Monday, June 20, 2011

Jonuz Ndreu, Jeta e nipit të Elez Isufit, nga internimi në Nju-Jork

Shkruan:
Garip Troci

Pas tetë orë udhëtimi nga “Toka e premtuar”, befas u shfaq Rinasi. Ai zgjati kokën nga dritarja e avionit që po ulej si një shpend gjigant dhe hodhi vështrimin mbi shtëpitë, përrenjtë, lumin e makinave të metropolit shqiptar dhe mendja i fluturoi te vendlindja e tij Sllova.

Jonuz Ndreu vinte në Shqipëri pas pesëdhjetë vjetësh mërgim në Amerikë. Rënia e perdes së hekurt edhe në Shqipëri ka qenë një nga momentet e veçanta të jetës së tij mbushur me privacione të shumta, me akte dramatike për të dhe fisin e tij të madh.

Jashtë e prisnin shumë njerëz, të afërm, miq e dashamirës që i njihnin shumë mirë vlerat patriotike, njerëzore e burrërore jo vetëm të babait të tij Cen Elezit, gjyshit Elez Isufi e Suf Xhelilit (tre burrat e mëdhenj e me zë të fisit të Ndreve), por dhe të Jonuz Ndreut, që jo rastësisht Beqir Sina, publicist në Nju-Jork, e quan edhe “ikona” e diasporës shqiptare në Amerikë. I takoi me radhë, u dha dorën, i rroku përqafe dhe, ashtu i përmalluar e pa veten, rrallë i ndodhte kjo, me sy të vesuar nga lotët që nisën t’i rrëshqisnin në faqe si buronja të Korabit.

Ishte viti 1992. Pasi qëndroi pakë ditë në Tiranë, ai u nis për në vendlindjen e tij në Sllovë.

Këtu malli e këputi më shumë kur takoi dhe më të moshuarit e fisit: Xheladinin, Baftjarin, Rexhepin, Bexhetin e të tjerë. Pasi pyeteshin për shëndetin, fëmijët që rriteshin e shkolloheshin, të moshuarit e këtij fisi të shpërndarë në Europë, Amerikë e gjer në Australi e Kanada, kujtonin, jo pa nostalgji, bëmat e tre burrave të mëdhenj të Ndreve: Elez Isufit, Suf Xhelilit e Cen Elezit.

Dikush i sillte ndërmend Jonuz Ndreut betejën e Kolosjanit, ku Elez Isufi e Suf Xhelili përkrah Ramadan Zaskocit e Islam Spahisë, udhëhoqën 3 mijë luftëtarë. Kur zbriti në Lisivalle dhe në Sllovë për herë të parë, Jonuzi shkoi aty ku dikur qëndronin hijerënda ato kulla. Ai mori në dorë gurë nga rrënojat e tyre. Ata gurë peshonin shumë nga pesha e rezistencës së tre burrave të mëdhenj të Ndreve, mbanin brenda vetes uraganin e betejave të Trojakut, Manastirit, të Kolosjanit e Lëvizjes së Marsit.

Mbanin peshën e madhe të burrërisë, besës e bujarisë së “gjeneralit me shajak”, Elez Isufit, të nipit të tij Suf Xhelilit, “strategut të luftës popullore”. Krismën e pushkës së tij e njihnin të gjithë jo vetëm në Mujë e Mujës, por në të gjithë Dibrën e madje deri në Beograd. Ai u shndërrua në tmerr të serbëve deri në kufijtë e një legjende.

Në vitet e diktaturës totalitare nuk guxonte kush të shkonte as te varri i tij. Dhe pranë një murane, ku qëndronte një gur që thoshte shumë për “gjeneralin me shajak”, nuk ndalej hapi njerëzor. Vetëm pas viteve ‘90 djemtë e Cen Elezit e nipat e Elez Isufit do të ngrinin varret, latuar me mermer të atyre anëve. Këshilli bashkiak i qytetit të Peshkopisë do të merrte vendim për të ngritur shtatoren e Elez Isufit mes qytetit, përballë Korabit.

Dëgjonte të moshuarit e fisit në oda dhe burra të tjerë të zonës që kishin ardhur për të nderuar djalin e Cen Elezit dhe Jonuzit i lëvizte në limfën e gjakut gjithë historia e bëmave të burrave të mëdhenj të Ndreve, drama e tyre e inskenuar nga shteti komunist që i internoi, pushkatoi e burgosi në burgjet e tmerrshëm.

Befas Jonuzit i kaluan si në një sekuencë të gjatë filmi jeta gri në internim, më pas tri tentativat për t’u arratisur drejtë “botës së lirë”, në Amerikë, ku dhe doli në pension.

Me daljen në pension ai braktisi dhe qytetin e madh e të zhurmshëm të “qiellgërvishtësve” të Nju-Jorkut. Preferoi të jetojë në një fshat njujorkez. Kur e pyesin njerëz të fisit, shokë, apo miq, “përse bëre këtë zgjidhje?”, ai përgjigjet pa u menduar gjatë: “ngjan shumë për nga bukuritë me fshatin tim të lindjes, Sllovën”. Madje ai në shumë raste thotë shkurt: “Banoj në Sllovë”.

No comments: