Për herë të parë, kryeqyteti nuk ka asnjë përfaqësuese në treshe
25 dhjetor 2010 19:01
Foto ilustruese
Flamurtari dhe Vllaznia, në mos një risi absolute, janë një risi e vërtetë padyshim për 20 vitet e fundit, por edhe po të nisesh nga shumë kohë më parë.
Kryeqyteti i plotfuqishëm, tashmë pa Partizanin dhe me një rrezik real që të humbasë edhe Dinamon, nuk po arrin të imponohet.
Vlonjatët kanë 34 pikë, korçarët 31, ndërsa e treta është Vllaznia me 28.
Pra, në të vërtetë, kemi 3 skuadra rrethesh në krye, diçka që mund të mos ketë ndodhur kurrë në Shqipëri, ndonëse duket disi e panatyrshme që quash rreth si gjithë të tjerët, Shkodrën, djepin ku lindi topkëmba e këtij vendi.
Demokracia e futbollit, që këtë sezon ka përfshirë si kurrë më parë Francën, Gjermaninë, Austrinë apo Turqinë, nuk ka kursyer as Shqipërinë, veçse nuk duhet harruar se kryesuesit kanë pësuar jo pak humbje, mesatarisht 25 për qind të ndeshjeve të luajtura, edhe kjo diçka që nuk ndodhte shpesh këtej nga anët tona.
Kampionia Dinamo dhe 24 herë kampionia Tirana deri tani mund të quhen zhgënjime, madje dinamovitët lenë shije më të hidhur për vetë nisjen shumë të mirë të kampionatit dhe përfundimin tejet të dobët.
Pas 10 ndeshjeve me vetëm një humbje, blutë janë tashmë në një seri prej 7 takimesh pa fitore dhe në rënie të lirë, sipas shprehjes së njohur të fizikës.
Po Tirana? Me probleme edhe ajo, me luhatje, këtu shkëlqe e këtu fashitu, pra siç thotë populli “as mish, as peshk”. Dede dhe të tijët besojnë, siç është në ADN-në e klubit, por e ardhmja nuk duket krejtësisht rozë.
Duke bërë një zbritje të shpejtë drejt fundit, shikojmë se më i pashpresi ndër shokë është Elbasani, një anije pa timon dhe pa vela apo rremëtarë, megjithë përpjekjet e trajnerit (apo ish-trajnerit) Alimehmeti.
Me vetëm 9 pikë, elbasanasit rrezikojnë të barazojnë rekordin negativ të Skënderbeut të sezonit 2007-2008, që e mbylli kampiontin me 11 pikë, por të paktën nuk do të kenë fatin e Laçit të 2005-ës, që pas 36 ndeshjeve (hapini mirë veshët për ta dëgjuar) kishte vetëm 2 pikë
No comments:
Post a Comment