Ish-ministri i Jashtëm i kërkon Kryeministrit të shkarkojë kreun e Bashkisë së Lezhës.
Mustafaj: Presidentit s’mund t’i hiqet e drejta e fjalës.
Ish-ministri i Jashtëm dhe deputet i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, e cilëson si të turpshme atë që ndodhi dy ditë më parë në Lezhë, ku kreu i shtetit nuk mori pjesë në 568-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës për shkak se i ishte hequr fjala nga Protokolli i Shtetit. Në një mesazh të lënë në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, ish-kryediplomati shqiptar dhe një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit Sali Berisha, shprehet se kreu i shtetit është i vetmi që mund të vendosë vetë se ku do të flasë dhe kur. “Unë isha në fshat dhe atje nuk kam internet. Por mora vesh turpin që kishte ndodhur sot në Lezhë dhe nuk mund të rrija më në strofkën time. Pavarësisht nga kompetencat, me Kushtetutë dhe me moral, Presidenti është kryetar i shtetit tonë. Vetëm atij nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. Ai është i vetmi me tagrin e plotë ta caktojë vetë kur dhe ku dëshiron të flasë. Të gjithë të tjerët vijnë pas tij”, shprehet Mustafaj. Madje ai i sugjeron kreut të qeverisë të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, për atë që ndodhi, nëse nuk e ka urdhëruar vetë. “Kryeministri ynë duhet ta shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Lezhës në qoftë se nuk është vetë pas tij”, shprehet më tej Mustafaj.
Dy ditë më parë, Presidenca akuzoi Protokollin e Shtetit se kishte ndryshuar në momentin e fundit axhendën e ceremonisë festive në Lezhë, duke i hequr kreut të shtetit fjalën dhe duke e zëvendësuar me fjalimin që do të mbante Kryeministri. “Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit, Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”, thuhej në sqarimin e Presidencës. Gjatë ceremonisë në Lezhë, në përfundim të fjalës së mbajtur nga kryetari i Bashkisë, Viktor Tusha, në podium është ngjitur Kryeministri Berisha.
Oketa
Ish-ministri dhe zv.kryeministri i PD-së, Gazmend Oketa, deklaroi pak ditë më parë largimin zyrtar nga Grupi demokrat. Ai u shpreh se kishte disa muaj që nuk shkonte në mbledhjet e Grupit, të cilat ishin kthyer si mbledhjet e Byrosë Politike përpara viteve ‘90. Oketa tha se do të jetë pjesë e partisë së re që do të krijohet gjatë këtij muaji, drejtimin e së cilës do ta marrë Presidenti Topi pasi të përfundojë mandatin.
No comments:
Post a Comment