Daut Kadriovski rrëfen për MAPO-n vizitën e një jave më parë, kur u takua me prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Dollapi. “CD-në nuk e dërgova unë në PS, u habita kur e pashë në duart e Braçes, por kam prova të gjalla për akuzat”
Intervistoi: Thimi Samarxhiu
Tiranë Daut Kadriovski rikthehet pas 8 vitesh në Shqipëri, me një batare akuzash për deputetët socialistë, por edhe për liderin e tyre. 62-vjeçari i kërkuar nga 13 shtete për trafik ndërkombëtar droge u ka mbijetuar qelive italiane, pas një dëshmie të fortë që i “dhuroi” statusin e të penduarit, e pak pas rikthimit në Shkup, duket se ka vendosur t’i rihapë hesapet me të shkuarën në Shqipëri. “CD-në nuk e kam dërguar unë në Partinë Socialiste. Kam mbetur i habitur, kur e kam parë atë në duart e Erjon Braçes ”, - pohon Daut Kadriovski në një bisedë telefonike për MAPO-n, teksa të tërheq vëmendjen se preferon të thirret me mbiemrin Kadria. Megjithatë, ai nuk heziton të shtojë se ka prova për ato që thotë, e nuk flet kot. Në këtë intervistë, personazhi i shumëpërfolur për lidhjet e tij me rrjete të fuqishme të drogës tregon se CD-ja me denoncimin e regjistruar të tij nuk është një “rrufe” në qiell të hapur. Kadriovski tregon se jo më larg se një javë më parë ka qenë në Tiranë, ku ka takuar një prokuror të Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Dollapin, me të cilin thotë se ka diskutuar mbi këto çështje.
Zoti Daut Kadriovski, ju jeni përfolur për dërgimin e një CD-je, brenda së cilës gjendet dëshmia juaj me anën e së cilës akuzoni deputetë të Partisë Socialiste për një sërë veprash penale. Si është e vërteta?
Mbiemri im nuk është Kadriovski, por Kadria. Përsa i përket CD-së, dua që të dini që atë nuk e kam dërguar unë në zyrat e Partisë Socialiste dhe nuk i kam bërë asnjë kërcënim askujt. Se si ka vajtur aty, nuk di çfarë të them.
E megjithatë, CD-ja përmbante pamje tuajat, ku ju akuzoni deputetët e PS-së, e madje edhe Edi Ramën për vrasje e trafik droge...
Unë kam prova të gjalla për ato gjëra që thuhen dhe për të gjitha akuzat e ngritura. E them dhe një herë, që atë CD nuk e kam çuar unë në zyrat e PS-së. Por dua të them prapë që unë kam shumë prova për ato që them dhe nuk flas kot. Kam mbetur i habitur, kur kam parë sot (dje) atë CD në duart e Erion Braçes. Unë kam qenë një javë më parë në Tiranë, ku jam takuar me një prokuror të Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Dollapin, dhe kemi folur gjatë bashkë.
Për çfarë keni folur me prokurorinë?
Këtë gjë nuk mund t’ua them në telefon. Kur të vini të më takoni, flasim më gjatë bashkë.
Zoti Kadria, ju thoni që keni prova për dy vrasje, njëra prej të cilave është ajo e bashkëshortes suaj Dile Mirashi. A mund të na thoni konkretisht cilat janë ato?
Nuk mund t’u them asgjë në lidhje me provat, por ju them që kam shumë prova për shumë persona, që janë përfshirë në këto ngjarje.
No comments:
Post a Comment