Thursday, June 23, 2011

“Rezarta shau në Facebook, i thashë hajde përballemi”

Zbardhet dëshmia e plotë në Prokurori e këngëtares Rozana Radi në lidhje me sherrin e saj me këngëtaren Rezarta Shkurta dhjetorin e vitit të kaluar.Sipas këngëtares Radi, Rezarta Shkurta e kishte gjuajtur me grushte, i kishte shkulur flokët dhe shkaktuar dëmtimin e rëndë në fytyrë. Po sipas deklarimit, Radi nuk e kishte mbrojtur dot fytyrën për shkak se kishte ruajtur gjoksin, ku pak kohë më parë kishte kryer një operacion plastik. Në deklarimin e saj Radi fajëson edhe bashkëshortin e këngëtares Shkurta, i cili, sipas saj, e kishte mbajtur nga duart gjatë kohës që ishte duke u përleshur me Shkurtën. Dosja me të pandehur Rezarta Shkurtën, për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” është depozituar në Gjykatën e Tiranës. Më poshtë vijon dëshmia e dhënë nga këngëtarja Rozana Radi në Prokurori pas ngjarjes.
Pyetje: Ju, më datë 06.12.2010 keni bërë një kallëzim penal përpara oficerit të Policisë Gjyqësore E. Dani, ndaj shtetases Rezarta Shkurta. A mund të na sqaroni hollësisht rreth kësaj ngjarjeje?
Fillimisht do sqaroja se në prill të vitit 2010 kemi qenë në një emision të përbashkët me Rezarta Shkurtën me titull “VIP shpia”, në Kosovë, në një ndër kanalet televizive kosovare. Në këtë emision kanë qenë edhe artistë të tjerë si Big Mama, Kastro Ziso, Afroviti Goga dhe aktorë e këngëtarë të tjerë kosovarë. Gjatë emisionit që transmetohej 24 orë në 24 kemi bërë unë me Big Mamën një debat me Rezartën. Debati filloi për arsye të kota dhe degjeneroi më vonë deri në fyerje familjesh dhe personale midis njëra-tjetrës. Në televizion Rezarta nuk ka përdorur fjalë të pista. Pas debatit, Rezarta e la lojën në fjalë dhe iku nga emisioni me pretendimin se nuk duronte dot fjalorin tonë banal (timin dhe të Big Mama-s). Pas këtij momenti, deri në momentin që u zhvillua në televizionin “Klan” Kënga Magjike 2010, unë me Rezartën nuk kemi komunikuar me njëra-tjetrën. Në përfundim të Këngës Magjike kemi shkuar në një “aftër party” (pas mbrëmje) te “Stela” dhe në një moment që unë isha duke kërcyer, Rezarta më erdhi aty, m’u hodh në qafë dhe më komplimentoi për këngën. Në momentin që m’u hodh në qafë e panë dhe shumë veta të tjerë. Unë e konsiderova falje këtë përqafim të Rezartës dhe i thashë që faljen e kam institucion. Të nesërmen ishim tek emisioni “E diela shqiptare”, ku publikisht Rezarta më erdhi dhe më puthi. Të premten, pas së dielës, unë u ftova tek emisioni “Zonë e lirë” i drejtuar nga gazetari Arian Çani. Gjatë emisionit Çani më ka thënë: “Jeni pajtuar me atë vajzën që keni pasur probleme?”. Unë i thashë po dhe se ajo më kishte kërkuar falje. I thashë Çanit se faljen e kam institucion. Pas këtij emisioni, në adresën time në Facebook më kanë mbërritur fyerje pa fund nga Rezarta Shkurta. Fyerjet nuk mund t’i them dot, pasi kanë qenë shumë të rënda. Do t’i paraqes më vonë nëse do të më duken të arsyeshme. E bllokova një adresë të saj dhe ajo filloi të shkruante në një adresë tjetër në drejtimin tim, po me fjalë të ndyra. Unë ia kam kthyer mesazhet, por nuk mbaj mend që ta kem sharë atë. Mesazhet mes nesh në Facebook, me sa mbaj mend, kanë vazhduar nga dita e premte deri ditën e diel, ku agravoi keq situata. Ditën e diel, duke u gdhirë e hëna, rreth orës 01.00 kanë vërshuar një sërë mesazhesh në inbox-Facebook, në drejtimin tim. Këto unë i kam fotografuar dhe do t’i paraqes nëse i shoh të arsyeshme. Mbaj mend që i jam përgjigjur Rezartës në një koment se: “Pse nuk i shkruan në gazetë apo të shkosh dhe t’i thuash në televizion këto që ke shkruar? Ose hajde dhe m’i thuaj në sy. Unë jetoj në Tiranë”. D.m.th. unë nuk i kam thënë që ajo të vinte në shtëpinë time. Rezarta, pas kësaj, më ofendon përsëri keq dhe më keq. Ndër gjithë këtë mori mesazhesh, një fjalë që më ngeli në mendje është kur më shkroi: “Hajde të takohemi se dua ta çoj argëtimin deri në fund”. Nga ky komunikim që bëmë, Rezarta më kërkoi të dinte nëse ishte telefoni im ai ku ajo kishte shkruar. Unë ia konfirmova dhe ajo më kërkoi të dinte nëse isha unë, që të takoheshim. I tregova se ku isha dhe e lamë të takoheshim poshtë pallatit tim te kompleksi “Kolombo 2″. Në shtëpinë time ishte edhe djali i xhaxhait, L. Radi, i cili pa mesazhet e fundit mes meje dhe Rezartës dhe më kërkoi që të më shoqëronte. Unë nuk pranova, pasi mendova që nuk ishte e nevojshme dhe zbrita më këmbë jashtë, poshtë pallatit tim. Por nuk e pashë Rezartën. Në këtë moment, ose e mora në telefon, ose me mori në telefon Rezarta dhe ajo më tha se nuk ishte poshtë pallatit tim, pasi nuk e dinte. Ishte pak më poshtë, në rrugën kryesore, afër kompleksit “Fari”. Mora makinën time “Peugeot 206″ me ngjyrë gri në bojë qielli dhe shkova në drejtim të vendit ku më tha Rezarta. Isha vetëm dhe po drejtoja makinën time. Ndërkohë që sapo u shkëmbeva me një benz vishnje që ishte parkuar me drita fikur, më telefonoi Rezarta dhe më tha: “Ndalo se jam mbrapa teje”. Unë ndalova makinën në cep të rrugës, hapa bllokazhet e dyerve. I thashë Rezartës, që erdhi nga dera e shoferit, që të dilte nga dera e pasagjerit dhe të hipte në makinë, me mundësinë që të bënim një xhiro për të sqaruar problemet. Rezarta nuk pranoi. Hapi derën time të shoferit normalisht. Unë mendova të dilja nga makina që të flisja me të. Në momentin që po ngrija frenat e dorës, Rezarta m’u hodh sipër mua duke më sharë, gjuajtur me grushte dhe shkulur flokët. Në këtë moment, duke qenë se kisha dalë nga një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks, kam ruajtur pjesën e bustit dhe kam lënë fytyrën zbuluar, ku Rezarta më qëlloi më shumë. Pas këtij momenti kam arritur të dal nga dera e makinës dhe në momentin që dola, prapë m’u hodh për të qëlluar. Doli një mashkull nga makina ku ishte Rezarta, benzi vishnje që përmenda, dhe u drejtua menjëherë drejt nesh, duke më kapur mua të dyja duart, ndërsa Rezarta më gjuante në fytyrë. Pas shumë pak sekondash pashë dritat e policisë që qarkullonin në zonë. Mashkulli që ishte me Rezartën ishte Ermal Hoxha, burri i saj, të cilin e njihja prej shumë kohësh. Menjëherë ika drejt makinës së policisë dhe i dola para. Nga makina dolën dy policë, të cilët me thanë: “Rozana, çfarë ke?”. U kërkova të më shoqëronin në komisariat mua, Rezartën dhe Ermalin. Polici më tha të qetësohesha, pasi isha duke qarë. Në këtë moment Ermali më kërkoi të bisedonim pak të dy, çka ua kërkoi edhe policëve. Pasi Ermali me merr dhe futemi në makinën time, më tha: “Është mirë të mos shkojmë në polici, por të pimë kafe dhe ta sqarohemi”. I thashë se si kishte mundësi që një mashkull të nxirrte në orën 02:30 gruan e tij nga shtëpia për t’u zënë? Ai më tha që nuk e dinte se do të ziheshim. Unë i thashë se përse nuk ndërhyri kur Rezarta po më godiste, ndërkohë që erdhi menjëherë kur unë dola, duke më mbajtur duart? Ermali tha: “Po çfarë t’i bëj unë asaj? E kam grua”. Me kaq, duke mos qenë unë në gjendje të merrja makinën time, e parkova aty dhe më shoqëruan dy policët në fjalë me makinën e tyre në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë. Sapo hyra në polici kërkova një mjek, pasi kisha djegie dhe dhimbje syri. Ngaqë ishte shumë vonë, ora rreth 04:00 e mëngjesit, nga policët m’u tha që të vija në orën 08:00 të mëngjesit, pasi në atë orë që shkova unë nuk kishte njeri kush ta merrte kallëzimin penal.
Në këtë kohë më erdhi motra ime, A. Radi, me bashkëshortin e saj dhe më dërguan me makinën e tyre në shtëpi. Motra erdhi në Komisariatin e Policisë, pasi gjatë kohës që unë po shkoja atje me policët, e telefonova atë me numrin tim dhe i thashë: “Hajde shpejt në Komisariatin 1, tek Pazari i Ri”. Në momentin e telefonatës së parë, motrën nuk e sqarova dhe as më pas kur ikëm në shtëpi, pasi isha shumë e tensionuar. Në momentin që motra me kunatin po më çonin për në shtëpi, unë u tregova atyre me pak fjalë, pa detaje, sherrin që ndodhi. Vetëm të nesërmen, pas kallëzimit penal, unë e kam sqaruar motrën për gjithçka dhe me detaje. Pasi më çuan në shtëpi motra me kunatin, unë gjeta aty djalin e xhaxhait, Lorenin dhe ia sqarova edhe atij situatën dhe se si kishte ndodhur ngjarja. Pasi Loreni dhe unë u munduam të qetësonin syrin tim të majtë, që më ishte ënjtur dhe skuqur nga brenda, shkoi ora rreth 07:00 e mëngjesit, pas së cilës unë u bëra gati dhe shkova në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ku para oficerit të Policisë Gjyqësore, E. Dani, bëra kallëzimin tim penal. I kërkova oficerit që të më shikonte një mjek syrin, ndërsa ai më dha një vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, për të bërë ekzaminimin përkatës. Shkova bashkë me vendimin që më dha oficeri te spitali “Nënë Tereza”, tek një mjek aty, i cili pasi më ekzaminoi, më tha të bëja një kontroll dhe mund të vazhdoja për në shtëpi. Me kaq e mbylla me pjesën e policisë dhe ekzaminimit ligjor, por kam vuajtur me syrin tim të majtë, i cili edhe sot më pengon në të parin tim qartësisht.
Pyetje: A ka pasur ndonjë të pranishëm tjetër gjatë sherrit në fjalë që keni bërë ju me Rezartën?
Unë nuk kam pasur asnjë të pranishëm tjetër, përveç sa ju deklarova më sipër gjatë sherrit që ndodhi mes meje dhe Rezartës. Nuk kam parë asnjë lokal hapur, pasi ishte errësirë dhe nuk kishte as drita në rrugën ku ndaluam ne dhe ku ndodhi sherri. Një ndër lokalet që ka qenë afër aty, pranë një supermarketi, nuk ka qenë i hapur, ka qenë me drita fikur.
Pyetje: A keni pasur ndonjë mjet të fortë ju apo Rezarta gjatë sherrit?
Unë nuk e kam goditur Rezartën, pasi nuk kisha mundësi as të mbrohesha nga moria e goditjeve të saj. Ajo më ka qëlluar mua. Nuk ka pasur ndonjë nga ne mjete të forta gjatë sherrit, por Rezarta duhet të ketë pasur ndonjë unazë në dorë, pasi nuk kishte se si të më bëhej syri në atë gjendje që m’u bë.
Pyetje: A mund të na sqaroni kush është tjetër në dijeni të këtij sherri mes jush?
Përgjigje: Në dijeni, sikurse deklarova, është: kunati, që u informua nga ime motër dhe jo nga unë, motra ime dhe çuni i xhaxhait, Loreni. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve më kanë ardhur në shtëpi apo takuar në ambiente të tjera këngëtarët Valbona Mema, Sinan Hoxha, Zajmina Vasjari, Eni dhe Greta Koçi, Tefta Radi e Françesk Radi, ku i kam informuar hollësish për situatën dhe ngjarjen e ndodhur. Po ashtu vlen të sqaroj se në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, kur kam shkuar aty në mesnatë për të denoncuar, kanë qenë dhe 2-3 policë të tjerë që nuk i mbaj mend si fytyra e jo më si emra.
Pyetje: Në kohën që keni shkuar në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë për denoncimin, a kanë qenë edhe shtetasit Ermal Hoxha dhe Rezarta Shkurta aty?
Përgjigje: Kur shkuam në Komisariat, rreth orës 04:00 të mëngjesit, kemi qenë të gjithë bashkë aty, si unë dhe Rezarta me Ermalin, ku unë hyra e para brenda në Komisariat, ndërsa ata prisnin përjashta. Kur dola nga Komisariati, Ermali me Rezartën hynë aty, pra u shkëmbyem me njëri-tjetrin, por nuk folëm. Ndërsa në mëngjes unë nuk e pashë as Rezartën, as Ermalin kur shkova dhe bëra denoncimin. Pas këtij momenti dhe deri sot nuk kam pasur kontakte me Rezartën dhe me Ermalin.
Pyetje: Nga deklarimet rezultojnë disa fakte të reja që nuk i keni deklaruar gjatë kallëzimit penal tuaj më datë 06.12.2010. Përse nuk janë deklaruar këto fakte që po deklaroni sot?
Përgjigje: Atë ditë që bëra kallëzimin penal kam referuar ngjarjen që ndodhi, por jo hollësira rreth personave që unë kam vënë në dijeni për ngjarjen, pasi mua më pyetën në polici se si ndodhi ngjarja dhe jo kujt ia kisha thënë ngjarjen.

“Si e ndava sherrin mes Rozana Radit e Rezartës”

“Po e gjete ndonjë ditë të vdekur në ndonjë cep Rezartën, e ke peshqesh nga unë…”.Sipas Ermal Hoxhës, nipit të diktatorit Enver Hoxha, kështu ishte shprehur në adresë të tij këngëtarja Rozana Radi, mbrëmjen e 5 dhjetorit 2010, vetëm pak çaste pasi ishte përleshur me bashkëshorten e tij, këngëtaren Rezarta Shkurta. Në rrëfimin e tij para prokurorëve gjatë hetimit të konfliktit në fjalë, Hoxha ka rrëfyer për zënkat mes dy këngëtareve, momentin e konfliktit pranë Kopshtit Zoologjik, ofendime sipas tij nga ana e Rozanës dhe deri në ndërhyrjen e tij për të shuar sherrin. Më poshtë publikohet deklarimi i dhënë prej tij para prokurorëve pak ditë pas ngjarjes.
DEKLARIMI I ERMAL HOXHËS
Unë jam njohur me shtetasen Rezarta Shkurta që para 5 vitesh dhe kam rreth 3 vjet që jam martuar me të. Që prej 4 vitesh, ne jetojmë në të njëjtin apartament. Para rreth një viti, bashkëshortja ime, Rezarta Shkurta, ka pasur një konflikt me shtetasen Rozana Radi (unë Rozanën e njoh që prej rreth 15 vitesh). Ky konflikt ka ndodhur në një emision të quajtur “VIP shtëpia”, që zhvillohej në Kosovë nga televizioni “21″, me sa mbaj mend (konflikte të vogla kanë pasur edhe më parë këto shtetase). Konflikti në këtë emision të drejtpërdrejtë ka lindur për gjëra kuzhine (në të gatuar). Ky konflikt ka agravuar po në emision, derisa Rozana e ka kërcënuar Rezartën tekstualisht: “Ç’të bëj se jemi në emision, se po të ishim jashtë, do ta kisha rregulluar unë”. Në këtë emision kanë qenë edhe shtetasit Kastro Ziso dhe disa artistë kosovare. Mbas konfliktit në fjalë, Rezarta u largua me dëshirë nga emisioni. Këtu mbaron kjo histori e këtij momenti. Ndërsa më pas filluan thashethemet mes njëra-tjetrës, nëpërmjet shoqërive të përbashkëta (që kanë qenë artistë, por që unë nuk i mbaj mend), ku jo më tha kështu Rozana për ty, jo kështu më tha Rezarta për ty. Në këtë gjendje kanë vazhduar të ngrira marrëdhëniet mes këtyre dy këngëtareve derisa, pas Këngës Magjike 2010, në emisionin “E diela shqiptare”, Rezarta e ka uruar Rozanën për çmimin e marrë. Mbas rreth 2-3 ditësh, Rezarta me Rozanën kanë filluar të shkruajnë me njëra-tjetrën në Facebook. Unë nuk di se çfarë kanë shkruar konkretisht, pasi nuk e kam lexuar, por Rezarta më ka thënë se i kishte shkruar Rozana “do të shkarravis, dil tani të të takoj” etj të kësaj natyre. Këto episode të fundit kanë ndodhur vonë në darkën e datës 05.12.2010. Komunikimet mes tyre nuk e di nëse kanë filluar edhe më herët. Rozana i ka shkruar në Facebook Rezartës, që të vinte te shtëpia e saj për ta takuar, por Rezarta nuk ka pranuar, duke i kërkuar të takoheshin tek rrethrrotullimi që ndodhet para derës së Kopshtit Zoologjik (Rozana dhe ne i kemi pallatet afër, në të njëjtën zonë). Në komunikimet mes tyre, unë di që Rezarta me Rozanën e kanë lënë të takoheshin pikërisht aty dhe poshtë pallatit të Rozanës. Në momentin që Rozana ka komunikuar me Rezartën për rastin në fjalë, unë me Rezartën kemi qenë në një internet kafe në Tiranë, tek “Shushica”, krah stadiumit “Dinamo”. Pasi kemi shkuar tek Kopshti Zoologjik, di që ka pasur një telefonatë mes Rezartës dhe Rozanës (nuk e di kush e ka bërë telefonatën) dhe është lënë që Rezarta ta priste aty Rozanën. Në këto kushte, kemi ndaluar diku pak më para rrethrrotullimit, sapo fillon pallati i parë. Kemi fikur makinën aty dhe kemi pritur Rozanën në makinën time markë “BMW” 730 0,veturë. Gjatë pritjes aty, Rozana ka kaluar me makinën e saj “Peugeot 206″, me ngjyrë gri apo bojëqielli dhe nuk na ka parë, por ka ndaluar pak më tutje (rreth 10 metra më larg). Në moment kanë telefonuar prapë njëra-tjetrën Rozana me Rezartën, ku Rezarta pasi e ka parë Rozanën, i ka thënë se të pashë ku je. Ka zbritur nga makina ime dhe ka shkuar drejt makinës së Rozanës për ta takuar, pasi Rozana i tha që të vinte atje, sepse nuk zbriste nga makina e saj. Unë kam qenë mbrapa makinës së Rozanës dhe nuk kam zbritur nga makina ime. Nga sa kam parë, në momentin që ka shkuar Rezarta pranë makinës së Rozanës, ka zbritur Rozana nga dera e shoferit (Rozana ka qenë në timon dhe e vetme në makinë) dhe e ka kapur nga dora Rezartën. Kam parë që Rezarta e ka tërhequr dorën dhe në këtë moment Rozana e ka kapur nga flokët. Aty ka filluar një përleshje mes tyre dhe unë kam dalë menjëherë nga makina dhe jam afruar drejt tyre për t’i ndarë. Të dyja ishin kapur për flokësh. Unë i kapa për krahu të dyja dhe, ndërkohë që po i ndaja, pashë të afrohej një makinë policie nga rrethrrotullimi. Sapo u afrua makina e policisë, kam arritur t’i ndaj. Policët që erdhën aty me makinën e policisë kanë qenë dy vetë të patrullës së Komisariatit Nr.1. Mbas mbërritjes së policëve, Rozana ka vazhduar të shante Rozanën edhe në sy të tyre (sharjet kanë qenë banale, por nuk i mbaj mend), duke tentuar në një moment dhe ta qëllonte Rezartën, por që nuk është lejuar nga polici. Për më tepër, pasi u qetësua pak situata, i kam kërkuar Rozanës të dilnim veç bashkë të dy, me qëllim që ta qetësoja atë. Shkuam të dy së bashku me Rozanën tek makina e saj dhe, pasi hipëm aty, u mundova ta qetësoja, duke i kërkuar të mbyllej me marrëveshje kjo histori, duke qenë se ishin edhe personazhe publike që të dyja dhe se nuk kishte kuptim të bëhej bujë për këtë. Rozana nuk pranoi dhe më tha se “po e gjete ndonjë ditë të vdekur në ndonjë cep Rezartën, e ke peshqesh nga unë”. Unë i kërkova ta linte këtë muhabet dhe të mos vazhdonte me budallallëqe, por ajo më tha se do shkonte në polici dhe do ta denonconte këtë rast. Unë ika nga Rozana pas kësaj tentative dhe, menjëherë më pas, kam shkuar me Rezartën në Komisariatin e policisë Nr.1, për ta denoncuar Rezarta në këtë rast. Aty nuk ka qenë inspektori i Krimeve dhe na është thënë të shkonim të nesërmen në mëngjes. Kemi shkuar të nesërmen dhe Rezarta ka bërë denoncimin përkatës.
Pyetje: A ka pasur ndonjë mjet të fortë Rezarta apo Rozana gjatë zënkës dhe a kanë goditur me ndonjë mjet të tillë drejt njëra- tjetrës?
Unë nuk kam parë të kenë pasur ndonjë mjet të fortë në dorë as Rozana dhe as Rezarta. Ato janë qëlluar vetëm me shpulla. Dua të shtoj se pasi ndodhi sherri në fjalë, kur unë kam shkuar në makinë me Rozanën për ta qetësuar, nuk kam parë ndonjë shenjë dhune në fytyrën e saj. Po ashtu, unë nuk kam parë ndonjë shenjë të saj as të nesërmen, kur u bë denoncimi në Komisariatin e policisë Nr.1 dhe jam çuditur kur kam marrë vesh nga media se ajo ishte bërë me shenja në fytyrë nga goditjet e Rezartës. Për me tepër jam çuditur po ashtu nga gazetat edhe me faktin se Rozana pretendon se është qëlluar dhe rrahur prej meje, ndërkohë që unë thjesht kam ndarë Rozanën dhe Rezartën gjatë sherrit të tyre.

Rezarta Shkurta: Rozana, kunja ndaj meje

TIRANE – “Rozana gjithmonë ka hedhur kunja në drejtimin tim”, ka deklaruar këngëtarja Rezarta Shkurta para prokurorëve teksa është pyetur për konfliktin e saj të dhunshëm me këngëtaren Rozana Radi. Sipas saj, për shkak të lidhjes intime që bashkëshorti i saj, Ermal Hoxha, ka pasur me këngëtaren Radi 15 vjet më parë, marrëdhënia e saj me Radin ka qenë e pasinqertë. Por, sipas Shkurtës, ajo që i ka acaruar marrëdhëniet së tepërmi kanë qenë mesazhet e shkëmbyera pas zënkës së tyre në programin televiziv kosovar “VIP shpia”. “Pas këtij momenti marrëdhëniet mes nesh kanë qenë të ngrira, ku ne nuk kemi folur me njëra-tjetrën dhe ku Rozana vazhdonte të më ofendonte me shkrime nëpër gazeta dhe revista”, ka deklaruar në prokurori pas ngjarjes Shkurta. “Më datë 3.12.2010, në emisionin ‘Zonë e lirë’ të gazetarit Arian Çani, Rozana Radi, që ishte e ftuar, ka thënë që unë i kisha kërkuar falje dhe se ajo nuk më njihte mirë. Unë u preka nga ky gjest, sidomos për faktin se e kisha uruar një javë më parë dhe i shkrova për këtë arsye me etikë një mesazh shumë normal në Facebook, duke i thënë: pse gënjen? Më pas, edhe ajo më shkroi duke më ofenduar ‘po ik moj k*re’. Unë u ndjeva shumë e fyer nga kjo përgjigje e saj dhe nga nervozizmi i kam kthyer përgjigje. Përgjigjet nuk i mbaj mend, pasi u bënë 3 ditë rresht me shkëmbime të tilla mesazhesh në Facebook. Por mbaj mend mesazhin e saj të fundit, ku më bëri kërkesë me kërcënime që të shkoja dhe ta takoja poshtë pallatit të saj ku do më shkarraviste”, ka deklaruar këngëtarja Shkurta përpara prokurorëve. Për momentin e përleshjes Shkurta është shprehur: “Menjëherë unë zbrita nga makina e Ermalit dhe shkova drejt makinës së Rozanës. Kjo e fundit hapi derën e saj dhe me prepotencë dhe forcë më tërhoqi dhe më tha që të futesha në makinën e saj. Unë tërhoqa dorën dhe u largova, ndërkohë që Rozana më kapi flokët. Më pas unë e kam shtyrë dhe jemi përleshur me njëra-tjetrën. Ajo që dua të sqaroj është se në asnjë moment nuk e kam goditur atë në fytyrë apo pjesë të tjera të trupit, sikurse ajo pretendon në media. Në kohën që po përlesheshim erdhi Ermali dhe na kapi të dyjave për krahësh për të na ndarë. Në kohën që sapo mundi të na ndante Ermali, aty erdhi makina e policisë me dy policë në të. Ata zbritën nga makina dhe na kërkuan sqarime për ngjarjen. Ndërkohë, përsëri Rozana filloi të më kërcënonte mua dhe në sy të policave, duke iu drejtuar Ermalit që nëse do më gjente mua ndonjë ditë të vdekur në ndonjë cep rruge, e kishte dhuratë nga ajo. Në kohën që ishin dy policët aty, Rozana tentoi sërish të më qëllonte në prezencë të tyre, por nuk u la të kryente një veprim të tillë”. ar.ba

ARMAND BAJRAMI

No comments: