Më 24 dhjetor 1981 Enver Hoxha doli për herë të parë në publik, pas ikjes
me pahir nga kjo botë e bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë në drejtimin e partisë
e të shtetit komunist, Mehmet Shehut. Në këtë dalje të parë, Hoxha nuk zgjodhi
ndonjë repart ushtarak, fabrikë, kombinat etj., por Galerinë e Arteve Figurative,
duke folur krejtësisht për artin e kulturën. Opinioni shqiptar aq i etur për fjalë e
për thashetheme, pavarësisht se ishte në kushtet e atij regjimi, i kishte sytë katër, se
me cilët po shoqërohej Enver Hoxha. Kjo, për faktin se thjeshtë se shoqëruesi do
ishte “pasardhësi”. Në krah të Hoxhës ishin ministri i Mbrojtjes Popullore, Kadri
Hazbiu, dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, të dy anëtarë të Byrosë Politike
dhe dy njerëzit që kishin luftuar më fort Mehmet Shehun në mbledhjet e fundit të
Byrosë Politike. Në këtë vizitë Hoxha u shfaq i interesuar për artin në përgjithësi
dhe nuk foli fare për politikë. Në opinion, filluan zërat se kush do ishte Kryeministri i
ardhshëm i vendit dhe ndoshta pasues i mundshëm i Hoxhës. Përcaktimi ishte midis
dy vetëve, Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut. Thashethemet mbi njeriun e ardhshëm
më të afërt të Hoxhës nuk do zgjasnin më shumë se dy javë, ndërkohë që do rrisnin
ankthin e rivalit tjetër, i cili do përjetonte njëlloj skenarët që kishte hartuar dikur, kur
kishte drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Viti 1982 rezultoi fatal për Kadri Hazbiun dhe sigurisht fatlum për Ramiz
Alinë. Figura e ministrit më jetëgjatë të diktaturës do pësonte një goditje, që filloi
nga thashethemet e rrugës, vazhdoi me kritikat në Sekretariat e Byronë Politike,
përjashtimin në Komitetin Qendror, në fund fare në hetuesi e procesin gjyqësor.
Mehmet Shehu përveçse ishte vrarë, ishte anatemuar si armik i egër, “poliagjent”,
kryetar i një “organizate” të paqenë “kundërrevolucionare”, që kishte pasur qëllim të
kryente “grusht shteti” për të rrëzuar të quajturin pushtet popullor etj. Në funksion
të kësaj, kombinacioni agjenturor gjeti momentin dhe i lidhi edhe çështjet e Xhevdet
Mustafës, Sabaudin Haznedarit dhe Halit Bajramit me atë të Kadri Hazbiut. Meqë
Mehmet Shehu ishte “kryetar” i organizatës, lindte nevoja që të gjendeshin anëtarët
e saj, në mënyrë që në vitin 1982, populli në fillimin e epokës së madhe të urisë, të
ushqehej sa më shumë me imagjinata komplotesh, diversantësh, armiqsh klase etj.
Kësisoj, lindte nevoja e krijimit të një procesi të dytë si ai i Koçi Xoxes më 1949, me
anë të të cilit Enver Hoxha disa krime të regjimit të tij të kryera në frymën normale
të atij drejtimi, do ia faturonte vetëm Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe ndonjë zyrtari
të vogël. E gjithë kjo histori eliminimesh, nuk kishte qëllim tjetër, veçse pastrimin e
rrugës së kandidatit të piketuar për drejtimin e partisë pas vdekjes së Enver Hoxhës.
Ky kandidat ishte Ramiz Alia. Thelbësore në gjithë këto histori mbetej çështja e
sundimit dhe garantimit për familjen Hoxha të kushtit që pasardhësi i Enver Hoxhës
të ishte patjetër Ramiz Alia.
Zhgënjimi i parë i Kadri Hazbiut ishte moszgjedhja e tij Kryeministër. Hoxha më
15 janar 1982 pëlqeu Adil Çarçanin si kryeministër, ndërsa Ramiz Alia u bë njeriu
më i fortë në parti pas Hoxhës, përfshi këtu përparësinë për kontrollin ndaj Sigurimit
të Shtetit.
Enver Hoxha filloi të kultivojë një teori, sipas së cilës komplotet nuk i kishte
zbuluar Sigurimi i Shtetit, por Partia. Hoxha dilte sërish shpëtimtar i partisë, pa thënë
asnjëherë se si. Në këtë retorikë politike, ku imagjinata vlerësohej si provë, shtrohej
çështja se si i kishte zbuluar partia nga njëra anë, kur nuk kishte funksione zbuluese
dhe së dyti, si mund të ndiqte Sigurimi një veprimtari brenda partisë, kur një gjë të
tillë ia ndalonte platforma operative e organeve të MPB-së. Pikërisht për vënien e
Sigurimit mbi partinë ishte sulmuar Koçi Xoxe, ndërsa tani Enver Hoxha pohonte të
kundërtën, se kjo ishte rruga më e drejtë në zbulimin e armiqve.
Proceset që nisën më 1982 dhe u mbyllën më 1983 ishin fluks i mbarimit të
çështjes pas eliminimit të Mehmet Shehut. Për të krijuar anëtarët e “organizatës
kundërrevolucionare” të “formuar” më 1942, u krijuan dy grupe në gjykim, njëri që
kryesohej nga Fiqret Shehu (në “përbërje” të të cilit ishin edhe Skënder Shehu, Nesti
Nase, Llambi Ziçishti) dhe tjetri që “kryesohej” nga Kadri Hazbiu. Grupi i parë ishte
i civilëve, ndërsa i dyti, i ushtarakëve. Më i avancuar në kohën e arrestimeve ishte
grupi i civilëve. Pastaj hetimi dhe gjykimi u zhvilluan gati në të njëjtën kohë.
Duke bërë kritikën e burimit arkivor, mund të themi se procesi i civilëve është
tërësisht i manipuluar, pasi është hartuar nga akuza mbi bazën e tablosë sinoptike
të Enver Hoxhës. Të pandehurit ose kanë bashkëpunuar me akuzën, duke dalë edhe
dëshmitarë të rremë në procesin tjetër, ose kanë nënshkruar çdo gjë që i sillnin
hetuesit. Procesi tjetër, ai i ushtarakëve, duke pasur brenda kundërshtinë e Kadri
Hazbiut, Feçor Shehut dhe Llambi Peçinit, pra antagonizmin, plotëson kushtin e
referueshëm në një pjesë të madhe të tij. Ky antagonizëm sigurisht sot ka vetëm vlerë
historike dhe asgjë tjetër. Në procesin e ushtarakëve, është përdorur teoria e vjetër
që një pjesë e të gjykuarve vihet kundër pjesës tjetër me “favorin” e madh se do i
falej jeta. Sipas të njëjtës kritikë, hetuesia e zhvilluar ndaj ministrit më jetëgjatë të
diktaturës, Kadri Hazbiut, paraqet interes në aspektin historik.
Kronologjia e arrestimeve të grupit të ushtarakëve paraqitet, siç do shihet më
poshtë. Ajo nis me përgjegjësitë e Feçor Shehut në fejesën e djalit të Mehmet Shehut
dhe vazhdon më tej. Feçor Shehu u arrestua më 24.3.1982, Xhavit Ismailaga më
14.4.1982, Llambi Peçini më 15.5.1982, Gani Kodra më 20.6.1982, Mihallaq Ziçishti
më 10.8.1982, Ali Çeno më 1.10.1982 dhe në fund Kadri Hazbiu mbyll “ciklin” më
15.10.1982.
Në verën e vitit 1982, në Tiranë dhe rrethe të tjera filluan të përhapen fjalët sikur
Kadri Hazbiu do arratisej, se ishte shkarkuar si ministër i Mbrojtjes Popullore etj.
Në të njëjtën kohë, Kadri Hazbiu ishte i angazhuar në grupin operativ që po studionte
situatën rreth zbarkimit të një grupi të armatosur në Shqipëri. Grup i thënçin, se
dy vetë plus bashkëpunëtorin e Sigurimit ishin. Në gushtin e vitit 1982, e dhëna
e bashkëpunëtorit të Zbulimit Politik “Bazeni” (Halit Bajrami) ishte bërë shumë
serioze. Kjo e dhënë përforconte të dhënat e mëparshme, se një grup i armatosur
do zbarkonte në Shqipëri në zonën midis Durrësit dhe Kavajës. Kadri Hazbiu, si
njeriu që ndihmonte Hekuran Isain në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kishte
insistuar në marrjen e masave të plota në eliminimin e grupit të armatosur që pritej
të zbarkonte. Në një telegram shifër të datës 14 shtator 1982 që vinte nga Skrapari, nga Petrit Latifi thuhej: “Nga dy qytetarë me përbërje të mirë, na thuhet se kanë dëgjuar, që për shokun Kadri Hazbiu qarkullojnë fjalë se, ose është arrestuar, ose është arratisur,
mbasi nuk po duket gjëkund. Fjalët i kanë dëgjuar nga persona të ndryshëm të ardhur
nga Tirana”.
Mbi këtë informacion, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, ka shënuar
fjalën “shpifje”. Sado që kjo mund të komentohet brenda kuadrit të linjës zyrtare
në punë, është më e mundshme që as Hekuran Isai nuk ka qenë në brendi të fatit të
shpejtë që e priste Kadri Hazbiun. Edhe më shumë se kaq, Hekuran Isait nuk do ia
merrte mendja se Kadri Hazbiu do ishte në krye të grupit armiqësor të radhës dhe ai
(Isai) do bëhej përgjegjësi i grupit të hetimit.
Më 16 shtator 1982, gjatë një ceremonie publike në Pezë të Tiranës, Kadri Hazbiut
nuk i lexohet funksioni si ministër nga sekretari i parë i PPSH-së në Tiranë, Prokop
Murra. Katër ditë më vonë i kërkohet llogari në mbledhjen e Sekretariatit të KQ
të PPSH-së. Më 24 shtator 1982 plenumi i 4-t i KQ të PPSH-së, dëgjoi “tablonë
sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”. Një ditë më vonë
vjen Xhevdet Mustafa vetë i tretë, njëri prej të cilëve ishte vetë “Bazeni”. Ky i fundit,
i ardhur për të kontrolluar Xhevdetin dhe Sabaudinin, u përdor më vonë si dëshmitar
kundër Kadri Hazbiut, madje në plan ishte që fillimisht të dënohej në një proces me
të. Halit Bajrami, shtetas neozelandez, agjent i fjetur i Sigurimit, i njohur edhe me
emrin “Aleksandër Bajrami”, i aktivizuar si agjent vetëm pak muaj para se të vinte
në Shqipëri, do vihej në funksion të kombinacionit për të vërtetuar “tradhtinë ndaj
atdheut” të Kadri Hazbiut. Esencialisht ai do të përdorej në proceset gjyqësore të
“grupeve” që kryesoheshin nga Kadri Hazbiu dhe Fiqret Shehu. Bajrami duhej të
provonte se grupi prej tre vetash në të cilin ai bënte pjesë, do vinte në ndihmë të Kadri
Hazbiut dhe do të eliminonte Enver Hoxhën. Halit Bajramit iu pre mandati i arrestit
më 26 shtator 1982, pra një ditë pas ngjarjes. Fillimisht akuzohej për pjesëmarrje
në bandë të armatosur, për hyrje ilegale në RPSSH dhe për vepra terrori (vrasja e
Enver Hoxhës) të ngelur në tentativë. Në nënshkrimin e parë Halit Bajrami firmos
me emrin Aleksadër Bajrami (Arifi).
Më 12 tetor 1982, hetuesi Dilaver Bengasi e ka trajtuar çështjen si të veçantë.
Por më 15 tetor 1982, hetuesit Thoma Tutulani dhe Shkëlzen Bajraktari vendosën të
bashkojnë çështjen e Bajramit dhe atë të Kadri Hazbiut. Më 30 tetor 1982, përgjegjësi
i grupit të hetimit, njëkohësisht ministër i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, mori
vendimin e shfuqizimit të vendimit të një dite më parë për mbylljen e hetimit nga
ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë, duke e kaluar prerazi çështjen, si
çështje që lidhet me Kadri Hazbiun. Qëllimi kryesor sipas tyre, kishte qenë arritja
e një grushti shteti dhe vrasja e Enver Hoxhës. Por, pasi ujërat kanë rrjedhur dhe
çështjet janë diskutuar me laps në dorë, më 11 korrik 1983 hetuesit e çështjes marrin
vendimin për ndarjen e çështjes së Halit Bajramit nga ajo e të pandehurve të tjerë.
Më 28 gusht 1983, Halit Bajramit i komunikohet pushimi i akuzës për tradhti ndaj
atdheut, duke i ngelur çështje penale të karakterit të vogël, që gjithsesi nuk sillnin
dënim me vdekje. Në fund është qesharake, por është e vërtetë, Halit Bajrami u
dënua “për shpërdorim detyre”.
Sipas aktakuzës së hartuar më 6 shtator 1983, thuhej se në Romë, me sekretarin e
ambasadës jugosllave në Romë, Sabaudini dhe Haliti kishin arritur marrëveshjen që,
me ndihmën e Feçor Shehut dhe Kadri Hazbiut, të eliminonin Enver Hoxhën.
Halit Bajrami dëshmoi në gjyq si kundër Kadri Hazbiut, ashtu edhe kundër Fiqret
Shehut. Në gjyq tha se ishte në lidhje me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun për të
vrarë Enver Hoxhën. U përplas në gjyq me Kadri Hazbiun. Ruajti gjakftohtësinë dhe
nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje që i bënte Hazbiu. Pas dhënies së dënimeve rrinte sa
në burgun nr.313, aq edhe në hotel “Tirana”, derisa të plotësohej koha e mbarimit të
kombinacionit.
Mbledhja e Sekretariatit të KQ
të PPSH-së, 20 shtator 1982
KADRI HAZBIU: Që nuk duhej t’i dinin, shoku Enver, kjo është e qartë, po ju
aty nga viti 1959 a 1960, më kini thënë mua t’ua mbyllim rubinetin sovjetikëve. Këtë
porosi e mbaj mend mirë, që ju ma keni dhënë në atë kohë.
HEKURAN ISAI: Po u është mbyllur rubineti atyre në atë kohë, në vitin 1959?
KADRI HAZBIU: Nga fundi i vitit 1959 apo i 1960, rubineti atyre u është mbyllur
për zbulimin. Në atë kohë, ne, shoku Enver, kështu e kemi konsideruar, çdo gjë ata e
dinin, që nga dosjet, nga agjentura e gjithçka tjetër që u interesonte. Për sa i përket
degës së Sigurimit të Ushtrisë, te ne ka pasur edhe kjo këshilltarët e vet sovjetikë,
të cilët interesoheshin që të mos shkonte ndonjë kuadër nga tanët i dyshimtë në
akademitë ose në shkollat ushtarake sovjetike. Cila do të jetë agjentura që do të
keni, për këtë do t’ju themi që këta të bashkërendojnë punën me shokët tanë atje, na
thoshin. Kështu ka qenë praktika që kemi pasur.
ENVER HOXHA: Po pse nuk e kishit vënë ju në dijeni KQ për këtë praktikë?
KADRI HAZBIU: Unë e di, shoku Enver, që ne me lejen e KQ i kemi bërë këto
punë.
KADRI HAZBIU: Një minutë ta shpjegoj unë, se po e kuptoj tani, shoku Enver. Ne,
sa u prishëm me sovjetikët, kemi dhënë porosi që t’i rishikonim komplet marrëdhëniet
që kishim me ta. Puna e parë që kemi bërë, me sa di unë, kemi nxjerrë një listë me
emra, nuk e di saktësisht sa kanë qenë këta, 70 apo 80 vetë, se nuk më kujtohet mirë
dhe i kam dërguar këtu. Po kujt ia kam dërguar në KQ, nuk më kujtohet dhe për këtë
do të më falni, po me atë listë kam treguar se cilët ishin bashkëpunëtorët, që kanë
pasur rusët në lidhje me këta të tjerët.
KADRI HAZBIU: Shiko, gjatë kohës që ne kemi qenë në marrëdhënie me rusët,
të them të drejtën, nuk më kujtohet ekzakt, se kur kemi pasur në dorë kombinacionin
e Teme Sejkos, shoku Enver më ka thirrur këtu dhe më ka porositur t’ua mbyllnim
rubinetin rusëve, trak. Këtë porosi unë e mbaj mend mirë dhe që nga ajo kohë, atyre
nuk u kemi dhënë gjë.
ENVER HOXHA: Unë nuk e mbaj mend atë që thua ti.
KADRI HAZBIU: E mbaj mend unë, shoku Enver, dhe këtë e mbaj mend mirë.
ENVER HOXHA: Po, ti mund ta mbash.
KADRI HAZBIU: Sepse, kur ne kishim në dorë tërë kombinacionin e Teme
Sejkos, rusët vinin e interesoheshin për këtë çështje.
ENVER HOXHA: Po, mundet për Teme Sejkon, sepse ata dyshuan për të, se
Teme Sejkoja duhet të ishte një lojë e komplikuar dhe ju nuk e keni lidhur këtë të
Teme Sejkos. Edhe unë nuk e kuptoj çështjen se ai bëri organizimin në port, por për
kë, për cilat fuqi të huaja e bëri?
KADRI HAZBIU: Siç na doli neve atëherë, ai e bënte atë lojë për llogari të
amerikanëve.
ENVER HOXHA: Po, po, po tjetër?
KADRI HAZBIU: Tjetër edhe të rusëve, po këta, çështja mbeti me
pikëpyetje.
KADRI HAZBIU: Pas gjyqit dhe përpara se të ekzekutohej, unë kam kërkuar
atëherë autorizim që t’i bënim akoma presion Teme Sejkos, për të parë se ç’mund
të na nxirrte tjetër, dhe këtë ua kam besuar këtyre të dyve, Xhep Kollit dhe Mihallaq
Ziçishtit. Të dy këta e shpunë Teme Sejkon në vendin e ekzekutimit, i kanë bërë
presion a nuk i kanë bërë, këtë nuk e di, po më në fund e kanë mbytur. Ai në këtë
drejtim nuk tregoi asgjë më tepër nga ato që kishte thënë në procesin gjyqësor.
ENVER HOXHA: Edhe Petrit Dumja, edhe Beqir Balluku kështu kanë bërë, të
gjithë këta pranuan vetëm ato që u thamë ne në KQ dhe asgjë tjetër më tepër.
KADRI HAZBIU: Po, mund të kenë treguar ndonjë gjë fare të vogël.
ENVER HOXHA: Po, gjëra të vogla dhe asgjë tjetër. Atëherë çfarë konkluzioni
nxjerr ti nga gjithë kjo punë e organeve të Sigurimit që drejtoje, Kadri?
KADRI HAZBIU: Unë kam nxjerrë këtë konkluzion, që puna e bërë nga ana e
Sigurimit nuk arriti ta thellonte dot më shumë çështjen, kurse mendimi im ka qenë
kështu, që Feçor Shehu, flas për puçistët, ndryshe llafoste me mua këtu, ndryshe
vente vepronte në krahun tjetër. Unë ua kam thënë juve këtë. Me porosinë tuaj unë
e kam thirrur vetë Beqir Ballukun dhe e kam pyetur drejtpërdrejtë: Je apo nuk je
agjent i jugosllavëve? Ai ka ndenjur disa minuta si i heshtur, rrinte dhe më shikonte
vetëm në sy, por asgjë nuk më tha. Edhe më prapa kam menduar këtë që Mehmet
Shehu si nuk më thirri një herë të më pyeste: More, ti, shoku Kadri, si ministër i
Punëve të Brendshme, pa na thuaj një çikë, çfarë po bëhet me këtë proces? Hiç fare
nuk është interesuar. Ju më thërrisnit, shoku Hysni gjithashtu, dhe ju kam raportuar,
po nga ai asnjë fjalë nuk m’u tha, prandaj në këto kushte mendoja që ndoshta ai i
merr të dhënat nga ju, kujtoja se i thoshit gjë ju.
HEKURAN ISAI: Ne pranojmë dhe bashkë kemi biseduar që grupi i puçistëve
është manipuluar nga Feçor Shehu. Këtë e pohon edhe Fiqret Shehu. Domethënë që
prapa teje ishte krijuar një linjë tjetër që vepronte. Po si vepronte kjo, tani del qartë.
Armiqtë janë orientuar të mos thoshin më shumë nga çfarë dinte Plenumi i KQ. Unë
po lexoj procesin dhe shikoj që kjo linjë ka funksionuar.
ENVER HOXHA: Po si mos ta ndiqje ti hetuesinë? Ja këtë punë po e ndjek edhe
unë që këtej, bisedoj me Hekuranin se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë taktikash duhet
të ndjekë me armiqtë që kemi futur kohët e fundit në burg.
KADRI HAZBIU: Po, shoku Enver, kështu keni bërë edhe me mua ju, e vërteta
kështu është. Tani, unë, sa kam mundur...
ENVER HOXHA: Po unë, me aq sa kam ditur, kam folur, të tëra mendimet e mia
janë të shkruara dhe gjithçka kemi thënë, i kemi parashtruar këtu, në KQ.
KADRI HAZBIU: More, po çfarë kishte unë e kam raportuar, kam marrë ndihmë
edhe nga shoku Enver, në shumë raste më ka ndihmuar edhe shoku Hysni, që të pyetet
filan i burgosur për këtë, të pyetet për atë. Pastaj kam ardhur, kam marrë materiale
këtu, i kam sistemuar ato, u kam dhënë porosi hetuesve se si të ndërtonin mënyrën e
pyetjeve. Ja, unë kaq kam bërë. Po mund të isha i kënaqur unë nga puna e bërë? Ju
them sinqerisht, se nga hetuesia atëherë, ashtu si të tërë ju, as vetë nuk kisha mbetur
i kënaqur, po ata na thoshin se kjo çështje kaq është, nuk ka gjë më tepër.
No comments:
Post a Comment