Sunday, March 4, 2012

Fatos Nano: Si dola nga burgu më 13 Mars 1997

Share
b_115_98_16777215_0___images_5Komentet_fatos-nano-97.jpgMbas 40 orë revolte të burgut të Tiranës, njoftimi më i fundit i konfirmuar edhe nga vizita e Ngjelës me drejtuesit e protestës të burgut, ishte që në orën 4 pasdite, do të dëgjoni një lajm të TVSH, për amnistinë që kërkoni. Nuk u pritën lajmet dhe në 4 pa 5 filloi dalja jashtë e të burgosurve. Nën vëmendjen e Bedri Çokut, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të burgjeve, që nisi evakuimin e të burgosurve, dhe drejtorit të burgut 313, një djalë nga Laçi i jashtëzakonshëm për karakter dhe trimëri, u la të rrjedhin jashtë rreth 600 vetë. Unë vendosa të mos e kapërcej pragun mes burgut të brendshëm dhe oborrit. Pasi kishte rreth gjysmë ore që kishte dalë turma dhe nuk kishte më zhurmë nëpër korridore, në rrugë dëgjoheshin të shtëna, dëgjoj disa hapa që afroheshin në korridor. Kishte disa djem që kishin qenë dhe mbetën badigardët e mi edhe më vonë. Djem trima, që ishin gjatë gjithë 40 orëve në kontakt për të kuptuar isha gjallë apo jo, që prisnin jashtë se nuk hynin dot brenda. Dëgjoj hapa që po afroheshin në qeli. Ishim unë dhe Ramiz Alia dhe nja 2-3 vajza të piramidave, ishim nja 7-8 veta, u shfaq një treshe. Një civil dhe dy me uniformë. Ishte drejtori i burgut, shefi i sigurimit të brendshëm dhe drejtori i policisë së burgut. Na pyetën, çfarë bëni ju këtu? I them unë jam Fatos Nano, ju kush jeni? A, më falni, tha drejtori, të prezantohemi! Dhe u prezantuan. I thashë: " Më lejoni t'ju them që unë jam këtu, jo për fajin tuaj. Kam një dënim nga gjykata, me të drejtë apo jo është çështje tjetër, por po e kalova pragun e qelisë, unë shkel ligjin. Pyetja ime është ku mund t'i kaloj unë 16 muajt e fundit e mbetur nga dënimi për të cilat më ka dënuar gjykata? Ai shtangu dhe me tha: "Të kuptova, mund të prisni disa minuta?" U vonua disa minuta dhe kur dolëm, e kuptova se çfarë donte të bënte. Kishte rreshtuar të gjitha rojet, për të shmangur veprime të pa kontrolluara, me armët në këmbë të vëna me siguresë dhe kthehet tek qelia më fut krahun dhe më thotë a mund të më ndiqni? Dalim nga shkallët, dhe në oborr mora vesh pse më futi krahun drejtori, se rrëzohesha nga gëzhojat e shumta. Pavarësisht nga nevoja për të parë se ku hidhja këmbët, përshëndeta shumë nga gardianët që më buzëqeshnin dhe m'u duk vetja sikur unë, i burgosuri i famshëm, po kaloja rojen e nderit të gardianëve.

No comments: