Sunday, June 19, 2011

Ne, 5 femrat që nuk na kundërshtoni dot

Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Dhurata Haveri, Meriban Mullai dhe Marie Qiriazi janë 5 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, nga 8 që janë gjithsej. Një shumicë femërore që rastisi nga shorti ndërmjet dhjetëra gjyqtarëve nga e gjithë Shqipëria, në dorë të të cilave varet fati i kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, por edhe i ligjshmërisë përfundimtare të zgjedhjeve

Ato janë 5 femrat më të famshme të momentit, edhe pse ajo çfarë i shmangen është pikërisht fama. Fati i tyre u vendos rastësisht nga kapriçiot e disa goglave, por asnjëra nuk i është kundërvënë. Një short që u ra për pjesë; një pjesë që përfshin secilin nga ne, votën tonë!
Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Dhurata Haveri, Meriban Mullai dhe Marie Qiriazi janë prej tre muajsh femrat që masin në peshoren e Drejtësisë ligjshmërinë përfundimtare të zgjedhjeve në Shqipëri. Bashkë me to, janë edhe 3 meshkuj, Astrit Kalaja, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Kjo është tetëshja e gjyqtarëve të përzgjedhur në mes dhjetëra të tjerëve në të gjithë vendin, të cilët përbëjnë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, institucioni që vulos njëherë e mirë çdo ankesë që vjen nga partitë për vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një gjykatë speciale për votën që ngrihet sa herë zhvillohen zgjedhjet, pra e përkohshme, por që vendimet e saj janë të përhershme. Vendime shumë të vështira, por që, gjithsesi, gjithmonë lënë të pakënaqur njërën palë politike apo tjetrën. Bashkë me to, edhe gjykimet e paragjykimet, nëse gjyqtarët e Kolegjit morën apo jo një vendim të drejtë. Sidomos nëse vendimet vijnë nga një shumicë femërore, gjë krejt e pazakontë në institucionet shqiptare, ku postet më të rëndësishme shtetërore dominohen nga meshkujt. Kësaj here kini mendjen. Zonjat e Drejtësisë nuk duan të dinë se çfarë thonë partitë, mediat apo protagonistë të tjerë. Prej kohësh shmangin çdo lloj informacioni dhe kontakti i vetëm i tyre janë ligjet. Ndaj, pak qetësi dhe respekt për to, sepse janë Zonjat që çmojnë votat, vulosin zgjedhjet, 5 femra që nuk i kundërshtoni dot!
PRESIONE TË TËRTHORTA
Më së shumti hyjnë nga dera e pasme. Ngjisin shkallët e katit të dytë, ku mblidhen zakonisht, duke u përpjekur të mos bien në sy, ashtu si edhe i zbresin në ikje… Vështirë t’i kontaktosh, edhe më e vështirë t’i takosh dhe e pamundur që të të flasin për partitë. Por, sa më shumë i fshihen politikës, aq më shumë i ndjek ajo nga pas. Sa më shumë i shmangen famës, aq më të famshme bëhen. Sa më shumë ikin nga media, aq më shumë vijnë te gazeta “Panorama”. Me të drejtë, sepse sot Sashenka, Maria, Entela, Meribani, Dhurata nuk shfaqen në faqet e suplementit “Unë, gruaja” si gjyqtare, por si zonja që flasin për përtej mantelit të zi. Femra që janë përballur me vështirësi në karrierë, që nuk menduan tërheqjen kur u ra shorti për të qenë në krye të drejtësisë për zgjedhjet, por edhe familjare që përpiqen të qetësojnë të afërmit nga thashethemet e përhapura se ndaj tyre ka presion dhe shantazh. “Ndërhyrjet dhe presionet nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, si të tilla mund të quaj vetëm komentet e të gjitha palëve në media të shkruara dhe ato vizive”, thotë Entela, ashtu siç konfirmojnë dhe koleget e saj. “Nuk kemi pasur asnjë lloj presioni. Familjarët e mi thjesht janë shqetësuar për lodhjen time, për orët e gjata në punë, por edhe orët pa gjumë që kam gdhirë mbi librat me ligje”, shton Meribani.
Drejtësia dhe femrat
Për Meribanin kjo është një nga eksperiencat më të vështira, por edhe më të bukura, ndërsa i gëzohet faktit që në trupën e gjyqtareve rezultuan më shumë femra se sa meshkuj. “Femrat janë më të ndjeshme në gjykim”, thotë Meribani, duke shpresuar që në të ardhmen të ketë edhe më shumë zonja në sistemin e Drejtësisë. “Po përdoren më shumë sa për imazh, për dekor, u duhen dhënë pozicione edhe më të larta femrave, jo thjesht të përdoren si tranzite”, thekson më tej ajo, ndërsa për shtimin e femrave në sistemin e Drejtësisë është dakord dhe një nga gjyqtaret më me përvojë, Sashenka Jonuzi. Më racionale në gjykim, gjyqtarja e Vlorës nuk i sheh ndryshimet në Drejtësi në bazë të gjinisë, por në varësi të kontributit. “Femrat në Drejtësi janë risi. Megjithatë, nuk ka rëndësi nëse është në krye një femër apo një mashkull. Sistemi i Drejtësisë nuk varet nga gjinia, por nga drejtësia”, shprehet Sashenka. Ajo në fakt ka plot histori për të treguar nga vitet e saj në Drejtësi, të cilat nisin që nga koha e diktaturës dhe tashmë vijojnë edhe sot me pozicionin e rëndësishëm që i ra për short në Kolegjin Zgjedhor. “Sapo të mbarojë kjo situatë, ju premtoj. Më kuptoni, ju e dini që nuk mund të flas për momentin”, thotë Sashenka dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta mirëkuptojmë, ashtu si edhe koleget e saj…

Entela Prifti: Ndërhyrjet s’kanë qenë të drejtpërdrejta

Pranon se ka pasur ndërhyrje dhe presione, por jo në
mënyrë të drejtpërdrejtë. Kryetarja e Apelit të Korçës që prej disa muajsh është e detyruar që të jetojë në Tiranë, për shkak të funksionit si anëtare e Kolegjit Zgjedhor, Entela Prifti, duket se i lidh këto presione me deklaratat e partive dhe shkrimet apo kronikat në media. “Ndërhyrjet dhe presionet mendoj se nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, si të tilla mund të quaj të gjitha komentet e të gjitha palëve në media të shkruara dhe ato vizive.
Veç presionit politik, mediatik dhe përgjegjësisë për të dhënë një vendim sa më të drejtë dhe të bazuar në ligj, mendoj se nuk kam pasur asnjë problem tjetër gjatë ditëve të gjykimeve në Kolegj”, saktëson ajo. Ndërkaq, nuk është ndierë ndonjëherë e paragjykuar në karrierë, për shkak të të qenurit femër. Sipas saj, dhënia e drejtësisë nuk lidhet me pjesëmarrjen më të madhe të femrave në Sistemin Gjyqësor, por me personalitetin dhe integritetin moral e profesional si të femrave dhe të meshkujve.
Të jesh anëtare e Kolegjit Zgjedhor, cilat janë pasojat pozitive dhe negative nga kjo eksperiencë?
Mendoj se pozitive është fitimi i një përvojë të re në aspektin profesional. Negative, ndoshta përqendrimi i politikës, medias dhe njerëzve të ndryshëm te Kolegji.
A kishit mundësi të mos pranonit të ishit anëtare e Kolegjit Zgjedhor, pavarësisht shortit? Nëse do të ishit tërhequr, do të ishit penduar?
Nuk ka mundësi mospranimi të detyrës, pasi ligji ka përcaktuar qartë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit, si dhe atë të përjashtimit. Veç kësaj, pjesëmarrja në Kolegj është detyrim i lidhur me ushtrimin e detyrës që duhet përmbushur.
A ka ndikuar ky pozicion në Kolegj në jetën tuaj të përditshme? A keni pasur presione, ndërhyrje apo forma të tjera reagimi. A janë ndjerë të shqetësuar familjarët, po ju vetë?
Ndikimi ndihet në disa aspekte, si në organizimin e punës së përditshme, organizimin e familjes, fëmijëve, qenien larg familjes për shkak të qëndrimit në Tiranë dhe të gjitha këto, është normale që sjellin dhe një farë shqetësimi, si personal edhe familjar. Shqetësim që i shtohet edhe ai për problemet që lidhen me ushtrimin e detyrës në Kolegj. Ndërhyrjet dhe presionet mendoj se nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, si të tilla mund të quaj të gjitha komentet e të gjitha palëve në media të shkruara dhe ato vizive.
Kanë qenë orë shumë të gjata, deri në marrjen e vendimeve. Përveç tensionit politik, çfarë ka qenë tjetër e lodhshme dhe e bezdisshme për ju, që nga temperaturat, ushqimi etj?
Veç presionit politik dhe mediatik dhe përgjegjësisë për të dhënë një vendim sa më të drejtë dhe të bazuar në ligj, mendoj se nuk kam pasur asnjë problem tjetër gjatë ditëve të gjykimeve në Kolegj.
A mendoni se Sistemi Gjyqësor do të kishte më shumë drejtësi, nëse do të kishte më shumë femra?
Mendoj se dhënia e drejtësisë nuk lidhet me pjesëmarrjen më të madhe të femrave në sistemin gjyqësor, por me personalitetin dhe integritetin moral e profesional si të femrave dhe të meshkujve.
A paragjykohen femrat me karrierë në Sistemin e Drejtësisë dhe personalisht a jeni ndjerë e paragjykuar për ndonjë pozicion të rëndësishëm në institucionet shtetërore?
Personalisht nuk jam ndjerë e paragjykuar asnjëherë gjatë karrierës sime dhe nuk paragjykoj asnjë prej kolegeve të mia.

Entela Prifti- Lidhjet me qytetin e Korçës i ka të forta, si emocionalisht, për shkak se e ka vendlindjen e saj, por edhe sa i përket karrierës. Ajo është diplomuar si juriste në vitin 1992 në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit të Tiranës. Pas diplomimit është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Që prej vitit 2001 ajo ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Apelit në Korçë. Prifti ka qenë edhe një herë tjetër anëtare e Kolegjit Zgjedhor. Aktualisht është kryetare e Gjykatës së Apelit në Korçë.

Meriban Mullai: S’e kam menduar tërheqjen, më pëlqejnë sfidat

Ka besim te femrat dhe kërkon që t’u jepet kredibilitet i plotë, dhe jo poste vetëm sa për dekor… I pëlqejnë sfidat, sidomos ato të cilat mundësojnë evidentimin e cilësive profesionale. Ashtu siç ishte edhe shorti që i ra gjatë përzgjedhjes së gjyqtarëve për të qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor. “Nuk je thjesht në rutinën e punës së përditshme, por në qendër të vëmendjes dhe në këto rrethana duhet të tregosh më të mirën tënde”, thotë gjyqtarja që vjen nga Korça, Meriban Mullai. Thotë akoma e akoma më shumë, thjesht lexoni këtë intervistë dhënë gazetës “Panorama”…
Të jesh anëtare e Kolegjit Zgjedhor, cilat janë pasojat pozitive dhe negative nga kjo eksperiencë?
Do ta cilësoja më së shumti me pasoja pozitive. Negative është vetëm pesha e madhe, por është pikërisht kjo peshë që të jep mundësinë që të evidentosh cilësitë që ke, punën, profesionalizmin. Nuk je thjesht në rutinën e punës së përditshme, por në qendër të vëmendjes dhe në këto rrethana duhet të tregosh më të mirën tënde.
A kishit mundësi të mos pranonit të ishit anëtare e Kolegjit Zgjedhor, pavarësisht shortit? Nëse do të ishit tërhequr, do të ishit penduar?
Nuk e kam menduar në asnjë moment tërheqjen. Më pëlqejnë sfidat dhe ndihem e plotësuar kur kam të tilla sfida, krejt pozitive. Mundësi për të treguar publikisht profesionalizmin…
A ka ndikuar pozicioni në Kolegj në jetën tuaj të përditshme? A keni pasur presione, ndërhyrje apo forma të tjera reagimi. A janë ndjerë të shqetësuar familjarët, po ju vetë?
Nuk kemi pasur asnjë lloj presioni. Familjarët e mi thjesht janë shqetësuar për lodhjen time, për orët e gjata në punë, por edhe orët pa gjumë që kam gdhirë mbi librat me ligje. Bëra një pakt me veten dhe u shkëputa nga lajmet, nga çdo kontakt me politikën, nga çdo zhvillim jozyrtar. U përqendrova vetëm te ligjet dhe studiova me imtësi, si përvojën kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. Ia imponova vetes këtë shkëputje dhe ia dola, sepse nuk doja të humbisja profesionalisht. As sot nuk e di çfarë është shkruar nëpër media në lidhje me vendimet e Kolegjit Zgjedhor apo për mua…
Kanë qenë orë shumë të gjata, deri në marrjen e vendimeve. Përveç tensionit politik, çfarë ka qenë tjetër e lodhshme dhe e bezdisshme për ju, që nga temperaturat, ushqimi etj?
Gjithçka ka qenë e lodhshme, sepse të gjithë e ndienim peshën dhe përgjegjësinë e çështjes. Është natyra e punës e tillë, shumë delikate. Çdo paragraf i shkruar ka rëndësinë e tij dhe duhet trajtuar me kujdes, deri në marrjen përfundimtare të vendimit. Si puna e shtatzënisë… Duhet të kalojnë disa faza deri në ardhjen në jetë të një foshnjeje. Besoj e kuptoni metaforën… Sa i përket ushqimit, në seancat e tejzgjatura kemi shfrytëzuar momentet e pushimit për të ngrënë. Zakonisht në një restorant aty pranë, por ka pasur edhe ditë që harrojmë të hamë. Jo vetëm për çështje kohe, por edhe se harrojmë prej impenjimit.
A mendoni se Sistemi Gjyqësor do të kishte më shumë drejtësi, nëse do të kishte më shumë femra?
Po. Femrat janë më të ndjeshme në gjykime. Nuk është vetëm ligji, por edhe faktet, rrethanat në të cilat kanë ndodhur gjërat. Shumë gjëra, shumë veprime, sjellje, nuk janë të saktësuara nga ligji, ndaj në këtë pikë duhet futur nuhatja, intuita, ndjeshmëria për të gjetur ekuilibrin parimor që të çon drejt dhënies së vendimit. Dhe femra shqiptare i ka këto, ajo është më e kultivuar, rri larg tavolinave të pazareve që zakonisht bëhen nga meshkujt, interesave të ndryshme, korrupsionit. Femra shqiptare është natyrë familjare dhe si e tillë nuk rrezikon për të humbur imazhin e mirë dhe familjen, t’i turpërojë ata dhe veten, duke u përzier në afera të ndryshme. Femra shqiptare është shumë e drejtë, si në familje dhe në drejtësi. Pra, më duhet t’i jap përgjigje pohuese pyetjes suaj.
A paragjykohen femrat me karrierë në Sistemin e Drejtësisë dhe personalisht a jeni ndjerë e paragjykuar për ndonjë pozicion të rëndësishëm në institucionet shtetërore?
Më vjen keq që femrat marrin emërime dhe u lirohen postet e larta vetëm sa për dekor dhe nuk u jepet kredibilitet i plotë. Tek-tuk dëgjohet ndonjë emër zonje, sa herë hapet ndonjë debat për barazinë gjinore dhe ajo harrohet njëkohësisht me debatin…

Meriban Mullaj- Gjyqtarja Meriban Mullaj, aktualisht gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit në Korçë, është diplomuar si juriste në vitin 1976. Pas dhjetë vitesh në funksionin e juristes, ajo është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit të Korçës, funksion që e ushtroi deri në vitin 1994. Më pas, për pesë vite me radhë ka ushtruar profesionin e lirë të avokates. Në vitin 1999 është rikthyer në Sistemin e Drejtësisë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Korçë. Edhe Mullai vjen në trupën e Kolegjit Zgjedhor për herë të dytë.

Dhurata Haveri

Aktualisht është kryetare e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Është diplomuar si juriste në vitin 1992 në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit të Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta, ajo është emëruar si gjyqtare në qytetin e vendlindjes. Në të njëjtën kohë, gjatë viteve 1992-1996 dhe 2000-2001, Haveri ka qenë pedagoge e jashtme pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Gjatë viteve 2000-2004 ka ushtruar funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Apelit, në Shkodër. Në dhjetor të vitit 2007 është emëruar edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtarja Haveri ka qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor edhe në vitin 2009, ndërsa herën e fundit u zgjodh relatore e seancës së 13 qershorit.

Sashenka Jonuzi

Gjyqtarja Sashenka Jonuzi është anëtarja e Kolegjit Zgjedhor me më shumë eksperiencë pune në Sistemin e Drejtësisë. Ajo ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Apelit të Vlorës që prej vitit 1987 dhe për pak muaj do të dalë në pension. Që prej vitit 1998 ajo ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë. Falë punës dhe integritetit të saj gëzon një emër të mirë në radhët e juristëve, por edhe mes partive politike, aq sa është miratuar dy herë për të qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor.

Marie Qirjazi

Ka rreth 15 vjet që ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Gjirokastrës në Shkallën e Apelit. Prej disa vitesh ajo është gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit në qytetin jugor, ku ka shërbyer që prej diplomimit të saj. Gjyqtarja Marije Qirjazi ka qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor edhe në vitin 2009.

ELISABETA ILNICA

No comments: