Sunday, March 4, 2012

Embrioni i partisë së Topit dhe dimri i fundit i Berishës


b_115_98_16777215_0___images_0POL_berisha-topi-keqq.gifEditorial/ Lindja e partisë së Topit, në oqeanin e trazuar të politikës së sotme, paralajmëroi menjëherë opinionin publik, për shfaqjen e një ajzbergu që do të rrëzojë sundimin e Berishës, brenda kupolës së djathtë, ku shumica janë ish komunistë dhe bij të ish -nomenklaturës së majtë. Figurat e publikuara deri tani në vigjiljen e partisë, “Shqipëria e re”, që përbëjnë pjesën e dukshme, nuk janë veçse një e katërta e ajsbergut, ku tre të katërtat gjenden ende në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Këtë e ka pohuar shpesh, Biberaj, Mustafaj dhe Oketa, i cili në intervistën e fundit tha, se:
“Unë nuk jam vetëm, por edhe sikur të jem vetëm, unë do u qëndroj parimeve të mia”. Oketa tha gjithashtu se, “në vitin 2013, klasa e vjetër politike do marrë një leksion të mirë. Lindja e kësaj partie do të shënojë humbjen e mazhorancës së PD-së, ku sundimi i së cilës ka shtuar varfërinë, papunësinë, korrupsionin, nepotizmin, presionin ndaj drejtësisë dhe humbjen e shpresës. Në këto rrethana  kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka vetëm një alternativë shpëtuese, duke pranuar bashkëpunimin e forcave politike dhe zgjedhjen e presidentit me konsensus të plotë, e cila do t’i hap rrugën një largimi të tij pa zhurmë. Por në konferencën e djeshme për shtyp Berisha ka treguar se do të vazhdojë në qorrsokakun e nisur duke mos pranuar komardaren e konsensusit, që do t’i garantojë atij ikjen e butë. Ai tregoi se nuk heq dorë nga synimi për të kapur të gjitha institucionet e pavarura, duke përfshirë sidomos ata të drejtësisë, prokurorisë, SHISH-it, etj. Duke reaguar në lidhje me largimin e deputetit Gazmend Oketa nga grupi i Partisë Demokratike. Berisha është shprehur se “Oketa hyri si brez i ri dhe u largua si Namik Dokle”. Ndërsa për Besnik Mustafajn, Berisha tha se “ai është shkrimtar dhe ka perceptimin e tij për realitetin”. Më tej, në lidhje me presidentin e ri Berisha është shprehur: “Presidentin do ta zgjedhim sipas Kushtetutës me qëllim që të ndalohet kriza institucionale". Kjo tregoi edhe njëherë se Berisha nuk do ta njohë konsensusin, por ai aktualisht nuk njeh as balancën e forcave brenda parlamentit. Megjithëse, ambasadori amerikan ka folur disa herë në mënyrë të hapur për domosdoshmërinë e konsensusit, përsëri Berisha po përsërit kokëfortësinë e vitit 1996, kur për defektet e tij, pagoi e gjithë shoqëria shqiptare. Sepse aktualisht, deputetët e Kuvendit e kanë mjaft të qartë përmbajtjen e platformës së SHBA-së për shpëtimin e vendit tonë nga kriza politike, ku ka ngecur aktualisht. Prandaj, shumica e deputetëve do të votojnë konsensusin dhe jo aventurën berishiane. Sepse ata vetë mund të djegin perspektivën e vendit, por edhe karrierën e tyre, duke u bërë shërbëtorë të urdhrave të kupolës blu. Një fat i tillë u projektua për kreun e LSI-së Ilir Metën i cili iu kundërvu ambasadorit Uidhers, me një letër të drejtuar sekretares së shtetit amerikan, zonjës Klinton. Por përgjigja e saj, i tregoi Metës se çfarë ndodh kur justifikimi kërkon të mbulojë korrupsionin. Politikanët shqiptarë që kanë gëlltitur nga një lugë çorbë të prishur, nuk shpëtojnë dot nga vesi i tyre i abuzimeve dhe për këtë duhet të përgjigjen. Kjo përgjigje ndaj Metës ishte edhe një mesazh për të tjerët, duke u thënë atyre se deputetët që mund të votojnë kundër mesazhit të SHBA-së, për konsensusin, mund të përfundojnë si Meta. Shembulli më i qartë i viktimizimit të deputetëve nga Berisha është Blerim Çela, të cilit iu ngarkua detyra nga kupola blu, të akuzonte SHBA-në për krizën e vitit 1997. Dhe pas kësaj deklarate të padrejtë, Çela u nxor nga politika nga vetë Berisha. Në këtë mënyrë numrat e kartonave për presidentin po numërohen pasaktësisht nga kryeministri shqiptar, i cili shpreson tek ‘blerjet” e deputetëve të opozitës. I zhytur në tensionin e ndeshjes politike, Berisha është hedhur në sulm për të siguruar në Kuvend, “myshterinj” të cilët do t’i japin votën në këmbim të “gjobës”. Por ky sulm edhe sikur t’i garantojë fitoren Berishës, në thelb është një autogol për atë vetë dhe për mazhorancën e tij, e cila aktualisht është kthyer në minorancë të dukshme. Dalja e partisë së Topit që parathotë prologun e perëndimit të sundimit të Berishës, është kapaku që do t’i vihet historive të korrupsionit blu dhe ndofta rifillimi i hetimeve për 21 janarin, Gërdecin, aferat e rrugës Durrës- Kukës, apo për pronat e Fazlliçit dhe hidrocentralet e deputetëve demokratë. Ilir Bushi

No comments: