Tuesday, June 21, 2011

Ali Asllani, poeti i dashurisë që u censurua nga regjimi


SHKRUAN: Aida Tuci

Para se të vdiste, kërkoi t’i lidhej një pension, nuk ia pranuan kërkesën. Si përgjigje mori vetëm një “shpërblim” prej 10 000 lekësh (të vjetra) me të cilin ai bleu vetëm një kostum. I pëlqente të mbahej dhe të ishte zotëri burrë. Ali Asllani, një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, është sa i njohur aq dhe i panjohur për lexuesin shqiptar. Poeti politikan dhe diplomat kishte një kulturë orientale, ku studioi për mjekësi dhe më pas në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Por mbi gjithçka, ai ishte poet që në fakt u anatemua, u censurua dhe u izolua në kohën e regjimit komunist. Dhe i vetmi faj i tij ishte e kaluara e tij politike. Ai kishte qenë nënprefekt i Delvinës në vitin 1908, anëtar i klubit “Bashkimi”, një nga mbështetësit kryesor të Ismail Qemalit, për të cilën dhe u persekutua nga turqit, madje e internuan në Halep të Sirisë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës si përfaqësues i Klubit “Bashkimi”. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali i besoi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së tij, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës (vendlindja e tij) në vitin 1920 dhe më pas këshilltar i qeverisë dhe sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë. Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës, deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. E pra, kjo e kaluar e tij ia mbylli dyert e shtëpive botuese pas çlirimit. Në vitin 1944 u shpërndanë disa vëllime të vogla me poezitë e tij. Por pas kaq vitesh nga vdekja e poetit Ali Asllani (1882-1966), shtëpia botuese K&B sjell për herë të parë veprën e plotës të poetit Ali Asllani, përgatitur nga shkrimtari Nasho Jorgaqi dhe Ardian Klosi. Poezitë e tij, disa për herë të parë, u sollën për miqtë e librit të mbledhur mbrëmë në teatrin “Metropol” nga interpretimi i mrekullueshëm i Reshat Arbanës dhe Bujar Asqeriut. Po si e kujton poetin nipi i tij Ardian Asllani, me profesion inxhinier, i cili gërmoi dhe gjeti dorëshkrimet e gjyshit të tij, për t’i sjellë në një vepër të plotë.

Përse tani kjo vepër e plotë e poetit Ali Asllani?

Vite më parë janë botuar poezi dhe pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria e tij dhe mendova se tani, 45 vjet pas ndarjes nga jeta të poetit Ali Asllani, ka ardhur momenti që lexuesi shqiptar të ketë në dorë veprën e plotë të krijimtarisë së tij. Ka qenë në fakt një nxitje e shkrimtarit Nasho Jorgaqi, që e ka njohur gjyshin tim dhe një nga miqtë e familjes. Në këtë iniciativë gjetëm dhe mbështetjen e Ardian Klosit.

Çfarë dorëshkrimesh të tjera ka lënë poeti Ali Asllani, që akoma nuk janë zbuluar për lexuesin?

Krijimtaria e tij është shumë e gjerë. Ai ka lënë shumë dorëshkrime. Në shtëpinë time ndodhet dorëshkrim “Epopeja e Qerbelasë”, një krijim i lirë i gjyshit tim, që në fakt ka një ndikim religjioz. Besoj se së shpejti do botohet e plotë edhe kjo poemë e tij.

Çfarë kujtoni nga ai?

Mbaj mend shumë pak gjëra, në fakt, sepse kur ai u largua nga kjo botë unë isha vetëm 5 vjeç. Por më ka mbetur në kujtesë imazhi i tij i ulur në një kolltuk të madh në ngjyrë të kuqe. Ai gjithmonë shkruante ose lexonte në atë kolltuk. Kishte gjithashtu shumë dëshirë që të më nxirrte për dore shëtitje. Të gjithë në shtëpi i thërrisnim baba i madh dhe i vogël, të afërm dhe miq. Ishte një njeri që e respektonin të gjithë.

A ju tregonte histori nga e kaluara e tij?

Sigurisht më tregonte shpesh, disa i ka lënë edhe të shkruara. I pëlqente shumë të vishej, të ishte i rregullt dhe i paraqitshëm te të tjerët. Dilte çdo mëngjes për shëtitje, vishej bukur e pasi shëtiste për pak minuta kthehej në shtëpi dhe i thoshte mamasë sime: më mbush një kada (gotë). Pastaj dilte sërish shëtitje.

Por a e shprehte ndonjëherë faktin se regjimi e la në harresë, madje disa herë nuk i jepnin as leje për të botuar poezitë e tij?

Sigurisht që ndihej i vrarë. Ai bënte një jetë modeste, por nuk u ligështua asnjëherë. Gjithmonë bënte përpjekje që të afrohej pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ishte madje edhe një nga themeluesit e saj, por nuk u ligështua kurrë, kur nuk e pranonin. Ishte njeri optimist dhe unë ashtu do ta kujtoj gjithmonë.

No comments: