Friday, December 24, 2010

Familja Hoxha: Fotot u përdorën nga PS, me Berishën kishim miqësi

Sokol dhe Liliana Hoxha shprehen përmes një reagimi të shpërndarë në media, se këto publikime nuk kanë asnjë domethënie politike dhe sociale për të sotmen. “Është për të ardhur keq që opozita në mungesë të vizionit, përsiat vajtueshëm vetëm ndasitë në llogore; në rastin konkret sorollatet me këto metoda të pahijshme dhe dhunuese, por që s’përfaqësojnë asnjë domethënie politike e as sociale për të sotmen. Me rënien e regjimit ne nuk kemi të bëjmë me asnjë nga personazhet e këtyre fotove rrethanore, madje përveç kryeministrit që vetvetiu të ndan hierarkia, me B.Salën e I.Kalon jemi ndarë për papajtueshmëri karakteresh nga ana jonë që në regjimin e kaluar, e për revansh politik nga ana e tyre më pas. Cilido të jetë qëllimi i emetimit të këtyre fotove, nuk mund të jemi dakord me botimin pirat të tyre, së paku pa dijeninë tonë. E para është e gabuar në principin themelor të shkeljes së të drejtave të njeriut. E dyta, dihet që jemi principialisht opozitarë të pushtetit, por edhe të opozitës kur ajo nuk qëndron drejt. Kësisoj, s’mbajmë asnjë anë përveçse qëndrimit analitik ndaj problemeve konkrete. Ndaj, e ndjejmë fort lëndimin, tashmë të tejpërdorimit politik të profilit tonë nga vetë politika, media e shoqëria. Kur edhe logjika nuk të çon përpara, veçse pas, sepse reciprokisht nuk është fshehur ndonjëherë miqësia jonë e ndërprerë tashmë me kryeministrin, që për atë kohë ishte normale si një nga intelektualët me në zë dhe me integritet”, thuhet në reagimin e Sokol e Liljana Hoxhës. Mediat e shkruara botuan dje dy foto të kohës së komunizmit, të bërë publike në emisionin “Fiks fare”, ku kryeministri Berisha është nën shoqërinë e djalit të Enver Hoxhës, Sokolit. Kryeministri Berisha komentoi dje në kuvend fotot e publikuara nga emisioni “Fiks Fare”. “I patë ato foto? 30 vjet më parë, sikur të ishte 3 vjet më parë Sali Berisha. Do kërkoj të marr origjinalet”, u shpreh kryeministri Berisha, duke ironizuar opozitën.

ARISTIR LUMEZI

No comments: