Java që sapo mbaroi ishte e fundit e administratës Rama ndërsa dita e hënë duket se do të shënojë hyrjen e Lulzim Bashës në korridoret e bashkisë. Zyra e kryebashkiakut është gati, e pastruar nga orenditë personale të vjetra dhe në pritje të atyre të reja. Por detyra e parë e kryebashkiakut të ri duket se do të jetë firmosja e një numri të madh shkresash që gjenden në tryezën e punës. Pjesa më e madhe e stafit të bashkisë së Tiranës ka dhënë dorëheqjen gjatë javës që sapo kaloi. Të gjitha shkresat e dorëheqjes kanë kaluar periudhën e pritjes dhe tashmë presin vetëm të firmosen nga kryetari i ri.
Dje u përpoqëm gjatë të gjithë ditës të takojmë qoftë një prej drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës, por asnjë prej tyre nuk ishte në punë. Zyrtarisht një pjesë e tyre thonë se kanë marrë lejen ndërsa ka edhe nga ana që e pranojnë qartë se kanë dhënë dorëheqjen. Ndër të parët që ka vendosur të largohet nga detyra është Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, i cili thotë se nuk është i vetmi në administratën e Bashkisë që prej ditësh ka dhënë dorëheqjen nga funksioni. “Unë tashmë kam marrë lejen e zakonshme dhe pres që kryetari të miratojë dorheqjen time. Nuk e di se si do të zhvillohet rotacioni në Bashkinë e kryeqytetit. Nuk e di kë të pyesni pasi si unë, kanë dhënë dorëheqjen edhe drejtuesit e tjerë të bashkisë”, -tha dje Agolli. Pak a shumë të njëjtën gjë thotë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri. “Puna vazhdon normalisht, por të them të drejtën unë nuk di shumë pasi kam dhënë dorëheqjen”,- tha dje Dhimitri.
Ata pak njerëz që kanë mbetur ende në detyrë përpiqen të thonë se puna vazhdon pa probleme. Sipas tyre, dorëheqja e zyrtarëve të lartë të institucionit nuk ka ndikuar aspak në vijueshmërinë normale të punës së administratës. Por nga ana tjetër ata thonë që pothuajse të gjithë drejtuesit janë larguar. “Stafi i ngushtë është larguar i gjithi, kanë dhënë dorëheqjen. Disa kanë marrë lejen, por ndërkohë i kanë lënë kryetarit të ri letrat e dorëheqjes. Ne që kemi poste më të ulëta jemi ende këtu dhe presim se çfarë do të ndodhë”,- thonë dy prej punonjëseve të bashkisë, të cilat po presin se çfarë do të ndodhë me to. I gjithë stafi i bashkisë përbëhet nga 431 punonjës dhe një pjesë e madhe e tyre do të qëndrojnë në bashki, të mbrojtur nga statusi i nëpunësit civil. “Rreth 70% e stafit ka statusin e nëpunësit civil. Nëse na heqin nga puna, ne do të ankohemi në gjykatë”,- thonë ata. Mirela, përgjegjësia e zyrës së pritjes së popullit, duket se është një prej punonjësve të cilat ka siguruar me ligj vijueshmërinë e saj në Bashkinë e Tiranës. Ndaj është e vetmja që mund të takosh tani në këtë institucion teksa të tjerët po zbrazin zyrat për t’i lënë vendin pasardhësve të Lulzim Bashës.
Përveç zyrave të drejtorëve e nënkryetarëve, në bashkinë e Tiranës është boshatisur edhe zyra e kryetarit. Edi Rama ka hyrë në këtë zyrë në fillim të tetorit 2000 dhe është larguar në mes të korrikut 2011. Sendet që ndodheshin në këtë zyrë prej pothuajse 11 vitesh janë larguar. Kushdo që ka vizituar zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përgjatë 10 vjetëve që drejtohej nga Edi Rama, përveç ngjyrës së kuqe i ka bërë përshtypje mini-galeria me piktura të ndryshme dhe biblioteka e madhe me qindra tituj librash. E gjithë kjo pasuri e krijuar nga Rama përgjatë 10 vjetëve që ka qëndruar në krye të bashkisë së Tiranës është transferuar së bashku me kryetarin.
Çdo ndodhë
Mandati i Bashës do të zyrtarizohet në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Mbledhja e parë e tyre do të zhvillohet të hënën. Pas betimit të 55 anëtarëve të këshillit, do të nisë procedura për kryetarin e ri, i cili do të kryejë formalisht procedurën e betimit për t’i dhënë dhe fund procedurave që do ta bëjnë atë kryetarin e Bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme.
Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm gjatë marrjes së detyrës nga ana e zëvendësuesit të tij. Ai ka deklaruar se mandati i vjedhur i Tiranës nuk mund të dorëzohet me procesverbal. Duke qenë se pothuajse të gjithë drejtuesit kanë dhënë dorëheqjen, ende nuk është përcaktuar se cili funksionar i bashkisë do të presë Lulzim Bashën ditën e parë të punës
No comments:
Post a Comment