Tirana kthehet sërish në Kolegjin Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti dje të miratonte ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit për shkak se votuan kundër anëtarët e opozitës dhe nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej 5 votash.Gjatë 50 minutave të mbledhjes, opozita dhe maxhoranca debatuan ashpër mes tyre lidhur me rolin e KQZ-së në hapjen e kutive dhe leximin e votave të hedhura gabimisht. Sipas variantit të KQZ-së, koalicioni i drejtuar nga PD-ja do të ketë 28 këshilltarë, ndërsa ai i drejtuar nga PS-ja 27 këshilltarë.
Debati
Fillimisht ishte kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili pak ditë pas vendimit të Kolegjit për të lënë në fuqi fitoren e Lulzim Bashës, vlerësoi punën e institucionit që ai drejton në menaxhimin e zgjedhjeve. “Në gara të tilla si kjo e Tiranës, ku kandidatët garues ndahen me pak vota, gjithmonë administratorët e proceseve të tilla konsiderohen mbijetues. Besoj që ne i mbijetuam një procesi të vështirë me kompetencë dhe profesionalizëm. Më duhet të përshëndes dhe vendimet ligjore konfirmuese të Kolegjit. Kishim të bënim me një proces ku gara ishte evidente, ku transparenca ishte e shkëlqyer dhe për më skeptikun gara tregoi se shteti ligjor funksionon me gjithë kapacitetin e vet”, u shpreh Ristani. Por, për Partinë Socialiste, KQZ-ja u bë pjesë e manipulimit të zgjedhjeve. “Ne nuk jemi dakord me ndarjen e mandateve në bazë të tabelës përmbledhëse. Shifrat janë vendosur në tabelë në mënyrë alogjike. Këto shifra nuk arritët t’i përputhni. Ne kërkuam të miratoni tabelat për çdo grup numërimi dhe ju nuk e bëtë sepse aty do të dilte gjithë manipulimi që ka ndodhur në Tiranë. Duke pasur frikë nga e vërteta shpallët një tabelë apriori dhe po miratoni mandatet. KQZ nuk e kaloi provën, u bë pjesë e manipulimit”, tha gjatë mbledhjes përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji. Madje, sipas tij, vendimi për Këshillin Bashkiak të Tiranës është i fundit që ky institucion merr nën drejtimin e Ristanit. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i këtij të fundit: “Të garantoj se nesër do të ketë vendimmarrje tjetër”. Nga ana tjetër, përfaqësuesi demokrat në KQZ-së, Njazi Kosovrasti, tha se në tabelën përfundimtare u përfshi edhe propozimi i PS-së për të llogaritur dhe votat e hedhura gabimisht. “Me propozimin e PS në tabelën e rezultateve, ku ishin futur votat e Vendimit 709, u futën edhe votat që dolën pas urdhërimit të Kolegjit. Për sa kohë nuk ka ankimim në Kolegj, ky vendim është në fuqi. Nëse ata do të ishin të pakënaqur nga tabela, mund të ankoheshin në Kolegj dhe nuk u ankuan. Çuditërisht, në Kod, miratimi i tabelës kërkon 4 vota, ndërsa ndarja e mandateve kërkon 5 vota. Në Këshillin e ri bën pjesë edhe Eridiani, dhe nuk besoj që ka hequr dorë nga mandati”, tha Kosovrasti.
Replikat
Mbledhja e fundit për Tiranën, në një pjesë të saj u shoqërua me replika e batuta humori, pavarësisht mosarritjes së konsensusit për të votuar ndarjen e mandateve. Anëtari i majtë, Pandeli Varfi, për të nxjerrë rolin e njëanshëm të KQZ-së në shpalljen e Bashës fitues, lexoi një lajm të gjetjes së një pllake varri, e cila mbante shënimin e një gladiatori të rënë në një betejë 1800 vjet më parë. “Pllaka e varrit, pasi u transkriptua, thotë: ‘Pasi e munda kundërshtarin tim Dhimitrin dhe nuk e vrava menjëherë, ky fakt si dhe tradhtia e arbitrit më morën në qafë, më bënë që të vdes’. Bëhet fjalë për dy gladiatorë”, tha Varfi. Por, sipas Ristanit, vendimi i KQZ-së për miratimin e tabelës së rezultatit duhet të njihet nga të gjithë anëtarët. “Mosnjohja e ligjit dhe institucioneve është më e vjetër sesa pllaka e varrit që ju lexuat. Mosnjohja e institucioneve i takon shoqërisë parashtetërore, pak e shumë aty afër me majmunërinë”. Debate të forta pati edhe në fund të mbledhjes mes kreut dhe nënkryetares së KQZ-së. “Zgjidhjen e mendoni ju kur miratuat atë tabelë që është në kundërshtim me ligjin dhe gjithë rezultatin e Tiranës”, iu drejtua Subashi kreut të KQZ-së. Ristani, në përgjigje të akuzave të komisionerëve të majtë, u shpreh: “Ju nuk e njihni shtetin. Shteti ka gjykatë dhe gjykata ka konfirmuar vendimin e KQZ-së. Ju jeni antishtet, jeni antiinstitucion. Asnjë kontribut nuk keni dhënë ju. Keni dhënë kontributin që ndenjët në shtëpi 3 muaj dhe nuk erdhët në Komision. Keni qëndruar në shtëpi 3 muaj”.
Kolegji
Pas rrëzimit të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë kanë 5 ditë kohë për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor për ta zgjidhur ngërçin. Njësoj si në situatën e këshillave të minibashkive, edhe këtë radhë do të jetë “Aleanca për qytetarin” që do të paraqesë një padi në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkojë ndarjen e mandateve në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ-ja.
55 këshilltarë
Këshilli Bashkiak i Tiranës është i përbërë nga 55 këshilltarë. Nga zgjedhjet e 8 majit, koalicioni i djathtë ka 28 këshilltarë dhe ai i majtë 27 këshilltarë. Brenda koalicionit të djathtë, 19 këshilltarë i ka PD-ja, 5 këshilltarë i ka fituar LSI-ja, 2 PDIU-ja dhe nga një PR dhe PLL. Në koalicionin e majtë, 25 këshilltarë i ka fituar PS-ja dhe nga një PDS dhe PSV ‘91.
Replikat ne mbledhjen e KQZ
Arben Ristani: Në gara të tilla si kjo e Tiranës, ku kandidatët garues ndahen me pak vota, gjithmonë administratorët e proceseve të tilla konsiderohen mbijetues. Besoj që ne i mbijetuam një procesi të vështirë me kompetencë dhe profesionalizëm.
Eridian Salianji: Ne nuk jemi dakord me ndarjen e mandateve në bazë të tabelës përmbledhëse. Shifrat janë vendosur në tabelë në mënyrë alogjike. Këto shifra nuk arritët t’i përputhni. Ne kërkuam të miratoni tabelat për çdo grup numërimi dhe ju nuk e bëtë sepse aty do të dilte gjithë manipulimi që ka ndodhur në Tiranë. Duke pasur frikë nga e vërteta, shpallët një tabelë apriori dhe po miratoni mandatet. KQZ nuk e kaloi provën, u bë pjesë e manipulimit. Kjo do të jetë vendimmarrja juaj e fundit si kryetar i KQZ-së dhe si KQZ.
Arben Ristani: Të garantoj se nesër do të ketë vendimmarrje tjetër.
Eridian Salianji: Derisa të merrni rrogën e korrikut, do merrni vendime. Ju rolin tuaj si kryetar i KQZ-së e kryet mjaft mirë në shërbim të politikës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve. Nuk mundet që asnjë këshilltar të jetë përfaqësues i votave të vjedhura, dhe jo i vullnetit të zgjedhësve. Ju do të thoni që ne e morëm vendimin dhe nuk u ankuat në Kolegj. Ne nuk e ankuam në Kolegj për arsyen e thjeshtë se po të ishte këshilli i komunës Shalë, edhe mund ta kishim çuar, sepse ai kolegj këshillat e komunave i zgjidh fare drejt, kurse peshën për të zgjidhur peshën e Tiranës nuk mund ta mbajë, siç nuk e keni mbajtur ju gjatë këtyre zgjedhjeve.
Njazi Kosovrasti: Me propozimin e PS në tabelën e rezultateve, ku ishin futur votat e Vendimit 709, u futën edhe votat që dolën pas urdhërimit të Kolegjit. Për sa kohë nuk ka ankimim në Kolegj, ky vendim është në fuqi. Nëse ata do të ishin të pakënaqur nga tabela, mund të ankoheshin në Kolegj dhe nuk u ankuan.
Eridian Salianji: Kosovrasti u thotë anëtarëve të KQZ-së se ‘ju duhet të ruheni se është thjesht aritmetikë’. Këtu s’mund t’u bëhet presion anëtarëve të opozitës. Ne kemi thënë se ju dalim edhe juve në mbrojtje. Po të keni nevojë për mbrojtje, opozita… pavarësisht se derën e keni të mbyllur. Mos e fik mikrofonin, meqë është hera e fundit.
Arben Ristani: Nuk është ashtu, do kemi nesër mbledhje prapë dhe do flasim.
Pandeli Varfi: Procesi i Tiranës filloi të dalë nga shinat e ligjit më 18 maj dhe ishte Vendimi 709 që i dha goditjen fatale. Më 26 qershor, agjencitë e lajmeve kanë njoftuar se një pllakë varri rreth 1800-vjeçare…
Hysen Osmani: Ç’a është kjo?! S’na duhen lajmet ne këtu. Nëse ka histori. t’i ketë për vete.
Pandeli Varfi: Unë e kam me çështjen.
Hysen Osmani: Pllaka e varrit s’ka lidhje me çështjen.
Pandeli Varfi: Kur ta shikosh, do ta dëgjosh. Pllaka e varrit, pasi u transkriptua, thotë: “Pasi e munda kundërshtarin tim Dhimitrin dhe nuk e vrava menjëherë, ky fakt si dhe tradhtia e arbitrit më morën në qafë, më bënë që të vdes”. Bëhet fjalë për dy gladiatorë.
Arben Ristani: Mosnjohja e ligjit dhe institucioneve është më e vjetër sesa pllaka e varrit që ju lexuat. Mosnjohja e institucioneve i takon shoqërisë parashtetërore, pak e shumë aty afër me majmunërinë.
Klement Zguri: Ato që dëgjoj më tronditin në njëfarë mënyre. Partitë, kur ndërtojnë institucionet, duhet të sjellin njerëz të përgjegjshëm këtu. Për Tiranën nuk keni votuar njëherë realisht pro ligjit, kam parasysh vendimet që ka certifikuar Kolegji Zgjedhor. Po ta votosh kundër këtë akt, nuk e di a do të zërë gjumi në darkë apo jo, se është shumë e rëndë.
Artan Lazaj: Këtë termin “të papërgjegjshëm”, në ç’kuptim e kishit? E kishit për tavolinën? Mendoni se është ndonjëri i papërgjegjshëm?
Arben Ristani: E bluan më vonë dhe e kupton. Po ta mendosh pak më thellë, e kupton se ku e kishte fjalën.
Dëshira Subashi: Sa kohë që bazën e kësaj tabele e kam votuar kundër, jam kundër edhe për këtë vendimmarrje. KQZ nuk zbatoi vendimin që u miratua me 7 vota për radhën e kutive që do të numëroheshin për Tiranën.
Arben Ristani: Në rast se i jeni borxh partisë për votimin me 7 votat në 2009-n, nuk besoj që ky është rasti për ta zgjidhur. Ky është një votim që duhet votuar, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër ligjore.
Dëshira Subashi: Baza ku mbështetet ky akt është e papranuar nga unë.
Arben Ristani: Ju mendoni që meqë s’doni ju, zgjedhje nuk ka? Këtu duhet të jepni zgjidhje, nuk jeni për të thënë që “unë s’jam dakord”. Cili është propozimi juaj?
Dëshira Subashi: Kam marrë fjalën për të folur unë, jo për të biseduar me ju.
Arben Ristani: Ju s’keni për detyrë të bllokoni Këshillin e Tiranës. Detyra juaj është për të dhënë zgjidhje. Cila është zgjidhja juaj?
Dëshira Subashi: Zgjidhjen e mendoni ju kur miratuat atë tabelë që është në kundërshtim me ligjin dhe gjithë rezultatin e Tiranës.
Arben Ristani: Ju nuk njihni shtetin.
Dëshira Subashi: Unë e njoh shtetin. Shtetin nuk e njeh dikush tjetër.
Arben Ristani: Jo. Shteti ka gjykatë, dhe gjykata ka konfirmuar vendimin e KQZ-së. Ju jeni antishtet, jeni antiinstitucion.
Dëshira Subashi: Ju mund të na etiketoni ashtu siç na keni etiketuar gjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve.
Arben Ristani: Ju jeni partiakë, nuk jeni të pavarur.
Dëshira Subashi: Unë kam dhënë gjithë kontributin tim.
Arben Ristani: Asnjë kontribut nuk keni dhënë ju. Keni dhënë kontributin që ndenjët në shtëpi 3 muaj dhe nuk erdhët në Komision. Keni qëndruar në shtëpi 3 muaj.
Dëshira Subashi: Kam dhënë kontribut që të ishte një proces që të respektonte të gjitha dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Hysen Osmani: Për procedurë, mendoj që të kalojmë në votim.
Arben Ristani: Kalojmë në votim. Kush është dakord në parim me aktin? Katër pro, dy kundër, rrëzohet akti në parim.
ADI SHKEMBI
No comments:
Post a Comment