“TVSH-në ta lënë të bëjë punën e vet, politikën ta kërkojnë në Parlament”.
Osman Mula në një rrëfim të sinqertë e plot pasion për jetën e tij, për trokitjen e parë në dyert e këngës e të teatrit, për lidhjet e ngushta shumë vjeçare me e Radio Televizionit Shqiptar. Gjithashtu ai tregon se si i lindi ideja për emisionin: “Historia fillon këtu” qëllimi i tij për të risjellë në kujtesë të publikut figura të mëdha të skenës së këngës e të humorit, si Vaçe Zela, Avni Mula, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Fadil Hasa, Aishe Stari, Skënder Sallaku, Muharrem Hoxha, Luftar Paja, Pëllumb Kulla etj.
A mund ta fillojmë bisedën me fëmijërinë tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri shumë e aktivizuar. Ka qenë ndër pjesët më të mira të jetës time sepse Shkodra njihet për oborret e mëdha me pemë dhe për pikat piktoreske dhe gjithmonë ajo kureshtja e një fëmije zgjohet kur të gjitha këto ndodhin në qytetin tënd. Përveç kësaj Shkodra ka pasur traditë dhe Shtëpinë e Pionierit ku një pjesë e madhe e jona është aktivizuar aty dhe mbaj mend që një pjesë e madhe e fëmijëve të shkollës, pa dashje a nuk e di se nga erdhi a ndoshta nga interesimi i disa mësuesve të mirë të letërsisë, ne kemi qenë miq të librit dhe kemi pasur një bibliotekë të shkëlqyer. U bashkua libri, u bashkua qejfi, u bashkua ëndrra ajo filozofia e fëmijës së çfarë do të bëhej nesër në jetë, pacaka se ishim fukarenj në mënyrën e jetesës. Unë e kam ndjerë ardhjen e pranverës pasi e kisha shtëpinë më oborr, i kam ndjerë të gjitha stinët e vitit, dhe dëborën, edhe frutin se e kam pasur në oborrin e shtëpisë, e kam ndjerë dhe ujin e pastër dhe të ftohtë se e kam pasur pusin, pra është një fëmijëri sa e frutave sa e qejfit, sa e kuriozitetit sa dhe miku i librit, sa dhe fillimi i inkuadrimit për t’iu futur adoleshencës pak më i përgatitur. Kam qenë një fëmijë çapkën sepse në fëmijërinë time unë u mora me shumë gjëra, në fillim u mora me gjimnastikën, pastaj me futbollin. Gjithashtu që kur isha i vogël kam filluar muzikën, në fillim me një kitarë të vjetër, pastaj fillova me xhezin, nuk kishte shkollë muzike pra Shtëpia e Pionierit ishte gjithçka. Më pas fillova me saksin, domethënë, në qoftë se unë nuk do kisha qenë pak çapkën nuk do kisha qenë tip shëtitës, do isha përqendruar si një fëmijë që ndonjëherë rri në vetminë e tij dhe nuk sheh përtej viteve dhe përtej hapësirës. Unë isha shumë kërkues te vetja, si duket ajo linjë më ngeli edhe sot sepse edhe sot unë jam kërkues.
Cila ka qenë trokitja juaj e parë në botën e artit?
Ka qenë kur unë në moshën 17 vjeç, kur kam marrë çmimin e parë si kompozitor në anketën e Radio Shkodrës. “Përsëri pranë jush do kthehem” me një këngë të kënduar nga Tonin Tërshana. Dhe llogarit që një djalë 17 vjeç në Shkodër që dëgjon radion dhe një anketë që kishte një muaj që ishte hapur dhe në fund të muajit jepet çmimi i katër këngëve dhe çmimin e mora unë. Kjo ishte trokitja e parë e cila më dha shpresë dhe besim te vetja. Kur unë kam thënë se e bëj këtë gjë, e kam ditur se e bëj. Në këtë mënyrë fillova të merrem me muzikën, i kam rënë saksit në festivalin e 11, i kam rënë në festivalet e studentit, në atë kohë unë vazhdoja për artin dramatik dhe i bija saksofonit. Kam kompozuar këngë në anketë dhe kam fituar çmim të parë me një këngë të kënduar nga Afërdita Zonja. Kam vazhduar me një sërë anketash pastaj kam depërtuar në festivalet e këngës si kompozitor pas disa vitesh, më përpara kisha filluar regjinë e festivaleve dhe regjinë e koncerteve të vitit të ri pasi u emërova në televizion.
Si u gjendët në botën e televizionit?
Unë mora emërimin në televizion në ’73-shin dhe ndërkohë do të mbroja diplomën në Teatrin Popullor. Duke qenë në oborrin e Teatrit Popullor në praninë e atyre aktorëve aq të mëdhenj, detyrimisht njeriu merr nga hija e tyre dhe e gjitha ajo të ndihmon në botën e artit aq më tepër që unë vija dhe si një instrumentist nga Shkodra, duke mbaruar shkollën për aktor... Duke njohur muzikën, duke qenë pranë teatrit popullor, duke parë shumë shfaqe, duke respektuar shumë atë orën e kinemasë që na jepte Viktor Gjika, ne filluam të mësonim elementet e kinemasë, të gjitha këto bënë që unë të jem shumë i përgatitur dhe shumë pasionant, për t’iu futur televizionit me forcë. Që atë vit që jam emëruar, që atë vit kam bërë koncertin e Vitit të Ri dhe pas një viti kam bërë festivalin dhe nuk jam shkëputur për disa vite me radhë, nga ku kam nxjerrë folës të shkëlqyer, të cilët kanë dalë për herë të parë te unë maturantë dhe gjithë jetën u morën me këtë punë.
A mund të na tregoni diçka në lidhje me karrierën tuaj si kompozitor i këngëve?
Këngën e parë ma ka kënduar Tonin Tërshana, pastaj një vit më pas këngën ia kam besuar Luan Zhegut i cili ka marrë çmim të dytë, pastaj kam shkruar te Koncertet e Pranverës me Luanin dhe rresht, nuk jemi shkëputur shtatë, tetë vjet, Luani ka kënduar sa te Koncerti “Kur vjen Pranvera” dhe më vonë prapë në 96-ën kam shkruar prapë një këngë për Luanin dhe Ledina Çelon, që ka marrë çmim të dytë. Ndërsa në 92-shin kam marrë çmim të parë në festivalin e RTSH-së me “Pesha e fatit” ku e ka kënduar Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani dhe Viktor Tahiraj. Kam bërë shumë spektakle dhe koncerte pafund. Pra në çdo aktivitet të Radio Televizionit Shqiptar kam qenë prezent.
Kohët e fundit ju jeni i angazhuar si regjisor në spektaklin televiziv “Historia fillon këtu”. Si lindi ideja për realizimin e këtij spektakli?
Kjo lind në momentin kur njeriu fiton një eksperiencë në punë dhe kur njeriu ka qëndruar në një vend pune që e ka marrë me seriozitet punën. Unë jam marrë gjithë jetën me RTSH dhe unë e di që nga nisja dhe deri më sot se çfarë ka prodhuar ky televizion. Dhe është ideatori i të gjithë nismave që nga dokumentari, që nga festivali i fëmijëve, që nga përralla ,që nga telenovela, që nga filmi, që nga humori, që nga spektaklet në Pallatet e Sportit, që nga ndeshjet e transmetimit të futbollit, filmi i parë televiziv dhe të gjitha këto bënë që unë të jap idenë miqve të mi të cilët të kuptojnë dhe marrin përgjegjësitë, për shembull dy miqtë kryesorë që kam unë te spektakli, Gencin gazetar shumë i njohur dhe me një zë të mrekullueshëm dhe Arjan Sukniqin, koreograf shumë i njohur. Kjo ide e hedhjes së historisë këtu erdhi si logjikë e viteve duke menduar se televizioni ka bërë filmin dhe shpeshherë shumë gjëra i shikoja nëpër stacionet të tjera madje dhe kronika të bëra nga TVSH dhe një televizion që s’ka as dy tre vjet që ka filluar merrte përsipër për të thënë se “ky është televizioni më i ndjekur”, ose “radio më e dëgjuar”, ose e vetmja radio në Shqipëri kur ke vetëm gjashtë muaj që je hapur, kur ke një radio katër kat që ka nja 60 vjet që është krijuar. Dua të them se vjen një moment dhe thua a je me këtë gjashtëmuajshin apo me këtë 60-vjeçarin. Dhe unë jam ky 60-vjeçari dhe them pa t’ia hedhim edhe një herë opinionit atë që ka bërë ky Radio Televizion. Sepse Festivalin e Këngës e kemi bërë ne, koncertin e Vitit të Ri e kemi bërë ne, i cili është i 50-ti sivjet. Po festivalin e fëmijëve e kemi bërë ne, të gjitha këto janë aktivitete të RTSH-së dhe kur i mbledh në total sportin, telefilmin, telenovelën, filmin humoristik, filmin televiziv, dokumentarët, festivalet, operat, baletet, festivalet e fëmijëve të gjithë llojet e aktiviteteve, dhe unë kam marrë përsipër për të thënë se historia nis këtu. Asnjë nga spektaklet nuk i dedikohet Osman Mulës, por iu dedikohet atyre që kanë qenë faktor dhe kanë ndërtuar historinë artistike të televizionit shqiptar. Ky është një spektakël i cili merr përsipër që të jenë faktorë ata që kanë bërë historinë. Të pyesësh Agim Krajkën dhe Mihal Luarasi, për festivalet, detyrimisht që ke folur për historinë, sepse njëri bëri 16 vite burg për atë festival dhe tjetri 10 vjet. Mirëpo kur flet për festivalet, kur flet për Vaçe Zelën, ose për Gaqo Çakon ose për Avni Mulën, për Sherif Merdanin, Toninin, Luanin, Emën e me radhë nuk ke folur për vete, ke folur për ata, të cilët i kanë dhënë kënaqësi popullit. Dhe ky spektakël është në shenjë respekti për të gjithë ata, të cilët punuan në RTSH, madje shumëkush ishte harruar dhe duke parë insertin, duke u ftuar në televizion, ai detyrimisht edhe para familjes dhe para vetes është më i gëzuar sepse në fund të fundit kur në një auditor të drejtohen me respekt, atëherë pa dashje të zgjohet edhe dëshira dhe emocioni i brendshëm i fjetur i cili del në sipërfaqe dhe kur shohin se dhe të tjerët kanë respekt për punën paçka se ti mund të mos kesh asnjë lek në xhep. Pasi ata që bëjnë art të vërtetë, ata nuk kanë pare, kurse ata që nuk bëjnë art të vërtet, mos ua qani hallin se kanë pare sa të duash. E them këtë se pse asnjë punë nuk bëhet me pasion dhe me fantazi në qoftë se e ke mendjen te paraja, kjo sepse paraja është tjetër dhe pasioni është tjetër. Unë iu shërbej të gjithë atyre që me pasion punuan. Dhe do t’i shihni dhe në spektakle të tjera se sa njerëz të pasioneve të rrymave të tjera, të profesioneve brenda artit do të shohim, se çfarë autoriteti ka pasur ky institucion i nëpërkëmbur sot. Sepse është një institucion që shpeshherë anatemohet nëpër parlamente si një institucion ndonjëherë shërbesë ndaj politikës dhe çuditërisht nga vetë politika që duhet ta sistemojë nëpërmjet KKRT-së, këshillit drejtues, sepse ato kanë organika të cilat marrin lekë për këtë problem. Televizionin ta lënë të bëjë punën e vet në të mirë të kombit, politikën ta kërkojnë në Parlament. Arti në televizion ka nevojë të lihet i qetë dhe të mbështetet. Ka ardhur koha që televizionit shqiptar t’i thuhet “për çfarë ju keni nevojë” jo për xhepin tim, po për çfarë ka nevojë institucioni. Rëndësi ka që ne do të punojmë dhe do të përpiqemi të japim maksimumin e kërkesave tona në lidhje me faktorin disiplinë të punës dhe të mbështetur në ata njerëz cilësorë që kanë dhënë rezultat. Ne do merremi me njerëz që kanë bërë epokë, ne nuk merremi me artistë që nuk kanë bërë asgjë, se në Shkodër thonë një fjalë: “Horri të ban horr”...
Ka shumë artistë me mbiemrin Mula. Ç’mund të na thoni për këtë?
Kjo do të thotë që je jemi familje artistësh. Si duket tregon se fisi ynë në gen nuk ka armën, apo vjedhjen, as nuk kemi fyerjen, as nuk e paskemi gënjeshtrën, apo “me ndërru shtatë parti”, si duket, shumëkush prej fisit tonë ka ardhur për me këndu, si duket, “Zoti na ka thanë: “Ju do t’i shërbeni njerëzimit duke i kënaqur në shpirt dhe ne po zbatojmë kënaqësinë e të madhit Zot.
Vajza juaj kohët e fundit ka treguar talentin e saj jo vetëm në Shqipëri, por në “La Skala” të Italisë. Ka qenë një shtysa juaj apo talenti i saj në këtë sukses?
E para, të shkosh në “La Skala”, nuk mund të ngjitesh kurrë duke të mësuar vetëm babi që quhet Osman. Në “La Skala” do të shkosh vetëm me zërin tënd, me kulturën tënde, me qëndrimin ideoemocional, me mençurinë tënde dhe do të ballafaqohesh me botën vetë. Evisi është një vajzë që gjithë jetën mësoi dhe në tre muajt e verës në Lice mund të shikoje vetëm rojën dhe vajzën time duke studiuar... Që të shkosh në “La Skala” duhet që fëmijërinë dhe adoleshencën dhe një pjesë të rinisë ta sakrifikosh për art, pra t’i heqësh qejfet e rastit. Edhe qejfe dhe artist nuk ka, sepse sa më lart që të shkosh aq më tepër duhet të sakrifikosh, natyrisht që udhëzimet në fëmijërinë e saj kanë qenë të të atit, sepse unë nuk mund të isha jashtë loje sepse e kam marrë në makinë e kam çuar për të mësuar piano, i kam shkruar muzikë. Që kur ka qenë e vogël që në kopsht i kam shkruar një këngë “Sa të dua, Abetare”, s’kishte filluar akoma klasën e parë dhe dilte e këndonte para kopshtit dhe edukatorja më falënderoi shumë sepse e kishin mësuar gjithë fëmijët. Pastaj i kam shkruar kur ka qenë në tetëvjeçare në festivalet e fëmijëve në Tiranë ka marrë çmime të para dhe çmime të publikut, kur shkoi në gjimnaz i kam shkruar për festivalet në radio dhe tani me sa duket ka marrë tjetër drejtim, atë operistik.
Ç’vend zë humori në profilin tuaj?
Ne që punojmë në televizion kemi një periudhë të madhe të ditës që na kap stresi. Në televizion ke të bësh me shumë njerëz me karaktere, me tipa, dikush do, dikush s’do, dikush, dikush ka dëshirë të ndihmojë seriozisht, dikush të urren maksimalisht. E gjitha kjo nuk përballohet në jetë në qoftë se t’i nuk i vë një shenjë mesatare vetes që ndaj të paudhit dhe të mirit të kesh një qetësi e cila të mbizotërojë te vetja një lloj humori të lehtë që ta mbash veten me ariet që së paku tonalitetin e tensionit të zemrës dhe të trurit ta mbash në një gradë që të mos kalojnë sepse ndryshe mbaron. Duke ardhur dhe nga qyteti i Shkodrës, duke qenë dhe nga qumështi i nënës njeri pak me humor, e kam rritur së tepërmi praninë në shokë dhe humorin, për të cilin dhe shokët më nxisin. Dikush ka humor, por dhe dikush të nxit, si duket, unë e kam këtë moment që po më nxitën, si duket, kam se çfarë riprodhoj. Kjo më del nga shpirti, nga njëherë qesh dhe vetë me gjërat që tregoj. Të gjitha problemet që dalin gjatë punës unë i pres me qetësi.
No comments:
Post a Comment