Saturday, December 25, 2010

Dragoi i ri i aeroportit kinez


Është kinez, pra madhështor dhe të lë me gojë hapur në çdo detaj. Njëherazi është ndër më të çuditshmit dhe padyshim, unik. Këto janë vetëm disa nga përshkrimet që i takojnë një ndër “thesareve” të fundit, me të cilin Kina tenton t’i mburret botës. Është porta hyrëse ajrore më interesante dhe moderne në botë, është terminali i famshëm 3 i aeroportit të Pekinit, që ka bërë kurioz një botë të tërë. Nëse do të flisnim për të, sigurisht që nuk mund të mos ta fillonim nga përmasat. Është një “mrekulli” arkitekturore dhe inxhinierike, që ka nisur dhe përfunduar brenda dy vitesh pune intensive, edhe pse nxë një hapësirë shumë më të madhe se çdo terminal tjetër në botë. Kjo i jep statusin e kompleksit më të madh ndërtimor të ngritur në një fazë të vetme e mbi një sipërfaqe dyshemeje prej 986 000 metrash katrorë. Është konceptuar dhe realizuar nga një konsorcium konsulentësh aeroportualë holandezë, “NACO”, dhe një studio arkitekture mjaft e njohur britanike, “Foster and Partners”, të cilët kanë pasur në duar një buxhet prej 3.5 miliardë dollarësh. Brenda terminalit funksionojnë 243 ashensorë e rrugë ajrore, që janë edhe arteriet lidhëse të hapësirave të ndryshme. Çdo tualet ka edhe vend për ndërrimin e foshnjave dhe një ndarje për personat me aftësi të kufizuar.

Një nga zonat më interesante është sistemi i transferimit të bagazheve, me një vlerë prej 240 milionë dollarësh. Ai është i pajisur i gjithi me letra të verdha, secila prej të cilave ka një kod që i përkon çdo bagazhi që qarkullon në sistemin e monitoruar nga 200 kamera. Aftësia absorbuese e kësaj zone është 19 200 bagazhe në orë dhe koha e transferimit nuk zgjat më shumë se 5 minuta. Në fund të godinës është ngritur një kullë monitoruese, 98 metra e lartë, mbulesa e sipërme e aeroportit është e kuqe, ngjyra që kinezët e lidhin me fatin e mirë. Në të përvijohen shigjeta të bardha, të cilat tregojnë kalime apo drejtime që të çojnë në ambiente të ndryshme. Pjesa e sipërme është konceptuar si një dritare gjigante, që bën të mundur thithjen dhe përdorimin për ndriçim të gjithë dritës së diellit dhe ditës dhe brendia është e pasur me simbolikë kineze, duke filluar që nga dragonjtë e deri tek kolonat tipike budiste. Kjo preferencë vihet re edhe tek zonat e pritjes, që i janë përafruar modeleve të kopshteve perandorake të Pallatit të Verës, të pajisura me një bimësi që ngjall kuriozitetin e pasagjerëve për nga shumëllojshmëria dhe masiviteti. Për ata që duan të shijojnë ushqimin, shërbimi i quajtur “kuzhina globale” ofron 72 varietete kulinare, që nisin me fast food-in e thjeshtë, e vazhdojnë me ushqimet perëndimore, indiane, meksikane, sigurisht kineze, për të përfunduar te delikatesat më pikante të një kuzhine të rafinuar. Ka 66 ura ajrore për një numër tërësor prej 120 portash që parashikohet të presin çdo vit fluksin e 90 milionë pasagjerëve. E gjithë kjo hapësirë ka formën e një dragoi dhe po të zbresësh natën në aeroport, të bëhet se po ulesh në një tokë përrallash. Pikërisht kjo është mbresa që kinezët duan të përcjellin tek ata që do të mbërrijnë në vendin e tyre në të ardhmen. Është imazhi i Kinës së shekullit të ri, i një Kine që ka marrë fuqinë e dragoit dhe kërkon të sundojë e çudisë botën. Për më tepër, sipas autoriteteve kineze, vendi, deri në vitin 2020 do të shndërrohet në njërën prej zonave turistike më kryesore në botë dhe terminali i ri është porta e denjë për fluksin e turistëve që do ta nisin mrekullimin me aeroportin, por do ta vazhdojnë përgjatë gjithë qëndrimit në një Pekin që ka ndryshuar fytyrë, duke u shndërruar nga një kryeqytet i shekullit të 14-të, në sheshin më të madh të ndërtimit në botë.

Projekti i tij i përgjigjet edhe kërkesës për një mjedis sa më ekologjik. Brendia e tij është konceptuar me krijimin e hapësirave të bollshme të ajrosjes, e cila do të përftohet nga filtra të mëdhenj që do të përpunojnë ajrin dhe do të krijojnë brenda gjithë godinës, në çdo stinë, një temperaturë pranvere. Aeroporti është i ndarë në tri pjesë të mëdha që lidhen nga një linjë treni e ngjashme me atë të aeroportit të Hong-Kongut, por sigurisht, në version të rinovuar. Ky i fundit ka “thithur” deri tani çmimet më të rëndësishme që u jepen godinave të aeroporteve në botë, një tendencë që do të ndryshojë, sigurisht, me futjen në punë të terminalit të ri të aeroportit të Pekinit. Sikurse edhe aeroportet e tjerë të konceptuar nga e njëjta studio arkitekturore britanike, edhe terminali në fjalë është krijuar me idenë e një hangari të madh, pra një hapësire të madhe, ndryshe nga aeroporte të tjera, që janë plot kthina, dhomëza e hapësira të vogla, të cilat veçse i bëjnë më kaotikë e më pak të orientueshëm. Orientimi është një tjetër pikë e fortë. Në të ka

më shumë tryeza informacioni se në çdo aeroport në botë dhe në funksion të orientimit të pasagjerëve do të jetë një “ushtri” e tërë nëpunësish, megjithëse sipas arkitektëve, zor se do të ketë persona që do të humbasin, pasi gjithçka është shumë e qartë dhe lehtësisht e gjetshme. Përveç formës së dragoit, po ta shohësh me kujdes aeroportin nga sipër, sidomos gjatë natës, kur përpihet nga dritat, ai ka formën e fjalës “ren”, që do të thotë “njerëz” dhe që është ndër të tjera, një term politikisht i rregullt me teorinë komuniste që ende sundon në Kinë. Ngjyrat mbizotëruese e që të bien menjëherë në sy janë e verdha, portokallia dhe e kuqja, që është përdorur me shumicë. Kjo shtesë e tretë e aeroportit të Pekinit, që konsiderohet edhe si aeroporti me fluksin më të madh të hyrje-daljeve në botë.

No comments: