Nga: Revista Mapo
Petrit Myftiu, zv.komandant i njërës prej nëndetësve të Pashalimanit rrëfen historinë e ushtarakut të njohur rus Kozllov i cili qëndroi në Shqipëri dhe takimin e nëndetëses shqiptare në kanalin e Tunizisë, me anijen e presidentit amerikan, Ajzenhauer, që kthehej nga një udhëtim në Greqi
Siç dihet, në muajin gusht të vitit 1958, në bazë të një Marrëveshjeje midis Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik, në atë kohë pjestarë të Traktatit të Varshavës, erdhën nga porti Kaleningrad (Keninsberg), i detit Balltik, për në Pashaliman të Gjiut të Vlorës, katër nëndetse të projektit C-613, së bashku me ekuipazhet nënujëse sovjetike. Qëllimi i ardhjes së tyre në këte bazë shumë të re ushtarako-detare, më jugorja e vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e sipërpërmendur, veç qëllimeve gjeo-strategjike dhe ushtarake të ish Bashkimit Sovjetik, ishte edhe përgatitja taktiko-profesionale e nënujësave të parë shqiptarë, të cilët, pasi të aftësoheshin për të drejtuar postet e vështira luftarake të nëndetseve, do të bëheshin zotër për drejtimin luftarak të nëndetseve.
Kështu, për herë të parë në historinë e detarisë ushtarako-detare shqiptare, lindi njësia e nënujësave shqiptarë, e cila për shumë vite lundroi mbi ujë dhe nën ujë, në Adriatik dhe në Mesdhe, duke e mbajtur lart e të papërlyer flamurin Ushtarako-Detar të Flotës sonë të lavdishme.
Më 3 shkurt të këtij viti, në Sankt-Peterburg të Rusisë, në moshën 84 vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e njërit prej komandantëve më me emër të nëndetseve, Kozllov Valentin Stepanoviç, i cili, në ato vite, ishte komandant i njërës prej nëndetseve, C-360, e ardhur nga ish Bashkimi Sovjetik.
Në atë kohë, Kozllovit 31 vjeçar, me gradën e kapitenit të rangut të 3-të, i ishte vënë për detyrë të përgatiste ekuipazhin shqiptar të nënujësave, me komandantin e ekuipazhit shqiptar të nëndetses, kapiten-leitnant Shyqyri Çukaj. Ndërsa unë, Petrit Myftiu, i posa diplomuar me arsimin e lartë ushtarako-detar në Baku të Azerbajxhanit, në detyrën e zëvendës komandantit të nëndetses, duhej të aftësohesha, njësoj si edhe Shyqyriu, për drejtimin me zotësi të nëndetses. Kështuqë fati e solli që unë të njihesha nga afër me Kozllovin V.S. Në detyrën e zëvendësit të komandantit të nëndetses, ndejta vetëm 6-7 muaj, sepse, në prill të vitit 1959, kalova si komandant i ekuipazhit nënujës të nëndetses shqiptare, që komandohej nga Komarov Igor Borisoviç, me të cilin punuam së bashku pë 2 vjet për përgatitjen e ekuipazhit shqiptar të nënujësave.
Më kujtohet shumë mirë Kozllovi i atyre viteve të bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik. Ai ishte fizikisht i pashëm, me trup të gjatë, muskuloz e me një fytyrë tipike ruse. Në natyrë ishte pak i ngrysur, çka e bënte atë pak “mendjemadh” para shokëve dhe kolegëve të tij sovjetikë. Por, kur njiheshe nga afër me ‘të, tek Valentin Stepanoviç, përveç seriozitetit të theksuar në zbatimin e disiplinës ushtarake dhe teknike, shikoje edhe njeriun e bisedave të përzemërta, të mpleksura me humorin e hollë njerëzor. Në këto çaste në fytyrën e tij dalloshin lehtë tiparet njerëzore të njeriut të mirë dhe të zgjuar.
Kozllov V.S. ishte lindur në vitin 1927, në fshatin Stepanovo të Rjazanshnjes. Në vitet 1944-1948 përfundoi me sukses studimet në Shkollën e Lartë Ushtarako-Detare, në Baku të Azerbaxhanit. Pasi shërbeu për pak kohë si navigator në anijet çminuese, kalon për në Flotën e detit Balltik si oficer navigator në një nëndetse që po ndërtohej e, pasi përfundoi me sukses kurse të shumta kualifikimi për nënujës, në gushtin e vitit 1958 ai mori mbi vete, në funksionin e komandantit, detyrën e kalimit të nëndetses C- 360 nga baza e Keninsbergut për në Pashaliman të Vlorës, së bashku me të tre komandantët e tjerë të nëndetseve: Zemljankin, Emiljanov dhe Komarov, me në krye komandantitn e Brigadës së nëndetseve, kapitenin e rangut të parë, Jegorov S.G. Bashkë edhe me anijen “Baza Lundruese” (me emrin “Katelnikov” e, më vonë, “Tomorri”) do të krijohej Brigada e nëndetseve, në të cilën në çdo anije do të ishin dy ekuipazhe, njëri sovjetik, në rrolin e instruktorëve e tjetri shqiptar, që do të mësohej nga i pari për të përvetësuar sa më mirë e sa më shpejt teknikën shumë të komplikuar të nëndetseve.
Për dijeni të lexuesëve unë jam autor edhe i librit “Në bazën detare të Pashalimanit”, kushtuar kujtimeve të mia për 17 vitet e shërbimit tim në Pashaliman të Vlorës.Shkas për hedhjen e këtyre kujtimeve në librin e sipërpërmendur u bë leximi i një shkrimi në gazetën ruse, “Krasnaja Zvezda”, e vitit 1995, i kundëradmiralit në pension, Kozllov V.S.,në ato vite komandant i nëndetses C-360.
“Doraci” (e tillë qe nofka që i vuri efektivi shqiptar nënujës Kozllovit, këtij komandanti ndër më të zotët e nënujësave rusë), në shkrimin e tij, të botuar në gazetën e lartpërmendur, jep kujtimet e veta për lundrimin fantastik të nëndetses C-360, në dhjetorin e vitit 1959, nga Pashalimani në Gjibraltar dhe anasjelltas, plot një muaj ose, siç thuhet me gjuhën e nënujësave, në “autonomi” të plotë.
Lundrimi i kësaj nëndetseje në Mesdhe, nga Pashalimani në Gjibraltar dhe anasjelltas, sipas Kozllovit V.S., pati disa veçori:
-Itinerari i lundrimit të nëndetses kalonte përgjatë korridoreve të lundrimit tepër intensive të anijeve të shumta tregtare dhe në afërsi të bazave të shumta dhe poligoneve luftarake të anijeve dhe aviacionit të NATO-s;
-Rajoni i lundrimit të nëndetses përfshihej në zonën e aktivitetit të përditshëm të grupimeve goditëse atomike të NATO-s, të cilët, me armë atomike, vazhdimisht ndodheshin në Detin Mesdhe;
-Ishte vënë për detyrë nga komanda e lartë sovjetike të eksperimentoheshin mundësitë taktiko-teknike të nëndetseve të projektit “C-613”, të cilat, në vitet gjashtëdhjetë, vazhdonin të ishin nëndetset me teknologji më të mirë.
Së bashku me ekuipazhin sovjetik shkuan në këte lundrim të gjatë edhe Shyqyri Çuka - komandanti i nëndetses, Asti Popa - kryemekanik; Gëzim Rryta - nostrom dhe Andrea Katro - motorrist. Këta, dy të fundit, ishin detarë të shërbimit të detyrueshëm.
Më e veçantja e lundrimit e kësaj nëndetseje në Mesdhe ishte takimi i saj, në Kanalin e Tunizit (hapësira ujore midis ishullit të Maltës dhe bregdetit tunizian), kur po kthehej nga Gjibraltari për në Pashaliman, me orderin e anijeve amerikane, që shoqëronin kryqëzorin “De Mojn”, në të cilin lundronte Presidenti i asaj kohe i SHBA, D.Ejzenhaur, gjatë kthimit të tij nga një vizitë miqësore në Greqi.
Megjithëse Kozllovit iu dha urdhër nga komanda eprore, që ai t’i shmangej takimit me amerikanët, manovra e nëndetses, për t’u afruar sa më afër kryqëzorit, me qëllim që ai të fotografohej sa më mirë nga aparati fotografik i montuar në periskopin e nëndetses, nuk mbeti pa u zbuluar nga një fregatë shoqëruese amerikane, e cila, sigurisht dha alarmin për zbulimin e nëndetses së huaj nën ujë, brenda orderit të anijeve shoqëruese të Presidentit amerikan.
Kuptohet, pasi nëndetsja u zbulua, filloi ndjekja e saj nga anijet dhe aviacioni i destinuar për luftë kundër nëndetseve, me qëllimin e asgjesimit të saj ose për ta detyruar atë të dalë mbi sipërfaqen e detit, për ta bërë atë të parrezikshme.
Këtu nisi edhe zotësia profesionale dhe komanduese e Kozllovit, i cili me mjeshtri e trimëri u spostua nga kursi kryesor i nëndetses drejt Gjiut të Sitrës të Libisë, duke iu shmangur me vështirësi, për 48 orë rrjesht, ndjekjes nga anijet dhe aviacioni amerikan. Pas disa ditësh lundrim nën ujë nëndetsja C-360 kthehet fitimtare në bazën e Pashalimanit, e pritur me entuziazëm nga nënujësit sovjetikë dhe shqiptarë.
Zbulimi i nëndetses sovjetike nga forcat shoqëruese të orderit të Presidentit amerikan, në Moskë nuk u prit aspak mirë. Komanda e Flotës sovjetike ishte shumë e acaruar dhe pritej shkarkimi i Kozllovit si komandant i nëndetses. Vetëm rastësia e shpëtoi Kozllovin nga një masë e tillë ndëshkuese.
Kur N. Hrushovit, në ato vite lider i BRSS, i vajti në Kremlin informacioni se një nëndetse sovjetike kishte mundur të depërtonte në brendësi të orderit, në të cilin lundronte Ejzenhauri, Hrushovi ishte kënaqur së tepërmi, duke thënë: “E marr me mend se sa duhet jetë trembur Presidenti amerikan nga prezenca e nëndetses sonë, brenda orderit të anijeve që e shoqëronin…”. Kuptohet se, pas kësaj kënaqësie që kishte pushtuar Hrushovin, Komanda sovjetike, në vend që ta shkarkonte Kozllovin nga detyra e komandantit të nëndetses, përkundrazi, e ngriti atë në përgjegjësinë e zëvendëskomandantit të Brigadës sovjetike të nëndetseve në Pashaliman.
Me këte lundrim të veçantë V.S. Kozllov e vuri veten për krah komandantëve të tjerë trima sovjetikë, të cilët kishin kryer të tillë lundrime në ujrat e deteve dhe oqeaneve që e rrethojnë Rusinë. Të tillë kishin qenë Ponikarovskij V.N., i cili me nëndetsen C-87, i pari bëri lundrimin autonom në vitin 1956 nga Kamçatka deri në veri të Oqeanit Paqësor. Në detet e Veriut dhe në atë të Zi lundrime të tilla bënë komandantët Llozovskij T.A. dhe Rriballko Ll.F. përkatësisht me nëndetset C-164 dhe C-70. Ndryshe, nga këta komandantët trima, Kozllovi veçohet për lundrimin autonom në kushtet e Mesdheut.
Vlen të përmendet edhe angazhimi me përkushtim i nënujësave shqiptarë për të realizuar lundrime disa ditore në detet Adriatik, Jon e biles edhe në Mesdhe. Për t’u përmendur është lundrimi 22 ditor që kreu ekuipazhi i nëndetses, që komandohej nga Aleko Pojani, me pjesëmarrjen edhe të komandantit tonë të paharruar, Dashamir Ohri, në muajin gusht të vitit 1969. Vetëm 8 ditë e ndau nëndetsen tonë nga lundrimi i plotë autonom, 30 ditor, aq sa e kishte nëndetsja e tipit C-613 autonominë e lundrimit nën ujë.
Dihet mirë fati i marëdhënive shqiptaro-sovjetike në vitet gjashtëdhjetë, të cilat, pas divergjencave të fuqishme politiko-ideologjike midis partive politike të të dy vendeve, çuan në vitin 1961, tek ndërprerja përfundimtare e marëdhënieve midis ish Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, çka solli edhe largimin e efektivave ushtarake sovjetike nga Pashalimani. Rusët përfundimisht humbën një bazë të fuqishme ushtarako-detare në Mesdhe, çka i detyroi ata të kërkonin baza të tilla, kryesisht në vendet arabe, që lageshin me Detin Mesdhe.
Kështu, V.S. Kozllov në vitin 1963 emërohet shef’ i shtabit të Brigadës së nëndetseve në Egjypt, pastaj, më vonë, punon në bazën ushtarako-detare të Libavës në Balltik për dorëzimin e nëndetseve në Poloni. Në vitin 1969, pasi përfundoi Kursin e Lartë të Akademisë emërohet shef’ i Përgatitjes Luftarake e, më vonë, Zëvendës i Shefit të Shtabit të Flotës ushtarako-detare të Balltikut. Ndërsa, në vitin 1971 gradohet si kundëradmiral dhe në vitin 1974 kalon në Shtabin Qëndror të Flotës, si shef’ i Sektorit të Marëdhënieve me Jashtë, përkrah Komandantit të Flotës sovjetike, admiralit Gorshkov. Në vitin 1988 del në pension dhe stabilizohet përfundimisht në Sankt-Peterburg.
Vetëm në vitin 1999, pas 38 vitesh nga dita e ndarjes në Pashaliman, unë munda të lidhesha e, më vonë, të takohesha në Moskë e të gostisja për dy javë në shtëpinë e mësuesit e të mikut tim të mirë, Igor Borisjeviç Komarov. Nisi një kohë shumë mbresëlënëse e shkrimeve të ndërsjellta të letrave e të telefonatave midis meje dhe miqve të mi, Komarov I.B. dhe Kozllov V.S. Lajmin e hidhur, e largimit nga jeta të Kozlov V.S. ma dha vetë Igor Borisjeviç Komarov. Kam një dhimbje të madhe, shumë të madhe që nuk munda të takohesha për së gjalli me Valentin Stepanoviç Kozllovin, në këto vitet e fundit të pleqërisë.
Petrit Myftiu
Ish komandant nëndetseje
No comments:
Post a Comment