Intervistoi: Habjon Hasani
Tiranë- Liliana Hoxha, e njohur tashmë mediatikisht për frymën kritike ndaj pjesës tjetër të familjes, ka pohuar mbrëmë për MAPO-n rrethanat në të cilat u bënë fotot që kanë zënë faqet e para të gazetave. Në këtë intervistë ajo tregon se fotot janë bërë në Pogradec, kur ajo vetë ka ftuar Sali Berishën dhe bashkëshorten e tij në datëlindjen e dytë të djalit të saj Shpatit.
Zonja Hoxha, ju keni dërguar një deklaratë publike në media, ku pretendoni se fotot tuaja familjare së bashku me familjen Berisha janë përdorur, ose më saktë keqpërdorur politikisht. Jemi të interesuar të dimë diçka më shumë. Pse mendoni se janë keqpërdorur?
Shpesh dalin në shtyp të dhëna mbi personazhe, por unë, kur jam njohur me daljen e këtyre fotove, jam ndjerë e befasuar dhe e lënduar.
Cila është arsyeja e këtij lëndimi?
Sepse ata, për të arritur qëllimet e tyre politike, nuk duhet të na përdorin ne.
Gjithsesi, duhet thënë se këto foto kanë tërhequr së tepërmi interesin e publikut znj. Hoxha...
Padyshim, padyshim. Por është edhe një gjë. Kjo marrëdhënie jona nuk është fshehur ndonjëherë. S’e kam fshehur kurrë unë, e kam thënë edhe më përpara. Unë i kam thënë me kohë këto gjëra dhe fakti që bëjnë sikur nuk i kanë dëgjuar, nuk më pëlqen. Unë e kam thënë me kohë që për ata që më kanë ngacmuar drejtpërdrejt, kam reaguar duke shfaqur dhe anën familjare apo personale të miqësisë. Domethënë, kohën kur miqësia ishte shumë e ngushtë.
Zonja Hoxha, na e shpjegoni më qartë këtë thënie tuajën, mbi kohën kur miqësia ishte shumë e ngushtë?
E kam fjalën për personazhet e sotëm. Në rastet kur shoqëria në të kaluarën, me këta personazhe ka qenë shumë e ngushtë dhe ata pas ‘90-ës kanë ngacmuar politikisht dhe bëhen më të egër, pas revanshit, atyre që kanë atakuar, u jam përgjigjur. Duke u bërë të qartë se ne njihemi dhe nuk është mirë që bëni kështu. Në këtë sens, kam folur edhe për Kryeministrin, kam thënë që Kryeministri nuk më ka ngacmuar personalisht. Domethënë është çështje parimi, kufiri që nuk e kam shkelur ndonjëherë, të ngatërroj miqësinë në rang personal me politikën.
Zonja Hoxha në ç’vit janë bërë ato foto?
Ato duhet të jenë bërë kur kam festuar dyvjetorin e djalit, të Shpatit. Ne rrinim në Pogradec zakonisht në atë kohë. Në Pogradec ka ardhur, mesa duket, të pushojë dhe Berisha. Dhe unë, shumë e prirur drejt miqësive dhe për të festuar me miq, ata ishin me fëmijët e tyre, thashë pse jo. E kam ftuar Sali Berishën me të shoqen dhe fëmijët.
Keni qenë ju që e keni ftuar Kryeministrin e sotëm aty?
Po, e kam ftuar unë.
Keni patur raste të tjera takimesh familjare përveç këtij, zonjë?
Ne kemi patur miqësi pra, unë këtë po them, nuk jam duke fshehur që kam patur miqësi. Por nuk kam patur rastin më parë ta shpalos këtë miqësi.
Zonja Hoxha, çfarë keni menduar gjatë këtyre viteve, kur Berisha sulmonte në mënyrë të përsëritur Bllokun?
Atëherë unë po të them se kjo është një çështje për t’u ulur e për të folur gjatë. Jo për të folur vetëm për Berishën, po për gjithçka që ka ndodhur. Kjo është çështja. Por Berisha për mua nuk përfaqëson asnjë gjë përveç se është një i njohuri im, një nga të njohurit e vjetër. Kur të gjithë më kthyen shpinën dhe janë sjellë mizorisht, Berisha hipi në krye të partisë, mori kontrollin e së djathtës, e djathta dihej që do ishte revanshiste dhe vetëm kaq. I kam parë shumë politikisht gjërat dhe privatisht nuk më kanë interesuar.
Megjithatë, si e vlerësoni Berishën e sotëm, në krahasim me Berishën që keni pasur dikur mik?
Me atë merruni ju. Mua po më habit se përse kohët e fundit ka një vëmendje të madhe ndaj meje dhe tim shoqi. Unë kam 10 vite që dal në shtyp dhe që them që ka pushtim të brendshëm dhe janë po ata që kanë qenë dikur në pushtet, kam kundërshtuar këtu edhe Berishën, por duke filluar nga Ramiz Alia, i pari. Ndërsa sot ju më bëni një pyetje të tillë. Nuk ka ç’më duhet Berisha mua, për mua ka rëndësi Ramiz Alia dhe të tjerët, pse dolën ata kundër Enverit dhe kundër Shqipërisë në atë kohë? Kjo është ajo që unë kam. Unë jam e majtë dhe Berisha është i djathtë, është në krye të të djathtëve.
Zonja Hoxha, përgjatë këtyre viteve është folur shumë mbi sponsorizimin e klasës së sotme politike nga nomenklatura komuniste? Pas publikimit të këtyre fotove, a mendoni se mund të thuhet edhe për Berishën kjo gjë?
Absolutisht jo. Nga kjo jo, se, nëse ai lundronte në liqenin e Pogradecit, nuk lundronte me dëshirë të Nexhmie Hoxhës apo Enver Hoxhës. Ai lundronte aty vetëm me dëshirën time dhe të Sokolit. Por unë e kam thënë, Blloku është politika sot, në të majtë dhe në të djathtë. Nuk jemi vetëm unë edhe Sokoli, ne jemi delja e zezë e Bllokut dhe e socialistëve. Quhemi tradhtarë. Në këtë rast mua nuk më intereson fare Kryeministri, mua më intereson çështja. Më intereson imazhi im dhe nuk dua të më përdorin mua, kur duan të luftojnë Kryeministrin. Se unë Kryeministrin e luftoj vetë.
Në këndvështrimin tuaj, cilat kanë qenë marrëdhëniet e Berishës me Bllokun?
Unë besoj që gjatë diktaturës ai për mbijetesë ka patur pozicion të spikatur në marrëdhënie me Bllokun. Sepse është karizmatik, është natyrë e tillë, është realisht i zoti. Kështu që, me aq sa mundet, ka një integritet, një energji të vetën, një kundërshti të vetën. Është nga këta njerëz.
Po ju vetë, si e mbani mend Berishën në atë kohë?
Shumë i përgatitur, shumë i gjallë, shumë energjik. Unë po flas për të si individ, por politika pastaj dihet si është.
No comments:
Post a Comment