Arianna Huffington
Fytyra e “librit të fytyrës” ose e facebook-ut, fytyra pra e 26 vjeçarit Mark Zuckerberg ndodhet kudo. Ai ka qënë subjekti i një emisioni të shkëlqyer, CBS 60 Minutes profile, në kanalin televiziv CBS. Ai u zgjodh nga revista Time si figura e vitit 2010. Dhe ai vetë (në fakt, dikush tjetër në rolin e tij) shfaqet në ekran si personazhi qëndror i filmit The Social Network, i cili nuk është gjë tjetër, veçse historia e krijimit të facebook-ut, e shndërruar prej skenaristit Aaron Sorkin dhe regjizorit David Fincher në një prodhim kinematografik të destinuar për të fituar çmime.Dhe numrat vijnë duke u rritur sa herë bie fjala pwr Mark Zuckerberg-un, si për shembull: 550 milionë (numri i përdoruesve të Facebook-ut në mbarë botën); 26 (mosha e tij); 35 (pozicionimi i tij në listën e revistës “Forbes” për njerëzit më të pasur në botë); 6.9 miliardë (dollarë; kjo është vlera që i është dhënë sipërmarrjes së tij).
Por numri që tërhoqi vëmëndjen – dhe admirimin tim – është 100 milionë (përsëri dollarë; është shuma që Mark Zuckerberg vendosi t’i dhurojë sistemit të shkollave publike në Newark, New Jersey, një vend në të cilin ai s’ka jetuar ndonjëherë).
Dhe pa u publikuar ende ky lajm, u nxorrën dhe u zhveshën thikat e mprehta të mediave amerikane. Duke u bazuar në fjalët e atyre që e shohin me antipati drejtorin egzekutiv të facebook-ut, ky i fundit e ka bërë këtë dhurim për të asnjanësuar përshkrimin negativ që i bëhet në filmin në The Social Network si një – kështu thuhet në gazetën New York Post – “person dinak e hileqar që, jo i vetëm, mund ta ketë vjedhur idenë e tij të rrjetit social, që njihet me emrin facebook”.
Ka pastaj të tjerë që thonë, se ai e ka planifikuar gjithë këtë si “një mënyrë për t’u paraprirë përfoljeve e denigrimeve” që do t’i vinin prej renditjes së tij në Forbes 400. Revista “New York” e konsideroi si gjetjen më të mirë të muajit përsa i takon PR-it. Madje, edhe gazetës “Wall Street Journal”, e cila e quajti aktin e dhurimit “bujar, të guximshëm, dhe frymëzues”, nuk iu ndëjt pa thënë, se “zoti Zuckerberg mund të jetë i ri, por ai ka mësuar tanimë se bamirësia është një marifet PR-i që nuk të lë thatë”.
Çfarë po bëjmë kështu? Po themi prit, se lajmi nuk është donacioni prej 100 milionë dollarësh për shkollat publike të shkatërruara në Newark? Mos ndoshta lajmi ka të bëjë me zbulimin e motivimit, për të cilin është bërë ky donacion? A është kjo pika në të cilën kemi arritur?
Personalisht nuk më intereson fare se përse Mark Zuckerberg po dhuron 100 milionë dollarë nga paratë e veta, me anë të të cilave do të bëhet i mundur një ndryshim i thellë në jetën e fëmijëve në Newark. Më intereson thjesht që po kryhet si veprim, më intereson që në një nga sistemet më të këqija arsimore të Amerikës do të ketë një derdhje masive fondesh.
Vështirësitë në botën e sotme janë kolosale. Por të tilla janë edhe shuma e parave në dispozicion, energjia, kreativiteti, dashamirësia dhe dedikimi për të ndryshuar gjërat për mirë. Ky i Zuckerberg-ut është shembulli i një hapi të madh dhe të guximshëm, dhe hapa të tillë janë të nevojshëm në këto kohë të trazuara.
Shembulli i Mark Zuckerberg-ut tregon që të gjithë ne duhet të kemi një sens urgjence përballë vështirësive, me të cilat po përballemi – dhe të bëhemi pjesë e zgjidhjes.
Përktheu: Geri Nano
No comments:
Post a Comment