzim të vriten...”. dhe me këtë tjetrin:
“Me punën tonë, me kaq përgjegjësi që kishim, do të mbështeteshim pa reshtur te Miladini dhe Dushani. Puna jonë ishte si puna e atij nxënësit që për çdo gjë, pyet ose shikon mësuesin nëse ka punuar mirë, ose si duhet të punojë ç...] Për çdo gjë që bënim merrnim aprovimin e Miladinit ç...] Komiteti Qendror ishte i identifikuar me Miladinin dhe Komitet Qendror praktikisht nuk kishte...”.
Ç‘mendon zonja Hoxha si historiane për këtë deklaratë të Gogo Nushit në Pleniumin e Beratit në nëntor 1944, që sa kohë ajo punonte në Arkiva, nuk i lejohej askujt që ta shihte:
“Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës tonë, jo kriminelë dhe jokuislingë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut [...].Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 njerëz, e kemi listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’meritonte të vritej. Jemi të sigurt që do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar 100 vetë. Ne kemi menduar se me këto masa do të mbronim fitoren duke vrarë dhe zhdukur armiqtë”.
Ç‘mendim ka zonja Hoxha për këtë deklaratë të Enver Hoxhës në Plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, në datat 18-20 dhjetor 1946:
“Disa anëtarë partie duan se mos kërkojë populli ç’bëhet me Kosovën. Ne rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë paqe në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët”.
Po për këtë deklaratë po të Zoi Themelit në gjyq:
“Nga mesi i vitit 1945 jugosllavët, duke shoqëruar një numër kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, i vrisnin në masë rrugës pa pasur faj. Nga ky veprim disa kosovarë mundën të iknin dhe të dorëzohen në organet tona, duke kërkuar mëshirë dhe mbrojtje për të shpëtuar kokën. Ne me shkresa kemi sugjeruar që të dorëzuarit të mos u jepeshin jugosllavëve, se do t’i vrisnin. Mirëpo Koçi Xoxe na urdhëroi që ata të dorëzoheshin. Nga sa jam informuar, të riatdhesuarit, kanë gjetur vdekjen në Jugosllavi...”. Po për deklaratën e Koçi Xoxes që këtë gjë e kishte biseduar dhe kishte marrë aprovimin e Sekretarit Gjeneral?!
Përse Zonja Hoxha nuk thotë asgjë për “pasaktësinë” në kujtimet e Hoxhës lidhur me vrasjen e Qemal Stafës, kur deklaron se natën e fundit ka qenë me të. Gjë botërisht e përgënjeshtruar. Dihet që natën e fundit Qemal Stafa ka qenë me të fejuarën e tij dhe katër militantë të tjerë komunistë.
Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë për vrasjen e Mustafa Gjinishit dhe gënjeshtrën që Hoxha bëri me të. Në një anë e vrau dhe e pranoi vrasjen në pleniumin e Beratit më 1944 dhe në anën tjetër, shpalli ditë zije për të?!
Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë për dy qëndrimet me shkrim që Hoxha mban për Abaz Kupin në fillim kur ishte me të dhe më pas kur iku prej tij.
Përse nuk thotë gjë për dy qëndrimet që ai mban për Stalinin, qëndrim që ndërron 3 herë. Në fillim admirues, pas kongresit të XX kritik dhe pas prishjes me BS sërish adhurues.
Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë me apo pa dokumente për vrasjen makabre të Admiral Teme Sejkos, të goditur deri në vdekje me hunj druri?!
A e di zonja Hoxha se si e zbatuan partizanët porosinë e Enver Hoxhës dhe Marreshallit Tito për torturimin dhe vrasjen e Zai Fundos? E lidhën pas një peme dhe e rrahën derisa i doli shpirti, nën tmerrin e Said Kryeziut dhe togerit Britanik që ishte më ta. Qe një porosi e Hoxhës. Ja si e përshkruan George H. Show Trials: Stalinist Purges in Eastern Europe, 1948-1954. (New York: Praeger Publishers, 1987, p. 7). “In the summer of 1944, he (Lllazar Fundo, shënim i autorit) was arrested by his comrades and beaten to death before the horrified eyes of the British military mission.” Nëse zonja di anglisht mund ta kuptojë se si është përshkruar vdekja e Llazar Fundos, urdhëruar nga Enver Hoxha, në më shumë se 4 libra të botuar në perëndim.
Këto janë vetëm një pjesë e dhjetëra dokumenteve që citohen në libër dhe për të cilat zonja Hoxha nuk jep përgjigje. Përkundrazi, bie në komente të problemeve pa rëndësi si rezultatet e Enver Hoxhës në Lice apo madhësia e shtëpisë së Lindjes së tij. Por edhe këto janë me referenca. Shtëpia e Lindjes i referohet intervistës së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, gjirokastrit si Hoxha, ndërsa për problemin e rezultateve në shkollë po i citoj këtë fragment:
Rezultatet e tij janë dhe në dokumente arkivore të Liceut. Në vitin 1929 (dosja 14) vlerësohet: “Observation: Admis Passable [kalueshëm], admissible [i pranueshëm], po kështu e më 1930. Ka dhe një procesverbal për t’u riprovuar në vjeshtë: “Procesverbal. Komisioni i formuar si mbas telit të Ministrisë së Arsimit me nr. 968/50, dt. 27/9/27 për të provuar të mbeturit kandidatë bursistë për në Liceun e Korçës, i përbërë prej....” Enver Hoxha riprovohet në gjuhë, matematikë, histori, gjeografi, shkencë fizikë..
Po i kthehem edhe një herë thelbit të debatit. Unë nuk i kam cituar gjithë këto gjëra mbi notat e tij, siç kam qenë kundër shokëve të shkollës që e quajnë pa talent dhe pa dhunti. Po, ai nuk dinte të luante futboll, nuk dinte të bënte poezi, nuk dinte të këndonte, por kjo s’do me thënë asgjë. Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm politik dhe këtë e përdori me mjeshtri në funksion të pushtetit të tij. Dhe në këtë fakt, nuk e pengon as qenia pa diplomë ose mungesa e studimeve universitare. Këto janë detaje, jo thelbi i problemit.
Ndërkohë, zonja Hoxha duhet të kuptojë se sot jemi në një shoqëri të lirë dhe kushdo mund t’i shprehë lirisht mendimet e tij, mjafton që ato të jenë të argumentuara. Panairi i ri i librit do jetë së afërmi në pranverë dhe le të botojë ajo një libër mbi Hoxhën siç e sheh ajo dhe të shohim reagimin e publikut dhe kritikën për këtë gjë.
Në arkivin e shtetit është shumë i madh fondi për Enver Hoxhën, pse nuk e shfrytëzuat atë? 
B.F. Fondi për Enver Hoxhën dhe për regjimin e tij është shumë i madh. Janë më shumë se 44 vjet aktivitet padyshim. Unë kam shfrytëzuar aq sa më duhet në përputhje me këndvështrimin tim. Ju e dini që bëhet fjalë për disa miliona fletë, mendoni se ato duheshin futur të gjitha në libër?! Pastaj është hera e parë që dëgjoj që një autori i thonë pse nuk mendon kështu, por mendon ashtu. Në fakt, unë kam gjetur një kënd shikimi dhe nuk kam menduar vetë. Thjeshtë kam ballafaquar kujtimet e Hoxhës me dëshmitë dokumentare.
Zonja Hoxha thotë që...
Më fal, Zonja Hoxha thotë që ajo disponon dokumente të tjera për Enver Hoxhën. Po i bëj një ftesë publike. Le t’i botojë sot dokumentet që ajo ka dhe që e tregojnë Hoxhën një njeri ndryshe. P.sh në ditarin e Hoxhës në datat 11, 12 dhe 14 Shtator, flitet për dy biseda të tij me Mehmet Shehun. E para kokë më kokë, e dyta në prani të Fiqret Shehut dhe Nexhmije Hoxhës. Ditari thotë:
E premte, 11 shtator 1981.
Thirra Mehmetin nga Korça që ta pyesja për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.
E dyta:
E shtunë, 12 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin për problemin e koklavitur të djalit të tij, Skënderit. Biseda me të, është në dorëshkrim në kasafortën time.
E treta:
E diel, 13 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin dhe Fiqireten për çështjen e djalit. Asistonte edhe Nexhmija. Biseda me ta është në dorëshkrim në kasafortën time.
Meqenëse familja Hoxha disponon gjithë materialet e kasafortës së Hoxhës, përse nuk i boton të plota këto dorëshkrime për të kuptuar gjithë shqiptarët se ç‘është biseduar mes tij dhe Mehmet Shehut për një gjë kaq të diskutuar që çoi në eliminimin e Kryeministrit 27 vjeçar?
Përse zonja Hoxha junior dhe senior nuk reaguan kur pjesë të ditarit të Hoxhës u botuan në gazetën “Panorama”, “KJ” e madje edhe në gazetën tuaj?! Përse nuk reaguan kur dokumente si ai i Zai Fundos u vendosën në stendat e Muzeut Historik Kombëtar dhe ndodhet atje prej shumë vitesh?
Nga ana tjetër, të bësh shantazh me ndonjë dedikim të viteve të komunizmit, është t’i rikthehesh filozofisë enveriste të përbaltjes së kundërshtarit. Zonja Hoxha kujton se Vedat Kokona, një njeri fisnik, i paska dhuruar një fjalor me dedikim dhe me lavde për Hoxhën. Po kush do guxonte të bënte ndryshe në vitet ’80? Por Kokona pati kurajën t’i shkruajë dhe t’i botojë kujtimet e tij në vitet ’90 dhe ato janë një burim shumë interesant. Ai nuk e tall, nuk e fyen Hoxhën e nuk e merr nëpër këmbë. Ai jep kujtimet e tij dhe ky ishte gjesti i fundit fisnik që ai bëri përpara ikjes përgjithnjë nga kjo botë.
Natyrisht, unë po flas për një libër mbi kreun e shtetit dhe profilin e tij. Nuk po flas për një individ. Sepse nëse flasim për burracakëri, ajo ka vetëm një shembull. Sjelljen e Enver Hoxhës ndaj Anasatas Plasarit, të cilin e fton me një letër gjithë lajka që të shkojë dhe ta takojë në shtab dhe po me atë korrier, çon një letër tjetër ku ju thotë drejtuesve komunistë, Vriteni rrugës! Si quhet kjo sjellje në gjuhën shqipe?
Dhe e fundit, dokumentet për Enver Hoxhën si edhe filmat për të janë pjesë e Arkivit Qendror të shtetit sepse kanë qenë që në gjallje të tij, pjesë e Arkivit të Komitetit Qendror të PPSH–së. Pastaj a mendohet, e s’mendohet Enver Hoxha në ato filma, a i dhembte a s’i dhembte koka për Shqipërinë, unë s’e di sepse s’jam psikolog.
Nga ana tjetër, insistoj edhe një herë. E ftoj zonjën Hoxha, si dhe zonjën Nexhmije Hoxha, t’i publikojnë çdo ditë komentet e tyre për këtë libër. Nëse ka diçka racionale, do ta përmirësoja me shumë falenderime në ribotimin e ri. Por nëse duan, jam gati të përballem me secilën prej tyre kudo që ato mendojnë.
Në librin tuaj ka edhe momente kur ju i jeni referuar burimeve pa dhënë identitetin e tyre, ndërsa një libër biografik bazohet në dokumente arkivore?
Më gjeni një rast dhe jam gati t’jua pranoj. Burime anonime unë nuk përdorur. Kam përdorur dokumente dhe citime të njerëzve që e kanë njohur. Madje jo gjithë burimet sepse për Hoxhën ka mjaft pasaktësi dhe kanë tentuar ta denigrojnë pa pasur nevojë për këtë.
Nga ana tjetër në pyetjen e parë më duket se ju rendita një seri burimesh arkivore. Nëse doni më shumë gjeni sa të doni në libër. Po ju sjell një shembull që lidhet pikërisht me zonjën Teuta Hoxha për ta ilustruar këtë. Sipas një burimi shumë të besueshëm, eliminimi i Mehmet Shehut ka nisur pikërisht në apartamentin e zonjës Hoxha. Sipas këtij burimi, pasditen e datës 3 apo 4 shtator, kur Enver dhe Nexhmije Hoxha u kthyen nga vizita që kishin bërë tek Mehmet Shehu për ta uruar për fejesën e djalit, gjetën në shtëpinë e tyre, të ëmën e zonjës Hoxha. Ishte kjo që i foli Nexhmije Hoxhës për diskutimet në qytet lidhur me fejesën dhe gjëra grarish si këto. Pas këtij momenti, Nexhmije Hoxha kërkoi të dhëna më të plota për Silva Turdiun dhe fisin e saj. Këtë episod që mund të jetë i vërtetë, unë nuk e verifikoja dot. Pavarësisht besimin që unë kam tek ai burim. Ndaj, nuk e përmenda emrin. Pra, ky është dallimi mes burimeve të citueshme dhe dokumenteve. Ndaj unë kam hequr në libër plot 32 citime që janë dëshmi, por që vërtetësinë e të cilave unë nuk e verifikoja dot.
Pse i jeni referuar vetëm kundërshtarëve të Enver Hoxhës, përjashto Ramiz Alinë duke i dhënë kontekstin e njëanshmërisë veprës suaj?
Në pjesën më të madhe të librit unë citoj Enver Hoxhën dhe Nexhmije Hoxhën. Unë nuk mund të citoj për Hoxhën të tjerë kur citoj atë vetë. Ka më shumë citime të Hoxhës në libër se sa të gjithë kundërshtarëve të tij të marrë bashkë. Edhe Hoxha nuk quhet burim i besueshëm? Hapeni librin dhe mund t’i gjeni vetë.
Në librin biografik të Enver Hoxhës janë prekur shumë pak koha e ndërtimit të socializmit, politikën e jashtme, zhvillimin e artit e kulturës. mbrojtjen territoriale... A e lënë pak mangët këto elemente biografinë e tij?
S’ka qenë as këndvështrimi dhe as puna ime kjo. Unë kam parë raportin e ardhjes në krye të PKSH–së dhe konsolidimit të pushtetit të tij. Nuk kam as aftësinë dhe as kohën të hulumtoj në këto drejtime. Ju siguroj se nëse dikush do të bënte një studim për izolimin, libri do të ishte fenomenal dhe shumë interesant. Nëse dikush do të shkruante për politikat ekonomike të Hoxhës, kolektivizimin, urinë masive, tollonin dhe gjithë mizerabilitetin e një kohe, po ashtu do ishte shumë interesante. Në vitin 1989, Shqipëria ishte zyrtarisht, vendi i 3-të më i varfër i globit. Zonja Hoxha nuk e di këtë se nuk kishte si ta shihte. Por kjo s’është ambicia ime, mund ta bëjë dikush tjetër. Nëse dikush bën një studim për atë që ju e quani mbrojtja e atdheut, mund të ishte interesante të shihje se si miliarda dollarë shkuan për të ndërtuar bunkerë apo vepra të mbetura pa sens si tuneli i Porto Palermos që ka kushtuar sa 35 herë autostrada Tiranë–Durrës. Mbaj mend që në vitin 1989, në Zbor, në Mamurras, në orën 02:00 të natës komandanti i batalionit hynte në fjetore dhe me një megafon bërtiste: Nato dhe Traktati i Varshavës po sulmojnë Shqipërinë. Na ngrinin me vrap dhe ecnim nëpër ca kodra ku shihnim fshatarë të mjeruar që dilnin të punonin tokën pa gdhirë. Po a mund të konsiderohet paranojë dhe idiotësi kjo, kur as NATO dhe as Traktati i Varshavës as kishin ndër mend të merreshin me Shqipërinë.
Pra ka plot gjëra që mund të bëhen libra të jashtëzakonshëm, por mos më kërkoni mua të bëj një libër në javë.
Në fakt ka edhe diçka tjetër që mund të shtoj në këtë drejtim. Unë jam përqendruar tek beteja e brendshme e Partisë Komuniste dhe kontrolli i pushtetit. Unë nuk kam trajtuar raportin e Enver Hoxhës me kundërshtarët e tij politikë dhe masakrimin e tyre që në ditët e para të ardhjes së Hoxhës në fuqi. Duke ndeshur plot dokumente për ato krime, jam ngjethur dhe jam ndjerë shumë keq. Nëse zonja Hoxha do t’i lexonte, dhe unë mund të shkruaj një libër tjetër vetëm për këtë temë, atë s’do ta zinte gjumi nga ato krime të përbindshme. P.sh, ç‘mendon zonja Hoxha si grua, për persekutimin e një gruaje kaq të emancipuar si Musine Kokalari? Ç‘mendon për sjelljen ndaj klerit, që nëse nuk e di, mund ta lexojë në librin e Gjon Sinishtës apo të At Zef Pllumit? Ç‘mendon për sjelljen ndaj nënë Terezës, letrat e plota të së cilës janë ende sot e kësaj dite të botuara?!
Gjatë një bisede që kam pasur me Nexhmije Hoxhën ajo më ka treguar se në momentin e vdekjes infermieri që ka qenë prezent në dhomë pranë saj ka qenë Fahri Bufi, ndërsa në librin tuaj nuk përmendet asnjë burim për faktin se ai është gjetur i shtrirë në tokë?
Po, në versionin e parë të librit, unë kam pasur vetëm citimin e zonjës Hoxha siç e përshkruan ajo në kujtimet e saj. Pastaj dy nga mjekët që kanë qenë atë ditë aty dhe që kanë lexuar dorëshkrimin më kanë thënë se kjo ishte pasaktësi sepse e kanë gjetur të shtrirë në dysheme dhe aty i kanë dhënë ndihmën e parë. Po ç‘rëndësi ka kjo? Nëse Hoxha do kishte vdekur në kolltuk apo në divan do ishte një lider politik më i mirë apo më i keq? Ky është karagjozllëk. Zonja Hoxha duhet të japë pëgjigje për ato që unë thashë më sipër dhe që gjenden të gjitha në Arkivin Qendror të Shtetit.
Pse nuk përdorët kujtimet e Nexhmijes si një burim të mundshëm?
Më vjen keq që ma bëni këtë pyetje, i kam referuar me dhjetëra herë kujtimet e zonjës Hoxha, madje edhe citime direkte të saj dhe këtë e keni në referencat në fund të librit.
Pse keni përsëritur në rreth 20 fotografi që mban kjo biografi të ilustrohet jeta e Enverit në vetëm 2-3 momente si ajo e pishinës dhe i veshur si plaku i vitit të ri. Është tendencioze kjo përzgjedhje?
Sepse ta shohësh Enver Hoxhën me rroba banje apo në një moment relaksi ishte më e veçantë se sa ta shohësh siç e paraqiste Instituti i Studimeve Marksiste–Leniniste. Dhe nuk e kuptoj përse quhet tendencioze?! Nëse një njeri fotografohet duke bërë plazh, konsiderohet që po denigrohet?! Dhe pastaj mos duhej ta vishja unë Enver Hoxhën me fotoshop, apo të jepja po ato foto që janë dhënë me dhjetëra herë. Mund të pyesni zonjën Hoxha se ku qëndron tendencioziteti në fotot me rroba banje? A e di zonja që ka ikur koha kur po të dilje me flokë të gjata dhe me pantallona të ngushta ndëshkoheshe. Le të hapë një adresë në Fb dhe të shohë se si i postojnë fotot e tyre të gjithë njerëzit.
A mund të bëhet një biografi si e Enverit në tre muaj?
Nuk është bërë në tre muaj dhe kjo është e pasaktë. Ka filluar në verën e vitit 2009 në mënyrë sistematike dhe është shkruar në 3 muaj në verën e këtij viti. Procesi i shkrimit është gjë tjetër. Puna kërkimore ka qenë dy vjet, por interesimi për të është shumë më i gjerë, ka nisur që në fillim të viteve ’90, kur unë kam skeduar gjithë rrëfimet për të, gjithë dokumentet që botoheshin, gjithë deklaratat dhe shënimet. Pra në thelb është një punë 20-vjeçare e konkluduar në 3 vite dhe e hedhur në letër në 3 muaj.
Ju keni pasur një histori të gjatë persekutimi në familjen tuaj, e bën kjo të njëanshëm biografinë që keni shkruar për Enver Hoxhën? 
E para nuk kam pasur ndonjë histori kaq të gjatë persekutimi sa thoni ju dhe as e kam përmendur këtë gjë ndonjëherë. Nuk e kam përmendur as në fillim të viteve ’90 kur të gjithë ulërinin me të madhe që ishin të persekutuar. Po, familja ime ka qenë kundër regjimit komunist, por asnjë prej prindërve të mi s’ka bërë as burg dhe as internim. As gjyshi. Në këtë drejtim kemi qenë shumë më me fat se mijëra familje të tjera që ai regjim i masakroi, shumë më me fat se mijëra familje, fëmijët dhe prindërit e të cilave u pushkatuan me apo pa gjyq apo vdiqën në burgje. Familja ime ishte kundër regjimit komunist dhe unë e them se jam krenar për këtë. Të parët e mi janë firmëtarë të aktit të pavarësisë, ministra dhe deputetë të qeverive të para shqiptare, që për arsye politike, u konfrontuan me Mbretin Zog dhe u tërhoqën në jetën private. Kjo me sa duket i shpëtoi sepse kur komunizmi erdhi në fuqi, ata kishin kohë që s’ishin më aktiv. Por unë e them. Stërgjyshet e mia, besonin se ai ishte një regjim kriminal dhe unë jam krenar sot, që bindja e tyre, është edhe ajo e historiografisë shqiptare në unison.


No comments: