Friday, December 24, 2010

Kadriovski, profili i njeriut super të kërkuar në 3 shtete

Daut Kadriovski, njeriu që sot është personi më i kërkuar në tre shtete: Serbi, Maqedoni dhe Kroaci, i cilësuar si “ujku gri”, anëtar i bandës që ushtronte aktivitet në Romë në mesin e viteve ’90, është cilësuar si bosi më i madh i 15 familjeve mafioze. Të paktën 13 vende në botë, pas vitit 1985 e kanë konsideruar Daut Kadriovskin si një prej trafikantëve më të mëdhenj në Europë. Lidhja e tij me Shqipërinë, të paktën ajo që është dokumentuar, ka qenë më 3 tetor të vitit 2001, kur u arrestua në Durrës, për llogari të drejtësisë italiane. Ai u ekstradua në janar të vitit 2002, por gjatë gjykimit fitoi statusin e të penduarit. I akuzuar dhe për vepra të tjera, shqiptaro-maqedonasi në fillim të shkurtit 2002, nga brenda qelisë i ka dërguar një letër shtypit shqiptar.
LETRA PER MEDIAN
Në letrën që i dërgoi në vitin 2002 mediave shqiptare, Kadriovski flet për veprimtaritë e tij, miqtë, armiqtë, trafikun, njerëzit e pushtetshëm që u njohën dhe u lidhën me të, si dhe trafikun e kokainës dhe heroinës. Madje, rrëfehet edhe se kush ia kërkonte mallin e ndaluar, që fillimisht e nxirrnin në Greqi me makina me targa RSH, si dhe njerëz të pajisur me pasaporta diplomatike. Të gjitha këto ai i shkruante në një letër drejtuar shtypit shqiptar. “Për veprat që akuzohem, bëhet fjalë në vitet ’90, ’91, ‘92, në kohën kur kam qenë në Australi, munden të dëshmojnë mbi 100 artistë. Si shembull e kisha rastin në Amerikë, kur pa dashje isha në vilën e një ish-funksionari të rëndësishëm, nuk e di a është akoma, L.H. Aty u bënte paketimi i kokainës, në krye me mikun tim, e pastaj u bë dhe mik i A.B. A mendoni se ish-funksionari nuk ka dijeni për ngarkesat dhe paketimet që bëhen në vilën e tij në Amerikë dhe i pret në Rinas me makinë “RSH”, si punë delegacioni? Sikur të ishit të guximshëm dhe gazetarë të vërtetë, do të zbulonit arinjtë në vend të lepujve. Unë me dëshirë do ju udhëzoja, mirëpo në situatën që gjendem duhet shumë guxim, se personi që ma montoi procesin e Romës ka lidhje me disa njerëz të rëndësishëm...”, thuhet në një pjesë të letrës së tij.
VEPRIMTARIA KRIMINALE
Në mars të vitit 1984 doli për herë të parë në skenë emri i Daut Kadriovskit, i njohur edhe me emrin Mehmet Hajdini. Në atë kohë u arrestuan në Gjermani disa shqiptarë nga Kosova, të cilët u kapën me heroinë dhe dëshmuan se punonin për “bosin” Daut Kadriovski. Një vit më vonë ai u arrestua vetë në Stamboll të Turqisë, më 6 shkurt të vitit 1985. Autoritet i konfiskuan në atë kohë disa vila, jahte dhe makina luksoze, që ishin në pronësi të bosit të trafikut. Ai mundi të arratiset nga burgu dhe arriti të strehohej në SHBA, ku dyshohet se vazhdoi aktivitetin e tij kriminal në Nju Jork dhe Filadelfia, si një i njohur i familjeve të “Cosa Nostras”. I konsideruar si një prej trafikantëve më të njohur të heroinës afgane në Amerikën e Veriut, emri i Daut Kadriovskit numërohej në krye të listave të personave më të kërkuar në botë, në 13 shtete. Veprimtaria e organizatës që ai drejtonte vazhdoi për disa vjet me radhë, duke trafikuar kokainë e heroinë, që nga viti 1985 e deri në vitin 1990. Ai u arrestua për herë të dytë në Turqi në vitin 1991, ku qëndroi për 5 vjet dhe që prej asaj kohë ndenji i lirë, derisa u arrestua në vitin 2001 në Durrës. Aktualisht, Kadriovski nuk është më i kërkuar në 13 shtete, por vetëm në 3 prej tyre, Maqedoni, Serbi dhe Kroaci.

LETRA E KADRIOVSKIT

“Unë nuk them se jam engjëll. Kam bërë vepra aq të rënda; nisur nga armët, vrasjet, droga e të tjera punë, por i kam bërë kundra Jugosllavisë, e jo kundra Shqipërisë e as Italisë dhe në këtë rast jam i pafajshëm. Ne kemi qenë mbi 100 veta në grup që punonim dhe e mbushnim Beogradin me drogë pa asnjë lloj fitimi, se agallarët e Beogradit nuk kujdeseshin për fëmijët e tyre, por si t’i zhduknin kokat dhe popullin e Kosovës dhe neve me atë që mundeshim e bënim. Unë nuk fsheh realitetin, sikur edhe unë të bëhem engjëll është e kotë, se dihet procesi i Prishtinës e çfarë ka folur ish-shefi i policisë serbe, tani ministër Rendi (viti 2002), i cili ka qenë i plagosur rëndë nga ana ime. Më kujtohet shumë mirë kur doli në televizion e gazetarët thanë: - A mendoni se keni korrur sukses pa u kapur “Ujku”? Kurse te prokurori është pasaporta ime me mbiemrin Kadrija dhe në flet- arrestin që më dhanë në drejtori shkruhej “Kadriu”. Gjurmoni pak sa e kam pasur....”

No comments: