Sunday, March 4, 2012

Protokolli i heq fjalën Topit, Presidenti: Pse nuk shkova në Lezhë


Prapaskenat e ceremonisë në Lezhë. Protokolli njoftoi Topin 1 orë para se të nisej.
Topi: Akt përjashtues dhe sjellje e padenjë zyrtare.
Besëlidhja e Lezhës, vendi ku 568 vjet më parë u bë bashkimi i shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënde-rbeut, nuk rezultoi i tillë dje për klasën politike. Konflikti mes maxhorancës dhe Presidentit Topi u reflektua në ceremoninë e zhvilluar për nder të kësaj feste. Gjithçka erdhi pasi protokolli i shtetit ndryshoi, sipas Presidencës, në minutën e fundit, organizimin e ceremonisë, ku kreut të shtetit iu hoq fjala e parashikuar për ta mbajtur para qytetarëve lezhjanë. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, deklaroi se Presidenti nuk e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet.
Ceremonia
Rreth tri javë më parë, Bashkia e Lezhës shpërndau një ftesë për ceremoninë që do të mbahej dje në këtë qytet. Ftesa mbërriti edhe në zyrën e kreut të shtetit. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se ftesa erdhi zyrtarisht edhe nga Protokolli i Shtetit, institucioni që merret me organizimin e ceremonive në rastet kur në to marrin pjesë drejtuesit e vendit. Në axhendë ishte parashikuar në detaje gjithçka që do të ndodhte gjatë ditës së djeshme, që nga pritja e personaliteteve në hollin qendror të Bashkisë, deri te koncerti që do të zhvillohej së bashku dhe me emrat e artistëve. Aty ishte përcaktuar se pas fjalës së kryetarit të Bashkisë së Lezhës do të përshëndeste Presidenti Topi. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar, më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë”, thuhet në sqarimin e Presidencës. Por, gjithçka ndryshoi dje në mëngjes. Rreth 60 minuta përpara se të fillonte ceremonia dhe teksa kreu i shtetit po nisej për në Lezhë, ku ishte planifikuar të mbante një fjalim pas fjalës së kryetarit të Bashkisë, drejtori i Protokollit të Shtetit, Ermal Dredha, ka kontaktuar me shefin e kabinetit të Presidentit, Dashamir Xhaxhiu, ku e ka vënë në dijeni për ndryshimin e axhendës. Aty thuhej se pasi të përfundojë fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Lezhës do të ftojë të mbajë një fjalë Kryeministrin Berisha. “Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit, Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”, thuhet më tej në sqarimin e Presidencës. Në këto kushte, kreu i shtetit zgjodhi që mesazhin që do ta lexonte në Lezhë, ta lexonte para mediave në zyrën e tij në Presidencë.

No comments: