Wednesday, March 7, 2012

Shpërthen Topi: Berisha komunist,të shpjegojë fotot me byronë,PD: Po përdhos Presidencën

TIRANË I zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1996,
i emëruar më pas ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit deri në vitin 1997, 2 herë nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit të saj parlamentar, aktualisht President i Republikës, Bamir Topi vetëm dje ka folur hapur ndaj ish-shefit të tij, Sali Berisha. Në muajt e fundit të mandatit të tij, Topi foli jashtë kornizave institucionale duke iu përgjigjur direkt akuzave intensive të kreut të ekzekutivit lidhur me qëndrimin e tij ndaj ligjit të lustracionit. Duke shfrytëzuar pjesëmarrjen në një aktivitet përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në krahinën Lumë të Kukësit, Topi kishte një përgjigje vetëm për Kryeministrin. “Unë, natyrisht që jam në dijeni të deklaratave dhe të një inkursioni të organizuar. Sërish, duke dalë mjaft njerëz e duke akuzuar, unë kam ruajtur një profil shumë institucional, nuk jam marrë me ta, por duke dalë Kryeministri, sigurisht një përgjigje për të e kam. Për ta parë çështjen e ligjit në fjalë: Ky është një ligj që është kthyer si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Është një ligj që mori një kontestim të ashpër, do të thosha, edhe nga Komisioni i Venecias, edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Për sa i përket moralit të ligjit, unë kam firmën time në vitin 2006 së bashku me zotin Majko, në një projektligj që asnjëherë nuk u miratua nga Parlamenti. Pra edhe sot e kësaj dite, ai ligj meriton që të miratohet dhe jo të deformohet për t’u bërë antikushtetues”, – tha Topi, duke iu referuar një drafti që në atë vit nuk u votua nga PD. Diçka tjetër, sipas Topit lidhet me moralin. Presidenti i Republikës shtoi se është kryeministri Berisha ai që duhet të japë shpjegime për fotot që i publikohen në media me ish-anëtarë të Byrosë Politike dhe se është hipokrizi që në krye të komisionit të Ligjeve të jetë Ilir Rusmali: “Ju e dini që njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës dhe është gati-gati ironike dhe një hipokrizi e papranueshme që në krye të komisionit të Ligjeve, aty ku certifikohen ligjet edhe për të përndjekurit, është pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë të kohës së diktaturës”. Ai iu referua sërish Berishës: “Ky personazh ka marrë pak a shumë pamjen dhe fizionominë e David Koperfildit. Është bërë iluzionist. Ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën. Ndërkohë që ka qenë detyrimi i parë për ta realizuar. Pikërisht ky ka qenë programi i Partisë Demokratike, për të cilin ne jemi rivotuar në vitin 2005, për të cilin ne kemi bërë një luftë që ka qenë shumë parimore dhe kjo punë nuk mund të shkojë më me deklarata. E ka pasur mundësinë. Ka shtatë vjet që është për së dyti në pushtet dhe nuk e bën”, – tha ai. Duke qëndruar tek teza e anti-komunizmit dhe prejardhjes së tij, Topi shtoi: “Kur bëhet pastaj ballafaqimi i figurave që nuk kanë të bëjnë fare me diktaturën, por që kanë konsumuar diktaturën e të tjerëve, ndërkohë që ky personazh që nga viti 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar partie, dhe njëzet e dy vite të tjera bën përralla me komunizmin dhe nuk i kompenson realisht duke e pasur në dorë mekanizmin, atëherë me thoni ju se ku qëndron e vërteta”. Presidenti tha se ai është për hapjen e dosjeve, duke premtuar surpriza: “… të jeni të sigurt se me hapjen e dosjeve shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë”. Dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha e akuzoi Bamir Topin si politikan që ka tradhtuar ish-të përndjekurit duke mos dekretuar ligjin e lustracionit.
N.Perndoj

No comments: