Saturday, December 25, 2010

CD-ja e Kadriovskit, zbardhet kallëzimi i plotë i Erjon Braçes


Leonard Bakillari

Deputeti socialist akuzon për shpifje Daut Kadriovskin dhe zbardh për prokurorinë përmbajtjen e CD-së, mënyrën sesi ajo ka mbërritur në adresën e deputetit dhe dyshimet e tij mbi skenarin e kësaj historie. “Unë dhe Edi Rama akuzohemi se kemi helmuar Aida Mirashin, të cilën nuk e kemi njohur kurrë”

Tiranë Erion Braçe vs. Daut Kadriovski. Kjo është çështja më e re e Prokurorisë së Tiranës, e nisur pas dorëzimit të kallëzimit për shpifje nga deputeti i Partisë Socialiste. Në kallëzimin e tij deputeti Erion Braçe i përshkruan prokurorisë përmbajtjen e CD-së, ku Daut Kadriovski shfaqet me një pemë Krishtlindjesh në sfond, përballë një vajze që i drejton pyetje, por që nuk ekspozohet për asnjë moment përballë kameras. “Në këtë intervistë, i kallëzuari prej meje, pretendon se unë dhe Edi Rama jemi marrë me trafik droge, madje kemi mbetur borxh, një sasi të hollash te personi me emrin Aida Mirashi, të cilën ai e paraqet si mikeshën e tij në Tiranë dhe të cilën ne e paskemi helmuar me ndihmën e një shtetaseje që ai e identifikon si Vera”, - shkruan Braçe në kallëzim, duke sqaruar më tej se nuk i ka njohur kurrë personazhet e akuzave të Kadriovskit, por as atë vetë. Në kallëzimin e tij Braçe shton se akuzat e Kadriovskit vijnë pak kohë pasi kryeministri Berisha përmendi në Kuvend historinë e Dile Mirashit, si dhe ka shtuar: Është e qartë se Daut Kadriovski po përdoret politikisht kundër meje prej kundërshtarëve të mi politikë dhe një strukturë okulte brenda policisë së shtetit. MAPO boton sot kallëzimin e plotë të Erjon Braçes në Prokurorinë e Tiranës, ku hidhet dritë mbi përmbajtjen e CD-së së Kadriovskit, mënyrën sesi ajo ka mbërritur në adresën e deputetit dhe dyshimet e tij mbi skenarin e kësaj historie, që tashmë pritet të zbardhet nga organi i akuzës.

Drejtuar: Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë

Kundër: Daut Kadriu alias Kadriovski

Baza ligjore: Neni 284 dhe 76.1 të Kodit të Procedurës Penale.

Për veprën penale të “Shpifjes për shkak të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 240 e 25 të Kodit Penal.

Ankues: Erion Braçe, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

I nderuar z. Prokuror!

Me datë 20.12.2010, në mesditë, nga dezhurni i selisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, jam njoftuar verbalisht se kishte ardhur një zarf nga posta në adresën time.

Kam marrë në dorëzim zarfin, i cili ishte i formatit A4, me adresë dërguesi “Eduart Xhelili, banues në Rr.”Todi Shkurti”, pall 1, shk 2, ap 13” dhe mandej jam drejtuar për në banesën time, ku dhe kam hapur zarfin për të parë se çfarë kishte brenda tij.

Sqaroj se nuk e njoh dërguesin e këtij zarfi as dhe si identitet.

Kam hapur zarfin dhe brenda tij kam parë një kartolinë, në brendësi të së cilës ishte vendosur një DVD .

DVD ishte vendosur brenda një zarfi tipik për DVD, ku në njërën faqe të tij, konstatova të ishte shkruar me shkronja kapitale ky tekst:

“Ke 24 orë kohë, ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë”.

Tel 0038….Daut Kadriovski

Ndërsa në DVD ndodhej një tjetër shënim, i bërë me bojë rapid, me tekst: “Normal për të gjitha”…

Emrin Daut Kadriovski e njoh nga media, që nga shtatori i vitit 2001, kohë në të cilën u bë prezent arrestimi i tij në Tiranë, nga Policia e Shtetit, për llogari të Interpolit dhe për shkak të një dënimi të marrë nga autoritetet gjyqësore italiane.

Kam vendosur DVD në kompjuterin tim personal, për të parë përmbajtjen e saj.

Në DVD-në në fjalë është regjistruar një intervistë e Daut Kadriovskit, person të cilin unë e dallova që ishte i njëjti me atë të fotografive të publikuara në kohën e arrestimit të tij. Intervista duket të jetë bërë në një mjedis banimi, nga një femër, së cilës i dëgjohet vetëm zëri në sfond dhe jo figura. Në këtë “intervistë”, i kallëzuari prej meje, pretendon se unë dhe Edi Rama jemi marrë me trafik droge, madje kemi mbetur borxh, një sasi të hollash te personi me emrin Aida Mirashi, të cilën ai e paraqet si mikeshën e tij në Tiranë dhe të cilën ne e paskemi helmuar me ndihmën e një shtetaseje që ai e identifikon si Vera. Po kështu, Daut Kadriovski pretendon se unë dhe një tjetër person, me emrin A. Ç. kemi qenë në Shkup me një fouristradë të Bashkisë së Tiranës dhe kemi hedhur nga kati i 3-të apo i 4-t i një banese shtetasin me emrin Sedat Iljazi. Theksoj se të gjithë personat që përmenden në fjalën e Daut Kadriovskit nuk njihen prej meje, ndërkohë që unë personalisht nuk kam udhëtuar ndonjëherë në Maqedoni. Pasi dëgjova përmbajtjen e DVD-së, më ka ardhur në mendje se në një nga seancat e plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe pikërisht atë të dt: 25.11.2010, kryeministri Sali Berisha, pas një fjalimi të mbajtur prej meje, më ka sulmuar duke më përmendur emrin Kadriovski, emër me të cilin, sipas tij, mua më lidh një histori e dhimbshme, historia e të ndjerës Dile.(shih fq 182 e procesverbalit të Kuvendit të Shqipërisë për seancën e datës 25.11.2010)

Në momentin kur Sali Berisha ka përmendur këtë emër dhe këtë histori, unë nuk kam bërë asnjë lidhje logjike. E kam konsideruar thjesht shpifjen e radhës. Ndërkohë, pasi pashë dhe dëgjova këtë DVD, arrij në këto konkluzione.

Së pari, fjala e Kryeministrit i drejtohet pikërisht të njëjtës histori që aludon Daut Kadriovksi, ndonëse regjistrimi i DVD-së më lë të kuptoj se është bërë më pas, qoftë nga përmbajtja e kartolinës me sfond Krishtlindjesh, ashtu dhe ajo e mjedisit ku është marrë intervista, ku pas Kadriovskit shihet qartë pema e Krishtlindjeve.

Gjithsesi, është e qartë se Daut Kadriovki po përdoret politikisht kundër meje prej kundërshtarëve të mi politikë dhe një strukturë okulte brenda policisë së shtetit, e cila, prej shumë informacionesh që unë kam, dirigjon dëshmi njerëzish me precedentë penalë si Kadriovski, të njohur dhe ndërkombëtarisht. Pavarësisht kësaj, ajo çka aludon Kadriovski e për të cilën më ka shprehur qartë se do ta bëjë publike në media, është shpifje. Kjo shpifje bëhet për shkak të detyrës sime si deputet, angazhimit tim në krye të një grupi njerëzish që po publikon akte korruptive të zyrtarëve të lartë shtetërorë, apo qoftë dhe për faktin se gazeta “Zëri i popullit”, në kohën e arrestimit të Kadriovskit ka shkruar në disa tituj për të dhe në këtë periudhë unë isha kryeredaktor i saj.

Në të tilla rrethana, unë kërkoj prej jush që të ushtroni ndjekjen penale ndaj personit në fjalë dhe bashkëpunëtorëve të tij, për veprën penale të “Shpifjes për shkak të detyrës”, e parashikuar nga neni 240 e 25 të Kodit Penal, vepër të cilën ky i kallëzuar e ka kryer me veprime aktive, me dashje direkte, në bashkëpunim me persona të tjerë, për shkak të veprimtarisë sime, qoftë si deputet, qoftë si ish-kryeredaktor i “Zërit të popullit”, me qëllimin për të denigruar figurën time publike si dhe për të më penguar mua në përballjen me kundërshtarët e mi politikë.

Për sa më lart, bashkëngjitur këtij ankimi po ju vë në dispozicion zarfin që më është dërguar së bashku me DVD, dokumentin e zbardhjes së saj si dhe procesverbalin e séancës së Kuvendit, datë 25.11.2010.

Kadriovski: Helmimi i gruas

sime, për 20 kilogramë kokainë

“Rrëfimi” thriller i Daut Kadriovskit, i cili akuzon Ramën e Braçen për borxhe në trafikun e drogës, helmimin e gruas dhe vrasjen e maqedonasit Sedat Iljazi. “Për të gjitha akuzat jam njoftuar nga një polic, kur isha në burg”

Tiranë Një “rrëfim” thriller, i mbushur me akuza për implikim në trafikun e 20 kilogramëve kokainë, borxhe në shuma të mëdha parash, makinacione që përfundojnë me helmime apo hedhje nga kati i tretë i një banese. Të akuzuarit e Daut Kadriovskit për këto krime: Edi Rama dhe Erjon Braçe. CD-ja me dëshminë e Daut Kadriovskit, ku akuzohen disa nga zyrtarët e Partisë Socialiste për trafik droge e vrasje rezulton të jetë realizuar kohët e fundit. Të gjitha elementet që shfaqen në pamjet video tregojnë një ambient festiv, ndërsa Kadriovski u përgjigjet pyetjeve të një “gazetareje”, e cila flet në dialekt shqiptaro-maqedonas. Sipas përmbajtjes së CD-së, që tashmë ndodhet në Prokurori, Kadriovski shfaqet në sfond me një pemë Krishtlindjesh, ndërsa përballë tij, me shpinë nga kamera është një vajzë në rolin e gazetares, e cila e pyet për detaje të historisë që rrëfen ish-trafikanti. Me pamje të lodhur, Kadriovski, që mban gjithmonë dorën në pjesën e djathtë të barkut, tregon se si ka rënë në dijeni të faktit që ish-e dashura e tij, Dile Mirashi, të cilën ai e quan Aida trafikonte kokainë. Sipas rrëfimit të Kadriovskit, pas arrestimit të tij në Golem të Kavajës, ai informohej rregullisht nga një punonjës policie për gjithçka ndodhte jashtë. Ai shtonte se ky polic e kishte informuar për implikimin e Edi Ramës e Erjon Braçes në trafikun e drogës, të cilët bashkëpunonin me të ndjerën Aida (Dile Mirashi). “Edi Rama dhe Erjon Braçe kishin mësuar se Aida do të trafikonte 20 kilogramë kokainë, nëpërmjet portit të Durrësit. Duke qenë se ata i kishin mbetur borxh për një sasi tjetër droge të trafikuar, kanë vendosur ta vrasin Aidën, duke përdorur mikeshën e tyre të përbashkët me emrin Vera” - thuhet nga Kadriovski në intervistën e postuar në CD. Sipas burimeve pranë Prokurorisë, që po hetojnë tashmë këtë denoncim, mësohet se Vera ka ftuar në shtëpinë e saj Aida Mirashin, të cilës i ka hedhur helm në kafe, duke bërë që ajo të ndërrojë jetë disa momente më vonë. Duke përfituar nga mungesa e Aidës në shtëpi, sipas Kadriovskit, Edi Rama dhe Erjon Braçe, së bashku me shtetasin A. Ç. shkuan në banesë duke trazuar gjithçka ndodhej aty, por pa mundur të gjejnë sasinë prej 20 kilogramësh kokainë. E dashura e tij, sipas dëshmisë, ka shkuar në shtëpi, ku ka parë gjithë rrëmujën e krijuar, ndërsa pak çaste më pas ka ndërruar jetë për shkak të helmit që kishte konsumuar në kafen që kishte pirë në banesën e shtetases me emrin Vera. Por rrëfimi i Daut Kadriovskit akuzon dy figurat kryesore të Partisë Socialiste edhe në një vrasje të ndodhur në Maqedoni. Sipas rrëfimit të tij, Erjon Braçe dhe shtetasi me emrin A. Ç., duke qenë se nuk kanë mundur të gjejnë kokainën në banesën e Aidës, janë nisur drejt Maqedonisë me një fuoristradë ngjyrë blu, që ishte në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Destinacioni i tyre ka qenë banesa e Sedat Iljazit, për të cilin kishin informacion se dispononte sasinë prej 20 kilogramë kokainë. “Pasi kanë hyrë në banesë, e cila ndodhej ne katin e tretë të një pallati, Braçe dhe A.Ç. kanë kthyer përmbys shtëpinë, në prani të Sedat Iljazit, i cili më pas është gjetur pa jetë në oborrin e pallatit”- thotë Kadriovski në dëshminë e tij. Për këtë ngjarje ai tregon se informacioni është marrë nga bashkëshortja e Iljazit, e cila sapo ka hyrë në shtëpi ka parë rrëmujën, ndërsa sasia prej 20 kilogramësh kokainë nuk ndodhej në vendin ku fshihej. Më pas, bashkëshortja ka vërejtur se Sedat Iljazi ishte pa jetë në oborrin e pallatit ku ata jetonin. Gjithashtu, në dëshmi, Kadriovski jep detaje të tjera për gjithë veprimtarinë kriminale, që sipas tij janë kryer nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, për të cilat ai pretendon se ka prova që vërtetojnë gjithçka që ai thotë./MAPOONLINE

No comments: