Halil RAMA
Me përfundimin e betejës ligjore për procesin elektoral të datës 8 maj, një proces transparent dhe në përputhje me ligjet ekzistuese, merr fund dhe "E vetmja rrugë", në të cilën udhëtonin së prapthi lidershipi socialist dhe suita e tij. Kjo për faktin se Kolegji Zgjedhor argumentoi se, kërkesa e PS-së për pavlefshmëri të procesit zgjedhor në Tiranë ishte e pabazuar në ligj, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të 25 qershorit që shpallte Lulzim Bashën, fitues të garës elektorale për Bashkinë Tiranë, me 93 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama. Ky vendim i Kolegjit shënon dhe fundin e "Rrugës së vetme", në të cilën tentoi t'i degdiste shqiptarët lidershipi socialist. Kësisoj, Trupa e gjykatësve të Kolegjit Zgjedhor që legjitimoi verdiktin e qytetarëve të Tiranës pati shansin historik të legjitimojë fitoren e të gjithë shqiptarëve. Kjo për faktin, se fitorja e Bashës na dha të gjithëve mundësinë për ta parë politikën të lidhur me interesin e qytetarëve. Fitorja është e jashtëzakonshme dhe u arrit falë një fushate elektorale shumë pozitive. Ajo është një fitore ndaj kryetarit socialist të Bashkisë, por dhe ndaj liderit të opozitës shqiptare, për të cilin alternativë e vetme ishte "E vetmja rrugë!".
"E vetmja rrugë", slogani elektoral i PS-së për zgjedhjet e 8 majit, s'ishte gjë tjetër veçse ekzibicionizëm politik. Ajo ishte moskokëçarje e spikatur, e cila e ka zhytur Tiranën në një qerthull problemesh të përditshme për të gjithë qytetarët.
Pas përvetësimit të ideve e vizionit të Lulzim Bashës për punësimin e të rinjve dhe çlirimin nga ngërçi i informalitetit të tejskajshëm, kryeqytetasit votuan më 8 maj rrugën e arsyes dhe të urtësisë. Ata kurrsesi nuk mund t'i riktheheshin e besonin rrugës së individualizimit dhe acarimit të jetës politike, rrugës së aventurës dhe ekstazës, që shton konfliktualitetin dhe pengon progresin.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor që legjitimoi fitoren e Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës shënon njëkohësisht fundin e "Të vetmes rrugë" të Edi Ramës, fundin e udhëtimit të tij në delir drejt gllabërimit të çdo llokume pushteti. Tirana nuk mund t'i besonte më këtij njeriu që kërkonte pushtet të pakufishëm, pasi një pushtet i pakufishëm është një pushtet i mjerë. Kjo edhe për faktin se, obsesioni i zotit Rama se politika fillon nga Bashkia e Tiranës, dhe rruga e opozitës janë vajtje-ardhjet mes Bashkisë dhe selisë së PS-së ishte një kosto të rrezikshme si për qytetarët e Tiranës, ashtu edhe për fatin e tij politik.
"E vetmja rrugë" (që predikoi lidershipi socialist) solli izolimin e tejskajshëm të vendit, solli vëllavrasjen me luftën e klasave, e cila filloi që në vitin 1943 në Konferencën e Mukjes. Përfundimi i rrugës së vetme, një rrugë qorre pa alternativë, pa mendimin ndryshe, ishte vuajtja dhe mjerimi që e kaploi vendin. Që me uzurpimin e PS-së, destruksionizmin dhe daljen nga sistemi, Edi Rama e bëri pronë të vetën rrugën e vetme.
Le të marrim një tipar të rrugës së vetme të dikurshme: Luftën kundër imperializmit dhe social-imperializmit. Ajo luftë ishte kundër gjithçkaje perëndimore, deri te vrasja dhe persekutimi i intelektualëve, që kishin kryer studimet në Perëndim dhe sipas ideologjisë komuniste, ishin "infektuar" atje, që nga risitë në muzikë, pikturë, letërsi, pa bërë fjalë për sistemin demokratik borgjez, që ishte krim i rëndë...
Ky virus diktatorial shfaqet në këtë kohë me mospranimin e ndërkombëtarëve kur është fjala për "rrugën e vetme" të Edi Ramës. Ndërkombëtarët këshillojnë që të zhvillohen debatet në Parlament, kurse social-komunistët bëjnë të kundërtën, nuk marrin pjesë atje dhe kur shkojnë, tregojnë grushtet ose u bien bilbilave dhe zileve, duke të kujtuar tregun e kuajve. Për veprimet jodemokratike që bëjnë me të gjithë arsenalin e propagandës së tyre shpifëse, socialistët thonë se, "jemi vend i pavarur, nuk varemi nga të huajt", "nuk kanë pse ambasadorët futin hundët në punët tona"...
Kjo rrugë qorre e Edi Ramës ka të bëjë me mospranimin e sistemit. Mospranimi i sistemit çon në vëllavrasje. Pasojë e sloganit "Rruga e vetme" ishte edhe dhuna e ushtruar para Kryeministrisë më 21 janar, e cila çoi në vrasje dhe plagosje, për pushtetin e ëndërruar të Edvinit. Por shqiptarët, të bindur se Shqipëria, nuk ka një rrugë të vetme zhvillimi, votuan më 8 maj për hapësirat e pafundme të lirisë së tyre sociale dhe ekonomike. Kjo votë dëshmoi se e ardhmja e shqiptarëve është gjithmonë më e fortë se e tashmja e Ramës, se egoja e tij për pushtet të përjetshëm.
Miti i përjetësisë së pushtetit të Edvinit u rrëzua të premten. Kryeqyteti ka tashmë një kryetar të ri Bashkie dhe ai është demokrati Lulzim Basha, me 93 vota më tepër se rivali i tij Edi Rama. Votat e qytetarëve u numëruan dhe sistemi i ankesave funksionoi, duke mbyllur në mënyrë të plotë këtë proces, që i shkaktoi humbje të dyfishtë Edi Ramës në garën e tij të katërt për kreun e Bashkisë, por edhe si humbje politike për një kryetar opozite. Tashmë gjithkush e ka të qartë se, procesi zgjedhor për pushtetin vendor i mbajtur më 8 maj ishte më i miri që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, edhe pse pati një vonesë për daljen e rezultatit të Tiranës, u faktua funksionimi i shtetit ligjor, duke çuar në një fitore të merituar të Lulzim Bashës nga çdo pikëpamje. Tirana do të drejtohet nga Lulzim Basha, i cili ofron politika reale për zgjidhjen e problemeve të strehimit, hipotekimin e banesave të reja, rritjen e punësimit, garantimin e një infrastrukture moderne dhe shtimin e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet. Ai ka shpallur si prioritet gjatë mandatit të tij si kryebashkiak qytetarët dhe vizionin e tyre.
Duke prekur fusha konkrete të problemeve në Tiranë, Basha premton mbi të gjitha transparencë dhe përkushtim për qytetarët e kryeqytetit.
No comments:
Post a Comment